Fondi Humanitar i reagon Shkelzen Gashit: Në Burgun e Dubravës nuk janë vrarë persona të armatosur

Fondi për të Drejtën Humanitare ka reaguar lidhur me ekspozitën në sheshin e Prishtinës rreth masakrave të ndodhura gjatë luftës në Kosovë ku janë hasur informata të pasakta.

Ekspozita ka marrë shumë kritika në lidhje me detajet e ngjarjeve që shënuan masakrat e ndryshme në Kosovë, pasi u aludua se shpërfaq narrativen e Serbisë për luftën e fundit në Kosovë.

Në komunikatën për media të Fondit për të Drejtën Humanitare thuhet se të dhënat në këtë ekspozitë paraqesin pasqyrë të pasaktë duke shtuar se kjo nuk është çështje interpretimi, por mungesë elementare e njohurive mbi të drejtën ndërkombëtare humanitare, faktet e vërtetuara në gjykatë dhe leximin e të dhënave të Fondit për të drejtën Humanitare.

Reagimi thekson se në Masakrën e Dubravës nuk janë vrarë persona të armatosur siç është paraqitur në ekspozitën e Shkëlzen Gashit.

“Në Burgun e Dubravës nuk janë vrarë “persona të armatosur”, siç paraqitet në tabelën e ekspozitës. Të vrarët ishin të burgosur shqiptarë. Disa prej tyre kishin qenë pjesëtarë të UÇK-së paraarrestimit, por në momentin e vrasjes nuk ishin luftëtarë. Ata ishin persona të privuar nga liria dhe nën kontroll të plotë të autoriteteve serbe, pra persona të mbrojtur sipas Konventave të Gjenevës. Statusi i tyre i mëparshëm si pjesëtarë të UÇK-së është i rëndësishëm për njohjen shtetërore pas vdekjes dhe për reparacionet materiale për familjet, por jo për përcaktimin e rrethanave të vdekjes. Është veçanërisht shqetësuese që Shkëlzen Gashi përpiqet të zhvendosë përgjegjësinë për këto gabime te Fondi për të Drejtën Humanitare. Kjo përbën një përpjekje për të diskredituar bazën më të besueshme të të dhënave për viktimat e luftës në Kosovë”, thuhet në reagim, transmeton albinfo.ch.

Pse është kaq e vështirë të blesh biletë për ndeshjet e Kosovës?

Se herë që vjen koha për ndeshjet ndërkombëtare të Kosovës në futboll, të gjithë, bile edhe ata që nuk janë adhurues të këtij sporti, duan patjetër një biletë për ta parë ndeshjen e Kombëtares kur luan në shtëpi.

Kërkesat për bileta për ta parë një ndeshje të Kombëtares në Stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë janë përherë të mëdha, por, mbase asnjëherë nuk kanë qenë më të mëdha sesa tani për ndeshjen historike të 31 marsit kundër Turqisë.

Kosova e pret Kombëtaren turke në një ndeshje ku synon të kualifikohet për herë të parë në Kupën e Botës dhe shumë kosovarë kanë mbetur të zhgënjyer nga pamundësia për të qenë në stadium për këtë ndeshje.

Rëndësia e ndeshjes dhe kërkesat e mëdha kanë bërë që biletat të shiten në treg të zi me çmime marramendëse.

Më poshtë shpjegojmë pse ka kaq shumë kërkesa për bileta dhe si përfundojnë ato në treg të zi.

Si shiten biletat?

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) i shet online biletat për ndeshjet e Kombëtares. Ajo e publikon njoftimin, zakonisht disa ditë para ndeshjes, në uebfaqen e vet dhe në rrjete sociale, së bashku me linkun ku mund të blihen ato.

Blerësi duhet të regjistrohet në platformën online dhe një përdorues mund t’i blejë më së shumti deri në katër bileta zakonisht, për shkak të kërkesave të mëdha, pavarësisht se ligji thotë se një njeri mund t’i blejë deri në shtatë sosh.

E gjitha që kërkohet në platformën e tanishme online janë një email, emri dhe mbiemri.

Biletat zyrtare kushtojnë nga 10 euro më e lira, deri në 100 euro më e shtrenjta.

Euforia në kulm dhe stadiumi i vogël bëjnë që kërkesat për bileta të jenë shumë më të mëdha sesa kapaciteti prej rreth 12.500 ulësesh i Stadiumit Fadil Vokrri. Në të kaluarën ka pasur deri në 200.000 kërkesa për bileta.

Të gjitha biletat për ndeshjen e së martës mbrëma u shitën sa hap e mbyll sytë në paraditen e 26 marsit.

Çuditërisht ato u shitën shpejt, pavarësisht se kur u nxorën në shitje, askush nuk e dinte nëse Kosova do të luante vërtet në finalen e plajofit për kualifikim në Kupën e Botës që mbahet në verë në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë, duke qenë se ajo ende nuk e kishte zhvilluar ndeshjen gjysmëfinale.

Dhe, kur Kosova e mposhti 4:3 Sllovakinë në Bratisllavë mbrëmjen e asaj dite, dhe kaloi në finalen e plajofit, interneti u vërshua si me kërkesa për bileta, ashtu edhe me oferta për shitjen e tyre në treg të zi.

Kryetari i grupit zyrtar të tifozëve të Kosovës, Lulzim Berisha, tha se grupi nuk ka bileta për të ofruar për të tjerët, edhe pse e kupton “interesimin marramendës, me përmasa të paimagjinueshme”.

