A njihet martesa e huaj në Zvicër?

Ndoshta ju dhe bashkëshorti/ja juaj jeni shtetas të huaj që jeni martuar jashtë vendit. Ose ndoshta jeni zviceran/e, por keni vendosur të martoheni jasht vendit. A do të jetë e vlefshme martesa juaj në Zvicër?

Të thuash “Po” nënkupton jo vetëm një jetë të tërë lumturie (nëse jeni me fat), por edhe një numër detyrash administrative, siç është raportimi i ndryshimit të statusit, mbiemrit tuaj të ri dhe adresës (nëse ka) në administratën komunale, autoritetet tatimore kantonale, punëdhënësin tuaj, bankën tuaj, postën dhe kompanitë e sigurimeve.

Nëse keni ndryshuar mbiemrin tuaj pas martesës, duhet të kërkoni edhe një pasaportë të re, kartë identiteti dhe patentë shoferi, transmeton albinfo.ch.

E gjithë kjo kërkohet nga njerëzit me vendbanim në Zvicër që janë martuar këtu,  pavarësisht nga kombësia e tyre.

Megjithatë, barra administrative është edhe më e rëndë nëse jeni martuar jashtë vendit.

Për t’iu përgjigjur pyetjes fillestare  po, martesa e lidhur jashtë vendit njihet në Zvicër, për sa kohë që është në përputhje me ligjin zviceran. Kjo vlen edhe për çiftet e të njëjtit seks.

Ky është rasti edhe nëse kërkesat në vendin e huaj ndryshojnë nga procedurat zvicerane. Por bashkimi duhet të jetë në përputhje me një ligj civil (dhe jo thjesht fetar) në atë vend.

Megjithatë, që martesa të konsiderohet e ligjshme në Zvicër, ajo së pari duhet të vërtetohet nga autoritetet zvicerane jashtë vendit, shkruan thelocal.

Si e kryeni këtë proces?

Së pari, duhet të kontaktoni ambasadën ose konsullatën zvicerane në vendin ku është zhvilluar martesa dhe të kërkoni që bashkimi të njihet.

Do t’ju duhet të paraqisni të gjitha dokumentet, siç është leja juaj e martesës dhe çdo gjë tjetër që nevojitet që procesi të përfundojë, përcjell albinfo.ch.

Misioni diplomatik do të kontrollojë saktësinë e dokumenteve, do t’i notifikojë ato dhe do t’i përkthejë ato në njërën nga gjuhët zyrtare të Zvicrës (përveç nëse janë tashmë në gjermanisht, frëngjisht ose italisht).

Dokumentet do t’i dërgohen më pas zyrës mbikëqyrëse të kantonit tuaj të origjinës ose kantonit të banimit nëse të dyja palët janë me kombësi të huaj.

Nëse plotësohen të gjitha kushtet, ai urdhëron që transkriptimi të bëhet në bazën e të dhënave Infostar, regjistrin qendror elektronik për të gjitha ngjarjet e gjendjes civile, siç janë lindjet, vdekjet, divorcet dhe, po, martesat.

Çfarë vjen më pas?

Përveç të jetuarit të lumtur përgjithmonë, ka disa detyra të tjera që duhet të kryeni nëse njëri prej jush është shtetas i huaj që vjen në Zvicër për herë të parë.

Sapo martesa juaj të njihet zyrtarisht dhe të jeni në Zvicër ligjërisht, duhet të informoni kantonin tuaj për mbërritjen tuaj.

Rregullat e ‘regjistrimit të adresës’ mund të vijnë disi surprizuese për njerëzit nga disa vende të tjera, si Shtetet e Bashkuara, ku mund të lëvizni nga një vend në tjetrin dhe të qëndroni pothuajse jashtë radarit.

Nuk është kështu në Zvicër. Autoritetet zvicerane duan të dinë se kush jeton në vendin e tyre dhe ku  veçanërisht nëse jeni i huaj.

Kur vendoseni në një shtëpi të re, keni 14 ditë për të njoftuar mbërritjen tuaj në komunën tuaj të banimit, megjithëse në disa vende afati mund të jetë më i gjatë.

Në disa kantone, mund ta bëni këtë procedurë në internet, ndërsa në të tjera duhet të paraqiteni personalisht në zyrën lokale të regjistrimit të banorëve (Einwohnerkontrolle / Contrôle des habitants / Controllo abitanti).

