Aksion, dy ish-drejtuesit e BKS-së dyshohet se keqpërdorën 1 milion euro

Nën udhëheqjen e Prokurorisë së Prizrenit dhe në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike, sot në mëngjes u zhvillua një aksion i madh ku u prangosën dy ish-drejtuesit e Byrosë Kosovare të Sigurimit, Sami Mazreku dhe Valon Berisha.

Ata dyshohet se kanë keqpërdorur 1 milion euro.

Krejt ky aksion, BKS tha se u iniciua pikërisht nga vetë ata, pas publikimit të raportit të auditimit.

Për këtë zhvillim, kryeprokurori Petrit Kryeziu, do të japë detaje në një konferencë për media me fillim nga ora 14:00.

Edhe 3,185 pako të votimit me postë pritet të mbërrijnë në Kosovë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përfunduar numërimin e të gjitha votave me postë që deri më tani kanë arritur në Kosovë, ndërsa procesi ende nuk konsiderohet i mbyllur për shkak të 3,185 pakove të tjera që pritet të sillen sot në vend, përcjell albinfo.ch.

Sipas rezultateve të përmbledhura të publikuara në faqen zyrtare të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje ka arritur 51.01 për qind të votave, duke siguruar 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Pas LVV-së renditet Partia Demokratike e Kosovës me 20.24 për qind të votave dhe 22 ulëse, e ndjekur nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.26 për qind dhe 15 ulëse. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë 5.50 për qind të votave, duke siguruar 5 ulëse në Kuvend.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se ende nuk kanë mbërritur në Kosovë 3,185 pako me fletëvotime, të cilat janë tërhequr më 2 dhe 5 janar nga kutitë postare në disa qytete evropiane dhe jashtë saj.

“Ende nuk janë sjellë në Kosovë edhe 3,185 pako me fletëvotime, që janë tërhequr më 2 dhe 5 janar nga kutitë postare në Paris (1,962), Berlin (633), Hagë (61), Podgoricë (125) dhe Otavë (404)”, ka deklaruar Elezi të mërkurën.

KQZ-ja pritet të njoftojë për hapat e mëtejmë pas mbërritjes dhe verifikimit të këtyre pakove, para certifikimit përfundimtar të rezultateve të zgjedhjeve.

Borë dhe ngrica në Kosovë, thirrje për për kujdes gjatë vozitjes

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se në ditët në vijim pritet një ndryshim i theksuar i kushteve meteorologjike, me rënie të ndjeshme të temperaturave dhe reshje bore në pjesë të ndryshme të vendit.

Sipas IHMK-së, era do të ndryshojë drejtimin nga juglindja në veri dhe veriperëndim, duke favorizuar depërtimin e masave ajrore të ftohta me origjinë veriore.

Instituti paralajmëron se temperaturat minimale do të zbresin nën zero gradë Celsius, veçanërisht gjatë natës dhe orëve të hershme të mëngjesit, duke krijuar kushte për formimin e ngricave në rrugë, trotuare, ura dhe zona me lagështi të lartë.

“Ngricat, të kombinuara me shtresat e borës dhe erërat e ftohta, pritet të ndikojnë negativisht në sigurinë e qarkullimit rrugor. Vështirësi më të theksuara në komunikacion pritet të ketë në rrugët malore, akset dytësore dhe zonat me reliev të thyer, ku mund të ndodhin rrëshqitje dhe ngrirje e shpejtë e sipërfaqeve rrugore”, thuhet në njoftim.

Për këtë arsye, IHMK-ja rekomandon që autoritetet përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve të jenë në gatishmëri të shtuar, ndërsa qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik të përdorin pajisje dimërore, të respektojnë distancën e sigurisë dhe të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës.

72.62% e votave me postë për LVV-në

Ka përfunduar në tërësi procesi i numërimit të votave me postë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor, përcjell albinfo.ch.

Sipas të dhënave të publikuara në platformën zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dalë forcë e parë me 72.62 për qind të votave të ardhura përmes postës. Pas saj renditet Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 10.27 për qind, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 9.14 për qind, si dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 3.93 për qind.

Ndërkohë, nga rezultatet e përgjithshme të përmbledhura nga të gjitha format e votimit, LVV ka siguruar 51.01 për qind të votave, duke fituar gjithsej 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës, në legjislaturën e 10-të.

Partia Demokratike e Kosovës është renditur e dyta me 20.24 për qind të votave, që i sigurojnë asaj 22 ulëse deputetësh. Lidhja Demokratike e Kosovës zë vendin e tretë me 13.26 për qind, duke fituar 15 ulëse, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është e katërta me 5.50 për qind apo gjithsej 6 ulëse në Kuvend.

Me këto rezultate, procesi zgjedhor i zgjedhjeve të 28 dhjetorit po shkon drejt finalizimit të plotë, ndërsa pritet certifikimi zyrtar i rezultateve nga KQZ në ditët në vijim.

Amir Rrahmani rinovon kontratën me Napolin deri në vitin 2029

Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, ka vazhduar kontratën me kampionin e Italisë, Napolin, duke u lidhur me klubin napolitan deri në vitin 2029, përcjell albinfo.ch.

Lajmi është konfirmuar nga burime të afërta me lojtarin, ndërsa zyrtarizimi nga klubi pritet në ditët në vijim. Rrahmani ka pasur oferta nga Arabia Saudite, Turqia dhe Premier League angleze, por ka vendosur të vazhdojë qëndrimin në Napoli, ku është shndërruar në një nga shtyllat kryesore të mbrojtjes.

Sipas raportimeve nga Italia, me kontratën e re, mbrojtësi qendror do të përfitojë rreth 3.8 milionë euro në vit. Bisedimet për rinovim kishin nisur që nga vera e vitit të kaluar.