Taulant Dajaku, ish-futbollist dhe tani analist futbolli, thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) se kërkesat e mëdha për këtë ndeshje janë të natyrshme duke ditur se Kosova me një fitore do të siguronte pjesëmarrjen për herë të parë në një kampionat të madh, qoftë botëror apo evropian, qëkurse u pranua si kombëtare para një dekade.

“Kërkesat, në rastin e veçantë, tregojnë dëshirën e madhe për të qenë në një event të rëndësisë historike siç ka kjo ndeshje meqë jemi një hap afër një arritjeje kulminante si kualifikimi në një nga eventet më të mëdha sportive në botë, që për Kosovën si shtet do të ishte jo vetëm arritje sportive, por edhe diplomatike dhe që do e bënte eventin e dytë më të rëndësishëm në historinë shtetërore, pas shpalljes së pavarësisë”, thotë Dajaku.

Tregu i zi

Në ditët pas fitores së Kosovës në Bratisllavë, rrjetet sociale u mbushën me kërkesa për bileta, por edhe me oferta për shitjen e tyre në treg të zi.

Me një kërkim të thjeshtë në rrjete sociale për biletë për ndeshjen Kosovë-Turqi, mund të hasje në shumë oferta me çmime deri në 200 euro për biletë.

Radio Evropa e Lirë bisedoi të premten me një shitës në tregun e zi, i cili kërkoi 200 euro për një biletë që normalisht kushton 10 euro.

I kontaktuar përsëri disa orë më vonë, ky shitës tha se biletat nuk ishin më në shitje, pasi i kishte shitur tri për 800 euro në total.

Një shitës tjetër i tha REL-it se do t’i shiste edhe më shtrenjtë në ditën e ndeshjes.

Gjithashtu, ka thashetheme se biletat në treg të zi po iu shiten edhe turqve. Turqit e përbëjnë mbi 1 për qind të popullsisë së Kosovës, sipas regjistrimit të fundit, ndërsa ka edhe shumë punëtorë turq në kryeqytet.

Berisha u bëri thirrje autoriteteve t’i hetojnë dyshimet për shitjen e biletave në të zezën.

”Jemi të shqetësuar nga zërat që po qarkullojnë se biletat e Kosovës po shiten në tregun e zi dhe po përfundojnë te tifozët mysafirë. Ftojmë Policinë e Kosovës, në bashkëpunim me organet tjera të rendit dhe të drejtësisë, të reagojnë ndaj keqbërësve”, shkroi ai në Facebook.

Pse biletat përfundojnë në treg të zi?

Nuk është habi që biletat e një ndeshjeje të rëndësishme futbolli përfundojnë në treg të zi në Kosovë, apo kudo tjetër.

Në Kosovë ka ndodhur shpesh, posaçërisht kur Kombëtarja ka luajtur ndeshje të rëndësishme.

Ka disa arsye pse ato shiten lehtë në treg të zi dhe kalojnë pa ndonjë ndëshkim.

Platforma e kontraktuar nga FFK-ja për shitjen e biletave nuk kërkon nga blerësi mjet identifikimi, por thjesht një email ku mund ta pranosh biletën dhe emrin e mbiemrin e vendosur në biletë.

Pra, bileta nuk personalizohet dhe, pavarësisht kush e ka blerë, secili mund ta përdorë atë për të hyrë në stadium, edhe pse ka paralajmërime se bileta nuk mund të rishitet dhe se nevojitet mjet identifikimi për të hyrë në stadium.

Kur një tifoz shkon për të hyrë në stadium në ditën e ndeshjes, atij thjesht i skanohet bileta përmes barkodit, por nuk i kërkohet të identifikohet përmes ndonjë dokumenti si mbajtës i asaj bilete.

Në këtë mënyrë, një tifoz që e ka blerë biletën në të zezën mund të futet në stadium pa telashe.

Dajaku thekson se fakti që Federata lejon shitjen e biletave të papersonalizuara, mundëson rishitjen e tyre në treg të zi.

“Në kohën në të cilën jetojmë ne, do të duhej të kishim një platforme siç ka Evropa, kur Federata shet bileta të këtë opsionin e personalizimit të tyre me të dhënat personale me të cilat pastaj futesh në stadium. Por, ne s’e kemi, sepse keqorganizimet nuk janë të rastësishme kur nuk ke transparencë. Këto janë problematika të vazhdueshme tonat”, përfundon ai.

Çfarë thotë ligji?

Ligji për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në ngjarjet sportive, në pikën 8 të nenit 10, thotë se ndalohet rishitja e biletave, por nuk e definon atë dhe as nuk tregon se cilat janë ndëshkimet e mundshme.

Megjithatë, në pikën 1 të këtij neni thuhet se organizatori duhet të mbajë dëshmi për identitetin e njerëzve që ua shet biletat.

Eksperti ligjor dhe arbitri i Gjykatës Evropiane të Arbitrazhit (ECA), Fisnik Salihu, thotë për Radion Evropa e Lirë se i takon FFK-së t’i verifikojë biletat që i shet.

“Organizatori duhet të krijojë mekanizëm të verifikimit të biletave që janë të personalizuara”, thekson Salihu.

Prokuroria Speciale e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it nëse po i heton dyshimet për shitjen e biletave në treg të zi për çmime shumëfish më të larta sesa çmimi real.

As Federata e Futbollit nuk iu përgjigj kërkesës për koment, por në një reagim në rrjetet sociale, ajo shprehu keqardhje që shumë tifozë nuk mund të marrin biletë dhe tha se, në bashkëpunim me kryeqytetin, do të vendosë ekrane të mëdha në sheshet e qytetit për t’iu mundësuar adhuruesve ta shikojnë ndeshjen bashkërisht./REL

“Ne dhe Ata” sonte në Winterthur, komedia që prek realitetin e mërgatës

Shfaqja humoristike “Ne dhe Ata” vjen sonte në Winterthur, duke sjellë në skenë aktorin dhe humoristin Dan Morina, në një komedi që trajton me ironi e satirë raportet mes mërgatës dhe vendlindjes, shkruan albinfo.ch.

