Fillon zbatimi strikt i Ligjit për komunikacionin dhe i Ligjit për të huajt në Kosovë

Nga sonte në mesnatë, në Kosovë nis zbatimi strikt i Ligjit për komunikacionin dhe Ligjit për të huajt. Sipas këtyre dispozitave, automjetet me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë më shumë se tre muaj, përveç rasteve të autorizuara, ndërsa personat pa dokumente të Kosovës do të duhet të aplikojnë për leje qëndrimi brenda 72 orëve, përcjell albinfo.ch. 

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.

Këto masa pritet të prekin kryesisht pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë, të cilët deri më tani kanë drejtuar automjete me targa të Serbisë mbi bazën e autorizimit ose nuk kanë poseduar dokumente kosovare.

Zbatimi pa përjashtime i këtyre ligjeve ishte planifikuar të niste më 1 nëntor të vitit të kaluar, por Ministria e Punëve të Brendshme e kishte shtyrë afatin deri më 15 janar 2026, për të zhvilluar një fushatë informuese.

Zbatimi i Ligjit për komunikacionin

Sipas Policisë së Kosovës, drejtimi i automjeteve me targa të huaja mbi bazën e autorizimit është në kundërshtim me Ligjin për komunikacionin, megjithëse kjo praktikë ishte toleruar deri tani për t’u dhënë qytetarëve kohë t’i ndërrojnë targat.

Elshani tha se nga 15 janari ligji do të zbatohet në terren, duke sqaruar se përjashtime do të bëhen vetëm në raste emergjente.

“Nëse dikush është duke shkuar në spital, nuk do t’i konfiskohet menjëherë automjeti. Por, nëse i njëjti person ndalohet sërish në ditët në vijim, mund të gjobitet deri në 200 euro”, tha ai.

Ligji për të huajt dhe dokumentet personale

Sa i përket Ligjit për të huajt, Elshani theksoi se ai nuk do të zbatohet në mënyrë të menjëhershme ndaj atyre që jetojnë në Kosovë, por nuk kanë dokumente kosovare për arsye të ndryshme.

“Nuk do të ketë dëbime, as ndarje të familjeve. Zbatimi strikt do të vlejë për ata që vijnë në Kosovë për turizëm, punë apo studime”, u shpreh ai, duke shtuar se procesi do të jetë gradual.

Në manualin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për hyrjen dhe qëndrimin e të huajve, sqarohet se lejet e qëndrimit – të përkohshme apo të përhershme – lëshohen nga Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migrim.

Reagime dhe kritika

Masat kanë nxitur reagime të ashpra nga përfaqësues të komunitetit serb, organizata joqeveritare dhe subjekte politike. Lista Serbe ka kërkuar shtyrjen e sërishme të zbatimit të ligjeve, duke paralajmëruar pasoja për qytetarët serbë në Kosovë.

Edhe politikanë të tjerë serbë kanë kërkuar pezullim të masave, duke theksuar se komuniteti nuk është i përgatitur për zbatimin e tyre. Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë i ka cilësuar këto vendime si “hapa përshkallëzues”, duke kërkuar reagim nga Bashkimi Evropian dhe shtetet e Quint-it.

Sipas një raporti të OJQ-së “Aktiv” nga viti 2024, mbi 93 për qind e serbëve të anketuar në Kosovë posedojnë dokumente kosovare, megjithëse nuk ka të dhëna zyrtare të sakta për shkak të bojkotimit të regjistrimit të popullsisë në disa komuna në veri. /REL

27 vjet nga masakra e Reçakut, përgjegjësit ende nuk janë dënuar

Sot shënohen 27 vjet nga Masakra e Reçakut, një nga krimet më të rënda të kryera gjatë luftës në Kosovë, e cila vazhdon të mbetet një plagë e hapur në kujtesën kolektive të vendit, përcjell albinfo.ch.

Më 15 janar 1999, forcat policore serbe, njësitë ushtarake dhe formacionet paramilitare hynë në fshatin Reçak të komunës së Shtimes, ku ekzekutuan mizorisht 45 civilë shqiptarë. Viktimat u vranë në rrethana që tronditën thellë opinionin publik vendor dhe ndërkombëtar.

Masakra e Reçakut u bë e njohur për botën pas reagimit të menjëhershëm të shefit të atëhershëm të Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker. Pas vizitës në vendin e krimit dhe pamjes së trupave të pajetë të civilëve, ai ngriti alarmin për krime të rënda kundër njerëzimit që po kryheshin ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Reçaku u shndërrua në simbol të vuajtjes dhe sakrificës së popullit të Kosovës, por edhe në një moment kyç që ndikoi ndjeshëm në ndërgjegjësimin e bashkësisë ndërkombëtare për realitetin e luftës, duke hapur rrugën për zhvillime vendimtare drejt përfundimit të saj.