Rrahmani ishte pjesë e ekipit më të mirë të Serie A në sezonin 2024/2025 dhe luajti rol kyç në fitimin e titullit të kampionit nga Napoli. Ai ka fituar me napolitanët edhe titullin e sezonit 2022/2023 dhe Superkupën e Italisë.

31-vjeçari, i cili karrierën e nisi në Kosovë dhe Shqipëri, vazhdon të vlerësohet lart nga trajneri Antonio Conte dhe nga mediat italiane, ndërsa mbetet figurë kyçe edhe për përfaqësuesen e Kosovës, me të cilën synon kualifikimin në Kupën e Botës 2026.

Violinistja shqiptare Ina Kosturi fiton çmimin “Kompozim Origjinal” në Angli

Bëhet e ditur se violinistja dhe kompozitorja shqiptare Ina Kosturi, profesore e asociuar e violinës në Universitetin e Arteve, është nderuar me Çmimin e Madh në kategorinë “Kompozim Origjinal” në sezonin e katërt të Saint-Saëns International Music Competition, të mbajtur në Angli, përcjell albinfo.ch.

Kosturi u rendit e para në të gjitha kategoritë e këtij konkursi prestigjioz për vitin 2025, me veprën e saj “Koncert për violinë dhe orkestër”, duke shënuar një sukses të rëndësishëm për muzikën shqiptare dhe duke u bërë shqiptarja e parë e vlerësuar në konkurset e WOMCO-së.

Në një reagim në rrjetet sociale, ajo u shpreh mirënjohëse për këtë vlerësim, duke theksuar se çmimi përfaqëson një motivim të veçantë dhe një nisje të bukur për vitin 2026.

Saint-Saëns International Music Competition është pjesë e WOMCO – Organizata Botërore e Konkurseve Muzikore Online, e cila përfshin juristë të njohur ndërkombëtarë dhe artistë nga e gjithë bota, duke vlerësuar kompozimin, performancën dhe kërkimin akademik.

Kompozimet e Ina Kosturit janë interpretuar nga studentët e saj dhe janë publikuar nga shtëpia prestigjioze muzikore Universal Edition në Vjenë, ndërsa ajo ka qenë më herët e vlerësuar edhe në konkurse ndërkombëtare në Evropë dhe SHBA./Albinfo.ch

Albin Kurti i kalon 400 mijë vota në zgjedhjet e 28 dhjetorit

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shënuar një rekord të ri personal në zgjedhjet e mbajtura më 28 dhjetor, duke u bërë sërish lideri më i votuar në vend, përcjell albinfo.ch.

Sipas numërimit të 99.82 për qind të votave për deputetë, Kurti ka marrë gjithsej 400 mijë e 189 vota, duke tejkaluar rezultatin e tij nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, kur kishte fituar 337.791 vota.

Me këtë rezultat, ai ka thelluar epërsinë ndaj rekordit të mëhershëm të presidentes Vjosa Osmani, e cila në zgjedhjet e kaluara kishte marrë 300.756 vota.

Në zgjedhjet e 25 dhjetorit, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë forcë fituese, duke siguruar 50.97 për qind të votave në nivel vendi.

Rezultatet e fundit, Vetëvendosje 51%

Lëvizja Vetëvendosje ka arritur 51% të votave në zgjedhjet e fundit, sipas rezultateve të përfunduara nga 99.93% e kutive nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), përcjell albinfo.ch.

Kryeministri në detyrë dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, ka marrë mbi 400 mijë vota, duke thyer rekordin si personi më i votuar në historinë e Kosovës.

Pas VV-së, renditen:

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) – 20.24%

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) – 13.26%

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – 5.51%

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon numërimi i votave me postë. Sipas KQZ-së, ende mungojnë 3,185 pako me fletëvotime nga Paris, Berlin, Hagë, Podgoricë dhe Otavë.

Nga numërimi i fundit, LDK-ja ka rikthyer ulësen e 15 në Kuvend, që një ditë më parë iu kishte rrëmbyer PDK-së.

A po ndryshon mjekësia përgjithmonë? Inteligjenca artificiale sfidon rolin e mjekut

Çdo vit, gabimet mjekësore shkaktojnë humbje të mëdha jete në mbarë botën, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si funksionon sistemi shëndetësor. Në një epokë ku teknologjia po avancon me ritme të shpejta, inteligjenca artificiale po shihet gjithnjë e më shumë si një mjet që mund të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si diagnostikojmë dhe trajtojmë pacientët.

Mjekësia moderne mbështetet ende fort te vendimmarrja njerëzore, e cila, pavarësisht përvojës dhe profesionalizmit, mbetet e cenueshme ndaj gabimeve. Lodhja, presioni i vazhdueshëm, ngarkesa e tepërt e punës dhe paragjykimet e pavetëdijshme janë faktorë që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e kujdesit shëndetësor.

Sipas studiueses Charlotte Bliss, eksperte e etikës së inteligjencës artificiale në kujdesin shëndetësor, këto kufizime nuk janë përjashtime, por pjesë përbërëse e natyrës njerëzore. Ajo thekson se sistemet shëndetësore në mbarë botën po përballen me mungesë të theksuar personeli, ndërsa kërkesa për shërbime mjekësore vazhdon të rritet për shkak të plakjes së popullsisë dhe shtimit të sëmundjeve kronike.

Inteligjenca artificiale si mbështetje, jo kërcënim

Ndryshe nga perceptimi i zakonshëm, inteligjenca artificiale nuk synon domosdoshmërisht të zëvendësojë mjekët, por të reduktojë rrezikun e gabimeve dhe të përmirësojë saktësinë e vendimeve klinike. Algoritmet mund të analizojnë sasi të mëdha të dhënash, të identifikojnë modele që syri i njeriut mund t’i humbasë dhe të ofrojnë rekomandime të bazuara në prova shkencore.