Kjo shfaqje, e cila është cilësuar si “komedi që dhemb… pak”, sjell përballjen e dy realiteteve: atyre që jetojnë jashtë dhe atyre që mbeten në vend. Përmes humorit, shfaqja prek tema të njohura për mërgimtarët, si pritjet, paragjykimet dhe kontrastet mes mënyrës së jetesës në diasporë dhe në Kosovë.

Në posterin promovues theksohet edhe ironia tipike e shfaqjes, ku njëra palë shprehet: “Ju përqafojmë me remitenca”, ndërsa pala tjetër përgjigjet: “Ju jeni heronjë, patriotë, shtylla e kombit!” – një mesazh që e bën komedinë edhe më të afërt për publikun.

Shfaqja është realizuar me skenar dhe regji nga Ben Apolloni, ndërsa pritet të ofrojë një mbrëmje të mbushur me të qeshura dhe reflektim për realitetin e përditshëm të shqiptarëve në mërgatë./Albinfo.ch

 

📍 Winterthur

📅 28.03.2026

🕖 Ora 19:00

📌 Talgutstrasse 71, Winterthur

Zviceranët dyshojnë në përgatitjen ushtarake të vendit, kërkojnë rritje buxheti

Sipas një sondazhi të kryer nga instituti kërkimor Sotomo për grupin e ekspertëve “Strategiedialog21”, shumica e popullsisë zvicerane dyshon në aftësitë mbrojtëse të vendit, përcjell albinfo.ch.

Barometri i quajtur “Barometri i Mundësive” tregon se mbi tre të katërtat e të intervistuarve nuk besojnë se Konfederata është e përgatitur për kërcënime konvencionale dhe hibride.

Megjithatë, shumica e qytetarëve mbështet një rritje të buxhetit të ushtrisë në 2% të PBB-së deri në vitin 2030. Fondacioni jopartiak “Strategiedialog21”, i krijuar në vitin 2011 për të promovuar dialogun strategjik mbi çështje të rëndësishme për të ardhmen e vendit, thekson se qytetarët ndihen të lidhur fort me vlerat e Evropës Perëndimore dhe shohin nevojën për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Zvicrës./Albinfo.ch

Presidentja Osmani nderohet me çmimin “Dr. Erhard Busek” në Parlamentin Austriak

Në Parlamentin Austriak në Vjenë u mbajt konferenca “Kosova në BE”, organizuar me rastin e shënimit të 27-vjetorit të ndërhyrjes humanitare të NATO-s në Kosovë, e cila në vitin 1999 ndali terrorin shtetëror dhe masakrat ndaj popullatës civile shqiptare nga forcat serbe, transmeton albinfo.ch.

Konferenca u organizua me mbështetjen e Andreas Minnich, Nënkryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin Austriak dhe Kryetar i Shoqatës së Miqësisë Austri–Kosovë, duke rikujtuar rëndësinë historike të ndërhyrjes së NATO-s, e cila solli liri, paqe dhe rrugën drejt ndërtimit të një shteti demokratik e të pavarur.

Në këtë kuadër, Presidentes së Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani, iu nda Çmimi “Dr. Erhard Busek”, si vlerësim për “lidership dhe përkushtim të jashtëzakonshëm për lirinë, demokracinë dhe integrimin euroatlantik”.

Gjatë fjalës së tij, Andreas Minnich e cilësoi Presidenten Osmani si një figurë të rrallë në Evropë, duke theksuar përkushtimin e saj për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe rolin e saj në ndërtimin e urave të bashkëpunimit brenda Evropës dhe përtej Atlantikut.

Ndërkohë, Presidentja Osmani falënderoi Parlamentin Austriak për organizimin dhe vlerësimin, duke e cilësuar ndërhyrjen e NATO-s si një moment vendimtar që dëshmoi se drejtësia dhe liria mund të mbrohen kur bota zgjedh të qëndrojë në anën e duhur të historisë.

Ajo theksoi se Austria ka qenë një mike e palëkundur e Kosovës ndër dekada, duke përmendur mbështetjen e saj edhe në vitin 1999, pavarësisht neutralitetit shtetëror, si një qëndrim parimor dhe me qartësi morale. Presidentja Osmani shprehu mirënjohje të veçantë për miqtë austriakë që kanë mbështetur vazhdimisht rrugën euroatlantike të Kosovës, përfshirë edhe diasporën shqiptare në Austri, e cila ka luajtur rol të rëndësishëm në forcimin e miqësisë mes dy vendeve.

Pas ceremonisë së ndarjes së çmimit, konferenca vazhdoi me diskutime mbi procesin e integrimit të Kosovës në BE, bashkëpunimin ekonomik dhe rëndësinë strategjike të Austrisë si partner i Kosovës. U theksua se afërsia gjeografike, historia e gjatë e marrëdhënieve miqësore, numri i madh i mërgimtarëve dhe studentëve kosovarë në Austri janë faktorë kyç që krijojnë besim dhe mundësi konkrete për zhvillim e projekte të përbashkëta.