Serbi: Arrestohen dy shtetas të Kosovës nën akuzat për krime të luftës

Autoritetet serbe kanë njoftuar se kanë arrestuar dy shtetas të Kosovës në pikën kufitare në Horgoshit, në hyrje të Serbisë.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka njoftuar se të arrestuar janë H.E – 1976 dhe B.E – 1973, ndërkaq bëhet e ditur se ata janë arrestuar nën akuzat “për krime kundër popullatës civile”.

Të dy shtetasit e Kosovës raportohet se u ndaluan për 48 orë, transmeton albinfo.ch.

Time Out: Ky është qyteti më i mirë në botë për të rinjtë në të njëzetat

Cape Town është qyteti më i mirë në botë, thotë Time Out, përveç nëse, sigurisht, jeni nën moshën 30 vjeç, përcjell albinfo.ch.

Gjiganti i botimeve, i njohur për listat e tij “më të mirat” për gjithçka, nga rrugët më të bukura deri te destinacionet për dashamirësit e ushqimit, ka publikuar për herë të parë listën e “qyteteve më të mira” të përshtatura për të rinjtë, dhe ajo është dukshëm ndryshe nga renditja paraprake këtë vit, shkruan CNN.

Në janar, sondazhi vjetor i më shumë se 18,500 banorëve të qyteteve në mbarë botën shpalli metropolin jugafrikan qytetin më të mirë për vitin 2025, i ndjekur nga Bankoku, New Yorkuu dhe Melbourne. Megjithatë, filtrimi i të njëjtave të dhëna vetëm për përgjigjet e personave nën 30 vjeç – pra të brezit Gen Z, moshat 13 deri në 28 vjeç,  jep një pamje të ndryshme.

Kryeqyteti tajlandez zë vendin e parë për vitin 2025 te banorët e rinj, të cilët e vlerësuan atë lart për lumturinë, përballueshmërinë dhe si një vend të shkëlqyer për të njohur njerëz të rinj. Të rinjtë urbanë këtu kishin më shumë gjasa sesa bashkëmoshatarët e tyre nën 30 vjeç kudo tjetër që ta vlerësonin qytetin e tyre si një mjedis ideal për të bërë miq.

Kjo, sigurisht, përveç shumë aseteve të tjera të Bankokut. Kryeqyteti i Tajlandës “i plotëson të gjitha kushtet për një qytet të shkëlqyer: i njohur për mikpritjen, i pasur në kulturë dhe i mbushur me vende ikonike si Wat Arun dhe Pallati Mbretëror”, tha Time Out në janar.

Melbourne ishte në vendin e dytë në listën për personat nën 30 vjeç, dy vende më lart se në renditjen paraprake. Pothuajse katër nga pesë të rinj melburnianë e përshkruan qytetin e tyre si të larmishëm dhe gjithëpërfshirës dhe një 96% mbresëlënës e vlerësuan lart skenën e artit dhe kulturës.

Lista e Time Out për qytetet më të mira në botë për brezin Gen Z:

Bankoku, Tajlandë

Melbourne, Australi

Cape Town, Afrikë e Jugut

New Yorku, New York

Kopenhaga, Danimarkë

Barcelona, Spanjë

Edinburgu, Skoci

Mexico City, Meksikë

Londra, Angli

Shanghai, Kina

Sydney, Australi

Pekini, Kinë

Parisi, Francë

Tokio, Japoni

Berlini, Gjermani

Sevilla, Spanjë

Chicago, Illinois

Chiang Mai, Tajlandë

Praga, Republia Çeke

Lisbona, Portugali

Migros feston 100-vjetorin me 1.3 milion trëndafila për klientët

Të shtunën, më 16 gusht, rrjeti më i madh i shitjes me pakicë në Zvicër, Migros, do të shpërndajë 1.3 milion trëndafila në të gjitha dyqanet e saj në mbarë vendin, si një gjest falënderimi për klientët dhe për të shënuar një moment historik,  100-vjetorin e themelimit të kompanisë, përcjell albinfo.ch.

Kjo fushatë simbolike nuk është thjesht një mënyrë për të festuar, por edhe një homazh për “Nägeli-Aktion”, një iniciativë e ngjashme e ndërmarrë nga Migros në vitin 1947, kur kompania shpërndau lule për të përmirësuar moralin dhe ndjenjat pozitive të konsumatorëve pas Luftës së Dytë Botërore.

“Kjo është mënyra jonë për të falënderuar klientët tanë për besimin dhe mbështetjen e tyre gjatë gjithë këtyre viteve,”  thuhet në një deklaratë të Migros.

Çdo vizitor i një dyqani Migros të shtunën do të ketë mundësinë të marrë një trëndafil falas, si një shenjë mirënjohjeje dhe festimi.