Në këtë kuptim, marrëdhënia mes mjekut dhe teknologjisë mund të shndërrohet në një partneritet funksional, ku përvoja njerëzore dhe fuqia analitike e makinës plotësojnë njëra-tjetrën.

Sfida e perceptimit dhe interesave

Megjithatë, rezistenca ndaj ndryshimit mbetet e fortë. Mjekët, si pjesë qendrore e sistemit, shpesh janë të lidhur ngushtë me statusin dhe rolin e tyre profesional. Edhe pacientët, nga ana tjetër, priren t’i besojnë figurës tradicionale të mjekut autoritar, edhe kur ky besim nuk përkthehet gjithmonë në rezultate më të mira.

Studimet tregojnë se vetëbesimi i lartë i mjekut nuk është domosdoshmërisht tregues i saktësisë së diagnozës. Në disa raste, gabimet ndodhin pikërisht atëherë kur dyshimi dhe verifikimi i dyfishtë mungojnë.

Drejt një modeli të ri të kujdesit shëndetësor

Debati mbi rolin e inteligjencës artificiale në mjekësi nuk ka të bëjë vetëm me teknologjinë, por me rishikimin e një modeli të vjetër. Historia ka treguar se profesione dikur të konsideruara të pazëvendësueshme janë transformuar ose zhdukur përballë inovacionit.

Pyetja kryesore sot nuk është nëse inteligjenca artificiale mund t’i zëvendësojë mjekët, por nëse sistemi shëndetësor është gati të pranojë një qasje më të saktë, më të qëndrueshme dhe më të përqendruar te pacienti.

Huazimet emergjente të Covid-19 ende shqetësojnë mijëra kompani zvicerane

Gjashtë vite pas pandemisë së Covid-19, rreth 6,000 procese gjyqësore ende vazhdojnë lidhur me huat emergjente që qeveria federale kishte dhënë kompanive në atë kohë. Edhe pse shumica e huave tashmë janë shlyer, ato vazhdojnë të jenë një barrë për sektorë të caktuar, si industria e restoranteve.

Pas shpalljes së bllokimit të shkaktuar nga koronavirusi në mars 2020, qeveria federale dha huatë emergjente në vlerë prej pothuajse 17 miliardë frangash zvicerane brenda disa javësh. Rreth 140,000 kompani përfituan nga këto huamarrje.

Gjashtë vite më vonë, mbi 70% e këtyre huave janë shlyer. Megjithatë, për disa sektorë, si industria e restoranteve, ato mbeten një barrë serioze. Afërsisht gjysma e huave në këtë sektor ende nuk janë shlyer, dhe sidomos në rastet kur pronarët kanë shpallur falimentimin, rreziku i ndjekjes penale është i lartë.

Kjo ndodh për shkak të një klauzole në masën ndihmëse, sipas së cilës nëse kushtet e huas nuk plotësoheshin, sipërmarrësi do të ndiqej personalisht dhe do të detyrohej të shlyente shumën e plotë.

Rasti i Domenico-s

Domenico, një drejtor 40-vjeçar nga Apulia, huazoi 65,000 franga zvicerane për të shpëtuar dy restorantet e tij në Gjenevë. Pak muaj më vonë, ai ishte i detyruar të mbyllte njërin prej tyre dhe të shpallte falimentimin.

Tre javë më pas, ai mori një letër nga një avokat, i cili e akuzonte për keqpërdorim të fondeve; ai u vu nën hetim për mashtrim dhe përvetësim të paligjshëm dhe rrezikon deri në pesë vite burg.

Mijëra akuza penale

Ky nuk është një rast i izoluar. Sipas RTS, deri në fund të vitit 2025, janë ngritur rreth 6,000 akuza penale në lidhje me huatë e Covid-19 në të gjithë Zvicrën.

Në kantonin e Gjenevës, këto raporte përbëjnë më shumë se 20% të çështjeve në pritje, gjë që zgjat kohën e trajtimit të të gjitha proceseve. Autoriteti hetues përgjegjës për krimet financiare raporton se rastet e lidhura me huatë e Covid-19 janë rritur me 150% që nga viti 2024, nga 100 në 250 raste. Policia nga kantonet e tjera në Zvicrën Perëndimore raporton sfida të ngjashme.

Rreth 4.7 miliardë franga zvicerane nga huatë e Covid-19 mbeten ende të papaguara në të gjithë vendin. Akuza për mashtrim kundër pronarit të restorantit Domenico janë hedhur poshtë, por procedurat për përvetësim të paligjshëm vazhdojnë.

Ky është vetëm një nga rastet në pritje nga një total prej pothuajse 3,000 çështjesh, sipas Sekretariatit Shtetëror për Çështjet Ekonomike (SECO). Akuza të tjera mund të ngriten në muajt ose vitet e ardhshme.

Një ciklon “bombë” po i afrohet Zvicrës me shpejtësi mbi 118 km/h

Një stuhi shumë e fortë po i afrohet Zvicrës. Cikloni i quajtur “Goretti” pritet të sjellë erëra me shpejtësi mbi 118 km/h, ndërsa reshjet e dëborës në zonat malore mund të shkaktojnë stuhi bore. Kjo javë pritet të jetë veçanërisht e pakëndshme nga ana meteorologjike.

Çfarë pritet të ndodhë?

Që nga e premtja në mëngjes, Zvicra do të ndodhet në fushën e erërave të një cikloni të ashtuquajtur “bombë”. Në Rrafshin Zviceran (Mittelland) priten erëra të forta me shpejtësi 60–80 km/h, ndërsa në zonat malore dhe në pika të ekspozuara mund të shfaqen erëra uraganike mbi 118 km/h.

Ndërkohë që në zonat e ulëta do të bjerë shi për shkak të një fronti të ngrohtë, në male erërat e forta do të përplasen me reshjet e dëborës, duke krijuar kushte për stuhi të rrezikshme bore. Situata pritet të qetësohet gradualisht drejt fundjavës.