Çmimi “Dr. Erhard Busek” jepet nga Shoqata e Miqësisë Austri–Kosovë dhe është themeluar në nderim të Dr. Erhard Busek, ish-zëvendëskryeministër dhe ish-ministër i Arsimit në Austri, i njohur si përkrahës i paqes, Evropës së bashkuar dhe një mik i madh i Kosovës./Albinfo.ch

Video – https://www.facebook.com/share/v/1JuhzcosCP/?mibextid=wwXIfr

Reaktori bërthamor Gösgen rifillon operacionet pas një viti mbyllje

Qeveria federale zvicerane i dha Kernkraftwerk Gösgen autorizimin për të rifilluar operacionet në centralin bërthamor në Däniken (SO), i cili ishte mbyllur për gati një vit për shkak të problemeve kritike në sistemin e furnizimit me ujë të zbuluara gjatë inspektimeve rutinore, përcjell albinfo.ch.

Mbyllja e gjatë ndikoi ndjeshëm në prodhimin e energjisë dhe pasqyrat financiare të kompanisë operuese. Në vitin 2025, prodhimi ra në 3,428 milionë kWh, që përbën rreth 5% të energjisë totale të Zvicrës, krahasuar me 8 miliardë kWh në vitin 2024. Humbjet financiare tejkaluan gjysmën e miliardit franga, ndërsa Alpiq raportoi një ndikim negativ prej 149 milionë frangash në fitimin operativ të vitit 2025. Pasojat u ndjenë edhe nga tatimet e kantonit Solothurn, me rreth 6–7 milionë franga të humbura, plus 3 milionë nga tarifat për ujë.

Nga pikëpamja teknike, problemi u zgjidh duke zëvendësuar valvulat e kontrollit të qarkut të ujit, pjesë origjinale që nga viti 1979. Kjo ndërhyrje konsiderohet e nevojshme për të parandaluar mbingarkesa të mundshme në rast dështimi të reaktorit.

Megjithatë, çështja ka ngritur pyetje mbi kohën e vendimeve të marra. Nathan Solothurnmann, ekspert i energjisë nga Greenpeace Zvicër, kërkon më shumë transparencë: nuk dihet se kur u identifikua rreziku nga valvulat dhe kur u vendos ndërhyrja. Ai thekson se, nëse modelet teorike do të kishin treguar një problem, reaktori duhej të mbyllej menjëherë. Solothurnmann paralajmëron se numri i problemeve të mundshme mund të rritet me kalimin e kohës dhe kërkon që çdo shqetësim të adresohen pa vonesë, duke siguruar mbylljen e menjëhershme të centralit në raste emergjente. /Albinfo.ch

Ka nisur Simpoziumi i 7-të i Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë të Zvicrës

Sot ka nisur Simpoziumi i 7-të i Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë të Zvicrës (LMSHZ), një ngjarje e rëndësishme që ka mbledhur mjekë shqiptarë nga vende të ndryshme për të diskutuar sfidat dhe zhvillimet aktuale në profesionin e mjekësisë, shkruan albinfo.ch.

 

 

Simpoziumi po zhvillohet nën moderimin e artistit të njohur Fatmir Spahiu – Bufi, ndërsa tema qendrore e këtij edicioni është: „Mjeku mes Klinikës, Ekonomisë dhe së Drejtës”, një temë që prek realitetin e përditshëm të profesionistëve shëndetësorë dhe sfidat ndërdisiplinore me të cilat përballen.

 

 

Me këtë rast, kryetari i LMSHZ-së, Dr. Mentor Bilali, iu drejtua mjekëve të pranishëm me një fjalë përmbledhëse, ku foli për punën dhe angazhimin e tij gjatë mandatit si kryetar i Lidhjes, si dhe për rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit profesional dhe forcimit të rolit të mjekëve shqiptarë në Zvicër.

 


Në përmbyllje të simpoziumit, LMSHZ do të mbajë edhe
Kuvendin e 4-të zgjedhor, ku pritet të zgjidhet udhëheqësia e re dhe organizata të ketë një kryetar të ri për mandatin e ardhshëm./Albinfo.ch

 

 

 

Shefi i Ushtrisë Zvicerane paralajmëron: Rreziku për Evropën është rrezik për Zvicrën

Shefi i ri i Ushtria e Zvicrës, Benedikt Roos, deklaroi të enjten se ushtria tashmë është në gatishmëri dhe çdo investim në siguri është i mirëpritur. “Nuk ka të bëjë vetëm me vetë ushtrinë, por edhe me sigurinë e Zvicrës,” theksoi ai pas gati tre muajsh në detyrë, përcjell albinfo.ch.

Roos nënvizoi se Zvicra nuk është e izoluar nga ngjarjet ndërkombëtare. “Ajo që rrezikon Evropën na rrezikon edhe ne. Konfederata duhet të përqendrohet në atë që forcon konkretisht kapacitetin tonë mbrojtës.” Ai shtoi se milicia zvicerane mbetet “arma jonë sekrete” dhe theksoi rolin e saj në sigurimin e ekspertizës civile, të dobishme edhe për vendet fqinje.

Duke folur për mandatin e tij fillestar, Roos e përshkroi debutimin e tij si “dinamik” dhe deklaroi se i afrohet detyrës me besim dhe motivim. “Ajo që ka rëndësi janë njerëzit, ushtarët,” theksoi ai, duke i nxitur qytetarët dhe institucionet të tregojnë respekt dhe vlerësim për forcat e armatosura./Albinfo.ch

Pas kritikave për pasaktësi në ekspozitën e masakrave, reagon Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Republikës së Kosovës ka reaguar pas kritikave të shumta lidhur me ekspozitën e mbajtur në Prishtinë, e cila trajton masakrat gjatë luftës në Kosovë, ku janë evidentuar pasaktësi në të dhënat e prezantuara, përcjell albinfo.ch.

