Bota

Çfarë duhet të dini për një vizë pune në Gjermani

Taksa e vetme që duhet paguar është taksa për vizë (75 euro)

Shtetasit e Kosovës për hyrje në Gjermani duhet të kenë vizë turistike. Ndërsa shtetasit e Shqipërisë, Maqedonisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor mund të udhëtojnë në Gjermani pa viza.

Sa i përket vizave të punës, të gjithë ata që duan të punojnë në Gjermani, duhet të kërkojnë vizë pune, në ambasadat gjermane në Prishtinë, Tiranë, Shkup.

Ambasada gjermane nuk ka marrëdhënie me asnjë agjension apo zyrë, raporton abc-consulting.org.

Prandaj nuk është e nevojshme që për vizë pune të ngarkoni ndonjë agjension apo zyrë udhëtimi.

Kërkesat për termine janë falas, sikur edhe ndihma për të plotësuar formularët në gjuhën shqipe. Taksa e vetme që duhet paguar është taksa për vizë (75 euro). Pagesa bëhet në sportelet e zyrës për viza. Taksa të tjera nuk ka, përcjell albinfo.ch.

Në ditën e terminit duhet të paraqiteni me kohë dhe të keni dokumentacionin e plotë, sepse kjo mund të rezultojë me refuzimin e kërkesës:

Dokumentet që kërkohen:

Pasaporta e vlefshme dhe dy kopje të pasaportës. Pasaporta duhet të ketë të paktën dy faqe të zbrazëta dhe së paku nëntë muaj vlefshmëri

2 formularë të plotësuar dhe të nënshkruar nga ju personalisht. Formularët i gjeni në faqen e internetit të Ambasadës. Formularët për vizë duhet të plotësohen në gjuhën gjermane, apo angleze

3 fotografi aktuale biometrike të formatit të pasaportës me sfond me ngjyrë të çelët

Taksa e vizës në vlerë prej 75 € paguhet me para të gatshme.

Kontrata e punës, apo aftësimit profesional në origjinal me nga dy kopje. Kontrata duhet të jetë e nënshkruar nga punëdhënësi dhe punëmarrësi.

Sigurimi shëndetësor (incoming), i vlefshëm për 6 muaj brenda një viti. Sigurimi duhet të vlejë edhe nëse e zhvendosni vendbanimin nga Kosova jashtë vendit.

Secilit dokument duhet t’i bashkëngjisni një përkthim në gjuhën gjermane.

Kujdes:

Në kërkesë duhet të paraqiten të dhënat e vërteta lidhur me qëndrimet paraprake në Gjermani.

Të gjitha të dhënat mund t’i gjeni edhe në faqen e Ambasadës gjermane, në Prishtinë, përkatësisht Tiranë.