Integrimi

Çfarë po ndodh me shkollën shqipe në Zvicër?

Të dielën në Spreitenbach të kantonit Argau është mbajtur kuvendi i punës i LAPSH „Naim Frashëri“ në Zvicër. Në fokus të kuvendit ishte situata e krijuar me “Shkollën shqipe në Zvicër” që po konsiderohet si ndërhyrje në organizimin e LAPSH-së

Kuvendi i fundit i LAPSH-it ka nxjerrë në opinion idenë e ndarjes së shkollës shqipe në Zvicër. Debat i nxehtë është zhvilluar rreth kësaj pike në mes të anëtarëve të Lidhjes, ku është kërkuar nga LAPSH për kantonin e Cyrihut që e udhëheq mësuesi Naser Ulaj, që LAPSH-i në nivel vendi të dalë me një konkluzion lidhur me situatën e krijuar dhe të autorizojë Këshillin Kantonal të LAPSH-it për kantonin e St.Gallen që të shqyrtojë këtë çështje, shkruan albinfo.ch. Kjo pasi Vaxhid Sejdiu tashmë zyrtarisht është thënë të jetë koordinator i një sistemi paralel arsimor me emërtimin “Shkolla shqipe në Zvicër” dhe të marrë vendimin përkatës konform situatës së krijuar.

Ndër debatet e gjata në këtë pikë, veçojmë atë në mes të kryetarit të LAPSH-it në nivel të Zvicrës Nexhat Malokut, dhe koordinatorit të sistemit paralel të krijuar, i cili njëherësh është edhe mësimdhënës i LAPSH-it, Vaxhid Sejdiut.

Akuza dhe kundërakuza në relacionin Sejdiu-Maloku

Nexhat Maloku ka thënë se mësuesi i deritashëm i LAPSH-it, Vaxhid Sejdiu, duhet të përcaktohet se me cilin sistem dëshiron të punojë, pasi ky i fundit është edhe mësimdhënës në kuadër të LAPSH-it, e po ashtu tani edhe për “Shkollën Shqipe në Zvicër”. Po ashtu mësuesi Vaxhid është akuzuar si personi që ka marrë klasë nga organizimi i LAPSH-it për të sistemuar në sistemin paralel të mësimit plotësues të shkollës shqipe të kantonit të Cyrihut, shkruan albinfo.ch. Ai ka thënë se LAPSH në nivel të Zvicrës ka themeluar një komision për të parë nëse ka pasur shkelje dhe ndërhyrje në sistemin ekzistues, sipas këtij komision është konstatuar se z.Vaxhid Sejdiu ka bërë shkelje kur ka marrë klasën e një mësueseje tjetër në kantonin e Cyrihut.

Por në anën tjetër, Vaxhid Sejdiu ka thënë se askush nuk mund t’i mohojë atij që është mësues i LAPSH për afër 30 vjet. Ai ka thënë se është mësuesi që për rreth tri dekada ka pasur më së shumti nxënës. Sejdiu po ashtu ka deklaruar që nuk ka pasur pretendime për të pasur pozita udhëheqëse përbrenda LAPSH-it. Ai më tej ka thënë se do të vazhdojë të mbetet mësimdhënës i LAPSH-it duke adresuar si problem kryesor për gjendjen e krijuar Nexhat Malokun, kryetarin aktual të LAPSH-it në nivel të Zvicrës.

“Z.Maloku i ka kthyer shpinën institucioneve tona”, ka thënë Sejdiu. Kritikat e tij në adresë të të parit të LAPSH-it shkuan edhe më tej, duke thënë se z.Maloku ka injoruar ambasadorin shqiptar dhe se bashkëpunimin me ambasadorin e Shqipërisë ai nuk e ka dashur, përkundër asaj që Ambasadori Shqiptar ka qenë në të gjitha manifestimet e LAPSH-it. Z.Maloku i ka mohuar këto kritika, duke thënë se këto nuk qëndrojnë dhe se faktet flasin ndryshe.