Në një sqarim të publikuar në faqen zyrtare në Facebook, Kuvendi thekson se mbështet iniciativa që kanë interes publik, përfshirë kujtesën kolektive, dokumentimin e luftës dhe nderimin e viktimave, por pa ndërhyrë në përmbajtjen e projekteve.

Sipas Kuvendit, mbështetja institucionale për projekte të tilla nuk mund të interpretohet si miratim i narrativës apo si redaktim i materialeve të paraqitura në ekspozitë.

“Përmbajtja dhe qëndrimet e paraqitura në kuadër të ekspozitës mbeten përgjegjësi e autorëve dhe organizatorëve të saj”, thuhet në reagim.

Kuvendi gjithashtu thekson se mbrojtja e dinjitetit të viktimave dhe e kujtesës kolektive është obligim i përbashkët institucional dhe shoqëror, duke kërkuar trajtim të përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm.

Megjithatë, Kuvendi ka bërë të ditur se në këtë rast do t’i adresojë shqetësimet e ngritura tek organizatorët e ekspozitës./Albinfo.ch

Ja çfarë duhet të mësojmë nga gjermanët, Xhaka flet pas humbjes 3:4

 

Kombëtarja e Switzerland pësoi një humbje 3:4 në një ndeshje miqësore ndaj Germany national football team, në një përballje ku shumë lojtarë zviceranë nuk arritën të bindin me performancën e tyre, transmeton albinfo.ch.

Kapiteni i ekipit, Granit Xhaka, qëndroi në fushë vetëm për 45 minuta, por sqaroi pas ndeshjes se zëvendësimi i tij ishte planifikuar që para fillimit të takimit. Mesfushori, i cili së fundmi ishte rikthyer nga një dëmtim në tendinën e Akilit, theksoi se nuk ka arsye për shqetësim.

Pas daljes së tij nga loja, loja e Zvicrës në pjesën e dytë u duk më pak e organizuar. Megjithatë, Xhaka theksoi se ndeshja shërbeu si një test i rëndësishëm kundër një kundërshtari shumë të fortë dhe se ekipi mund të nxjerrë mësime të vlefshme nga kjo përballje.

Sipas tij, një nga aspektet ku Zvicra duhet të përmirësohet është qetësia nën presionin e kundërshtarit. Gjatë ndeshjes pati shumë pasime të gabuara, të cilat gjermanët i shfrytëzuan menjëherë, duke ndikuar në rezultatin përfundimtar./Albinfo.ch

Folklori shqiptar mahnit publikun në festivalin “Vallet bashkojnë” në Stokholm

Bëhet e ditur se grupet artistike shqiptare “Albulena” dhe “Kënga Labe” prezantuan me krenari folklorin shqiptar në edicionin e 20-të të festivalit ndërkombëtar, transmeton albinfo.ch.

Në Stockholm u mbajt edicioni i 20-të i festivalit ndërkombëtar Vallet bashkojnë, një ngjarje kulturore që mblodhi rreth 360 valltarë nga vende të ndryshme të Ballkanit. Festivali solli në skenë traditat folklorike dhe kulturën e pasur të rajonit përmes performancave artistike.

Shqipëria u përfaqësua me dinjitet nga grupet artistike Albulena dhe Kënga Labe, të cilat veprojnë në Stokholm dhe kontribuojnë në ruajtjen e traditës shqiptare në diasporë.

Performancat e tyre u pritën me entuziazëm nga publiku, duke sjellë në skenë ritmet, kostumet shumëngjyrëshe dhe emocionet e folklorit shqiptar, që edhe një herë dëshmuan pasurinë kulturore të Shqipërisë dhe shqiptarëve jashtë atdheut./Albinfo.ch

Rritet papunësia tek të diplomuarit me master në Zvicër

Kalimi nga universiteti në tregun e punës po bëhet gjithnjë e më i vështirë për të diplomuarit me master në Zvicër. Sipas të dhënave të fundit, që nga viti 2010 papunësia në këtë kategori është rritur me rreth 70 për qind, përcjell albinfo.ch.

Arsyeja kryesore lidhet me faktin se gjithnjë e më shumë persona po përfundojnë studimet në nivel universitar, ndërsa tregu i punës nuk po arrin ta përthithë këtë numër në të njëjtin ritëm. Ndërkohë, tek personat që kanë ndjekur një profesion përmes shkollimit profesional, situata është e kundërt: papunësia në këtë grup ka rënë me rreth 45 për qind gjatë të njëjtës periudhë.

Sipas ekonomistit Michael Siegenthaler, drejtues i kërkimeve në institutin KOF të ETH Zürich, ndikim ka edhe zhvillimi teknologjik. Ai thekson se disa profesione që përfituan nga digjitalizimi tani po preken nga rritja e efikasitetit për shkak të inteligjencës artificiale gjeneruese.

Megjithatë, arsimi vazhdon të mbetet një mbrojtje ndaj papunësisë. Të dhënat e Zyrës Federale të Statistikave tregojnë se në shkurt 2026 shkalla e papunësisë për personat me arsim të lartë ishte rreth 2.4 për qind, më e ulët se tek personat me arsim të mesëm (3 për qind) dhe shumë më e ulët se tek ata me arsim bazë (6 për qind). /Albinfo.ch

“The Guardian” shkruan për suksesin e Kosovës

Kombëtarja e Kosovës është vetëm një ndeshje larg një arritjeje historike, kualifikimit për herë të parë në Kupën e Botës 2026, ka shkruar prestigjiozja britanike The Guardian, përcjell albinfo.ch.