Në kuadër të përvjetorit, sot homazhe do të bëjnë krerët e shtetit, përfshirë presidenten Vjosa Osmani, kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, si dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Homazhe do të bëjë gjithashtu edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.

Po ashtu, ora e parë mësimore në shkollat e Kosovës do t’i kushtohet Masakrës së Reçakut, në nderim të viktimave dhe për të mos harruar krimin që shënoi historinë e vendit.

Trajnerja shqiptare në krye të kampionit suedez Hacken

Trajnerja shqiptare Elena Sadiku ka marrë drejtimin e BK Häcken, kampionit në fuqi të futbollit të femrave në Suedi, shkruan albinfo.ch.

32-vjeçarja erdhi në Hacken pas largimit nga Celtic i Skocisë, ku kishte fituar titullin kampion dhe kishte kualifikuar ekipin në Ligën e Kampionëve.

Sadiku e pranon se ndien presionin që vjen me drejtimin e një skuadre kampione, por thekson ambicien për fitore dhe përmirësim të ekipit.

Pas largimeve të disa lojtareve, ajo po punon për rindërtimin e grupit dhe menaxhimin e sfidës në mënyrë profesionale.

Häckeni ka zhvilluar tashmë seancën e parë stërvitore me Sadikun, e cila tregon motivim dhe energji të lartë për të udhëhequr ekipin drejt suksesit edhe këtë sezon./Albinfo.ch

Dy pedagoge shqiptare pranohen si bashkëudhëheqëse doktorature në Austri

Dy pedagoge të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” (UNISHK), Prof. As. Dr. Albana Boriçi dhe Prof. As. Dr. Bresena Kopliku, janë pranuar zyrtarisht si bashkëudhëheqëse të studimeve të doktoratës në Austri, shkruan albinfo.ch.

Kjo arritje përbën një hap të rëndësishëm për stafin akademik dhe për procesin e ndërkombëtarizimit të universitetit.

Bashkëpunimi akademik me institucionet e arsimit të lartë në Austri hap perspektiva të reja për kërkimin shkencor, shkëmbimin e përvojave dhe rritjen e cilësisë së studimeve të ciklit të tretë, në dobi të pedagogëve dhe doktorantëve të UNISHK.

Vlen të theksohet se, falë ndërmjetësimit të znj. Edona Bilali, ish-deputete dhe aktualisht Zëvendësministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, një vit më parë u hapën dy programe doktorale në bashkëpunim me palën austriake, ku roli i saj ka qenë kyç në ndërtimin dhe forcimin e këtij partneriteti akademik ndërkombëtar.

Aktualisht, ky bashkëpunim ka hyrë në një fazë të re zhvillimi, duke forcuar më tej pozicionin e Universitetit të Shkodrës në hapësirën akademike evropiane.

Universiteti i Shkodrës u uron suksese dy profesoreshave të nderuara, të cilat, së bashku me Zv. Rektoren Prof. Dr. Blerta Dragusha, po angazhohen për ta bërë këtë bashkëpunim sa më konkret dhe të prekshëm për doktorantët dhe stafin akademik të UNISHK./Albinfo.ch

U rritën në Deçan, sot njëri i shërben ligjit në SHBA e tjetri në Kosovë

Riza Lekaj dhe Adrian Përgjegjaj, të lindur në Lumbardhë të Deçanit, janë rritur bashkë si vëllezër të pandarë, duke ndarë fëmijërinë, vlerat dhe ëndrrat, shkruan albinfo.ch.

Sot, rrugët e tyre profesionale janë ndarë fizikisht, por mbeten të bashkuara në misionin e përbashkët: shërbimin ndaj ligjit dhe shoqërisë.

 

 

Adrian Përgjegjaj jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku është në shërbim të drejtësisë, duke mbrojtur ligjin dhe duke përfaqësuar me dinjitet komunitetin shqiptar në institucionet amerikane.

 

 

Në anën tjetër, Riza Lekaj ka zgjedhur të shërbejë në Kosovë, ku me përkushtim, profesionalizëm dhe ndershmëri i shërben vendit si pjesëtar i Policisë së Kosovës, duke kontribuar çdo ditë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.

Edhe pse ndodhen në dy kontinente të ndryshme, të dy vijnë nga qyteti i Deçanit dhe mbeten shembull i mirë. /Albinfo.ch

Granit Musliu ngjitet në skenën e Operës Mbretërore Daneze

Tenori kosovar Granit Musliu po shënon një debutim të dyfishtë në Danimarkë: në skenën daneze dhe në rolin e Dukës së Mantovës në operën “Rigoletto” të Giuseppe Verdit, në Operën Mbretërore të Danimarkës. Roli i Dukës – aristokrat karizmatik, joshës, por edhe i pamoralshëm, është një nga më kërkuesit për tenorët dhe kërkon virtuozitet vokal si dhe prani të fuqishme skenike, shkruan Albinfo.ch.