Migros, e themeluar më 15 gusht 1925, ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë ekonomike dhe sociale të Zvicrës, duke u bërë pjesë e përditshme e jetës së miliona njerëzve.

Mali i vdekjes Lagginhorn: Katër alpinistë humbën jetën brenda një muaji

Ndërsa moti i mirë dhe sezoni i pushimeve verore tërheqin alpinistë dhe turistë në malet e Zvicrës, autoritetet në kantonin Valis po përballen me një valë aksidentesh tragjike që kanë ndodhur në një periudhë shumë të shkurtër kohore, përcjell albinfo.ch.

Në qendër të vëmendjes është Lagginhorn, një majë e njohur për bukurinë e saj dhe për qasjen relativisht të lehtë. Por këtë verë, ky mal ka marrë një tjetër reputacion – atë të rrezikut vdekjeprurës. Pavarësisht se rruga drejt majës konsiderohet teknikisht “e lehtë”, vetëm në pak javë atje kanë humbur jetën katër persona.

Seria e ngjarjeve të rënda ka tronditur komunitetin alpin dhe më gjerë. Sipas të dhënave, më 11 korrik një alpinist humbi jetën në zonë. Tragjedia u përsërit më 22 korrik, me një tjetër viktimë. Vetëm katër ditë më pas, ekipet e shpëtimit u desh të ndërhyjnë për të shpëtuar dy skuadra litari, që ishin bllokuar në kushte të rrezikshme.

Fatkeqësitë vazhduan edhe në fillim të gushtit. Nga 30 korriku deri më 9 gusht, u raportuan edhe katër rënie fatale, duke e çuar në një numër alarmues bilancin e jetëve të humbura brenda më pak se një muaji.

Kjo situatë ngre pyetje të forta mbi sigurinë në male, vlerësimin e rreziqeve nga vizitorët dhe mbi nevojën për më shumë informacion e ndërgjegjësim për kushtet reale në terren, pavarësisht klasifikimeve teknike të rrugëve.

Autoritetet lokale u kanë bërë thirrje alpinistëve dhe turistëve që të mos e nënvlerësojnë terrenin malor, të jenë të pajisur siç duhet dhe të kontrollojnë me kujdes kushtet atmosferike përpara çdo ngjitjeje.

Një i vdekur dhe pesë të lënduar nga përplasja e një balone në Holandë

Raportohet se një person ka vdekur dhe pesë të tjerë janë lënduar pasi një balon me ajër të nxehtë është përplasur të mërkurën në mbrëmje në një livadh në Friesland, një provincë në veri të Holandës, kanë thënë autoritetet lokale, përcjell albinfo.ch.

Tullumbacja mbante 34 pasagjerë.

“Tullumbacja me ajër të nxehtë ka rënë shpejt rreth orës 9:00 të mbrëmjes dhe ka goditur fort tokën”, kanë thënë autoritetet e Frieslandit, duke shtuar se policia kishte nisur një hetim për aksidentin, raporton Reuters.

Një zëdhënës i Shoqatës Mbretërore Aeronautike të Holandës ka thënë për mediat lokale se një erë e papritur kishte bërë që tullumbacja të godiste tokën me forcë. 

Të ardhurat më të larta nga taksat po e zvogëlojnë deficitin e buxhetit federal

Kryesisht për shkak të të ardhurave më të larta nga taksat, qeveria tani parashikon një deficit prej 200 milionë frangash, shumë më i ulët se parashikimi fillestar prej 800 milionësh, përcjell albinfo.ch.

Buxheti i rregullt pritet të tregojë një tepricë prej 700 milionë frangash, në vend të deficitit të buxhetuar prej 500 milionësh, njoftoi të mërkurën Administrata Federale e Financave (FFA).

Megjithatë, sipas FFA-së, parashikimi përfaqëson një vlerësim dhe për këtë arsye duhet të interpretohet me kujdes.

Për më tepër, Këshilli Federal tha se perspektiva më pozitive afatshkurtër nuk e ndryshon faktin se miliarda franga deficit priten nga viti 2027, nëse paketa e kursimit e qeverisë nuk zbatohet.

Rekord: 115 547 pasagjerë në një ditë në Aeroportin e Cyrihut

Në korrik 2025, Aeroporti i Cyrihut ka shënuar rekord historik si për nga numri përgjatë tërë muajit, po ashtu edhe për një ditë të vetme të pasagjerëve, shkruan albinfo.ch.

3 256 328 pasagjerë kanë kaluar nëpër Aeroport e Cyrihut gjatë korrikut 2025,  numri më i lartë ndonjëherë në historinë e këtij aeroporti.