Çfarë është një ciklon “bombë”?

Sipas meteorologut Michael Eichmann nga Meteonews, cikloni “Goretti” klasifikohet si një ciklon bombë, një sistem stuhish që forcohet jashtëzakonisht shpejt – presioni atmosferik bie me të paktën 24 hektopaskalë brenda 24 orësh.

Aktualisht, “Goretti” ndodhet mbi Kanalin Anglez, pranë rajonit të Bretanjës. Të premten, cikloni do të kalojë mbi vendet e Beneluksit dhe më pas mbi Gjermaninë. Zvicra nuk do të preket drejtpërdrejt nga qendra e stuhisë, por nga fusha e saj e fuqishme e erërave.

Kulmi i stuhisë

Shenjat e para do të ndihen që të enjten, me erëra deri në 40 km/h në Rrafshin Zviceran. Gjatë natës drejt së premtes, stuhia do të intensifikohet ndjeshëm.

Të premten në mëngjes, Zvicra do të ndodhet në zemër të korridorit të erërave. Në zona malore si Pilatus dhe Säntis, priten erëra me forcë uragani, që tejkalojnë 118 km/h.

Dëborë në male, shi në ultësira

Stuhia sjell gjithashtu një front të ngrohtë, i cili do të rrisë temperaturat duke filluar nga e enjtja. Deri në mesditë priten reshje dëbore edhe në ultësira, por më pas vija e dëborës do të ngrihet gradualisht në 1300–1500 metra, duke filluar nga perëndimi.

Në lugina alpine, vija e dëborës pritet të mbetet rreth 1000 metrave. Poshtë kësaj lartësie do të bjerë shi, çka mund të krijojë akull të zi për shkak të temperaturave ende të ulëta të tokës.

Ndërsa në Rrafshin Zviceran do të mbizotërojë shiu gjatë kulmit të stuhisë, në male priten stuhi bore intensive. Të premten në mbrëmje, vija e dëborës do të ulet sërish, duke sjellë dëborë edhe në zona më të ulëta.

Lehtësim drejt fundjavës

Sipas meteorologëve, moti do të fillojë të përmirësohet gradualisht. E shtuna do të mbetet ende me erë, por forca e stuhisë do të dobësohet ndjeshëm.

Katastrofa në Crans-Montana: Avokatët përgatisin padinë për përgjegjësinë e shtetit

Një katastrofë zjarri që la 40 të vdekur dhe shumë të plagosur po sjell pasoja të mëdha financiare. Avokatët që përfaqësojnë viktimat po përgatisin një padi për përgjegjësinë e shtetit kundër komunës së Crans-Montana.

Avokati nga Gjeneva, Romain Jordan, përfaqëson mbi 20 familje të viktimave, përfshirë ato që kanë humbur fëmijët dhe ato që kanë fëmijë të lënduar rëndë dhe të shtruar në spitale. Jordan shprehet se tani ka nisur përgatitja e padisë për përgjegjësinë e shtetit ndaj komunës, transmeton albinfo.ch.

“Ne kemi filluar punën mbi padinë për përgjegjësinë e shtetit. Do të përgatisim një padi civile dhe do të përcaktojmë shumën e dëmshpërblimit në kohën e duhur,” tha ai.

“Përgjegjësia e komunës është e qartë.”

Sipas avokatit, komuna e Crans-Montana do të duhet të mbulojë një pjesë të madhe të kostove që rezultojnë nga katastrofa e zjarrit. Shumat totale të dëmeve mund të arrijnë disa qindra milionë franga zvicerane, për shkak të kostove të mëdha mjekësore dhe rehabilituese, si dhe kompensimeve për kujdestarët, ndihmësit në shtëpi dhe të rinjtë që nuk mund të hyjnë më në tregun e punës.

Kontrolli i munguar i zjarrit

Këshilli i qytetit të Crans-Montana pranoi për herë të parë se inspektimi vjetor ligjor për sigurinë nga zjarri në barin “Le Constellation” ishte kryer për herë të fundit në vitin 2019. Kjo ka ngritur dyshime se komuna mund të ketë dështuar në përmbushjen e detyrimeve të saj ligjore.

Ekspertët e së drejtës së shtetit shprehen optimizëm për suksesin e padisë: “Normat e sigurisë nga zjarri janë detyrime themelore të komuniteteve. Nëse këto janë shkelur, jemi shumë më afër përgjegjësisë së shtetit,” thotë profesori Felix Uhlmann.

Kosto të mëdha dhe financa të ngarkuara

Shumat e dëmeve fillimisht do të mbulohen nga sigurimet shëndetësore dhe ato të aksidenteve. Por më pas, kompanitë e sigurimeve do të kërkojnë kompensim nga përgjegjësit apo komuna. Eksperti i sigurimeve Martin Hablützel shpjegon: “Sigurimet mund të kërkojnë rikuperim nga personat ose institucionet përgjegjëse, përfshirë komunën e Crans-Montana.”

Financat e komunës mund të mos jenë të mjaftueshme për të mbuluar të gjitha kërkesat. Në fund të vitit 2024, komuna kishte një kapital prej rreth 160 milionë frangash, i cili mund të përdoret për kompensimin e dëmeve. Sipas ekspertëve, kjo do të rëndojë buxhetin e komunës dhe do të ndikojë tek taksapaguesit lokalë.

Ende nuk është e qartë nëse komuna mund të shpallet pjesërisht përgjegjëse për katastrofën. Prokuroria kantonale e Wallisit ende nuk ka zgjeruar hetimin penal ndaj komunës.

Si po përballen Hekurudhat Federale Zvicerane (SBB) me të ftohtin ekstrem dhe borën në shina

Një valë e fortë të ftohti që ka përfshirë Zvicrën ditët e fundit ka shkaktuar ndërprerje të konsiderueshme në trafikun hekurudhor. Hekurudhat Federale Zvicerane (SBB) kanë angazhuar rreth 360 punonjës në të gjithë vendin për të mirëmbajtur infrastrukturën e kërcënuar nga akulli dhe bora, transmeton albinfo.ch.