Për Musliun, i njohur tashmë në skenat operistike gjermane, ky debutim përfaqëson një hap të rëndësishëm profesional. Ai do ta sjellë personazhin përmes arieve të njohura si “La donna è mobile”, “Questa o quella” dhe “È il sol dell’anima”, duke i dhënë jetë figurës që nxit tragjedinë e Rigolettos dhe vajzës së tij, Gildës.

“Një përvojë shumë e bukur dhe një moment i veçantë në karrierën time, debutimi im i parë në këtë rol të madh”, ka thënë Musliu, duke theksuar se interpretimi i Dukës në këtë fazë konfirmon pjekurinë e tij në repertorin verdian.

I diplomuar në Prishtinë dhe Hamburg, Granit Musliu është pjesë e ansamblit të Operës Shtetërore të Bavarisë. Ai ka realizuar dhe pritet të realizojë një sërë debutimesh të rëndësishme në skena prestigjioze evropiane, duke u konsoliduar si një nga talentet më premtuese të brezit të ri të tenorëve shqiptarë./Albinfo.ch

https://www.facebook.com/share/p/1AJqeNJMVH/?mibextid=wwXIfr

Në rast të ndërprerjes së energjisë: Swisscom & Co. duhet të sigurojnë thirrjet emergjente për katër orë

Vit pas vitit të kaluar, gjatë ndërprerjeve të energjisë elektrike, rrjeti celular u ndërpre – madje edhe sistemi i thirrjeve emergjente ndaloi së funksionuari. Këshilli Federal tani ka vendosur kërkesa të reja për operatorët e rrjetit celular.

Pas reshjeve të dendura të borës në prill të vitit të kaluar, në Bernese Oberland dhe Valais ndodhën ndërprerje të energjisë dhe të rrjetit celular. Në shumë vende, madje edhe numrat emergjentë nuk ishin më të arritshëm. Arsyeja: antenat e telefonisë celulare kanë furnizim emergjent shumë të kufizuar.

Pasi kritikat nga politikanët nuk vonuan, Këshilli Federal ka vendosur të marrë masa. Në mbledhjen e së mërkurës, u vendos që operatorët e rrjetit celular të instalojnë furnizim emergjent me energji në vendet kyçe dhe antenat që nga viti 2031. Kjo do të sigurojë mbulimin e rrjetit celular për të paktën katër orë në rast ndërprerjeje të energjisë.

Shërbimet që do të mbeten aktive

Përveç thirrjeve emergjente dhe shërbimeve telefonike, interneti duhet të mbetet i disponueshëm – për shembull për transmetimet e programeve radio online. Për të shmangur mbingarkesën e rrjetit, operatorët mund të kufizojnë transmetimin e videove dhe programeve televizive. Nga viti 2031, thirrjet emergjente duhet të mbeten të funksionojnë për katër orë, dhe nga viti 2034, të gjitha shërbimet e tjera gjithashtu.

Këshilli Federal fillimisht kërkoi që operatorët të mbajnë mbulim të rrjetit celular edhe gjatë ndërprerjeve të energjisë që zgjasin deri në tre ditë, por industria e telekomunikacionit dhe shoqatat e biznesit kundërshtuan, duke argumentuar se kjo ishte shumë e vështirë për t’u zbatuar. Pas diskutimeve në tryezën e rrumbullakët me ministrin e Komunikimeve, Albert Rösti, u arrit marrëveshja që zbatohet tani.

Gjermania dërgon trupa në Groenlandë

Gjermania do të dërgojë 13 trupa në Groenlandë për një mision zbulimi bashkë me vende të tjera evropiane, njoftoi qeveria dhe Ministria e Mbrojtjes, sipas BBC.

Misioni, i kërkuar nga Danimarka, do të zhvillohet nga e enjtja deri të shtunën dhe ka për qëllim të vlerësojë mundësitë për kontribute ushtarake që forcojnë sigurinë në rajon, duke përfshirë edhe mbikëqyrje detare.

Ky zhvillim ndodh pas njoftimit të forcave të armatosura daneze për një “prani të zgjeruar ushtarake” në dhe rreth Groenlandës, që përfshin avionë, anije dhe ushtarë të aleatëve të NATO-s.

Bagazhe falas dhe kompensime më të sigurta, Parlamenti Europian mbështet udhëtarët e linjave ajrore

Komiteti për Transport dhe Turizëm i Parlamentit Europian ka miratuar një propozim për të azhurnuar rregullat e të drejtave të pasagjerëve ajrorë, që janë në fuqi që nga viti 2004. Qëllimi është të sigurohet mbrojtje më e mirë për udhëtarët në rast vonesash, anulimesh apo moslejimi për të hipur në aeroplan.