Bëhet fjalë për një rritje prej +4,8 % krahasuar me korrikun e vitit të kaluar.

Rekordi për një ditë

Më 28 korrik 2025 janë regjistruar 115 547 pasagjerë në një ditë,  duke thyer rekordin e mëparshëm nga viti 2019 me rreth 500 pasagjerë më shumë.

 Struktura e pasagjerëve në korrik 2025

2 374 526 pasagjerë lokalë (nisje ose mbërritje direkte).

876 200 pasagjerë transit (udhëtarë që ndërruan fluturimin).

Rritja më e madhe u shënua te pasagjerët lokalë: +6,2 % krahasuar me një vit më parë.

Ky trend i rritjes tregon një kërkesë të shtuar për udhëtime dhe një rikthim të fortë të lëvizshmërisë ajrore pas viteve të pandemisë, duke e vendosur Aeroportin e Cyrihut në një periudhë historike të zhvillimit të tij.

Autobusët më komodë në botë mbërrijnë në Zvicër këtë vjeshtë

Një mënyrë e re, komode dhe më e qëndrueshme për të udhëtuar nëpër Evropë po vjen këtë vjeshtë nga Zvicra. Startup-i Twiliner, me seli në Cyrih, pritet të lançojë shërbimin e tij inovativ të autobusëve “me gjumë”, të cilët do të lidhin qytetet zvicerane Cyrih, Bernë dhe Bazel me destinacione si Spanja, Holanda dhe Belgjika, transmeton albinfo.ch.

Autobusët janë projektuar si një alternativë moderne ndaj udhëtimeve ajrore të natës. Çdo automjet përmban vetëm 21 vende, të cilat me një prekje të butonit transformohen në shtretër horizontalë, të ngjashëm me klasën e biznesit në një avion. Ky koncept i quajtur shpesh si “avion nate në tokë”, ka për qëllim të kombinojë komoditetin me prakticitetin e udhëtimeve ndërkontinentale.

“Ne duam të ofrojmë një alternativë ultra të rehatshme ndaj udhëtimit ajror  ju hipni në mbrëmje në Bernë dhe mbërrini në Barcelonë në mëngjes, plotësisht të pushuar,”  tha Luca Bortolani, bashkëthemelues i Twiliner.

Udhëtimi i parë i planifikuar do të jetë nga Berna në Barcelonë, me një kohëzgjatje prej 13 orësh. Çmimi fillestar për një biletë vajtje do të jetë 156 franga zvicerane.

Megjithatë, Bortolani e pranon se ky çmim është vetëm një pikënisje:

“Ne duhet të rritemi shpejt, përndryshe modeli i biznesit nuk do të jetë i qëndrueshëm,”  thekson ai.

Me këtë nismë, Twiliner synon jo vetëm të ofrojë komoditet, por edhe të kontribuojë në një formë më të qëndrueshme të udhëtimit në Evropë, duke reduktuar varësinë nga fluturimet me avion dhe duke promovuar transportin me emetime më të ulëta karboni.

Mustafi emërohet zëvendëstrajner i Gjermanisë U21

Kujtojmë se Shkodran Mustafi kishte fituar kampionatin botëror me Gjermaninë në vitin 2014.

Ish-mbrojtësi i njohur i Kombëtares së Gjermanisë po me rrënjë shqiptare, Shkodran Mustafi, është shpërblyer për punën e tij në Kombëtaren gjermane U17, ku shërbente si asistent i komisarit teknik Marc-Patrick Meister, përcjell albinfo.ch.

Federata Gjermane e Futbollit ka njoftuar se nga data 1 shtator, 33-vjeçari do të jetë zëvendëstrajner i Kombëtares U21 të Gjermanisë, në krah të trajnerit Antonio Di Salvo.

“ Shkodrani ka treguar gjatë vitit që punoi me ekipin U-17 se mund të ndihmojë të rinjtë të rriten profesionalisht. Ai njeh shumë prej lojtarëve me të cilët do të punojë në të ardhmen. Eksperienca e tij në fushë i jep një shtysë të re ekipit përfaqësues ”, është shprehur drejtori i Përgjithshëm i Federatës Gjermane të Futbollit, Andreas Rettig.

Mustafi, i lindur në Gjermani me prejardhje nga Gostivari, ka një karrierë të pasur si futbollist, duke fituar Kupën e Botës me Gjermaninë në vitin 2014 dhe duke luajtur për klube si Valencia, Arsenal e Schalke.

10 këshilla për mbrojtje nga vjedhjet e shtëpive, fushatë vetëdijësuese e Policisë së Kosovës

Drejtoria e Policisë së Kryeqytetit ka nisur një fushatë vetëdijësuese me qëllim parandalimin e rasteve të vjedhjeve dhe rritjen e sigurisë në komunitet, përcjell albinfo.ch.

Në lagjet e kryeqytetit, zyrtarët policorë po shpërndajnë fletushka informuese me temën “10 Këshilla të dobishme , Mbrojtje nga vjedhjet”, duke u dhënë qytetarëve udhëzime praktike për mbrojtjen e pronës dhe sigurinë personale.


Pjesë e fushatës është edhe bashkëbisedimi i drejtpërdrejtë me qytetarët, ku u jepen këshilla mbi mënyrat e parandalimit të vjedhjeve dhe rëndësia e raportimit të rasteve të dyshimta. Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë dhe të ndjekin rekomandimet për të mbajtur komunitetin më të sigurt.

Profesorë zviceranë kërkojnë nga Zvicra të mos qëndrojë pasive ndaj situatës në Palestinë

Më shumë se tridhjetë profesorë të së drejtës publike ndërkombëtare dhe penale nga universitetet e Zvicrës i kanë dërguar një letër Këshillit Federal, duke i bërë thirrje që vendi të mos mbetet pasiv ndaj zhvillimeve në Palestinë, përcjell albinfo.ch.

Letra, e cila do të publikohet sot, rikujton se më 12 gusht 1949,  saktësisht 76 vjet më parë  u miratuan Konventat e Gjenevës, të cilat përbëjnë gurthemelin e së drejtës ndërkombëtare dhe të mbrojtjes së civilëve gjatë konflikteve. Profesorët theksojnë se Zvicra, si vendi ku këto konventa u nënshkruan, mban një përgjegjësi të posaçme morale dhe ligjore për të vepruar.

Në anën tjetër, përpjekjet ndërkombëtare për t’i dhënë fund luftës në Gaza po vazhdojnë. Ndërmjetësuesit nga Egjipti dhe Katari, me mbështetjen e Turqisë, i kanë paraqitur Hamasit një propozim të ri për armëpushim. Sipas burimeve diplomatike, marrëveshja e mundshme do të përfshinte përfundimin e konfliktit si dhe lirimin e të gjithë pengjeve, të gjallë dhe të vdekur.

Këto zhvillime ndodhin në një kohë kur Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka bërë thirrje për një hetim të pavarur mbi vrasjen e gjashtë gazetarëve të rrjetit Al Jazeera nga ushtria izraelite, duke e cilësuar atë një shkelje serioze të të drejtës ndërkombëtare humanitare.

Granit Xhaka merr shiritin e kapitenit zyrtarisht te Sunderlandi

Së fundmi, klubi i Premier Leagues së Anglisë, Sunderland, ka njoftuar sot se Granit Xhaka do ta mbajë shiritin e kapitenit për stinorin e ardhshëm, përcjell albinfo.ch.

Mesfushori kosovar ka shprehur qartë ambiciet e tij.

“Dua të fitoj” ishte mesazhi i shkurtër dhe i prerë i Xhakës në prezantim. “Jam dikush që kërkon shumë. Jam fitues dhe pres të njëjtën gjë nga bashkëlojtarët e mi.”

Xhaka, i cili ka një përvojë të gjatë në nivelet më të larta të futbollit evropian, pritet të jetë shtylla kryesore e skuadrës angleze. Sunderlandi synon të kthehet fuqishëm në skenën e madhe, duke u mbështetur te përvoja dhe karakteri i fortë i kapitenit të ri. /albinfo.ch

Reuters: Trumpi kërcënon me “pasoja të rënda” nëse Putini bllokon paqen në Ukrainë

Presidenti amerikan Donald Trump, po përgatitet t’i ofrojë Presidentit rus Vladimir Putin qasje në burimet e mineraleve të rralla, në këmbim të paqes në Ukrainë.

Sipas “ The Telegraph ”, Trump do të mbërrijë në takimin e shumëpritur me Putinin të premten që do të mbahet në Alaskë, me disa propozime që synojnë ta tërheqin Rusinë drejt një marrëveshjeje paqeje duke i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Në këto propozime përfshihet edhe aksesi ndaj Moskës në burimet natyrore të Alaskës dhe lehtësimi i disa sanksioneve amerikane ndaj industrisë ajrore ruse.

Recently Spotted Asteroid Set for Near Miss With Earth

Një pjesë kyçe e paketës është gjithashtu edhe ofrimi i qasjes për Kremlinin në mineralet e rralla që ndodhen në territoret ukrainase të pushtuara aktualisht nga Rusia.

Në një konferencë për shtyp të mbajtur të mërkurën, Trump paralajmëroi se Putin do të përballet me “ pasoja të rënda ” nëse nuk bie dakord për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë gjatë takimit të tyre në Alaskë.

Ai gjithashtu zbuloi synimin për një takim të dytë të menjëhershëm, kësaj here me pjesëmarrjen e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Nga ana tjetër, Trump, kërcënoi me “pasoja të rënda” nëse Vladimir Putin i Rusisë nuk pranon paqen në Ukrainë, por tha gjithashtu të mërkurën se një takim midis tyre mund të pasohet shpejt nga një i dytë që do të përfshijë udhëheqësin e Ukrainës.

Trump nuk specifikoi se cilat mund të jenë pasojat, por ai ka paralajmëruar për sanksione ekonomike nëse takimi i tij me Putinin në Alaskë të premten rezulton i pafrytshëm, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.

Kur u pyet nëse Rusia do të përballet me ndonjë gjë nëse Putini nuk do të ndalojë luftën pas takimit të premtes, Trump u përgjigj: “ Po, do të përballen ”.

Kosovarët ua shohin sherrin të shtënave në ahengje familjare, pesë të arrestuar për një ditë

Raportohet se pesë persona janë arrestuar në 24 orët e fundit për të shtëna me armë zjarri në ahengje familjare, përcjell albinfo.ch.

Thuhet se në Lladroc të Malishevës janë arrestuar dy të dyshuar për shkak se në një aheng familjar kishin shtënë me armë zjarri. Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjuetie me 16 fishekë, një revole dhe 17 gëzhoja. Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

Në Vushtrri është arrestuar i dyshuari pasi që në një aheng familjar kishte shtënë disa herë me armë zjarri. Pistoleta dhe dy gëzhoja janë sekuestruar. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar dhe rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.

Në Lipjan është arrestuar një person për të njëjtën vepër. Nga i dyshuari është sekuestruar një armë automatike AK-47 dhe 18 gëzhoja. I dyshuari, pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Ndërkaq, në Janjevë është shoqëruar në stacionin policor i dyshuari për të shtëna në një aheng. Pistoleta me gaz është sekuestruar. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt. /koha.net

Ramadan Morina, i dyshuari për krime lufte në Burim të Malishevës, arrin në gjykatë

Mësohet se Ramadan Morina, i dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile, pritet të paraqitet sot para gjykatës, përcjell albinfo.ch.

Sipas Sala Gashit, ai tashmë ka mbërritur në ambientet e gjykatës.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), ai dyshohet se gjatë luftës në Kosovë, në periudhën 29–31 mars 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në masakrën e 34 civilëve shqiptarë në fshatin Burim të Komunës së Malishevës.

Morina është arrestuar ditën e martë dhe ndaj tij është kërkuar masa e paraburgimit.

Mallrat nga SHBA hyjnë pa tarifë, Dogana e Kosovës jep sqarime

Qeveria e Kosovës ka vendosur heqjen e tarifës doganore për mallrat me origjinë preferenciale nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), përcjell albinfo.ch.

Dogana e Kosovës ka dhënë disa sqarime se çfarë kriteresh duhet të plotësohen, në mënyrë që mallrat të importohen pa pagesë të tarifës doganore.

“Ky vendim, ndonëse përfaqëson një masë të njëanshme nga ana e Republikës së Kosovës, që ka për qëllim lehtësimin e tregtisë me përfitime konkrete si për bizneset ashtu edhe për konsumatorët e vendit, është i një rëndësie të veçantë edhe sa i përket forcimit dhe avancimit të marrëdhënieve në sferën tregtare dhe ekonomike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në njoftim.

Tutje, theksohet se vendimi për aplikimin e tatimit doganor me normë zero për mallrat e importuara me origjinë nga SHBA është i bazuar në Ligjin Nr. 04/L-163 dhe në Kodin Doganor dhe të Akcizave Nr. 08/L-247. Mbi këtë bazë, mallrat që importohen nga SHBA dhe që plotësojnë kriteret e origjinës preferenciale, nga data e hyrjes në fuqi të vendimit dhe publikimit të tij në Gazetën Zyrtare më 01.08.2025, mund të importohen në territorin doganor të Republikës së Kosovës pa pagesë të tarifës doganore.

Në mënyrë që këto mallra të përfitojnë nga ky trajtim favorizues, me rastin e importit ato duhet të shoqërohen me:
• Certifikatë të vlefshme të origjinës preferenciale të lëshuar nga autoritetet amerikane
• Deklarata për origjinën në faturë, në përputhje me ligjin në fuqi të të dyja vendeve.

