Lajme

BE kërkon koalicion të gjerë, Zaev kërkon mandatin

Zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiç tha se koalicioni në Maqedoni duhet të jetë sa më i gjerë, ndërsa kërkon nga presidenti Ivanov të konsultohet me partitë politike. Zoran Zaev në anën tjetër kërkon mandatin për qeverinë e re

Pas dështimit të Nikolla Gruevskit për të formuar Qeverinë e re në Maqedoni, ka reaguar Bashkimi Evropian, i cili kërkon nga presidenti Gjorgj Ivanov, që të konsultohet me partitë politike për të caktuar mandatarin tjetrin. Por, nga mesazhi që vjen nga Brukseli, shihet e BE kërkon qeveri të gjerë, stabile dhe të përgjegjshme.

Pra, sipas këtij reagimi, BE duket se mbështet një koalicion gjithëpërfshirës, për të ecur përpara me reforma.

Zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiç, në emër të Brukselit zyrtar, edhe një herë paralajmëroi se “vendi nuk ka kohë për të humbur”.

“Ne vërejtëm se ende nuk është arritur marrëveshje për formim të Qeverisë së re dhe për këtë arsye u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve në vend, duke përfshirë edhe presidentin, të veprojnë në mënyrë të qetë dhe konstruktive me përgjegjësi të plotë për zgjidhje të gjendjes së tanishme. E dini se vendi nuk ka kohë për të humbur dhe në këtë pikëpamje presim që presidenti, sipas Kushtetutës, të realizojë konsultim urgjent të hapur me forcat politike në vend dhe shpejtë të caktojë një lider për formim të Qeverisë, i cili do të mund të gjejë gjuhë të përbashkët për formim të koalicionit stabil, solid dhe përgjegjës”, theksoi Kocijançiç.

Sipas saj, një koalicion i këtillë duhet të jetë sa më i gjerë që mundet dhe të mbështetet në konsensus inkluziv reformues dhe bashkëpunim ndëretnik.

“Ndërsa, siç e dini mirë, ne presim nga Qeveria e ardhshme dhe nga të gjithë forcat politike në vend të vazhdojnë me implementim të marrëveshjes së Përzhinës dhe zgjidhje të prioriteteve urgjente reformuese, për shkak se e gjithë kjo është vitale për progres të vendit në rrugën drejt integrimeve evropiane dhe kjo është diçka për çka të gjithë partitë politike u zotuan, ndërsa të njëjtën e presin edhe qytetarët”, shtoi Maja Kocijançiç.

Presidenti Gjorge Ivanov, ndërkaq ende nuk është njoftuar nga Kuvendit lidhur me dështimin e Nikolla Gruevskit për formimin e qeverisë së re.

Nga zyra e Presidentit thonë se pas marrjes së konfirmimit se Gruevski nuk ka dorëzuar programin dhe përbërjen e qeverisë së re, do të nis konsultimet me institucionet dhe partitë politike për hapat e mëtejmë.

“Në funksion të kalimit të afatit të parashikuar në nenin 90 të Kushtetutës, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë është i obliguar ta informojë Presidentin se mandatari ka paraqitur program dhe propozim për përbërjen e qeverisë së re”, thonë nga Kabineti i Presidentit, citon INA.

Profesori universitar, Vllado Popovski vlerëson se çelësi i formimit të qeverisë së re është tek BDI-ja. Ajo mund të vendos të formojë qeveri me VMRO DPMNE-në por këtë herë mandatar të mos jetë Nikolla Gruevski, ose me LSDM-në bashkë me një parti tjetër shqiptare.

Në anën tjetër, lideri i LSDM-së Zoran Zaev kërkon nga presidenti Gjorge Ivanov që t’i dorëzojë mandatin për formimin e qeverisë së re.

I pyetur për komentet në opinion se presidenti Gjorgje Ivanov mund t’ia jap mandatin sërish ndonjë përfaqësuesit tjetër të VMRO DPMNE-së, Zaev deklaroi se e respektojnë Kushtetutën e cili është e qartë, dhe i cili thotë se, Ivanov mandatin duhet t’ia jep partisë apo partive që do të vërtetojnë se mund të formojnë qeveri.

Ndryshe, BDI nuk pranoi kushtet e VMRO DPMNE-së për koalicion qeverisës. Sipas BDI-së, Gruevski nuk i përmbushi premtimet e shqiptarëve.

Zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani u tha gazetarëve para selisë së partisë në Tetovë se BDI nuk mundi të marrë vendim për asnjë prej pesë opsioneve të bëra publikë ditë më parë.

“Nuk pati argumente të mjaftueshëm për marrjen e një vendimi” tha ai, duke shtuar se diskutimet brenda partisë ishin mjaft konstruktive dhe se vendimi ishte i njëzëshëm. Ai tha se në ditët në vazhdim do të mbahen bisedime me partitë lidhur me formimin e qeverisë së re që duhet të pasojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit.

Pas mesnatës, VMRO-DPMNE përmes një komunikate theksoi se formimi i qeverisë duhet të jetë në funksion të mbylljes së krizës politike dhe jo të thellimit të saj. Ajo vlerëson se zgjedhjet e reja do të ishin një mundësi e arsyeshme.


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI