Deri në gjysmë ore pritjet për të hyrë në Kosovë, pritjet më të gjata për të dalë nga Kosova

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar në Kosovë, në përditësimin e fundit, ka njoftuar se në hyrje dhe në dalje të vendit, në disa prej pikave, po vazhdojnë pritje të gjata.

Pritjet më të gjata për të hyrë në Kosovë janë regjistruar në Bërnjak, te Dheu i Bardhë dhe në Jarinjë, deri në gjysmë ore, transmeton albinfo.ch.

Ndërkohë, pritje më të gjata janë shënuar për të dalë nga Kosova.

Deri në një orë janë pritjet për të dalë përmes pikës te Dheu i Bardhë dhe asaj në Han të Elezit.

Shpallet qeni më i shëmtuar në botë për vitin 2025

Gara për Qenin më të Shëmtuar në Botë është rikthyer në qendër të Kalifornisë, përcjell albinfo.ch.

Qindra njerëz janë mbledhur për të futur qentë e tyre në garë dhe të tjerë për ta shikuar garën, shkroi BBC.

Ngjarja e përvitshme ka në fokus promovimin e adoptimit të qenve pa dallim.

Qeni më i shëmtuar për vitin 2025 është zgjedhur një bulldog francez i quajtur Petunia.

Qytetarët e Kosovës hynë borxh në banka mbi një miliardë euro brenda pesë muajve

Qytetarët e Kosovës kanë hyrë në borxh 1.2 miliardë euro në bankat e Kosovës, vetëm gjatë periudhës janar-maj të vitit 2025. Kjo shumë ka shënuar rritje prej 200 milionë euro, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Derisa totali i kredive aktive deri në fund të muajit maj të këtij viti ka arritur në 6.3 miliardë euro, në krahasim me 5.2 miliardë euro sa ishte në maj të vitit 2024.

Njohësit e ekonomisë konsiderojnë se kamata e kredisë është e lartë dhe se institucionet duhet bërë më shumë që të ketë ndryshime.

Krahas kësaj, është shënuar rritje edhe në depozitat bankare. Gjatë pesë mujorit të parë të vitit 2025, depozitat e reja arritën mbi 480 milionë euro, mbi 133 milionë euro më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Njohësit e ekonomisë vlerësojnë se në depozitimin e mjeteve dominon diaspora.

Ndërkaq, sipas qytetarëve marrja e kredive bëhet për shkak të vështirësive financiare me të cilat përballen.

Kredia nuk është e vogël kurrë, veç zori”,shprehet Ejup Musolli.

Musolli: Kredia nuk është e vogël kurrë veç zori

“Kredia nuk është e vogël kurrë veç zori…Do kredi për mobilje, për disa gjëra. Kredi të madhe për shtëpi, nuk kam marrë kurrë”, thotë Musolli.

Një qytetar tjetër tregon se para disa vitesh ka marrë kredi.

X: Kam marrë (kredi) para 30 vitesh

“Kam marrë (kredi) para 30 vitesh. A e ke pasur vështirë ta kthesh? Jo, se është ndal në rrogë“, tha ai.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna thotë se rritja e vlerës së kredive për ekonomitë familjare nuk është mesazh i mirë. Sipas tij, kjo tregon se familjet në Kosovë janë të detyruar t’i nënshtrohen marrjes së kredive të reja.

Rafuna: Nëse ka rritje për ekonomitë familjare, nuk është mesazh i mirë

“Nëse ka rritje për ekonomitë familjare, nuk është mesazh i mirë. Ajo nënkupton që familjet tona po kanë vështirësi në kthimin e kredive, ose në blerjet e tyre. Dhe sa janë të detyruar t’i nënshtrohen ose marrjes së kredive të reja ose riprogramimit të kredive për ta ulur pagesën e kësitit dhe për ta shtrirë në një periudhë më të gjatë kohore”, thotë Rafuna.

Rafuna për KosovaPress, potencon se norma e interesit në bankat e Kosovës vazhdon të jetë e lartë.

Ai thotë se ekzekutivi dhe Banka Qendrore Kosovës duhet të punojnë më shumë në këtë drejtim, për ta ulur normën e interesit.

Norma mesatare e interesit për kreditë e reja është 6.0 përqind.

Rafuna: Ekzekutivi dhe BQK-ja të punojnë më shumë për ta ulur normën e interesit

“Është e lartë. Institucionet e vendit, në këtë rast ekzekutivi, Banka Qendrore e Kosovës, duhet të punojnë më shumë për ta ulur normën e interesit. Se si ndikohet në normën e interesit janë shumë faktorë. E para është siguria juridike ose reforma në sundimin e ligjit. Jo kontekstet që i kanë bankat me bizneset që të presin me vite, por duhet të zgjidhen në një afat shumë më të shkurtër kohor”, potencon Rafuna.

E sa i përket rritjes së depozitave në banka, Rafunes thotë se vjen pasi diaspora dhe qytetarët e Kosovës nuk po investojnë më shumë në patundshmëri, siç kanë bërë më herët.

lg.php.gif

Rafuna: Qytetarët e Kosovës nuk po investojnë në paluajtshmëri si më herët

“Rritja e depozitit po supozoj që janë më së shumti nga ana e qytetarëve të Kosovës. Por, edhe nga ana e diasporës sonë. Nëse shohim trendin e vitit të kaluar edhe fillimi i këtij viti, kemi një rënie të blerjes së paluajtshmërisë nga ana e diasporës tonë. Tani diaspora, por edhe qytetarët e Republikës së Kosovës, por edhe diaspora po depozitojnë dhe nuk po investojnë në paluajtshmëri siç ka ndodhë më herët”, thotë Rafuna.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), gjatë pesë mujorit të parë të vitit 2025, shuma e kredive të reja të lëshuara është 1.2 miliard euro, krahasuar me 998.0 milionë euro në periudhën e njëjtë të vitit 2024.

lg.php.gif

Nga BQK-ja thonë se portofoli i përgjithshëm i kredive ka arritur në 6.3 miliardë euro në fund të majit 2025, nga 5.2 miliardë euro në maj të vitit të kaluar, duke shënuar një rritje vjetore prej 1.1 miliardë euro ose 20.9%.

Ndërkaq, sa i përket depozitave, në përgjigjen e tyre për KosovaPress, thonë se gjatë kësaj periudhe pesë mujore janë regjistruar 480.9 milionë euro depozita të reja, krahasuar me 347.6 milionë euro vitin e kaluar.

“Gjatë pesë mujorit të parë të vitit 2025 (janar–maj), shuma e kredive të reja të lëshuara është 1.2 miliard euro, krahasuar me 998.0 milionë euro në periudhën e njëjtë të vitit 2024. Gjithashtu, portofoli i përgjithshëm i kredive në fund të muajit maj 2025 arriti në 6.3 miliardë euro nga 5.2 miliardë euro sa ishte në maj 2024, duke shënuar rritje vjetore me 1.1 miliard euro ose 20.9%. Gjatë pesë mujorit të parë të vitit 2025 gjithsej depozitat e reja janë 480.9 milionë euro, krahasuar me 347.6 milionë euro në periudhën e njëjte të viti 2024. Gjithsej depozitat në fund të muajit maj 2025 arritën në 6.9 miliardë euro nga 6.1 miliardë euro sa ishin në maj 2024 duke shënuar rritje vjetore me 856.2 milion euro ose 14.1%. Norma mesatare e interesit për kreditë e reja në maj 2025 është 6.0%, që paraqet një rënie të lehtë krahasuar me muajin maj të vitit 2024, kur kjo normë ishte 6.14%”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.

lg.php.gif

Profesori i ekonomisë, Mustafë Kadrijaj thotë se rritja e kredive dhe depozitave tregon për një përshkallëzim të gjendjes ekonomike në vend.

Sipas tij, qytetarët dhe bizneset po i drejtohen kredive për të përballuar nevojat afatshkurtra, pasi nuk kanë mundësi të qarkullojnë apo të mbijetojnë ekonomikisht.

Ndërkaq, sa i përket depozitave, Kadrijaj vlerëson se pjesa më e madhe vjen nga mjetet e bashkatdhetarëve, të cilët i depozitojnë në banka.

lg.php.gif

Kadrijaj: Qytetaret dhe bizneset tentojnë që përmes kredive ta bëjnë zgjidhjen e momentit

“Në një situatë të tillë kur kemi rritje të kredive tek qytetarët vendor dhe bizneset, po ashtu edhe rritjen e depozitave, vlerësoj se këtu ka një përshkallëzim të situatës, për faktin që qytetarët vendor dhe bizneset vendore shihet që nuk kanë mundësi që të qarkullojnë dhe të mbijetojnë. Ata tentojë që përmes kredive ta bëjnë zgjidhjen e momentit. Por, për fat jo të mirë në shumicën e rasteve kreditë i kanë dërguar që në shumicën e rasteve të jenë ngulfatëse si për ekonomitë familjare, si për bizneset. Ndërsa, kur flasim për depozitat vlerësoj që pjesa dërmuese është nga bashkatdhetarët të cilët depozitojnë në Kosovë ose të blejnë patundshmëri, apo banime”, thotë Kadrijaj.