Skenari duket se përsëritet çdo vit: sapo temperaturat bien nën zero, trafiku hekurudhor has vështirësi. Të martën janë regjistruar vonesa në rrjetin S-Bahn të Cyrihut. Në Bazel dhe zonat përreth janë anuluar gjithashtu udhëtime me tren, autobusë dhe tramvaje.

Sipas SBB-së, sistemet e ngrohjes së disa devijuesve (ndërruesve të shinave) kanë dështuar.

“Këto sisteme kanë funksionuar me kapacitet maksimal prej disa ditësh për shkak të temperaturave jashtëzakonisht të ulëta. Prandaj, për fat të keq, ndërprerjet nuk mund të përjashtohen,” shpjegoi zyra e shtypit e kompanisë.

Italia mban zi për viktimat e tragjedisë në Crans-Montana

Një minutë heshtje u mbajt në të gjitha shkollat italiane, ndërsa qyteti i Milanos shpalli një ditë zie komunale në nderim të viktimave të zjarrit tragjik.

Ministri italian i Arsimit, Giuseppe Valditara, vizitoi Liceun Artistik “San Carlo” në Milano për minutën e heshtjes që u mbajt në orën 10:30. Një nga viktimat e zjarrit kishte qenë nxënës i këtij liceu.

“Sot është një ditë zie, një ditë solidariteti dhe afërsie me prindërit dhe miqtë e të rinjve që humbën jetën,” deklaroi Valditara. Ai shprehu gjithashtu nderimin e tij për të gjithë të plagosurit dhe familjet e tyre, si edhe për “të rinjtë që kanë humbur një mik – një përjetim jashtëzakonisht i dhimbshëm”.

Nga ana e tij, kryebashkiaku i Milanos, Giuseppe Sala, urdhëroi shpalljen e zisë komunale të mërkurën. Flamujt në ndërtesat publike do të ulen në gjysmështizë.

Zvicër: Referendum kundër lehtësimit të ligjit për materialet ushtarake

Një referendum është nisur kundër lehtësimit të rregullave për shitjen e materialeve ushtarake zvicerane. Populli zviceran do të votojë për ndryshimet në ligjin mbi materialet e luftës, të miratuara nga Asambleja Federale muajin e kaluar. Një aleancë që përfshin Partinë Socialdemokrate, Partinë e Gjelbër, Partinë Popullore Ungjillore dhe organizata të tjera joqeveritare njoftoi nisjen e referendumit të mërkurën.

Ky projekt synon të lehtësojë jo vetëm eksportin, por edhe ri-eksportin e pajisjeve ushtarake. Në një konferencë për shtyp në Bernë, Rayyân Rehouma nga Grupi për një Zvicër pa Ushtri (GSoA) dënoi “përpjekjet e pandërprera të lobimit të industrisë së armëve”. Këshilltari Kombëtar Clarence Chollet (Të Gjelbrit/NE) shtoi se ndryshimi i ligjit ka të bëjë me politikën ekonomike, jo atë të sigurisë.

Ndërkohë, Marc Jost (EVP/BE) e përshkroi ligjin si një “ligj që i jep përparësi fitimit mbi parimet”. Ai tha se mbështet një industri armësh të fortë brenda kuadrit të mbrojtjes kombëtare dhe dëshiron që Zvicra të mbetet partner i besueshëm, por sipas tij, lehtësimi i rregullave shkon shumë larg, duke refuzuar që armët zvicerane të qarkullojnë pa kontroll në mbarë botën.

Mirjam Hostetmann nga të Rinjët Socialiste e konsideroi këtë lehtësim ligjor një “skandal”, duke theksuar se bëhet në kohën kur “lufta shitet si paqe dhe vdekjet civile paraqiten si motor ekonomik”. Këshilltarja Kombëtare Priska Seiler Graf (Partia Socialdemokrate/Zurich) paralajmëroi se propozimi minon neutralitetin dhe besueshmërinë e Zvicrës, transmeton albinfo.ch.

Aleanca gjithashtu nënvizoi se industria e armëve nuk po përballet me vështirësi ekonomike dhe argumentoi se Zvicra ka shumë produkte më të rëndësishme për eksport sesa armët.

“Konfliktet nuk vuajnë mungesë armësh, por mungesë zgjidhjesh politike, diplomatike dhe humanitare,” tha Clarence Chollet. Rayyân Rehouma shtoi se Zvicra mban përgjegjësi për krimet e kryera kur pajisjet e saj ushtarake përdoren kundër civilëve ose përfundojnë në duart e grupeve terroriste.

Këshilli Federal – “i vetmi roje”

Parlamenti ka vendosur të miratojë paraprakisht kërkesat e eksportit nga vendet me një regjim eksporti të ngjashëm me atë të Zvicrës, edhe nëse ato janë përfshirë në konflikte të armatosura. Këto vende përfshijnë 17 nga 27 shtetet anëtare të BE-së, si dhe SHBA, Kanada, Australi, Japoni, Zelandë të Re dhe Argjentinë. Këshilli Federal mund të refuzojë këto kërkesa vetëm në rrethana të jashtëzakonshme.

Marc Jost kritikoi zhdukjen e kritereve objektive të përjashtimit, duke e përshkruar Këshillin Federal si “të vetmin roje”. “Çfarë konsiderohet rrethana e jashtëzakonshme?” pyeti Clarence Chollet.