Sipas këtij mediumi, “Dardanët” kanë bërë një rrugëtim mbresëlënës në eliminatore dhe kanë siguruar finalen e “play-off”-it pas një fitoreje dramatike 4-3 ndaj Sllovakisë në transfertë. Në atë përballje spektakolare, Kosova arriti të rikthehej dy herë në rezultat, duke marrë një triumf që tashmë po cilësohet si historik.

Tani, gjithçka do të vendoset në një përballje të vetme kundër Turqisë, e cila do të zhvillohet në Prishtinë, ndërsa fituesi do të sigurojë një vend në Botërorin që mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

The Guardian e ka cilësuar këtë rrugëtim të Kosovës si një “përrallë futbolli”, duke pasur parasysh se shteti u pranua në FIFA dhe UEFA vetëm në vitin 2016, ndërsa brenda pak vitesh është afër pjesëmarrjes në një turne madhor botëror.

Në prag të finales, trajneri Franco Foda dhe lojtarët kanë kërkuar qetësi dhe fokus maksimal, megjithëse entuziazmi i tifozëve është në nivel të jashtëzakonshëm. Mediumi britanik thekson se interesimi për këtë ndeshje është aq i madh, sa stadiumi në Prishtinë nuk do të mjaftonte për të gjithë të interesuarit.

Një kualifikim i mundshëm do të përfaqësonte jo vetëm sukses sportiv, por edhe një simbol të madh për shtetin më të ri në Evropë, duke dëshmuar rritjen dhe unitetin përmes futbollit./Albinfo.ch

Zvicra kalon në orën verore: Akrepat e orës zhvendosen këtë të diel

Banorët në Zvicër duhet të përgatisen për ndryshimin e orës këtë fundjavë, pasi vendi kalon në orën verore, përcjell albinfo.ch.

Në natën mes së shtunës dhe të dielës, më 29 mars, akrepat e orës do të zhvendosen nga ora 03:00 në 04:00, duke humbur kështu një orë gjumë.

Me hyrjen në orën verore, lindja dhe perëndimi i diellit do të ndodhin rreth një orë më vonë, çka do të sjellë më shumë dritë gjatë mbrëmjes.

Ndryshimi i orës aplikohet çdo vit në pranverë në shumë vende evropiane, me qëllim shfrytëzimin më të mirë të dritës natyrore gjatë muajve të verës./Albinfo.ch

Ramë Lahaj: Mërgata jonë është pasqyra më e mirë e identitetit tonë

Tenori shqiptar me famë ndërkombëtare, Ramë Lahaj, ka vlerësuar lart rolin e diasporës shqiptare, duke e cilësuar atë si pasqyrën më të mirë të identitetit kombëtar dhe dëshmi të fuqishme të integrimit në shoqëritë perëndimore, transmeton albinfo.ch.

Përmes një deklarate publike, Lahaj është shprehur se ndihet krenar për peshën dhe ndikimin që mërgata ka në vendet ku jeton, duke theksuar se integrimi i tyre është një shembull i fuqishëm i ruajtjes së vlerave dhe përfaqësimit të denjë.

“Mërgata jonë asht pasqyra ma e mirë e identitetit tonë. M’bahet zemra mal për integrimin e tyne dhe peshën që kanë në shoqnitë ku jetojnë”, ka deklaruar Lahaj.

Ai ka kujtuar me emocione koncertin e mbajtur në Gjenevë, duke e cilësuar si një nga kujtimet më të bukura dhe më inspiruese në rrugëtimin e tij artistik, në kuadër të angazhimeve për promovimin e Kosovës dhe kulturës shqiptare.

Sipas tij, koncerti i organizuar nga Konsulata e Kosovës në Gjenevë ishte një dëshmi e qartë e identitetit dhe e vendit që shqiptarët meritojnë në skenën ndërkombëtare.

“Koncerti i Gjenevës mbetet një prej kujtimeve ma të bukura dhe inspiruese në vazhdën e aktiviteteve për përfaqësimin e vendit dhe vlerave tona. Ky koncert i organizum prej Konsulatës së Kosovës në Gjenevë asht nji dëshmi e qartë se kush jemi dhe ku e kemi vendin”, ka shtuar ai.

Lahaj ka bërë të ditur se në këtë koncert kishte pasur nderin të ketë si mysafire speciale sopranon Marigona Qerkezi, të cilën e cilësoi si një artiste që e bën kombin krenar, si dhe pianistin Kamal Khan, të cilin e përshkroi si mik dhe bashkëpunëtor të afërt në shumë aktivitete.

“Kësaj here pata nderin me pasë Marigona Qerkezi soprano si musafire speciale, nji artiste që na ban krenar, si dhe pianistin Kamal Khan, mikun që ka qenë me mu në shumë aktivitete”, përfundoi Lahaj.

Deklarata e tij është pritur me reagime pozitive në rrjetet sociale, duke rikthyer edhe një herë vëmendjen tek rëndësia e diasporës në ruajtjen dhe promovimin e identitetit shqiptar në botë./Albinfo.ch

 

Revista 01-2026

Kandidatët shqiptarë të zgjedhjeve zvicerane, në qendër të numrit të ri të albinfo.ch

Google Trends tregon rritje të madhe të interesimit për Kosovën

Kombëtarja e Kosovës ka arritur mbrëmë një fitore historike ndaj Sllovakisë në kuadër të gjysmëfinales së “playoff”-it për kualifikim në Kupën e Botës, përcjell albinfo.ch.

Pas këtij triumfi, “Dardanët” do të përballen me Turqinë të martën në finalen vendimtare, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Në këtë përballje do të përcaktohet skuadra që do të sigurojë biletën për në Kupën e Botës, turneun më të madh futbollistik për kombëtare.