Në një prononcim për KosovaPress, Kadrijaj vlerësoi se situata ekonomike në vend po rëndohet edhe për shkak të mungesës së funksionimit institucional.

Kadrijaj: Rritja e kredive, shihet që është një mungesë e madhe e politikave shtetërore

“Këtu shihet që është një mungesë e madhe e politikave shtetërore, kur flasim për momentin ne nuk kemi as qeveri të mandatuar, as parlament. Kjo situatë do të përshkallëzohet çdo ditë e më shumë në anën negative, që kjo do ta ngulfat ekonominë e vendit”, potencohet Kadrijaj. /albinfo.xg

Rita Ora publikon këngën e re “Joy”

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka publikuar këngën e saj më të re me titull “Joy”, duke emocionuar fansat në të gjithë botën, përcjell albinfo.ch.

Në rrjetet sociale, Ora ndau një fotografi, e shoqëruar me njoftimin se kënga tani është e disponueshme në të gjitha platformat digjitale, përfshirë Spotify, Apple Music dhe YouTube.

Kënga “Joy” shënon një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën e 34-vjeçares, e njohur për hitet “Anywhere”, “Your Song” dhe “Let You Love Me”. E veçanta e kësaj kënge është se do të shërbejë si kolonë zanore për versionin britanik të emisionit të njohur “Love Is Blind UK”, një format i famshëm televiziv për takime dashurie.

“Joy” është tashmë e disponueshme për dëgjim në të gjitha platformat online dhe pritet të jetë një nga kolonat zanore më të suksesshme të verës në Mbretërinë e Bashkuar.

 

Baume-Schneider: Zvicra do të vazhdojë të negociojë me SHBA-në

Përballë pasigurisë dhe mundësisë së vendosjes së tarifave deri në 250% për produktet farmaceutike, Këshilltarja Federale Elisabeth Baume-Schneider ka bërë thirrje për qetësi dhe unitet.

“Ne e kemi kaluar frangun e fortë, pandeminë  jemi një vend që di të tregojë kohezion dhe besim,” u shpreh ajo për RSI, duke theksuar se këto janë vlera mbi të cilat Zvicra duhet të punojë nga një perspektivë demokratike, përcjell albinfo.ch. 

Sipas saj, kërcënimi është më shumë një sfidë për punëtorët dhe bizneset që kërkojnë zgjidhje, sesa një “makth” për vendin. Ajo nënvizoi se Zvicra po vazhdon negociatat dhe reflektimin strategjik, ndërsa u bëri thirrje institucioneve dhe industrisë që të tregojnë “front të bashkuar, por jo panik”.

Zgjedhjet lokale në Maqedoni, diaspora mund të votoj vetëm duke udhëtuar në vendlindje

Në Maqedoninë e Veriut pritet të mbahen zgjedhjet lokale, por mërgimtarët do të mund ta ushtrojnë të drejtën e votës vetëm nëse udhëtojnë në vendlindje. Për këto zgjedhje nuk do të organizohet votim në njësitë diplomatike dhe konsullore, duke kufizuar mundësinë e pjesëmarrjes për diasporën që jeton jashtë vendit, transmeton albinfo.ch.

Anëtarja e këtij komisioni, Ditmire Shehu, propozoi që në Kodin Zgjedhor të mos figurojnë termat “banorë rezidentë” dhe “jorezidentë”, por të përdoret vetëm shprehja “banorë të përgjithshëm” të asaj komune, por kjo nuk u pranua.

“Propozoj një ndryshim të nenit 3, pika 2, te fjalia ku thuhet ‘numri i përgjithshëm i banorëve rezidentë nga regjistrimi i vitit 2021’, të zëvendësohet me ‘numri i përgjithshëm i banorëve të RMV-së’. Këtë e them për arsye se, duke parë nenin 21 të Kodit Zgjedhor, ku shumë qartë tregohet se vetë Kodi Zgjedhor nuk i ndan qytetarët në rezidentë dhe jorezidentë, por thotë ‘qytetarët që jetojnë në atë komunë’, që nënkupton se ata, pasi kanë adresë banimi, janë banues, pa marrë parasysh nëse jetojnë në vend apo në diasporë,” theksoi anëtarja e KSHZ-së, Ditmire Shehu.

Qytetarët do të zgjedhin kryetarë të komunave dhe këshilltarë në 80 komuna.

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka shpallur zgjedhjet lokale. Sipas dispozitave ligjore, meqë sot janë shpallur zgjedhjet, ato duhet të mbahen më 19 tetor 2025.

“Në përputhje me Kushtetutën, Kodin Zgjedhor, legjislacionin në fuqi, si dhe në ushtrim të kompetencave të mia si Kryetar i Kuvendit, kam nderin dhe përgjegjësinë institucionale t’ju njoftoj se sot, zyrtarisht, e nënshkrova vendimin për shpalljen e zgjedhjeve të ardhshme lokale, të cilat do të mbahen më 19 tetor 2025. Këtë vendim e dërgova tek organet kompetente për organizimin dhe zbatimin e zgjedhjeve, dhe pres angazhim maksimal për realizimin e një procesi të ndershëm dhe demokratik.

Ju informoj se gjatë fushatës zgjedhore, e cila fillon njëzet ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, Kuvendi do të vazhdojë funksionimin e tij të rregullt administrativ, por nuk do të mbajë seanca plenare. Ky vendim synon të shmangë keqpërdorimin e foltores parlamentare për qëllime elektorale dhe t’u japë deputetëve mundësinë të përkushtohen plotësisht ndaj komunikimit me qytetarët,” u shpreh kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.

Startup-i zviceran që parashikon suksesin e filmave duke përdorur inteligjencën artificiale

Duke përdorur AI, start-up-i zviceran, pionier nga EPFL, analizon skenarët për të parashikuar potencialin e një filmi përpara se të transmetohet në treg, duke parashikuar suksesin e mundshëm të filmave, serialeve dhe reklamave që në fazën e skenarit, shkruan albinfo.ch.
Tashmë po ndihmon studiot nëpër botë, me mbi 600 klientë, shumica e tyre në SHBA dhe Evropë.Mbështetur nga investitorë si Sylvester Stallone, Largo.ai po bën valë në Hollywood dhe më gjerë. /Albinfo.ch

Serbia pretendon se Popoviqi e pranoi “nën presion” fajësinë në Kosovë

Ministria e Drejtësisë e Serbisë tha të shtunën se zyrtari i Qeverisë serbe, Igor Popoviq, e nënshkroi “nën presion, dhe jo me vullnetin e tij të lirë” një marrëveshje me prokurorët e Kosovës për ta pranuar fajësinë për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit, përcjell albinfo.ch.

“Ne theksojmë se nënshkrimi dhe përdorimi i marrëveshjeve për pranimin e fajësisë në një rast të tillë shërben ekskluzivisht si një mjet për stigmatizim shtesë të popullit serb dhe forcimin e kontrollit politik, dhe jo si një instrument i sundimit të ligjit”, tha Ministria serbe.

LEXO EDHE:

Protesta e serbëve, Kurti: Festivali i Jazz-it po bashkon të dy anët e Mitrovicës – nuk mund ta cenoj askush

Ajo nuk dha asnjë provë për të mbështetur petendimin se Popoviq e pranoi fajësinë nën presion.

Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi të premten Popoviqin me gjashtë muaj burgim për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit, dënim që iu zëvendësua me një gjobë prej 3.000 eurosh, si dhe ia ndaloi hyrjen në Kosovë për dy vjet.

Popoviq – i cili është ndihmës i drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe – kishte arritur marrëveshje me Prokurorinë Sepciale të Kosovës për pranimin e fajësisë për nxitje dhe përhapje të urrejtje dhe mosdurimit ndërmjet grupeve etnike, gjatë një fjalimi të mbajtur në Hoçë të Madhe të Rahovecit më 18 korrik.

Gjatë atij fjalimi, Popoviq, ndër të tjera, e kishte cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës “organizatë terroriste”.

Vetë Popoviq e pranoi të premten para gjykatësit disa herë se qëndron prapa marrëveshjes për pranimin e fajësisë dhe se marrëveshjen e kishte nënshkruar pa asnjë lloj presioni.

Në një komunikatë të shtunën, Ministria serbe pretendoi se gjyqi kundër Popoviqit ishte “një shkelje e së drejtës ndërkombëtare dhe një sulm i drejtpërdrejtë ndaj të drejtave dhe lirive themelore të njeriut të popullit serb”.

“Prandaj, Republika e Serbisë do të përdorë të gjitha mjetet ligjore dhe politike për të mbrojtur Igor Popoviqin dhe për të ekspozuar këtë padrejtësi të rëndë para bashkësisë ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

Ajo tha se marrëveshja për pranimin e fajësisë “nuk prodhon efekt juridik në rendin juridik të Serbisë”.

“Përveç kësaj, vetë marrëveshja është e pavlefshme, sepse është lidhur nën presion dhe në kushte shkeljeje të të drejtave themelore të garantuara nga Rezoluta 1244 dhe Karta e OKB-së për të Drejtat e Njeriut”, sipas aj.

Ministria u bëri thirrje misioneve ndërkombëtare “që veprojnë në Kosovë”, si dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, që të “reagojnë urgjentisht”.

Popoviq u arrestua më 18 korrik në pikëkalimin kufitar të Bërnjakut, që lidh Kosovën me Serbinë, pas fjalimit të tij në Hoçë të Madhe të Rahovecit.

Pas ndalimit policor prej 48-orësh, Popoviqit iu caktua masa e paraburgimit prej një muaji. Avokati i tij e apeloi vendimin, por edhe shkalla e dytë e gjyqësorit la në fuqi vendimin e Themelores më 31 korrik.

Prokuroria e akuzoi atë se me dashje ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve etnike, gjatë një fjalimi të mbajtur në Hoçë të Madhe të Rahovecit.

Çështjen e arrestimit të Popoviqit, zyrtarët serbë e kanë ngritur edhe gjatë takimeve me ambasadorët e Rusisë dhe Kinës, të akredituar në Serbi, por edhe me shefin e Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.

Pas shqiptimit të paraburgimit ndaj Popoviqit, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e paralajmëroi Kosovën për “pasoja të paparashikueshme”. Kjo deklaratë u pa si kërcënim nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.

Zyrtarët në Kosovë kanë thënë se nuk do të tolerojnë që të fyhet dhe përdhoset historia dhe lufta e udhëhequr nga UÇK-ja.

UÇK-ja ishte forcë politiko – ushtarake e cila ka luftuar për çlirimin e Kosovës nga sundimi serb në periudhën 1990-1999.

Gjatë luftës në Kosovë më 1998/99 janë vrarë më shumë se 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur.

Rreth 1.600 persona, kryesisht shqiptarë, nuk janë gjetur ende.

Ndër vite, autoritetet e drejtësisë në Kosovë kanë akuzuar ose dënuar disa persona për krime lufte.

Zvicra po inovon në parandalimin e thatësirës

Në maj, Zvicra nisi një sistem të ri paralajmërimi për thatësirën dhe zbulim të hershëm. Ndërsa shumë vende monitorojnë thatësirën, Zvicra është e vetmja që e kombinon atë me një sistem alarmi, shkruan albinfo.ch.

Thatësirat, duke u bërë më të shpeshta dhe më të zgjatura, ndikojnë në tokë, ujë, ekosisteme dhe bujqësi, si dhe rrisin rrezikun e zjarreve në pyje.

Ky sistem i ri jep një pasqyrë të detajuar të situatës në Zvicër, së bashku me parashikime për katër javët e ardhshme.

Ai forcon sigurinë publike duke zvogëluar dëmet dhe mungesat në furnizimet thelbësore, ndërsa u lejon kantoneve dhe komunave të planifikojnë dhe të veprojnë shpejt me sinjalizime të hershme.

RMV: Shpallen zgjedhjet lokale, mbahen më 19 tetor 2025

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka shpallur zgjedhjet lokale. Sipas dispozitave ligjore, meqë sot janë shpallur zgjedhjet, ato duhet të mbahen më 19 tetor 2025, përcjell albinfo.ch.

“Në përputhje me Kushtetutën, Kodin Zgjedhor, legjislacionin në fuqi, si dhe në ushtrim të kompetencave të mia si kryetar i Kuvendit, kam nderin dhe përgjegjësinë institucionale t’ju njoftoj se sot, zyrtarisht, nënshkrova vendimin për shpalljen e zgjedhjeve të ardhshme lokale, të cilat do të mbahen më 19 tetor 2025. Këtë vendim e dërgova te organet kompetente për organizimin dhe zbatimin e zgjedhjeve dhe pres angazhim maksimal për realizimin e një procesi të ndershëm dhe demokratik.

