CH-Ballkani

Çifti shqiptar, paratë e Krishtlindjes i dhuron për fëmijët e goditur nga tërmeti

Në “thesin” e dhuratave, me të cilin Sylvia Pieper u afrohej mysafirëve, në fund ishin grumbulluar 3725 euro. Këtë shumë pastaj çifti Hajrullahi e ka rrumbullakuar në 5000 euro

Për dhjetë vjete paratë e mbledhura në arkën e bamirësisë nga ata që hanin darkën (ose drekën) e Krishtlindjes në restorantin “Casa Nostra” në Schlos Holte-Stuckenbrock janë dhuruar për fëmijët e qytetit (çerdhe, spitale etj.). Rreth 50.000 euro janë grumbulluara në këtë mënyrë, shkruan westfalen-blatt.de.

Ndërsa në vitin e dhjetë, jubilar, pronarët e restorantit, Servet dhe Hikmete Hajrullahi nga Gjilani, vendosën që paratë të dhurohen diku tjetër, transmeton albinfo.ch. Ata shprehën dëshirën që shumën e mbledhur nga darka e Krishtlindjes së sivjetme ta bëjnë dhuratë për atdheun e tyre, Shqipërinë, siç shkruan gazeta gjermane. Ky propozim është miratuar me duartrokitjet entuziaste të më shumë se 100 mysafirëve që kishin qëlluar në drekën para natës së shenjtë, në restorant.

Serveti kishte ardhur në Gjermani në vitin 1993. Këtu kishte punuar një kohë të gjatë kuzhinier para se, në vitin 2008, të merrte në pronësi restorantin “Casa Nostra”.

Idenë e tij për të grumbulluar para nga darka ose dreka e Krishtlindjes, ai ia kishte prezantuar kryebashkiakut të qytetit, Hubert Erichlandwehr. Ky i fundit e kishte parë me skepticizëm këtë ide, por, pas “premierës” në vitin 2010 ai ishte befasuar për të mirë: nga paratë e mysafirëve ishin grumbulluar 1480 euro, përcjell albinfo.ch. Ky sukses motivoi çiftin nga Kosova që të vazhdonte më tutje. Për 10 vjet janë grumbulluar dhe shpërndarë rreth 50.400 euro.

Kur tërmeti i rëndë që goditi Shqipërinë më 26 nëntor, shkaktoi mbi 50 viktima dhe la me mijëra njerëz pa kulm mbi kokë, destinimi i radhës për të dhuruar ishte i qartë: Shqipëria.  Teologu Elvis Naçi ka themeluar një organizatë joqeveritare me emrin “Shqiptarët për Shqiptarët” , për të ndihmuar njerëzit.

“Për ne është e rëndësishme që fëmijët të cilët kanë humbur familjet e tyre, të fitojnë një të ardhme”, thonë Servet dhe Hikmete Hajrullahi, të cilët janë vetë prindër të tre fëmijëve. Për këtë qëllim, ata kanë dhuruar ushqimet dhe pijet nga bufeja mediterane e restorantit, ndërsa personeli ka hequr dorë nga pagesa.

Në “thesin” e dhuratave, me të cilin Sylvia Pieper u afrohej mysafirëve, në fund ishin grumbulluar 3725 euro. Këtë shumë pastaj çifti Hajrullahi e ka rrumbullakuar në 5000 euro. Hikmete Hajrullahi dëshiron që këto para t`i dhurojë personalisht në Shqipëri.