Lajme
Bizneset kosovare, me shumë probleme
Problemet e tyre fillojnë që nga hyrja me mallra në pikat doganore e deri tek problemet me pagesën pas shitjes së mallit
Perspektiva e bizneseve kosovare nuk mund të jetë e ndritur, nëse nuk hiqen shumë barriera me të cilat përballen ato në vazhdimësi.
Problemet e tyre fillojnë që nga hyrja me mallra në pikat doganore e deri tek problemet me pagesën pas shitjes së mallit.
Nuk mungojnë as problemet me rrymën, prokurimin, pagesat, ligjin e punës, rimbursimin dhe të ngjashme.
Këto sfida Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i ka publikuar në dokumentin “Agjenda e biznesit të Kosovës 2011”, që përmban çështje me të cilat bizneset ballafaqohen në baza ditore ose të tjera.
Në një forum, ku përpiluesit e këtij dokumenti kanë prezantuar faktet dhe rekomandimet e tyre, përfaqësuesit e institucioneve të vendit u zotuan të marrin të gjitha masat e nevojshme për eliminimin e çështjeve të identifikuara në dokumentin e publikuar nga Oda Ekonomike Amerikane me qëllim të përmirësimit të mëtejmë të mjedisit afarist.
Drejtori i Administratës Tatimore, Behxhet Haliti, drejtori i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica dhe këshilltari i ministres së Tregtisë, Bernard Nikaj, kanë thënë se një pjesë e këtyre çështjeve tashmë janë eliminuar, siç është çështja e lejeve komunale të punës, apo pritet të zgjidhen shumë shpejt problemet e tjera përmes implementimit të masave të reja fiskale të paralajmëruara nga institucionet qeveritare të vendit.
Por, shumë nga problemet ende nuk janë zgjidhur. Sipas këtij dokumenti, i cili u prezantua nga menaxheri i politikave i Odës Amerikane, Arian Zeka, në çështjet doganore theksohet mospranimi i vlerës së faturave të mallrave të importuara, siç u prezantohet doganierëve.
Sipas bizneseve, kjo metodë e arkëtimit të të hyrave vjen si rezultat i presionit të Qeverisë mbi zyrtarët doganorë për të rritur të hyrat buxhetore. OEAK rekomandon Doganat që të rishikojë praktikat e mospranimit të vlerave të cilat i paraqesin kompanitë importuese në kufi, shkruan Koha Ditore.
Një problem tjetër, sipas Zekës, është ai i mbledhjes së Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) në kufi për mallrat e destinuara për shitje të brendshme që sipas përpiluesve të raportit bllokon kapitalin e nevojshëm për operime dhe rrit koston e përgjithshme në treg. Bizneset rekomandojnë se pagesa e TVSH-së duhet të bëhet pasi që mallrat të jenë shitur dhe pasi të jenë lëshuar faturat. OEAK ka ritheksuar edhe problemin e procedurave tejet të ngarkuara për rimbursimin e TVSH-së.
Sektori i prodhimit në Kosovë duket të jetë sektori në pozitën më të vështirë, duke pasur parasysh se problemet e prezantuara nga bizneset janë të natyrave të ndryshme, duke filluar nga mungesa e lehtësirave tatimore dhe e energjisë elektrike, e deri tek problemet e shkaktuara nga mosimplementimi i Marrëveshjes për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore.
Kompanitë prodhuese në Kosovë kanë qenë të zëshme me kritikat drejtuar furnitorit të energjisë, Korporatës Energjetike të Kosovës për shkak të furnizimit jo të qëndrueshëm me energji elektrike që ndikon në funksionimin e mirëfilltë të bizneseve kosovare dhe e përkeqëson edhe më tej ambientin edhe ashtu të vështirë afarist që ekziston në Kosovë.
OEAK-u kritikon nivelin komunal për procedurat të kushtueshme dhe të gjata për marrjen e lejeve komunale.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hap 23 kuti postare për votuesit e diasporës Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës ka vënë në funksion 23 kuti postare në shtete të... -
Ministrja shqiptare paralajmëron iniciativa për të drejtat e diasporës në Greqi -
Udha e Lorik Canës: Sporti, Kultura dhe Kombi -
Program përkujtimor kushtuar Masakrës së Reçakut -
Abdixhiku: Diaspora nuk i prish balancat demokratike në Kosovë, ajo i pasqyron ato
Jeta në Zvicër
-
Pse Zvicra duhet të përqendrohet më shumë te kursimi i energjisë? Kushtetuta e Zvicrës parashikon që energjia të përdoret me kursim dhe në mënyrë të arsyeshme. Fondacioni... -
Temu, Shein, AliExpress: A duhet Zvicra të taksojë paketat kineze si BE-ja? -
Këshilli Kombëtar i Zvicrës miraton 1 milion franga për luftën kundër dhunës me bazë gjinore -
Asnjë kaos nga ndryshimi më i madh i orareve të transportit publik në Cyrih -
Studim alarmues: Deri në 90% e akullnajave mund të zhduken deri në vitin 2100