Ky vendim përfaqëson qëndrimin e Parlamentit ndaj propozimeve të Këshillit të BE-së të qershorit 2025, të cilat synonin kufizimin e disa të drejtave të pasagjerëve. Deputetët evropianë nuk pranojnë reduktimin e kompensimeve dhe kërkojnë që pasagjerët të kenë të drejtë për rimbursim, ridrejtim ose kompensim nëse fluturimi vonohet më shumë se tre orë, anulohet ose u mohohet hipja në bord. Sipas Parlamentit, kompensimi duhet të mbetet midis 300 dhe 600 eurove, në varësi të distancës së fluturimit, ndërsa Këshilli kishte propozuar një gamë prej 300–500 eurosh.

Komiteti po ashtu përcakton qartë rastet “jashtëzakonshme” që e çlirojnë linjën ajrore nga përgjegjësia për kompensim, si fatkeqësitë natyrore, konfliktet, moti i keq ose grevat e papritura që prekin linjën ajrore ose aeroportin. Ai propozon që listës t’i bëhet përditësim i rregullt nga Komisioni Europian. Për pasagjerët që përballen me vonesa të gjata, kompanitë ajrore do të jenë të detyruara të ofrojnë pije çdo dy orë, ushqim çdo tre orë dhe akomodim për maksimum tre netësh.

Një fokus i veçantë është dhënë për udhëtarët me aftësi të kufizuara, fëmijët dhe pasagjerët me nevoja speciale, të cilët do të kenë të drejtë për kompensim, ridrejtim dhe ndihmë të nevojshme. Ata do të kenë përparësi në hipje dhe shoqëruesit e tyre do të kenë të drejtë për vende pranë pa pagesë shtesë.

Avokatët e pasagjerëve theksojnë gjithashtu të drejtën për të marrë një bagazh personal falas (çantë dore, çantë shpine ose laptop) plus një bagazh dore me dimensione maksimale 100 cm dhe deri 7 kg peshë.

Arrestohen dy shqiptarë për vjedhje makinash në Zvicër dhe Itali, publikohen pamjet e kapjes

Policia e Shtetit në Shqipëri ka realizuar operacione të koduara, si “Stolen Line” dhe “Relay”, për goditjen e trafikut të automjeteve dhe transportimit të paligjshëm të emigrantëve.

Sipas raportimeve zyrtare, dy persona janë proceduar penalisht për trafikim automjetesh, me vlerë totale rreth 90,000 euro, të cilat dyshohet se janë vjedhur në Zvicër dhe Itali.

M. S., 36 vjeç, akuzohet për trafikun e një automjeti tip “Benz” me vlerë rreth 80,000 euro, i cili rezultoi i vjedhur në Zvicër.

E.M., 29 vjeç, dyshohet për trafikun e një automjeti tip “Opel” me vlerë rreth 10,000 euro, i vjedhur në Itali.

Gjithashtu, gjatë operacionit “Relay” u arrestua në flagrancë edhe shtetasi O. T., 36 vjeç, banues në Krujë, pasi u kap duke transportuar me automjet tre emigrantë që tentonin të kalonin ilegalisht drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Materialet e procedimit i janë dorëzuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

VIDEO:

https://www.facebook.com/share/v/17WjNiCzbT/

Spitali i Friburgut shtyn operacionet jo urgjente

Në dritën e shtretërve të disponueshëm dhe mandatit për të siguruar kujdesin emergjent, grupi i spitaleve njoftoi të mërkurën se ishte marrë vendimi për të shtyrë operacionet jo urgjente. Në varësi të zhvillimit të sezonit të gripit dhe fluksit të vizitorëve në stacionet e skive, kjo masë mund të ketë nevojë të zgjatet.

Fenomeni i mbingarkesës, i vërejtur në ditët e para të vitit 2026, u shfaq gjithashtu në shumë spitale të tjera publike. Për këtë arsye, transferimi i pacientëve të Friburgut nuk ishte një opsion.

Swiss dhe Edelweiss ashpërsojnë rregullat për power bank në kabinë

Nga e enjtja, Swiss dhe Edelweiss vendosin rregulla të reja për përdorimin e power bank-ëve gjatë fluturimeve. Përdorimi dhe karikimi i tyre në bord është tani plotësisht i ndaluar, ndërsa secili pasagjer mund të ketë maksimumi dy power bank.

Power bank-ët nuk mund të ruhen më në pjesën e sipërme të kabinës dhe nuk mund të kalojnë 100 watt-orë. Pasagjerët që dëshirojnë të nisen me telefonin e plotësisht të karikuar mund të përdorin vetëm prizat e avionit për karikim. Në bagazhet e regjistruara, power bank-ët mbeten të ndaluar, transmeton albinfo.ch.

Disa avionë të Swiss dhe Edelweiss nuk kanë ende porta karikimi në kabinë, veçanërisht në fluturimet e shkurtra dhe mesatare.

Pse këto ndryshime?