Disa folës përmendën SHBA-në, që kohët e fundit sulmoi Venezuelën, dhe që mund të marrë materiale zvicerane edhe gjatë një lufte. Palët e përfshira në luftën civile në Sudani mund të pajisen gjithashtu indirekt me armë zvicerane. Por jo Ukraina, e cila u sulmua në shkelje të ligjit ndërkombëtar. Priska Seiler Graf e quajti situatën “shaka”, duke kujtuar se fillimisht ligji synonte të lehtësonte ri-eksportin për këtë vend.

50,000 nënshkrime deri në mesprill

Referendistët kritikojnë veçanërisht këtë lehtësim, sepse vjen pak vite pas hyrjes në fuqi në 2022 të kundërpropozimit të iniciativës popullore “kundër eksportit të armëve në vendet e përfshira në luftë civile”. Çdo shitje është e ndaluar nëse një vend është i përfshirë në konflikt ose shkel rëndë të drejtat e njeriut.

Komiteti përfshin edhe degët e reja të Partisë së Gjelbër dhe PEV, POP-in, si dhe organizata të ndryshme si Terre des Hommes, Frieda, humanrights, Public Eye dhe Justitia et Pax. Referendistët besojnë se mund të mblidhen 50,000 nënshkrimet e nevojshme deri në mesprill.

Aksident i rëndë në Waldshut‑Tiengen, 6 të lënduar, përfshirë tre fëmijë të vegjël

Një familje pesëanëtarëshe dhe një shofer kamioni u lënduan në një aksident trafiku në Liedermatte pranë Waldshut‑Tiengen, në mëngjesin e së mërkurës. Sipas të dhënave të para, automjeti i familjes dhe kamioni u përplasën rreth orës 08:00 në Bundesstraße 34, drejt Dogern. Shkaku i aksidentit nuk është ende i qartë, tha zëdhënësi i policisë, raportojnë mediat gjermane, transmeton albinfo.ch.

Për shkak të përplasjes, një person mbeti i ngujuar brenda automjetit dhe u lirua nga zjarrfikësit. Ai pësoi lëndime të rënda.

Mes gjashtë të lënduarve, ndodhen edhe tre fëmijë të vegjël, me moshë nga pesë muaj deri në tre vjeç, të cilët u transportuan me helikopter në klinika pediatrike. Gjendja e tyre shëndetësore ende nuk është e qartë.

Për punimet e rimëkëmbjes, rruga B34 mbeti e mbyllur përkohësisht.

Ndërkohë ndonëse nuk është konfirmuar ende, mediat në Kosovë raportojnë duke cituar gazetarin Bahri Cani, se familja e aksidentuar janë me prejardhje nga Kosova dhe se u aksidentuan teksa po ktheheshin nga pushimet në Kosovë.

Energjia elektrike rikthehet në Berlin pas sulmit me zjarrvënie

Energjia elektrike është rikthyer plotësisht në të gjitha banesat në jug të Berlinit të mërkurën, pasi ato kishin mbetur pa rrymë që prej një akti sabotimi të ndodhur të shtunën, njoftuan autoritetet gjermane. Hetimet po përqendrohen te mundësia e një sulmi nga ekstremi i majtë, ndërsa përfshirja ruse duket se është përjashtuar.

Ndërprerja e energjisë, e shkaktuar nga një zjarr që përfshiu kabllot në një instalacion elektrik në jugperëndim të Berlinit, la pa rrymë rreth 45.000 banesa dhe 2.200 biznese të shtunën, duke i zhytur disa prej tyre edhe në të ftohtë. Të martën, gjysma e tyre ende nuk kishin energji elektrike.

“Ju informoj se furnizimi është rikthyer plotësisht që nga ora 14:10,” deklaroi për mediat Franziska Giffey, ministre e Ekonomisë në qeverinë rajonale të Berlinit.

Teknikët duke punuar në vendngjarjen e zjarrit që shkaktoi ndërprerjen e energjisë në Berlin.

Asnjë provë që të çojë te Rusia

Sabotimi i impiantit u mor përsipër nga një grup i paqartë i ekstremit të majtë i quajtur “Vulkangruppe” (Grupi i Vullkanit), dhe autoritetet gjermane e konsideruan deklaratën si autentike.

Ministria e Brendshme theksoi se nuk ka asnjë provë që të tregojë përfshirje të Rusisë, të cilën Berlini e ka akuzuar shpesh për organizimin e akteve të sabotimit në Gjermani përmes rekrutimit ose manipulimit të individëve apo grupeve.

“Ne e konsiderojmë të vërtetuar autenticitetin e letrës së përgjegjësisë,” tha zëdhënësja e ministrisë, Sonja Kock, gjatë konferencës së rregullt për shtyp të qeverisë. “Nuk kemi asnjë provë që sugjeron se bëhet fjalë për një operacion të rremë (‘false flag’) nga Rusia,” shtoi ajo.

Hetim për “sabotim” dhe “terrorizëm”

Të martën, Zyra Federale e Prokurorit në Gjermani, përgjegjëse për çështjet e kundër-terrorizmit, njoftoi hapjen e një hetimi për “sabotim” dhe “anëtarësim në organizatë terroriste”.

Sulmi nxori në pah vështirësitë me të cilat përballet Gjermania në mbrojtjen dhe riparimin e infrastrukturës së saj kritike, në një kohë kur vendi deklaron se është vazhdimisht objekt i “sulmeve hibride” të orkestruara nga Rusia.

“Nuk mund të mbrohemi nga çdo sulm,” tha për AFP Maren Schellenberg, kryetarja e distriktit Steglitz-Zehlendorf, zona që u prek më rëndë nga ndërprerja e energjisë.

Nga ana e tij, Vulkangruppe ka marrë përgjegjësinë për rreth një duzinë sulmesh që nga viti 2011, përfshirë edhe një akt sabotimi ndaj një fabrike të Tesla-s pranë Berlinit në mars të vitit 2024, ku u dogjën linjat e energjisë që furnizonin impiantin.