Ju informoj se gjatë fushatës zgjedhore, e cila fillon njëzet ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, Kuvendi do të vazhdojë funksionimin e tij të rregullt administrativ, por nuk do të mbajë seanca plenare. Ky vendim synon të shmangë keqpërdorimin e foltores parlamentare për qëllime elektorale dhe t’u japë deputetëve mundësinë të përkushtohen plotësisht ndaj komunikimit me qytetarët”, u shpreh kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.

Pse qyteti Altdorf shquhet për origjinën mitike në Zvicër

Qyteti Altdorf është i shtrirë në zemër të Zvicrës. Është shtëpia e Türmlit dhe monumentit të William Tellit, historia e të cilit është një nga mitet themeluese të vendit, shkruan albinfo.ch.

Ky qytet i vogël është i pasur kulturorisht, veçanërisht falë ngjarjeve tradicionale. Tellspiele Altdorf është një nga trupat teatrore amatore më të vjetra në Zvicër.

Në lartësinë 1 400 metrash, tarraca me diell e Eggberge, me pamje mbi qytet, është një destinacion i njohur për ekskursione si në verë ashtu edhe në dimër; ndaj, me të drejtë thuhet se Altdorf ka origjinë mitike. /Albinfo.ch

KQZ: Më 13 gusht përfundon afati për aplikim online për certifikimin e kandidatëve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se më 13 gusht përfundon afati për aplikim online për certifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre për zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor, përcjell albinfo.ch.

Afati për aplikim online për certifikim është hapur që nga 26 qershori.

“Me qëllim të lehtësimit të aplikimit, KQZ ka funksionalizuar platformën elektronike https://apliko.kqz-ks.org, e cila do t’ju shërbejë subjekteve politike për të paraqitur aplikimin e tyre online”, thuhet në njoftim.

Më tej, KQZ-ja ka sqaruar edhe hapat se si të bëhet aplikimi.

“Hapi i parë: Përfaqësuesi i autorizuar i subjektit politik (iniciativës qytetare dhe kandidatëve të pavarur) duhet të plotësojë online të dhënat që kërkohen në platformën https://apliko.kqz-ks.org. Partive politike të regjistruara dhe koalicioneve u janë krijuar dhe dërguar ‘userët’ dhe prej tyre nuk kërkohet të ndjekin këtë hap. Hapi i dytë: Pas aplikimit, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) do të shqyrtojë dhe do të miratojë ose jo aplikimin fillestar. Pas vërtetimit të aplikimit, ZRCKFSP do t’i përcjellë përmes emailit përfaqësuesit të autorizuar kredencialet për t’u qasur në platformën online dhe për të paraqitur aplikimin”, thuhet në njoftim.

Ky është mbiemri më i zakonshëm në Zvicër?

Mbiemri më i zakonshëm në Zvicër është Müller: mbi 53 000 persona e mbajnë këtë mbiemër, shkruan albinfo.ch.

Sipas Zyrës Federale të Statistikave (FSO), Zvicra ka mbi 500 000 mbiemra të ndryshëm.

Më të zakonshmit sipas rajonit janë: në zonën gjermanishtfolëse, Müller; në frëngjishtfolëse, Da Silva; në italishtfolëse, Bernasconi; në romanshfolëse, Caduff.

Trumpi dhe Putini do të takohen në Alaskë më 15 gusht

Presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti rus Vladimir Putin do të takohen në Alaska të premten e ardhshme për të diskutuar rreth të ardhmes së luftës në Ukrainë, përcjell albinfo.ch.

Trumpi e ka njoftuar takimin më 15 gusht në rrjetet sociale, teksa më vonë kjo u konfirmua edhe nga zyrtarët e Kremlinit, të cilët thanë se vendndodhja ishte “mjaft logjike”, duke pasur parasysh afërsinë relative të Alaskës me Rusinë.

E deri më tash s’ka pasur ndonjë reagim nga Ukraina.

Njoftimi për takimin është bërë disa orë pasi Trumpi kishte sinjalizuar se Ukraina mund të detyrohej të heqë dorë nga disa territore për të përfunduar luftën, e cila filloi me pushtimin në shkallë të gjerë të Rusisë ndaj fqinjit të saj në shkurt të vitit 2022.