“Të gjitha mallrat e importuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga data 01.08.2025, të cilat përmbushin kriteret për t’u trajtuar si mallra me origjinë preferenciale, por që në momentin e importit nuk kanë përfituar këtë trajtim, do t’u nënshtrohen procedurave për rimbursim të detyrimeve doganore, në përputhje me dispozitat në fuqi”, bëhet e ditur në komunikatë.

Për më shumë informacione rreth mënyrës së aplikimit të trajtimit preferencial dhe dokumentacionit të nevojshëm, të gjithë operatorët ekonomikë që importojnë mallra nga SHBA ftohen të kontaktojnë Doganën e Kosovës për udhëzime të mëtejshme.

Mbijetesa kushton shtrenjtë: Sunderlandi i Xhakës në krye të shpenzimeve

Mbijetesa në Premierligë është kthyer në një nga sfidat më të mëdha për klubet e sapopromovuara. Për shumicën prej tyre, synimi kryesor nuk është fitimi i trofeve, por qëndrimi në elitën e futbollit anglez, transmeton albinfo.ch.

Në dy sezonet e fundit, të tre klubet e promovuara kanë rënë menjëherë nga liga, një fenomen që në historinë e Premierligës kishte ndodhur vetëm një herë më parë. Ky fakt tregon qartë se hendeku financiar dhe cilësor midis Premierligës dhe Championshipit është thelluar ndjeshëm.

Për të shmangur rënien, klubet shpesh detyrohen të investojnë shuma marramendëse në merkato, duke sjellë lojtarë me eksperiencë ndërkombëtare apo duke përforcuar të gjitha repartet. Kjo qasje agresive në treg ka bërë që disa skuadra të sapopromovuara të përfundojnë në listën e shpenzuesve më të mëdhenj të kampionatit.

Ndër to bën pjesë edhe Sunderlandi i drejtuar nga Granit Xhaka, i cili renditet i dyti në listën e klubeve që kanë shpenzuar më shumë për të siguruar mbijetesën. Strategjia e klubit është e qartë: të garantojë stabilitet në Premierligë, edhe nëse kjo kushton dhjetëra miliona euro në sezon, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, historia ka treguar se shpenzimet e mëdha nuk janë gjithmonë garanci suksesi. Sfida e vërtetë mbetet gjetja e ekuilibrit mes investimeve dhe krijimit të një skuadre konkurruese që mund t’i bëjë ballë ritmit të jashtëzakonshëm të Premierligës.

0

Konsullata e Kosovës në Dyseldorf hap thirrjen për praktika ndërkombëtare

Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Dyseldorf u ka bërë thirrje studentëve dhe profesionistëve të rinj nga Kosova që të aplikojnë për programin e trajnimeve dhe praktikave profesionale që do të zhvillohet në Gjermani gjatë viteve 2025 – 2026, përcjell albinfo.ch.

Ky program, i organizuar nga Shoqata Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) me mbështetjen e landit Renania Veriore-Vestfalia (NRW), synon të ofrojë mundësi të reja zhvillimi për të rinjtë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Çfarë ofron programi?

• Praktika profesionale 3 – 6 mujore në kompani dhe institucione në NRW

• Trajnime dhe përvojë ndërkombëtare mbi standardet e BE-së

• Kurs përgatitor në gjuhën gjermane në Goethe Institut

• Certifikata zyrtare nga GIZ, Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (BMZ), Kancelaria e NRW-së dhe institucioni ku është zhvilluar praktika

Konsullata e Kosovës në Dyseldorf, në bashkëpunim me GIZ-in, do të ndihmojë në përzgjedhjen e kompanive gjermane pjesëmarrëse, do të jetë pjesë e aktiviteteve zyrtare të projektit dhe do të lehtësojë komunikimin me institucionet dhe partnerët në Kosovë.

Afati i fundit për aplikim është 31 gusht 2025, njofton Konsullata e Kosovës në Dyseldorf.

Donis Sadushaj: Juristi shqiptar në zemër të diplomacisë zvicerane

Donis Sadushaj është një profesionist i shquar me origjinë nga Shqipëria, i cili ka ndërtuar karrierë të suksesshme në Gjenevë të Zvicrës, shkruan revista Albinfo.ch.

Aktualisht shërben si nëpunës ndërkombëtar civil në Unionin Ndërkombëtar të Telekomunikacioneve (ITU), në Departamentin e Partneriteteve për Zhvillimin Dixhital.

Studimet e tij fillestare i kreu në Drejtësi, në Universitetin Luarasi në Tiranë, pastaj vazhdoi me Diplomaci dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Geneva School of Diplomacy. Për shkak të rezultateve të larta, u pranua edhe në programin e shkëmbimit në Georgetown University në Washington D.C.  

