Zhvillim

Cilët janë lumenjtë e Kosovës dhe si mund t`i vizitojmë ata?

Kosova nuk gëzon namin e një vendi të pasur me ujëra. Megjithatë, vendin e përshkojnë një numër lumenjsh, të cilët me bukurinë e tyre ia vlen të vizitohen dhe të shijohen

Drini i Bardhë – burimi, kanioni, rrjedha
Burimi i Drinit të Bardhë është ujëvara më e madhe në Kosovë dhe gjithsesi se ja vlen të shkohet e të shihet. Nuk është si ujëvara e Rajnës (Rheinfall) por megjithatë është një gjë me të cilën ia vlen të mburremi që e kemi dhe në veçanti që tashmë trajtohet si atraksion dhe rrugët për të arritur aty janë të mira.
Burimi i Drinit të Bardhë është një vend që mund të vizitohet nga e tërë familja. Deri afër tij shkohet me veturë dhe për të arritur te burimi duhet edhe një ecje prej 10 minutash. Komuna është kujdesur që aty të jetë një urë dhe disa shkallë që ujëvara të shihet më mirë dhe të jetë e sigurt për vizitorin.
Gjithsesi se për ata që janë më ambiciozë, kjo vizitë në ujëvarën e Drinit të Bardhë mund të kombinohet me ecje të tjera në këtë pjesë të Kosovës, të pasur me pyje, reliev shkëmbor dhe shumë lloje të zogjve dhe shtazëve të imta dhe të mëdha. Në të vërtetë takimi me kafshë të mëdha mbetet shumë i rrallë sidomos gjatë sezonit kur ka shumë zhurmë në këtë rajon.
Një gjë tjetër që mund të shihet në këtë pjesë është edhe shpella e Radavcit. Ajo nuk është sikur burimi, që është rregulluar për një vizitë të lehtë. Një pjesë e Shpellës së Radavcit është e mbyllur ndërsa një pjesë tjetër është e hapur për të gjithë. Për tu futur, duhet të përkuleni por gjithsesi se ia vlen. Kjo shpellë konsiderohet se ka qenë e banuar shumë herët dhe aty janë bërë shumë gërmime, mirëpo ende nuk është arritur që të bëhet një atraksion turistik. Sidoqoftë, ata që dëshirojnë, mund të tentojnë të futen brenda.
I gjithë territori i Radavcit është një zonë shumë e bukur dhe mjaft e ruajtur. Banorët kanë kthyer livadhet në restorante të cilat shërbejnë troftën e Kalifornisë të kultivuar në bazenet e veta, si dhe ushqime të tjera edhe tradicionale edhe internacionale. Disa nga restorantet janë kujdesur më shumë për ambientin e disa të tjera e kanë mbushur beton, mirëpo asnjëherë nuk është bërë ndonjë dëm tepër i madh.
Një objekt tjetër që mund të vizitohet në vendlindjen e lumit më të madh të Kosovës është edhe hidrocentrali. Brenda nuk mund të hyhet mirëpo kur kalon pranë dëgjohet zhurma e motorit që gjeneron energji elektrike.
Drini i Bardhë si lumi më i madh në Kosovë lind këtu, në Radavc, vazhdon në drejtim të Klinës ku bashkohet me Lumbardhin e Pejës, lumenjtë: Klina, Mirusha, Ereniku, Lumbardhi i Prizrenit që të shkojë në Shqipëri ku në liqenin e Komanit bashkohet me Drinin e Zi për tu derdhur në Detin Adriatik, afër Lagunës së Patokut, në Shqipëri.
Drini i Bardhë përbën 40 për qind të ujërave të Kosovës.
Vendi: Fshati Radavc, nga Peja në drejtim të Rozhajës
Koha e aktivitetit: 2-orë – një ditë e plotë nëse përfshihet edhe restoranti
Tema: Trashëgimi natyrore, ushqim
Çmimi dreka 5-10 euro, vizitat falas

Kanionet e Mirushës

Nëse dikush do të donte ta përshkruante një panoramë, atëherë kjo është Mirusha, ujëvarë e rrëmbyeshme që bie nga një gurrë në një liqe të qetë që pastaj ecën nëpër rrafsh për tu bashkuar me Drinin e Bardhë.
Mirusha është një vend që natyra ua ka dhuruar komunës së Klinës dhe Malishevës. Mirëpo përkundër bukurisë aty nuk është bërë asgjë që vizitorët të mund të ngjiten në liqenet tjera të kësaj bukurie dhe të shijojnë bukurinë natyrore. Për ndryshim nga burimi i Drinit të Bardhë, ku vizitorët mund të arrijnë në pika të ndryshme për të shijuar natyrën, në Mirushë e vetmja gjë që është bërë është ndërtimi i një restoranti – shumë afër ujit, që tashmë ka prishur pakëz këtë vend të bukur.
Vizita në Mirushë mund të bëhet edhe me familje edhe vet edhe si një aventurë. Mirëpo vizita në liqenin e dytë, tretë dhe të katërt është më e vështirë pasi duhet të bëhet ngjitje që nuk është gjithmonë e sigurt.
Pas liqenit të parë, pamja që të hapet përpara tregon një bukuri më të egër dhe më fantastike. Një

pjesë e liqeneve gjendet brenda në shpellë. Për të arritur aty duhet të bëhet ngjitje, gjithmonë me kujdes të shtuar nga hardhucat dhe gjarpinjtë e shumtë. Dhe kur arrihet në liqenin më të lartë, atëherë të ngjethet mishi nga liqeni i fshehur në shpellë. Të tërheq të bësh një not të bukur por gjithnjë me një ndjenjë të çuditshme se çka mund të ketë në këtë ujë.
Gjithsesi se pjesët e larta të Mirushës mund të jenë vende të bukura për filma si Lost, apo edhe të stilit Blue Lagune. Rangimi në tripadvisor: katër yje e gjysmë.
Vendi: Mirushë, Vollujakë, rruga Klinë Gjakovë, kthim në të djathtë pas rreth 10 kilometrave
Koha e aktivitetit: Ditë e plotë
Tema: Trashëgimi natyrore
Çmimi: Falas

Nerodimja, bifurkacioni

Djathtas në Detin Egje, majtas në Detin e Zi. Lumi i Nerodimes nuk është unik në botë, por në Evropë ai përbën rastin e vetëm të bifurkacionit të lumit, ku njëra degë shkon në një det e tjetra në një det tjetër. Është një fotografi që mund ta bëni dhe ta pyetni gjithkënd në Evropë: A keni ju diçka të tillë!?
Dega veriore e lumit shkon në lumin Sitnicë, pastaj në Lumin Ibër që të përfundojë në Detin e Zi, ndërsa linja kryesore jugore bashkohet me Lepencin, Vardarin që të shkojë në detin Egje, në Greqi. Edhe pse Bifurkacioni është një fenomen i rrallë, ky në Kosovë konsiderohet se është bërë në mënyrë artificiale qysh në shekullin e 14, kur vija veriore e lumit është hapur dhe është krijuar ky fenomen.
Kjo zonë është e mbrojtur qysh nga viti 1979, kur edhe është regjistruar në Unionin Ndërkombëtar të Zona Të Mbrojtura (IUCN). Në këtë pjesë përpos trashëgimisë unike natyrore mund të shihet edhe mulliri i vjetër që ende punon i vënë në lëvizje nga uji i lumit Nerodime dhe prodhon miellin e kollomoçit.
Kjo pjesë e Kosovës ka qenë udhëkryq tregtar dhe në kohë të ndryshme është shfrytëzuar edhe për tregtim të argjendit të Novobërdës dhe tregtim me republikën e Dubrovnikut.
Në këtë zonë, edhe pse e shpallur si e mbrojtur, syri do të ju zë mjaft gjësende të hedhura mbi lum dhe përgjatë rrugës. Deri tash nuk është bërë ndonjë investim që do të mbronte tutje këtë zonë natyrore unike në Evropë.
Vendi: Nerodime, gjashtë kilometra nga Ferizaj
Koha e aktivitetit: Gjysme dite
Tema: Trashëgimi natyrore, trashëgimi kulturore
Çmimi: Falas

Tre ujëmbledhësit e Kosovës
Pjesa më e madhe e territorit të Kosovës i takon ujëmbledhësit të Detit të Zi (50,7%), pjesa tjetër (43,5%) i takon ujëmbledhësit të Detit Adriatik dhe pjesa e vogël prej 5,8% i takon ujëmbledhësit të detit Egje. Ujëmbledhësit të Detit të Zi i takojnë lumenjtë: Sitnica, Ibri, Drenica, Llapi, Morava e Binçës dhe Krivareka. Ujëmbledhësit të Detit Adriatik i takojnë lumenjtë: Drini i Bardhë me degët: Lumi i Istogut, Pejës, Deçanit, Ereniku, Lumi i Prizrenit, Toplluha, Mirusha, Klina, Lumi i Plavës, dhe Restelicës në Opojë e Gorë, ndërsa ujëmbledhësit të detit Egje i takojnë Lepenci dhe Nerodimja.

Rruga e Drinit të Bardhë
Drini i Bardhë si lumi më i madh në Kosovë lind këtu, në Radavc, vazhdon në drejtim të Klinës ku bashkohet me Lumbardhin e Pejës, lumenjtë: Klina, Mirusha, Ereniku, Lumbardhi i Prizrenit që të shkojë në Shqipëri ku në liqenin e Komanit bashkohet me Drinin e Zi për tu derdhur në Detin Adriatik, afër Lagunës së Patokut, në Shqipëri.