Lufthansa Group, ku bëjnë pjesë Swiss dhe Edelweiss, thotë se masa ka për qëllim rritjen e sigurisë, pasi bateritë e litiu mund të shkaktojnë zjarr në rast defekti.

Si qëndrojnë të tjerët?

Helvetic Airlines dhe Emirates kanë ndaluar përdorimin e power bank-ëve më herët. Emirates lejon vetëm një power bank për person dhe gjithçka mbi 100 Wh është e ndaluar.

Air France lejon deri në 20 power bank, por nuk lejon përdorimin ose karikimin e tyre në bord.

British Airways lejon deri në katër power bank, dhe ato mund të ruhen në kabinë.

Avionët e linjave low-cost

EasyJet lejon dy power bank për person dhe përdorimi i tyre është i lejuar, por jo të gjitha avionët kanë porta karikimi.

Wizz Air ka rregulla të ngjashme.

Aeroporti i Cyrihut me rekord udhëtarësh

Aeroporti i Cyrihut regjistroi një vit historik në 2025, me 32.6 milionë pasagjerë – një rritje prej 4.5% krahasuar me vitin e kaluar. Kjo shënon rikthimin e plotë pas krizës së COVID-19, dhe asnjëherë më parë aeroporti më i madh i Zvicrës nuk kishte pasur kaq shumë udhëtarë.

Vetëm në dhjetor, numri i pasagjerëve arriti në 2.55 milionë, duke shënuar një rritje prej 7.3% nga i njëjti muaj i vitit të kaluar. Rekordi i mëparshëm i pasagjerëve ishte regjistruar në 2019, me 31.5 milionë pasagjerë, por pandemia kishte ulur ndjeshëm shifrat deri në rikuperimin gradual gjatë viteve të mëpasshme.

Fluturimet nuk janë kthyer ende në nivelet e para-pandemisë

Gjatë vitit 2025 janë kryer 270,116 ngritje dhe ulje, një rritje prej 3.5% krahasuar me vitin e kaluar, por akoma 2% më pak se në 2019. Aeroporti shpjegon diferencën me përdorimin e aeroplanëve më të mëdhenj dhe shfrytëzimin më të mirë të kapacitetit, me 79.8% të ulëseve të zëna.

Rritje të të ardhurave dhe transport ajror

Mallrat e transportuara ajrore arritën 440,930 tonë, një rritje prej 1.1% nga viti i kaluar. Pasagjerët shpenzuan më shumë në aeroport, duke sjellë të ardhura komerciale prej 635.8 milionë frangash zvicerane, më shumë se 601.4 milionë franga para pandemisë. Zona pas sigurimit (airside) kontribuoi kryesisht në këtë rritje me +3.9%, ndërsa të ardhurat jashtë sigurimit ranë me 3.1%.
Aeroporti i Cyrihut do të publikojë raportin e detajuar të vitit 2025 më 10 mars.

Zvicra miraton mandatin përfundimtar negociues mbi tarifat doganore me SHBA-në

Negociatat për një marrëveshje tregtare mes Zvicrës dhe Shteteve të Bashkuara mund të ecin përpara. Këshilli Federal miratoi të mërkurën mandatin përfundimtar negociues mbi tarifat doganore me SHBA-në.
Komisionet e politikës së jashtme të Parlamentit dhe kantonet janë konsultuar paraprakisht. Në bazë të qëndrimeve të tyre, qeveria bëri disa sqarime të vogla në pika të caktuara, siç njoftoi në një komunikatë për shtyp.
Sipas mandatit të rishikuar, nëse gjatë negociatave shtohen fusha apo tema të reja që nuk përfshihen në kuadrin aktual, komisionet parlamentare dhe kantonet – përmes Konferencës së Qeverive Kantonale – do të konsultohen sërish dhe jo vetëm do të informohen.
Mandati përfundimtar bazohet në deklaratën e qëllimit të nënshkruar më 14 nëntor, e cila parashikon nisjen e shpejtë të negociatave për një marrëveshje tregtare juridikisht të detyrueshme mes Bernës dhe Uashingtonit. Kjo deklaratë hyri në fuqi në fillim të dhjetorit, me efekt prapaveprues nga 14 nëntori, dhe solli uljen e tarifave doganore nga 39% në 15%.
Marrëveshje deri më 31 mars?
Në mesin e dhjetorit, dy komisionet parlamentare të politikës së jashtme miratuan projekt-mandatin negociues. Komisioni i Këshillit të Shteteve nuk dha detaje mbi përmbajtjen e diskutimeve apo nëse kërkonte ndryshime të mëtejshme, me qëllim që të mos dobësonte pozicionin e qeverisë në negociata.