Kurikula e njëjtë, tekstet e njëjta, sistemet e ndryshme

Kurikula me të cilën punon sistemi paralel i mësimit plotësues të gjuhës shqipe është po e njëjta me të cilën sot punon edhe LAPSH. Po ashtu edhe tekstet shkollore janë po të njëjtat që përdoren edhe nga LAPSH, nxënësit dhe mësuesit janë nga të gjitha trojet shqiptare.

Në reagimin e mësuese Nexhmije Mehmetajt, se cili është dallimi në mes shkollave shqipe, të cilat janë hapur nga mësuesi Vaxhidi Sejdiu dhe kolegëve tjerë të LAPSH-it, ky i fundit u përgjigj: “Në esencë asnjë dallim. Por, vetëm shkolla shqipe është rritë me 23 pika shkollore dhe 314 nxënës..

Mbetet të shihet nëse do të gjendet një emërtues i përbashkët me qëllim që t´i shërbejnë mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Zvicër.

Sipas raportit të punës së LAPSH në nivel të Zvicrës, përmendet rënia e numrit të nxënësve që vijojnë shkollën shqipe të mësimit plotësues. Sipas të dhënave të paraqitura në raportin e punës nga LAPSH këtë vit shkollor kanë qenë rreth 1654 nxënës/e të cilët kanë vijuar mësimin plotësuese në gjuhën shqipe, shkruan albinfo.ch. Shkaqet për rënien e numrit të nxënësve që janë përmendur si mungesa e përkrahjes shtetërore, mosgatishmëria e prindërve për t`i dërguar nxënësit në shkollën plotësuese si dhe vështirësitë organizative të LAPSH-it. Përveç kësaj kuvendi i punës i LAPSH ka diskutuar edhe për përgatitjen e festimit të 30-vjetorit në LAPSH dhe po ashtu edhe për librin me rastin e 30-vjetorit të LAPSH-it si dhe tema te tjera.

LAPSH Cyrih: “Veprimi i Ambasadorit të Shqipërisë, i panevojshëm”

LAPSH për kantonin e Cyrihut pas kërkesës së Ambasadës së Shqipërisë për njohjen si bartëse e shkollës shqipe në drejtorinë e Arsimit të kantonit të Cyrihut, kërkesë e cila është bërë në shkurt të këtij viti, e kanë cilësuar si të panevojshme. Sipas tyre, kjo kërkesë është bërë me arsyetimin e ambasadorit që LAPSH nuk është në gjendje të që përfshijë të gjithë nxënësit shqiptarë në shkollën shqipe dhe se nuk dëshiron të bashkëpunojë me LAPSH-in dhe për këtë ka kërkuar që të njihet nga organet e kantonit të Cyrihut. Këtë veprim të ambasadorit të Shqipërisë, LAPSH për kantonin e Cyrihut e ka parë si një veprim të panevojshëm dhe i cili shkakton huti dhe përçarje tek prindërit shqiptarë dhe njëkohësisht paraqet një imazh jo të mirë për komunitetin shqiptar te institucionet zvicerane.

Më tej LAPSH i Cyrihut ka thënë se është angazhuar për bashkëpunim me institucionet shtetërore të të dyja shteteve, si të Kosovës po ashtu edhe të Shqipërisë për një koordinim sa më të mirë të mësimit plotësues të gjuhës shqipe. Po ashtu LAPSH i kantonit të Cyrihut, ka pyetur se përse ambasadori i Shqipërisë Ilir Gjoni, nuk e shfrytëzoi autoriteti e tij që në bashkëpunim me LAPSH-in të hapë pika shkollore në ato kantone ku nuk ka fare përfshirje të nxënësve në mësimin plotësues të gjuhës shqipe, por ndërhyri në kantonin e Cyrihut aty ku ka një përfshirje të madhe të nxënëse dhe një organizim të mirë?

(albinfo.ch ka marrë edhe qëndrimin e z. Ilir Gjoni, ambasador i Republikës së Shqipërisë në Zvicër, të cilin e publikojmë menjüeherë pas këtij artikulli. Redaksia e albinfo.ch).