Gripi i dimrit vazhdon të përhapet në Zvicër

Gripi i dimrit pritet të vazhdojë të përhapet në Zvicër. Sipas Zyrës Federale të Shëndetit Publik (FOPH), sezoni i gripit 2025–2026 pritet të jetë i rëndësishëm dhe kulmi i përhapjes së virusit ende nuk është arritur.

Javën e kaluar, autoriteteve iu raportuan 33.5 raste gripi të konfirmuara laboratorikisht për 100 mijë banorë, njoftoi FOPH të mërkurën. Kjo shifër paraqet një rënie prej 4.6% krahasuar me javën paraprake. Megjithatë, sipas FOPH-së, kjo rënie statistikore është mashtruese dhe shpjegohet me vonesat në raportimin e rasteve gjatë pushimeve të fundvitit.

Pas një rënieje gjatë periudhës së festave, numri i konsultave ambulatore për infeksione akute të rrugëve të frymëmarrjes ka nisur sërish të rritet.

Nëntipe të reja të gripit të zbuluara

Sipas FOPH-së, viruset e gripit që po qarkullojnë më së shumti aktualisht në Zvicër janë nëntipet A(H3N2) dhe A(H1N1)pdm09. Përveç tyre, analizat paraprake të mostrave të kryera nga FOPH kanë zbuluar edhe një nënklasë të re gjenetike të nëntipit H3N2.

Sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), nuk ka asnjë tregues se infeksionet me këtë nënklasë të re janë më të rënda.

Dallime rajonale

Incidenca më e lartë e rasteve u regjistrua në:

Schaffhausen (66.54),

Basel-Stadt (61.57),

Jura (56.12).

Ndërsa normat më të ulëta u shënuan në:

Appenzell Ausserrhoden (8.82),

Obwalden (12.61),

Uri (15.68).

Kantonet Gjenevë (22.59) dhe Fribourg (25.38) janë relativisht më pak të prekura. Ndërkohë, nivele pak më të larta u regjistruan në Vaud (31.58), Valais (30.97) dhe Neuchâtel (44.56).

Rritje edhe e virusit RSV

Virusi respirator sincicial (RSV) vazhdon të përhapet gjerësisht në Zvicër. Ngarkesa virale e RSV-së në ujërat e zeza është rritur në shumë rajone. Sipas FOPH-së, tendenca aktuale është e krahasueshme me atë të sezonit të kaluar.

Sa i përket Covid-19, vala kryesore arriti kulmin vjeshtën e kaluar dhe numri i infeksioneve ka qenë në rënie graduale që prej asaj kohe. Shifrat aktuale janë të ngjashme me ato të regjistruara një vit më parë.

Presidentja Osmani viziton Malishevën, njihet nga afër me situatën pas reshjeve të fundit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar të martën në mbrëmje Komunën e Malishevës, ku është pritur nga kryetari i komunës, Ekrem Kastrati. Vizita kishte për qëllim informimin e drejtpërdrejtë lidhur me gjendjen e krijuar pas reshjeve të fundit dhe sfidat me të cilat po përballet kjo komunë.

Gjatë takimit, kryetari Kastrati e falënderoi Presidenten për vizitën dhe e njoftoi atë për situatën aktuale në terren, masat e ndërmarra për menaxhimin e emergjencës si dhe rreziqet potenciale. Ai bëri të ditur se është aktivizuar Shtabi Emergjent dhe se ka pasur koordinim të vazhdueshëm me Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave (AME) dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), ndërsa komuna u ka dalë në ndihmë qytetarëve të prekur.

Kastrati theksoi se diga e Liqenit të Mirushës është monitoruar vazhdimisht për shkak të rrezikut të mundshëm nga ndonjë avari, duke informuar Presidenten edhe për dëmet e shkaktuara deri më tani. Ai kërkoi mbështetje nga niveli qendror për sanimin e dëmeve, kompensimin e të dëmtuarve dhe rindërtimin e infrastrukturës së dëmtuar, përfshirë digën dhe disa ura.

Nga ana e saj, Presidentja Osmani përgëzoi Komunën e Malishevës dhe ekipet emergjente për menaxhimin e situatës, duke shprehur solidaritetin e saj me qytetarët. Ajo theksoi se, pavarësisht vështirësive, nuk ka pasur humbje jete dhe se mbrojtja e jetës së qytetarëve ka qenë prioritet kryesor.

Presidentja Osmani ofroi mbështetjen e plotë të Presidencës për përballimin e situatës dhe për marrjen e masave parandaluese në të ardhmen.

Pas takimit, Presidentja Osmani dhe kryetari Kastrati vizituan edhe digën e Liqenit të Mirushës, për t’u njohur nga afër me gjendjen aktuale dhe rrezikun eventual që mund të paraqesë ajo.

Studimi i medias zvicerane identifikon presion në rritje nga Inteligjenca Artificiale

Kompanitë mediatike po humbasin pjesën e konsumatorëve dhe të ardhurat përballë platformave të reja dixhitale dhe inteligjencës artificiale (IA), sipas një studimi zviceran.

Studimi “Përdorimi i Medias 2035” nga Qendra Kërkimore për Sferën Publike dhe Shoqërinë (fög) në Universitetin e Cyrihut zbuloi se konsumatorët e lajmeve po tërhiqen gjithnjë e më shumë nga chatbot-et e inteligjencës artificiale dhe platformat e tjera, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Studimi, i cili u sponsorizua nga Shoqata Zvicerane e Botuesve të Medias (VSM), supozon se kërkesa për lajme gazetareske do të bjerë në planin afatgjatë, ndërsa zakonet e konsumatorëve vazhdojnë të fragmentohen.

Autorët arrijnë në përfundimin se efekti “zero-click” (konsumatorët e lajmeve që refuzojnë të klikojnë nëpër përmbledhjet e inteligjencës artificiale për artikullin origjinal nga gazetarët) ka të ngjarë të rritet më tej deri në vitin 2035.

