Sport

Basketbollistët e Partizanit nuk lejohen të hyjnë në Kosovë

Basketbollistët dhe stafi i klubit ‘Partizani’ nga Beogradi nuk janë lejuar të hyjnë në Kosovë në pikën kufitare në Jarinje në veri të Kosovës, raporton RTS.

 Policia e Kosovës nuk ka marrë konfirmim deri në kohën e publikimit të lajmit.

Ata kishin planifikuar që sot të luanin një ndeshje kundër klubit “Trepça” të Mitrovicës së Veriut, klub me të cilin, sipas mediave serbe, janë të ‘vëllazëruar’ që nga viti 2014, shkruan Kallxo.com, përcjell albinfo.ch.

Ata në pikën kufitare në Jarinje kanë ardhur të kryesuar nga presidenti i klubit Ostoja Mijailoviq dhe drejtorët Nikola Lonçar, Dushan Kecman dhe Mlagjan Shilobad.

Gazeta beogradase ‘Blic’ ka raportuar se basketbollistët kanë udhëtuar në Kosovë “për t’i mbështetur serbët kundër masave të Prishtinës” pas vendosjes së taksës 100% ndaj mallrave të importuara të Serbisë.