“Po shikoni një territor për të cilin është luftuar për tre vjet e gjysmë, shumë rusë kanë vdekur. Shumë ukrainas kanë vdekur”, ka thënë Trumpi në Shtëpinë e Bardhë të premten.

“Është shumë e ndërlikuar. Do të marrim diçka mbrapsht, do të bëjmë disa ndërrime. Do të ketë shkëmbime territoriale, për të mirën e të dyja palëve.”

Presidenti amerikan nuk ka dhënë më shumë detaje se si do të duket kjo marrëveshje.

Megjithatë, partneri amerikan i BBC-së, CBS News, duke cituar burime të njohura me çështjen, ka raportuar se Shtëpia e Bardhë po përpiqet të bindë udhëheqësit evropianë që të pranojnë një marrëveshje që do t’i lejonte Rusisë të merrte të gjithë rajonin e Donbasit në Ukrainën lindore dhe të mbante Krimenë.

Sipas CBS-it, Rusia do të hiqte dorë nga rajonet Kherson dhe Zaporizhzhia, të cilat i kontrollon pjesërisht, si pjesë e marrëveshjes së propozuar.

Gjatë ditës së premte, gazeta amerikane “Wall Street Journal” pati raportuar se Putini kishte propozuar marrëveshje të ngjashme për të dërguarin e posaçëm amerikan, Steve Witkoff, gjatë takimit mes tyre në Moskë.

Mbetet ende e paqartë nëse Ukraina dhe aleatët evropianë do ta pranonin një marrëveshje të tillë, bazuar në faktin se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe Putini mbajnë qëndrime diametralisht të kundërta sa i përket marrëveshjes për paqen.

Osmani: Nën udhëheqjen e SHBA-së, bota është më e sigurt

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se me lidershipin amerikan bota është më e sigurt dhe më e fuqishme, teksa ka thënë se Kosova është krah SHBA-së në avancimin e paqes edhe në rajonin tonë, përcjell albinfo.ch.

Osmani ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes së paqes në mes të Azerbajxhanit dhe Armenisë, marrëveshje që i jep fund konfliktit prej gati katër dekadash mes tyre.

“Marrëveshja historike mes Azerbajxhanit dhe Armenisë është testament se çfarë mund të arrijë lidershipi i fuqishëm amerikan. E përgëzojmë presidentin amerikan, Donald Trump, dhe administratën e tij që bënë historinë edhe një herë, si dhe presidentin e Azerbajxhanit dhe Armenisë. Nën udhëheqjen e SHBA-së, bota është më e sigurt, më e fuqishme dhe më e begatë. Kosova është krenare që qëndron krah për krah me SHBA-në në avancimin e paqes në rajonin tonë dhe botë”, ka shkruar Osmani në X.

Marrëveshja u nënshkrua të premten në Shtëpinë e Bardhë dhe parasheh edhe krijimin e një korridori të madh tranziti që do të quhet “Rruga Trump për Paqe dhe Prosperitet Ndërkombëtar”.

Piloti kosovar në qiellin ndërkombëtar, Lirik Qerimi licensohet për Boeing 737

Pas disa viteve të studimit, përkushtimit dhe fluturimeve testuese, një i ri nga Gjilani ka arritur të bëjë realitet ëndrrën e tij për të komanduar një nga avionët më të njohur në botë, Boeing 737.

Lirik Qerimi tashmë është i licencuar zyrtarisht si pilot komercial, duke hapur kapitullin e ri të karrierës së tij në qiellin ndërkombëtar, shkruan albinfo.ch.

Pas një periudhe intensive trajnimi dhe përkushtimi të palëkundur, ai diplomoi me sukses në Global Aviation School në Athinë, një nga akademitë më prestigjioze të aviacionit në rajon.

Lajmin e ka ndarë vetë Qerimi, duke shprehur mirënjohje për familjen, miqtë, instruktorët dhe stafin e akademisë që e kanë mbështetur në çdo hap të këtij rrugëtimi.

Licencimi për Boeing 737 i hap atij dyert për fluturime komerciale ndërkombëtare, duke e pozicionuar si një shembull frymëzues për të rinjtë kosovarë që ëndërrojnë karrierën në aviacion, shkruan tutje albinfo.ch.