Sipas pikëpamjes së fög, financimi i gazetarisë thjesht i bazuar në treg nuk është i mjaftueshëm në këto kushte. Studimi sheh nevojën për veprim politik në aspektin e financimit të medias, mbrojtjes së pronës intelektuale dhe promovimit të aftësive mediatike.

“Platformat dhe ofruesit e inteligjencës artificiale përdorin sistematikisht shërbimet gazetareske pa i shpërblyer ato në mënyrë të përshtatshme”, tha presidentja e VSM, Andrea Masüger.

VSM sheh nevojën për veprim politik dhe po bën thirrje për modele shpërblimi për përdorimin e përmbajtjes gazetareske nga aplikacionet e IA-së.

“Njerëzit me aftësi mediatike përdorin lajmet më shpesh dhe, sipas fög, janë më të gatshëm të paguajnë për përmbajtje gazetareske”, tha drejtoresha e VSM-së, Pia Guggenbühl. Shoqata e sheh promovimin e njohurive mediatike si një investim afatgjatë në një sferë publike demokratike funksionale.

Kërkesat e VSM-së janë në kontekstin e vendimeve aktuale të politikave mediatike. Parlamenti zviceran ka miratuar një mocion nga Sanatorja Petra Gössi që bën thirrje për shpërblim të detyrueshëm për përdorimin e shërbimeve gazetareske nga IA.

Zvicër: Shitjet me pakicë janë të qëndrueshme pavarësisht klimës së vështirë ekonomike

Sektori zviceran i shitjes me pakicë u tregua i qëndrueshëm vitin e kaluar, me shitjet e rritura nga rritja e pagave reale. Sipas ekonomistëve të UBS, sektori duhet të vazhdojë në këtë rrugë në vitin 2026, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Shitjet nominale në sektorin zviceran të shitjes me pakicë do të jenë rritur me 1% deri në vitin 2025, sipas studimit të UBS Retail Outlook, të kryer në bashkëpunim me konsulencën Fuhrer & Hotz dhe të zbuluar të mërkurën. Në terma realë, të rregulluar për inflacion, rritja ishte 1.8%. Rënia e çmimeve vlerësohet në rreth 0.8% mesatarisht.

Rritja reale e pagave, e nxitur nga rritja e pagave dhe inflacioni më i ulët, ishte një mbështetje e madhe për sektorin, ashtu si edhe situata e vazhdueshme e fortë në tregun e punës.

Sektori i shitjes me pakicë jo-ushqimore u rrit me 2.6% në terma realë vitin e kaluar, dhe shitjet duhet të vazhdojnë të rriten në vitin 2026, megjithëse me një ritëm më të ngadaltë se vitin e kaluar.

Megjithatë, situata mbetet e tensionuar në disa sektorë që janë veçanërisht të ekspozuar ndaj konkurrencës së huaj, siç janë veshmbathjet dhe këpucët.

Në segmentin ushqimor, rritja ishte më e moderuar, rreth 1% në terma realë, në përputhje me mesataren afatgjatë.

Në vitin 2026, tregtia me pakicë pritet të shënojë një rritje më të dobët se në vitin e kaluar (+0.8%). Me çmimet që pritet të rriten me 0.5%, kjo duhet të përkthehet në një rritje nominale prej 1.3%.

Parandalimi i zjarreve: ndryshimet midis kantoneve

Zjarri në barin “Le Constellation” në Crans-Montana ngre pyetje në lidhje me funksionimin e inspektimeve të parandalimit të zjarrit në Zvicër.

Ekzistojnë dallime kantonale në këtë fushë. Në Zvicër, pronarët e pronave duhet të sigurojnë pronën e tyre kundër dëmeve të shkaktuara nga zjarri ose ngjarjet natyrore si breshëri. Në shumicën e kantoneve, është e detyrueshme të blini sigurim prone me institucionin përkatës. Megjithatë, në disa kantone, të grupuara nën nofkën “GUSTAVO” – Gjenevë, Uri, Schwyz, Ticino, Appenzell Innerrhoden, Valais dhe Obwalden – nuk ekziston një shërbim i tillë.

Prandaj, pronarët duhet t’i drejtohen sigurimeve private, transmeton albinfo.ch.

“Në Gjenevë, të gjitha klubet e natës janë inspektuar gjatë dhjetë viteve të fundit, një normë që korrespondon me atë që Shoqata e Institucioneve të Sigurimit të Ndërtesave Kantonale (AICA) synon të prezantojë deri në vitin 2026”, shpjegoi për Keystone-ATS Pauline de Salis-Soglio, zëvendëssekretare e përgjithshme e Kantonit të Gjenevës.

Zbatimi i inspektimeve ndryshon gjithashtu nga kantoni në kanton: në Valais, ashtu si në Cyrih, komunat janë përgjegjëse. Në vitin 2024, për shembull, autoritetet e sigurisë nga zjarri të Cyrihut kryen mbi 600 inspektime, sipas të dhënave të publikuara nga qyteti. Në rast të problemeve serioze, mund të merret një vendim për mbylljen e një objekti derisa të korrigjohen mangësitë. Në Fribourg, inspektimet përfshijnë Institutin Kantonal të Sigurimeve të Ndërtesave.

Një bar dhe klub nate inspektohet të paktën çdo tre vjet, ndonjëherë më shpesh, tha Yves-Laurent Blanc, zëdhënës i agjencisë. Një institucion publik nuk do të marrë leje nëse nuk i përmbahet rregulloreve të sigurisë nga zjarri. Në Basel-Stadt, inspektimet e sigurisë nga zjarri kryhen kur lëshohen lejet. Kjo pasohet nga inspektime periodike, frekuenca e të cilave varet nga përdorimi dhe banimi i ndërtesës. Për vendet më në rrezik, intervali është gjashtë vjet.