Fitorja e Kosovës ka ngjallur interesim të jashtëzakonshëm edhe jashtë vendit, veçanërisht në Turqi. Këtë e dëshmojnë statistikat e publikuara nga Google Trends, sipas të cilave Kosova është renditur ndër dy temat më të kërkuara në Google në Turqi gjatë shtatë ditëve të fundit.

Një trend i ngjashëm është vërejtur edhe në Sllovaki, ndonëse në përmasa më të vogla, por gjithsesi i konsiderueshëm, duke pasur parasysh faktin se bëhet fjalë për një shtet që nuk e njeh zyrtarisht pavarësinë e Kosovës.

Rritja e interesimit ndërkombëtar për Kosovën dëshmon se futbolli vazhdon të jetë më shumë se një lojë, duke shndërruar një ndeshje në ngjarje që zgjon kureshtje globale dhe e vendos një vend të vogël në qendër të vëmendjes./Albinfo.ch

Gazeta suedeze e cilësoi Kosovën surprizën më të madhe të raundit

Mediumi suedez Aftonbladet ka vlerësuar Kombëtaren e Kosovës si surprizën më të madhe të ndeshjeve të mbrëmjes, pas fitores historike ndaj Sllovakisë në gjysmëfinalen e “play-off”-it për kualifikim në Kupën e Botës 2026, përcjell albinfo.ch.

Sipas gazetës suedeze, Kosova, e renditur e 78-ta në ranglistën botërore të FIFA-s, arriti të eliminojë Sllovakinë me rezultat 4-3, në një ndeshje dramatike dhe plot emocione, duke siguruar kështu finalen vendimtare të “play-off”-it.

Aftonbladet thekson se kjo fitore është një tjetër dëshmi e rritjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe një rezultat që ka befasuar opinionin sportiv në Evropë.

Pas këtij triumfi, “Dardanët” do të luajnë në Prishtinë kundër Turqisë, e cila siguroi finalen pasi mposhti Rumaninë me rezultat minimal 1-0.

Finalja pritet të jetë vendimtare dhe historike, pasi fituesi i saj do të sigurojë kualifikimin për Kupën e Botës 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë./Albimfo.ch

Rritet blerja e armëve në Zvicër, sport apo nevojë për siguri?

Interesi për blerjen e armëve në Zvicra është rritur dukshëm gjatë vitit 2025. Sipas të dhënave nga kantonet e pjesës gjermanishtfolëse të vendit, numri i lejeve për blerjen e armëve ka shënuar një rritje prej 10 deri në 30 për qind krahasuar me vitin e kaluar, përcjell albinfo.ch.

Një prej personave që së fundmi ka aplikuar për një leje të tillë është Thomas Rubi, i cili punon si drejtues shërbimi në Mettmenstetten, në kantonin Zurich. Ai vizitoi për herë të dytë poligonin e brendshëm të dyqanit të armëve Thoron në Steinen, ku testoi disa pistoleta para se të vendosë për blerjen.

Sipas Rubit, motivi kryesor për të nuk është siguria personale, por sporti i qitjes. Ai thotë se e sheh këtë aktivitet si një mënyrë për të zhvilluar aftësitë dhe për t’u përmirësuar vazhdimisht në këtë disiplinë.

Vetëm pak hapa nga poligoni i qitjes ndodhet edhe hapësira e shitjes së dyqanit, ku ofrohen dhjetëra modele pistoletash dhe pushkësh. Simon Meier, drejtor i dyqanit Thoron, thotë se që nga hapja e biznesit rreth katër vite më parë ka vërejtur një rritje të vazhdueshme të kërkesës për armë.

Sipas tij, shumë klientë fillimisht janë të motivuar nga ndjenja e sigurisë, sidomos në një kohë krizash dhe pasigurie globale. Megjithatë, shpesh ndodh që motivi i tyre të ndryshojë pasi fillojnë të merren me sportin e qitjes.

“Po, ne e vërejmë këtë nevojë për siguri”, thotë Meier, duke shtuar se shumë klientë më pas zbulojnë kënaqësinë që ofron sporti i qitjes dhe gradualisht e lënë në plan të dytë motivin e sigurisë. /Albinfo.ch

Hetim penal pas aksidentit me teleferik

Zyra e Prokurorit Publik të Kntonit Nidwalden ka hapur një hetim penal kundër dy punonjësve të qendrës së skive Titlis. hetimi ka të bëjë me aksidentin me fatalitet që ka ndodhur javë më parë me një gondolë (teleferik) në qendrën e përmendur, transmeton albinfo.ch.

Hetimi ka të bëjë, ndër të tjera, me dyshime për vrasje nga pakujdesia dhe ndërprerje të transportit publik, njoftoi Zyra e Prokurorit Publik, raporton srf.ch.

Bazuar në gjetjet e deritanishme, ekziston dyshimi se është shkelur kujdesi i duhur gjatë funksionimit të ashensorit.

Në aksidentin e 18 marsit, ishte rrëzuar një gondolë e kompnisë së teleferikut “Titlis Xpress”. Një grua 61-vjeçare humbi jetën në atë aksident.

Zvicër: Më pak viktima në sportet malore

Vitin e kaluar pati më pak aksidente fatale në malet zvicerane. 98 persona kanë vdekur gjatë ushtrimit të sporteve malore, sipas Klubit Alpin Zviceran (SAC). Kjo është shifra më e ulët në dhjetë vitet e fundit.

Megjithatë, shërbimet e emergjencës u thirrën më shpesh se në vitet e kaluara, transmeton albinfo.ch. Pothuajse 4,000 persona u desh të shpëtoheshin.