Nga ana tjetër, Komisioni i Këshillit Kombëtar kërkoi disa sqarime, veçanërisht në lidhje me mbrojtjen e të dhënave. Ai theksoi gjithashtu se çdo investim i mundshëm prej 200 miliardë frangash në SHBA do të ishte privat. Megjithatë, komisioni hodhi poshtë propozime të tjera që lidhen me qëndrueshmërinë mjedisore, si ato për importin e mishit apo certifikimin e automjeteve.

Qeveria amerikane deklaroi muajin e kaluar se shpreson të arrijë një marrëveshje tarifore juridikisht të detyrueshme me Zvicrën deri më 31 mars. Në të kundërt, Shtëpia e Bardhë paralajmëroi se do të “rishqyrtojë dhe, nëse është e nevojshme, do të riconsiderojë” nivelin e tarifave të vendosura ndaj Zvicrës. Ndërkohë, pala zvicerane vlerëson se afati kohor për përfundimin e marrëveshjes mund të jetë rreth dy vjet.

Në përvjetorin e Masakrës së Reçakut, Presidentja e Kosovës kujton angazhimin e ambasadorit William Walker

Në prag të përvjetorit të Masakrës së Reçakut, Presidentja e Kosovës bëri homazhe dhe theksoi rolin e ambasadorit William Walker, i cili në momentet më të vështira për Kosovën tha dhe mbrojti të vërtetën.

Presidentja e përshkroi Walker si zërin që ktheu dhimbjen e popullit tonë në thirrje për drejtësi, duke shtuar se mirënjohja ndaj tij është e përjetshme dhe se obligimi për të mos harruar kurrë Reçakun mbetet i patjetërsueshëm.

Lumir Abdixhiku reagon pas dorëheqjes së Hykmetes Bajramit dhe sqaron vendimin e tij

Pas dorëheqjes së nënkryetares së LDK-së, Hykmete Bajrami, kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, ka publikuar një status të gjatë në rrjetin social ku shpjegon vendimin e tij për të dhënë dorëheqjen dhe arsyet që e shtynë këtë hap.

Abdixhiku thekson se vendimi i tij nuk është individual, por rezultat i një reflektimi të thellë dhe i një debati pesëorësh me anëtarët e partisë, ku u dëgjuan me kujdes çdo kritikë dhe shqetësim. Ai nënvizon rëndësinë e përgjegjësisë, transparencës dhe dinjitetit brenda LDK-së, duke shtuar se nuk është i lidhur me pozitën, por me “shtëpinë” e partisë.

“Kam marrë hapin më moral që një kryetar mund ta marrë: kam ofruar dorëheqjen time. Kam hapur rrugën për secilin që ka pretendime. Jeni të lirë të garoni; në Kuvend e keni mundësinë. Tani vendimi nuk është më i imi, është i LDK-së,” shkruan Abdixhiku, duke bërë thirrje që debatet dhe vendimet brenda partisë të zhvillohen hapur, me përgjegjësi dhe pa protagonizëm.

Ky reagim vjen në kuadër të reflektimit të brendshëm të LDK-së pas rezultateve të zgjedhjeve të fundit dhe dorëheqjes së Bajramit, duke nënvizuar rëndësinë e standardeve dhe demokracisë brenda partisë.

Ambasadori i Kosovës në Gjermani i nderuar me pjesëmarrjen në pritjen tradicionale për Vitin e Ri

Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka marrë pjesë në pritjen tradicionale të trupit diplomatik për Vitin e Ri, të organizuar nga Presidenti Federal gjerman, Frank-Walter Steinmeier.

Ai është shprehur se ishte kënaqësi të marrësh pjesë në një event të rëndësishëm, transmeton albinfo.ch.

“Kënaqësi e veçantë të merrja pjesë në pritjen tradicionale të trupit diplomatik për Vitin e Ri, të organizuar nga Presidenti Federal gjerman, Frank-Walter Steinmeier”, ka shkruar Ajeti.

 

SHBA pezullon vizat për migrantë për 75 vende, përfshirë Kosovën dhe Shqipërinë

Shtetet e Bashkuara thanë se po pezullojnë trajtimin e vizave për migrantë nga 75 shtete, përfshirë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina.

“Departamenti i Shtetit do të pauzojë shqyrtimin e vizave për emigrantë nga 75 shtete, migrantët nga të cilët marrin ndihma sociale nga populli amerikan në nivele të papranueshme. Kjo ndalesë do të jetë në fuqi deri kur SHBA-ja të sigurohet që migrantët e rinj nuk do të përfitojnë nga populli amerikan”, shkroi Departamenti amerikan i Shtetit në X, transmeton albinfo.ch.

Vendimi i fundit nuk prek vizat turistike, biznesore apo vizat tjera, përfshirë edhe për tifozët e futbollit që duan të qëndrojnë në SHBA për të parë nga afër Kupën e Botës që zhvillohet këtë vit, edhe pse administrata Trump ka thënë se do të verifikojë të gjithë aplikuesit e vizave.

