Lajme

“Më pëlqejnë sfidat që kërkojnë mprehtësi ligjore”

DZEVRIJE ZENDELI, AVOKATE, LIC.IUR. LL.M., BASHKËPUNËTORE E LARTË NË FIRMËN E NJOHUR TË AVOKATURËS WALDER WYSS AG, FLET PËR ALBINFO.CH PËR PROFESIONIN E JURISTES, FUSHAT E EKSPERTIZËS SË SAJ SI AVOKATE etj.

Ka studiuar dhe diplomuar shkencën e juridikut në Universitetin e Cyrihut; Patentën si avokate e ka mbrojtur në kantonin e Cyrihut, po ashtu ka bërë një vit magjistrimi (LL.M.) në Universitetin Columbia në New York City, SHBA. Sot ajo ka një përvojë disavjeçare profesionale si avokate dhe përvojë profesionale si nëpunëse në Gjykatën e Cyrihut. Fushat e ekspertizës të Dzevrije Zendelit janë: e drejta e kontratave, e drejta e korporatave dhe e drejta e punës. Sipas Dzevrije Zendelit, mënyra më e mirë për t’i kuptuar dhe vlerësuar klientët siç duhet është vetëm pasi të keni folur me ta personalisht dhe në qetësi. Kjo mënyrë e të menduarit vlen për të si në jetën e saj private, po ashtu edhe në atë profesionale, si juriste.

ALBINFO.CH: ZONJA ZENDELI, JU JENI JURISTE. PËR ÇFARË RASTESH JU KONTAKTOJNË KLIENTËT?

Në parim, klientët mund të më kontaktojnë për çdo çështje juridike. Nëse ndonjë shqetësim nuk bie në një nga fushat e mia të specializuara, unë gjithmonë i rekomandoj te kolegët e mi që mund t’i ndihmojnë më tutje.

Fokusi i punës sime të përditshme, megjithatë, është në fushën e këshillave juridike në lidhje me kontratat, çështje të ndryshme të ligjit të korporatave të kompanive dhe në të drejtën e punës. Klientët e mi janë “shumë ndërkombëtarë” dhe janë të vendosur në gjithë botën. Kështu, ata mund të jenë në SHBA, në Kinë, por edhe në Kosovë ose këtu, në Cyrih. Kjo do të thotë që unë punoj çdo ditë, në disa gjuhë. Unë i mbështes dhe i përkrah si kompanitë e etabluara, me rastin e bashkimit (fusionimit) mes tyre, transaksioneve dhe financimeve, ashtu dhe kompanitë më të vogla, me rastin e themelimit të tyre (p.sh. start up) dhe negociatave të kontratave. Përveç kësaj, unë merrem rregullisht me kontrata pune, marrëveshje për ta shfuqizuar kontratën e punës si dhe përfundimin e kontratës të punësimit.

ALBINFO.CH: KJO TINGËLLON SI NJË PUNË E LARMISHME DHE SHUMË E KËRKUAR QË BAZOHET KRYESISHT NË BESIM. SI E KRIJONI JU BESIMIN TE KLIENTËT?

Me cilësitë më të rëndësishme të një avokateje të mirë: integritet, kompetencë dhe maturi. Është gjithashtu shumë e rëndësishme të kuptoni saktësisht shqetësimet e klientit dhe të jeni në gjendje t’i klasifikoni ato korrekt. Një takim personal në zyrën tonë mund të jetë shumë i dobishëm sa i përket kësaj. Në të shumtën e rasteve ndihmon një takim ballë për ballë me klientët për të ndërtuar më së shpejti besimin.

ALBINFO.CH: A KA QENË GJITHMONË E QARTË PËR JU SE DËSHIRONI TË PUNONI NË FUSHËN E DREJTËSISË?

Unë e kam kryer gjimnazin e profilit biznes-juridik dhe shpejt kam kuptuar se jam shumë e interesuar për temat juridike. Përveç kësaj, prej kur isha vajzë e re më është dhënë një përgjegjësi e madhe. Kështu që prej atë kohë kam pasur një pasion dhe një afinitet të madh drejt zgjidhjeve të problemeve në çështjet juridike. Unë jam ende shumë e entuziasmuar që e kam zgjedhur këtë profesion, sepse jam e interesuar dhe e orientuar për t’u ndihmuar njerëzve dhe kompanitë që të gjejnë zgjidhjet optimale për sfidat e tyre dhe për realizimin e ideve dhe projekteve të tyre.

 ALBINFO.CH: ME PAK FJALË, ÇFARË JU MOTIVON?

Më pëlqejnë mandatet interesante dhe kërkuese, si dhe sfidat e reja që kërkojnë mprehtësi ligjore. Me të vërtetë, më pëlqen të punoj me klientë, të cilët janë të bindur për produktet ose shërbimet e tyre dhe që me entuziazmin e tyre të tjerët i frymëzojnë. Më motivon kur klientët janë të kënaqur dhe janë të bindur se jam përkujdesur shumë mirë për to.