Klubi Alpin Zviceran (SAC) thotë se një arsye e mundshme është se një numër veçanërisht i madh njerëzish ishin në male vitin e kaluar, shkruan sda.ch.

Shumica e emergjencave malore ndodhën gjatë ecjes në natyrë, duke përbërë pothuajse gjysmën. Pasojnë turnetë me ski dhe turnetë në lartësi të mëdha.

 

Gjermania fiton miqësoren kundër Zvicrës me rezultat të ngushtë, 4-3

Kombëtarja gjermane fitoi një miqësore me rezultat të ngushtë kundër Zvicrës 4-3 të premten, duke luftuar disa herë në një ndeshje intensive.

Në Bazel, një duel i gjallë u zhvillua që në fillim, me shumë mundësi sulmuese. Vendasit morën një epërsi të hershme: Dan Ndoye shënoi në minutën e 17-të për ta bërë rezultatin 1-0 për Zvicrën. Gjermania u përgjigj pas gjysmë ore kur Jonathan Tah shënoi me kokë për barazimin në minutën e 26-të.

Zviceranët shfrytëzuan një tjetër mundësi pak para përfundimit të pjesës së parë, duke rifituar epërsinë nëpërmjet Breel Embolo në minutën e 41-të. Megjithatë, pak para fishkëllimës së pjesës së parë, Serge Gnabry barazoi rezultatin në 2-2 në kohën shtesë (45+2).

Pas pushimit, Gjermania gradualisht mori kontrollin dhe e ktheu ndeshjen për herë të parë. Florian Wirtz e çoi ekipin e tij në epërsi 3-2 në minutën e 61-të me një gol spektakolar. Zvicra, megjithatë, mbeti efikase dhe barazoi rezultatin në 3-3 në minutën e 79-të me anë të Joel Monteiro-s.

Në fazat e fundit, Wirtz vendosi ndeshjen: Në minutën e 85-të, ai shënoi me një gjuajtje të saktë për t’i dhënë Gjermanisë epërsinë 4-3. Mysafirët e mbrojtën avantazhin e tyre për pjesën e mbetur të ndeshjes dhe e mbajtën fitoren.

 

Pas garës me fatalitet: Kosovari apelon kundër dëbimit nga Gjermania

“Raseri” nga Moersi përballet me deportim. Burri 28-vjeçar kosovar nga Duisburgu u dënua me pesë vjet burg për një garë të paligjshme rrugore që rezultoi në një fatalitet. Ai apeloi deportimin e tij nga Gjermania në Gjykatën Administrative të Düsseldorf-it, transmeton albinfo.ch. Pa sukses. Pas një seance dëgjimore që zgjati pak më shumë se dy orë, gjyqtari përfundoi: “Unë e konsideroj deportimin të jetë i ligjshëm dhe i përshtatshëm në përgjithësi.”

Shoferi atëbotë 21-vjeçar kishte shfaqur sjellje jashtëzakonisht të pamatur dhe të rrezikshme drejtimi të automjetit: Të dielën e Pashkëve në vitin 2019, ai po ngiste me 167 km/orë në vend të 50 km/orë të lejuar, shkrun wdr.de. Pavarësisht frenimit të fortë, ai nuk mundi të shmangte makinën e drejtuar nga një nënë e dy fëmijëve. Gruaja 43-vjeçare nga Meerbecku vdiq rreth një ditë e gjysmë pas aksidentit.

I pandehuri kishte garuar me një Mercedes me 612 kuaj fuqi për t`i bërë përshtypje një gruaje dhe të njohurit e tij.

Pendim në Gjykatë

Ai u soll në gjykatë me pranga në duaar dhe në këmbë. Duke shprehur pendim ai deklaroi se kishte përfunduar tre vjet terapi komunikimi me një psikolog ndërsa ishte në burg. Ai ishte diagnostikuar me tipare narcisiste dhe antisociale.

“Nuk jam më idioti që isha dikur. Kam shkaktur shumë vuajtje. Por tani jam pjekur. Nuk e kam më atë pakujdesi rinore.”

Gjykatësi mori parasysh se ai kishte përfunduar shkollën e mesme, kishte punuar për më shumë se pesë vjet dhe nuk kishte marrë kurrë përfitime sociale. U mor parsysh edhe ndikimi stabilizues i gruas së tij.

“Interesi serioz për dëbim”

Megjithatë, pas dënimit të tij me pesë vjet burg, ligji përcakton një “interes veçanërisht serioz për dëbim”. Ai e kreu krimin pa patentë shoferi dhe më pas iku pa u kujdesur për viktimën.  Megjithatë ai nuk mund ta imagjinojë të jetojë në Kosovë. Përveç një gjysheje, ai nuk ka rrënjë atje dhe e flet gjuhën dobët.

“Unë jam gjerman, Zotëri, edhe nëse pasaporta ime thotë ndryshe”!

Ai është i martuar me një grua gjermane dhe, nëse lejohet të qëndrojë në Gjermani, së pari do të paguajë gati 45,000 euro borxh që ka grumbulluar. Ai gjithashtu do të donte të vazhdonte terapinë e tij, përcjell albinfo.ch. Qyteti i Duisburgut, i cili po ndjek deportimin, iu referua një raporti nga institucioni korrektues, i cili pranon se 28-vjeçari ka kaluar një proces pjekurie. Megjithatë, një përpunim konkret i krimit nuk ka ndodhur ende.

Vendimi pritet brenda dy javësh

Avokati i të dënuarit nga Duisburgu sugjeroi të pritej vlerësimi psikologjik nga burgu, i cili pritet në maj. Megjithatë, gjykatësi njoftoi se një vendim do të merret brenda dy javëve të ardhshme.