Ndërkaq, një zëdhënës i DASH-it tha se administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, po i jep fund “abuzimit të sistemit të migrimit” të SHBA-së.

Në mesin e listës të 75 vendeve të publikuara nga Fox Neës, përfshihet edhe Irani dhe Rusia. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë e publikoi këtë artikull në X, megjithatë DASH-i ende nuk e ka publikuar listën e këtyre shteteve, transmeton albinfo.ch.

Ndërkaq, një zyrtar amerikan, që foli në kushte anonimiteti për mediat, tha se ky vendim do të hyjë në fuqi nga 21 janari dhe nuk ka një afat se deri kur do të zbatohet.

SHBA-ja që një kohë të gjatë ka refuzuar vizat për personat që duket se mund të kenë nevojë për ndihmë sociale nga Qeveria, por DASH-i ka thënë se tani do të përdorë të njëjtin autoritet për të pezulluar vizat bazuar në nacionalitetin e aplikuesve.

Në fillim të javës, DASH-i tha se kishte revokuar mbi 100.000 viza që kur Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë vitin e kaluar.

Administrata e Trumpit ka ndërmarrë veprime për të luftuar migrimin e paligjshëm dhe Departamenti për Punë të Brendshme tha muajin e kaluar se administrata amerikane ka dëbuar më shumë se 605.000 persona dhe 2.5 milionë të tjerë janë larguar vullnetarisht.

Vendet që SHBA-ja pezulloi shqyrtimin e vizave për migrimin

Afganistanin, Shqipërinë, Algjerinë, Antigua dhe Barbudën, Armeninë, Azerbajxhanin, Bahamas, Bangladeshin, Barbadosin, Bjellorusinë, Belizën, Butanin, Bosnjë e Hercegovinën, Brazilin, Burmën, Kamboxhian, Kamerunin, Kepin e Gjelbër, Kolumbinë, Bregun e Fildishtë, Kubën, Republikën Demokratike të Kongos, Domenikën, Egjiptin, Eritrean, Etiopinë, Fixhin, Gambinë, Gjeorgjinë, Ganën, Grinlandën, Guatemalën, Guinean, Haitin, Iranin, Irakun, Xhamajkën, Jordaninë, Kazakistanin, Kosovën, Kuvajtin, Kirgizinë, Laosin, Libanin, Liberinë, Libinë, Maqedoninë e Veriut, Marokun, Nepalin, Nikaraguan, Nigerinë, Pakistanin, Republikën e Kongos, Rusinë, Ruandën, Shën Kits dhe Nevisin, Shën Lucinë, Shën Vincentin dhe Gernadinën, Senegalin, Sierra Leonen, Somalinë, Sudanin e Jugut, Sudanin, Sirinë, Tanzaninë, Tajlandën, Togon, Tunizinë, Ugandën, Urugain, Uzbekistanin dhe Jemenin.

Hykmete Bajrami jep dorëheqje të parevokueshme nga LDK

Hykmete Bajrami ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares së Lidhjes Demokratike (LDK), dhe në të njëjtën kohë ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, kanë thënë dy burime të ndryshme brenda kryesisë së kësaj partie.

“Dje në mbledhjen e LDK-së kam kërkuar dorëheqjen e parevokushme të z. Abdixhiku nga pozita e kryetarit të LDK-së, si standard i vendosur nga vetë LDK-ja. Duke respektuar të njëjtin standard, kam ofruar dorëheqjen time të parevokueshme nga pozita e Nënkryetares së LDK-së, mbi parimin se kush merr rezultate të rënda zgjedhore për LDK-në duhet marrë përgjegjësi dhe t’i hapë rrugë zgjedhjeve të brendshme.

Ky veprim nuk është personal dhe as emocional, por respektim i standardit politik që LDK-ja vetë e ka ndërtuar ndër vite.

Përtej rezultatit të dobët zgjedhor të LDK-së, sfida kryesore për Republikën e Kosovës mbetet rreziku i përqendrimit të pushtetit absolut te një parti politike, te një person i cili, që pesë vite ka dëshmuar se interesin personal dhe atë partiak e ka para interesit të Kosovës.

LDK-ja kurrë s’ka qenë dhe as sot nuk është vetëm një parti politike; ka qenë, është dhe do të mbetet mbrojtëse e shtetit dhe e institucioneve, mbrojtëse e Lirisë, Pavarësisë dhe Demokracisë, por kjo bëhet e mundshme vetëm kur ne vëmë LDK-në para interesit personal dhe Kosovën para interesit politik partiak.

Pas rezultateve të 28 dhjetorit, lidershipi dhe organet e partisë kanë humbur legjitimitetin prandaj duhet zgjedhje të brendshme. Zgjedhjet e brendshme në LDK janë të domosdoshme dhe nga situata ku gjendemi nuk na shpëton asnjë proces tjetër.

