Lajme

Biden, i vendosur t’i japë fund dënimit me vdekje në SHBA

Joe Biden, presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës që kundërshton hapur dënimin me vdekje, ka diskutuar mundësinë që t’i propozojë Departamentit të Drejtësisë të ndalojë caktimin e ekzekutimeve nga autoritetet federale, i kanë thënë zyrtarë AP-së, përcjell Albinfo.ch.

Zyrtarët kanë informacione për diskutimin privat me Bidenin, por nuk janë autorizuar të flasin publikisht.

Sekretaresha e shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, kur u pyet për planet e Bidenit mbi dënimin me vdekje, tha se nuk kishte asgjë të thoshte për këtë çështje.

Veprimi për të ndaluar caktimin e ekzekutimeve të reja mund ta heqë menjëherë presionin nga Bideni të kundërshtarëve të dënimit me vdekje. Por, ata duan që Bideni të shkojë edhe më larg, nga shkatërrimi i dhomës federale të vdekjes në Terre Haute, Indiana, deri në heqjen e dënimit me vdekje nga ligjet e SHBA-së krejtësisht.

Ekzekutimet federale që filluan më 14 korrik dhe që përfunduan katër ditë para inaugurimit të Bidenit, ishin ekzekutimet e para federale në 17 vjet. Më shumë ekzekutime janë bërë nën urdhrin e Trumpit për gjashtë muaj se sa në 56 vjet.

Sa i përket ndaljes së kësaj praktike, është një gjë që presidenti mund ta bëjë. Bideni mund të garantojë se nuk do të ketë ekzekutime federale gjatë presidencës së tij duke i kërkuar Departamentit të Drejtësisë që të mos caktojë ndonjë. Por, kjo nuk do ta ndalonte një president të ardhshëm që mbështet këtë dënim, që ta rikthente.

Mënyra më e sigurt për të ndaluar një president të ardhshëm që të rikthejë ekzekutimet, është që të nënshkruajë një projektligj që heq dënimin me vdekje. Kjo do të kërkonte Kongresin që ta kalonte një projektligj të tillë.

Bideni mund të ndryshojë dënimet me vdekje të mbi 50 personave që janë të dënuar dhe t’i zëvendësojë dënimin e tyre me dënim me burgim të përjetshëm.