CH-Ballkani

Bjeshka Mokra bashkon rajonin në turizëm

Instituti për Zhvillim Ekonomik Territorial njofton se do të fillojë projektin rajonal “Bjeshka e Mokrës – një margaritar i pazbuluar në Via Dinarika”, i cili do të mbledhë përfaqësuesit e komunave, organizatave lokale turistike, klubeve sportive, agjencive turistike dhe organizatave joqeveritare të Rozhajës, Pejës, Istogut, Zubin Potokut dhe Tutinit, vende që së bashku e ndajnë këtë bjeshkë, në mënyrë që së bashku të punojnë në zhvillimin e turizmit dhe promovimin e Bjeshkës Mokra si një destinacion unik që ofron përmbajtje atraktive për pushim aktiv.

Projekti do të vazhdojë deri në fund të muajit maj të vitit të ardhshëm dhe financohet me mjete të Bashkimit Evropian, përcjell albinfo.ch.

Në bashkëpunim me partnerët nga këto komuna InTER do të punojë në krijimin e një shtegu të ri në rutën Via Dinarika nga Hajla në Bjeshkët e Nemuna, nëpërmes Bjeshkës Mokra, deri te pjesa lindore e Majës Berim, përcjell albinfo.ch.

Përveç kësaj, me projekt do të mbështetet edhe krijimi dhe promovimi i produkteve turistike që do të paraqesin një përvojë unike multikulturore në një ambient shumë të bukur natyror të Bjeshkës Mokra, e cila njihet edhe si “Bukuroshja e Ballkanit”.

Një pjesë e rëndësishme e projektit do të përdoret për vendosjen e bashkëpunimit në mes të bashkësive lokale, që do të kontribuojnë në zhvillimin e gjithmbarshëm ekonomik rajonal të kësaj pjese të Ballkanit.