Edhe njëherë, falënderoj 126 mijë e 102 qytetarë që kanë votuar LDK-në dhe 57 mijë e 153 gra e burra që më kanë besuar angazhimin tim politik.

Do të vazhdoj të punoj për LDK-në dhe për interesin e vendit, si deputete e zgjedhur në mandatin tim të shtatë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, brenda Grupit Parlamentar të LDK-së.

LDK-ja ka nevojë për reflektim, përgjegjësi dhe vizion për të ardhmen, sepse e fortë i duhet Kosovës”, ka shkruar ajo.

Në zgjedhjet e fundit, LDK-ja ka siguruar vetëm 13.23 për qind të votave, 5 pikë të përqindjes më pak se në zgjedhjet e shkurtit të 2025-s.

Në legjislaturën e dhjetë, LDK-ja do të përfaqësohet me 15 deputetë, 5 më pak se në parapraken. Nga kandidatët e LDK-së, Bajrami u rëndit e dyta me 57 mijë vota

Kantoni zviceran ndalon piroteknikën në ambiente të mbyllura

Pas zjarrit shkatërrues në resortin zviceran të skive Crans-Montana, i cili la 40 të vdekur dhe 116 të plagosur, qeveria kantonale e Valais ka ndaluar piroteknikën në vendet e hapura për publikun dhe ka krijuar një fond për të mbështetur viktimat.

“Ne kemi vendosur të ndalojmë përdorimin e piroteknikës në vendet e hapura për publikun”, tha qeveria kantonale e Valais në një deklaratë. Kantoni Vaud futi një ndalim të ngjashëm javën e kaluar pas zjarrit vdekjeprurës në Crans-Montana, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Qeveria kantonale e Valais ka krijuar gjithashtu një fond për viktimat e zjarrit. Një shumë e përgjithshme prej 10,000 CHF (12,486 dollarë) do të ofrohet për çdo person që është shtruar në spital ose ka vdekur, thanë autoritetet.

Një llogari donacionesh është hapur për individët dhe organizatat që dëshirojnë të kontribuojnë. Të gjitha fondet do të shkojnë në një fondacion të pavarur, i cili është ende në proces krijimi.

Nestlé kërkon falje pas tërheqjes më të madhe të formulës për foshnje në historinë e saj

Drejtori ekzekutiv i gjigantit zviceran të ushqimit dhe pijeve Nestlé, Philipp Navratil, u ka kërkuar falje prindërve dhe kujdestarëve në një video-mesazh pas tërheqjes në shkallë të gjerë të ushqimit për foshnje, duke pranuar pasigurinë që ka shkaktuar kjo tërheqje.

Tërheqjet u njoftuan në mënyrë progresive në të gjitha vendet e prekura në përputhje me udhëzimet zyrtare dhe tani janë përfunduar, shkruan Swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Tërheqja u shkaktua nga një problem me cilësinë e një përbërësi të papërpunuar nga një furnizues, i zbuluar në një fabrikë në Holandë në dhjetor, tha Navratil në një video të postuar në faqen e internetit të Nestlé.

Kompania më pas ndaloi shitjet e produkteve të prekura dhe, duke bashkëpunuar me autoritetet, nisi tërheqje vullnetare në disa vende evropiane. Këto u zgjeruan në të gjitha tregjet e prekura në fillim të janarit.

Navratil theksoi se deri më tani nuk janë konfirmuar raste sëmundjesh të lidhura me produktet.

Ai tha gjithashtu se sigurimi i sigurisë së produkteve mbetet përparësia kryesore e kompanisë.

Nestlé ka tërhequr grupe të formulës për foshnje në rreth 60 vende si masë paraprake, në atë që është tërheqja më e madhe në historinë e kompanisë. Masa, e cila u bë publike javën e kaluar, vjen pas shqetësimeve se produktet mund të jenë të kontaminuara me një substancë toksike.

Markat e njohura si Beba dhe formulat e specializuara duke përfshirë Alfamino janë ndër ato të prekura. Prindërve u është kërkuar të ndalojnë përdorimin e grupeve të caktuara dhe t’i kthejnë ato në dyqane.

Autoritetet thonë se kontaminimi u shkaktua nga një defekt pastrimi në fabrikën e një furnizuesi, i cili preku një vaj të përdorur si përbërës. Toksina rezistente ndaj nxehtësisë, cereulidi, mund të shkaktojë të përziera dhe të vjella.

Nestlé tha se grupet e tërhequra të formulës për foshnje përbëjnë shumë më pak se 0.5% të shitjeve të saj vjetore dhe ndikimi financiar nuk pritet të jetë i rëndësishëm. Megjithatë, analistët paralajmërojnë se shqetësimet mbi sigurinë e produktit dhe markës mund të godasin shitjet, me rivalë të tillë si Danone që ka të ngjarë të përfitojnë.