Lajme

BE-ja dhe Zvicra, gati paketën e nëntë të sanksioneve ndaj Rusisë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se Bashkimi Evropian është në përgatitje për paketën e nëntë të sanksioneve ndaj Rusisë, përcjell albinfo.ch.

Po ashtu edhe Zvicra ka nisur projektimin e sanksioneve të reja ndaj Rusisë.

Von der Leyen, e cila ndodhet në kryeqytetin e Finlandës, Helsinki, për aktivitetin ‘Bauhaus’, mbajti një konferencë të përbashkët për media me kryeministren finlandeze, Sanna Marin, kryeministren estoneze Kaja Kallas dhe me zëvendëskryeministren suedeze, Ebba Busch.

“Popullit të Ukrainës i duhet të kalojë dimrin pa energji elektrike për shkak të sulmeve të Rusisë”, tha Von der Leyen, e cila shtoi se “Foshnjat, prindërit, gjyshërit dhe gjyshet janë në errësirë dhe po ngrijnë. Dënoj fuqishëm këto sulme barbare. Këto janë krime lufte”.

“Sot mund të them se po punojmë me shpejtësi maksimale mbi paketën e nëntë të sanksioneve. Jam e sigurt se së shpejti me G7-tën dhe partnerët e tjerë të mëdhenj do të miratojmë çmimin tavan global për naftën ruse”, deklaroi Von der Leyen, shkruan Anadolu.

Iniciativa “Bauhaus e Evropës së Re” nën përfshirjen e “Marrëveshjes së Gjelbër” të BE-së, parashikon që në industrinë e ndërtimit të përdoren materiale të karbonit-neutral dhe me bazë bio për të luftuar ndryshimet klimatike.

Në kuadër të kësaj, shkencëtarët, projektuesit, ekspertët e ndërtimit dhe përfaqësues të sektorit të pyjeve janë mbledhur në Helsinki për të diskutuar mbi zgjidhje të qëndrueshme.

Von der Leyen, Marin, Kallas dhe Busch në vlerësimet e tyre lidhur me aktivitetin ndanë pikëpamjet se në njërën anë duhet të ruhet biodiversiteti, ndërsa në anën tjetër, në sektorin e ndërtimit duhet të përfitohet nga vlera ekonomike e pyjeve në kuadër të objektivave të tilla, si kalimi në burimet e rinovueshme dhe shpëtimi nga varësia në energji.