Ai ka përfunduar edhe një Executive MBA në Menaxhimin e Organizimeve Ndërkombëtare në Universitetin e Gjenevës, ndërkohë që ka qenë oficer projektesh te Bulan Institute for Peace Innovations, pjesë e stafit pranë Geneva School of Diplomacy, si dhe bashkautor i librit “The European Court of Human Rights and the Right of a Private Life”.

Pas studimeve, fitoi një garë në fushën e sigurisë kibernetike (Cybersecurity) të organizuar nga Geneva Center for Security Policy.

Me libra, ligj dhe diplomaci: Si u ndërtua karriera e Donis Sadushajt

International Telecommunications Union (ITU), prej mbi 7 vitesh, punon si nëpunës ndërkombëtar civil në Departamentin e Partneriteteve për Zhvillimin Dixhital, një agjenci e specializuar e OKB-së me seli në Gjenevë  .

Ai po ashtu është ish-oficer projektesh në Bulan Institute for Peace Innovations, si edhe pjesë e stafit pranë GSD. Është bashkautor i librit “The European Court of Human Rights and the Right of a Private Life”.

Përveç tjerash ai fitoj një kompeticion sigurie kibernetike, organizuar nga Geneva Center for Security Policy menjëherë pas përfundimit të studimeve.

Workshopet dhe roli shtetëror i tij konsiderohen si një shembull suksesi të integrimit të diasporës shqiptare në Zvicër.

Në faqen e GSD, ai thekson rëndësinë e edukimit ndërkombëtar dhe përgatitjes profesionale që i dha shkathtësinë e analizës diplomatike dhe ndërtimit të rrjeteve në Gjenevë.

Libri i botuar nga Donis Sadushaj mban titullin “The European Court of Human Rights and the Right of a Private Life”.

Ky libër ofron një analizë të thelluar akademike, e kombinuar me vështrime praktike për interpretimin dhe përdorimin e juridiksionit të ECtHR.

Mund të shërbejë si udhërrëfyes për juristë, advokatë dhe studiues, që kërkojnë të kuptojnë më mirë përvojën e institucioneve evropiane në mbrojtje të privatësisë.

Gjithashtu ky libër lehtëson një pikëpamje krah për krahu me jurisprudencën moderne dhe trendet e emergjencës të drejtësisë në Evropë. /Albinfo.ch

Afro 3 orë pritje në dalje të pikës Merdarë

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka përditësuar të dhënat, duke bërë të ditur se nuk ka pritje të gjata të mërgimtarëve për të hyrë në Kosovë, ndërkohë në dalje pritjet janë deri në 2 orë e gjysmë, në pikën Merdarë, shkruan albinfo.ch.

Pritjet vijojnë edhe në pikën Dheu i Bardhë deri në 1 orë, Mutivodë 30 minuta dhe Jarinje deri në 15 minuta.

Në pikat tjera nuk raportohet pritje.

Të paktën 22 të vdekur pas fundosjes së dy anijeve me migrantë në Itali

Të paktën 22 migrantë kanë humbur jetën pas fundosjes së dy anijeve në Mesdhe të mërkurën, ndërsa rreth 60 persona janë shpëtuar dhe shumë të tjerë janë ende të zhdukur. Anijet ishin nisur nga Zavija dhe Tripoli në Libi.

Kryqi i Kuq raportoi se 56 burra dhe 4 gra kanë mbijetuar, por numri i personave në të dy anijet nuk është ende i qartë. Sipas mediave italiane, disa migrantë u zhvendosën nga një anije në tjetrën, e cila u mbingarkua dhe u fundos.

ANSA njoftoi se ndër të parët që u dërguan në morgun e Lampedusës ishin trupa të një të sapolinduri, tre fëmijëve dhe disa të rriturve. Zëdhënësi i UNHCR-së, Filippo Ungaro, njoftoi se 20 trupa janë gjetur dhe po aq persona janë ende të zhdukur.

Ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, konfirmoi se ngjarja ndodhi 14 milje larg Lampedusës dhe theksoi nevojën për të parandaluar udhëtimet e rrezikshme detare. Ky vit ka regjistruar deri tani 675 viktima mes migrantëve në tentativë për të kaluar Mesdheun, ndërsa 38.263 kanë mbërritur në brigjet italiane.

Qeveria italiane ka bashkëpunuar me vendet e Afrikës së Veriut për të ndaluar nisjen e migrantëve drejt Italisë, duke ofruar fonde dhe trajnime.