Kujtojmë se vetëm një vit më parë, Qerimi ishte një nga studentët e dalluar që përfaqësoi Kosovën në Olimpiadën “Genius” në Nju-Jork, ku fitoi vendin e dytë dhe u nderua me Medaljen e Argjendtë (Silver Medal). Ky sukses i dyfishtë dëshmon jo vetëm talentin dhe punën e tij të palodhur, por edhe mundësitë që kanë të rinjtë e vendit për të shënuar arritje ndërkombëtare. /Albinfo.ch

Afro dy ore pritje në dalje të pikës Merdarë dhe Dheu i Bardhë

Koha e pritjes për të dalë nga Kosova në pikën kufitare te Dheu i Bardhë arrin deri në 90 minuta, transmeton albinfo.ch.

Në dalje, pritja në Merdarë është rreth 90 minuta, ndërsa në Jarinjë 30 – 40 minuta.

Sipas të dhënave të fundit të Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, në hyrje te Dheu i Bardhë pritja është deri në 20 minuta.

Në pikat e tjera kufitare qarkullimi është i qetë dhe nuk raportohet për pritje.

Gjermani: Zgjidhet mosmarrëveshja për pagat në fabrikën e dönerit, shmanget rritja e çmimeve

Në Gjermani është arritur një marrëveshje historike për pagat në një nga fabrikat më të mëdha të prodhimit të dönerit, duke shmangur kështu frikën për rritje të mëtejshme të çmimit të këtij ushqimi të shpejtë shumë të dashur, shkruan DW, transmeton albinfo.ch.

Pas javësh me greva të ndërprera, punëtorët e kompanisë Birtat Meat World SE në Murr, Baden-Württemberg, kanë rënë dakord me menaxhmentin për një pagë fillestare prej 2,600 euro bruto në muaj. Lajmi u konfirmua nga Sindikata e Ushqimit, Pijeve dhe Cateringut (NGG), e cila ndërmjetësoi marrëveshjen.

Prej vitesh, punëtorët, shumica emigrantë nga Turqia, Rumania dhe Bullgaria, kishin kërkuar paga më të drejta dhe më transparente, pasi pagesat varionin dukshëm për punë të ngjashme.

Fabrika e Birtat është themeluar mbi 30 vite më parë dhe furnizon me mish të ngrirë për döner mijëra pika shitjeje në të gjithë Gjermaninë, duke arritur rreth 13 milionë konsumatorë çdo muaj. Greva e fundit shkaktoi shqetësime të mëdha mes pronarëve të restoranteve dhe konsumatorëve për rritje të mundshme çmimesh.

Negociatorja e sindikatës, Magdalena Krüger, e përshkroi marrëveshjen si “një rezultat historik”, duke theksuar se është hera e parë që një sektor kaq specifik si ai i mishit për döner arrin një marrëveshje të tillë.

Çmimi i një sanduiçi döner në Gjermani është rritur ndjeshëm gjatë dy dekadave të fundit, nga rreth 2.50 euro në më shumë se 7 euro sot, duke mbetur megjithatë një nga ushqimet e shpejta më të përballueshme për konsumatorët me buxhet të kufizuar, transmeton albinfo.ch.

Zvicër: Varësia nga blerjet, një fenomen i padukshëm, por i përhapur

Rreth një në njëzet persona në Zvicër vuan nga varësia ndaj blerjeve, një çrregullim i sjelljes që mund të çojë në borxhe serioze, konflikte familjare dhe izolim emocional. Sipas të dhënave të Institutit Zviceran për Shëndetin Publik dhe Kërkimin e Varësisë, rreth 5% e popullsisë, ose afërsisht 450,000 persona, klasifikohen si “shopaholikë” patologjikë, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

Një prej tyre është Valeria Huber (pseudonim), e cila rrëfen për televizionin SRF se shpenzon rreth 1,000 franga në muaj për veshje dhe kozmetikë. “Është si një obsesion,” thotë ajo, duke përshkruar ndjesinë e fuqishme për të blerë gjëra që nuk i nevojiten, por që nuk mund t’u rezistojë.

Ajo e lidh sjelljen e saj me përvojat e fëmijërisë: moda kishte rëndësi të madhe në familjen e saj, dhe babai e përdorte blerjen si formë pajtimi. Ky model është përsëritur në jetën e saj të rritur, duke e çuar në borxhe që në kulmin e varësisë arritën shifrën prej 30,000 frangash. Falë ndihmës së familjes, ajo ka arritur t’i shlyejë, por barra emocionale mbetet e madhe: “Është si një peshë që ngjitet rëndë në trup”, shprehet ajo.

Psikologu Renanto Poespodihardjo, nga Qendra e Varësisë në Klinikat Psikiatrike Universitare të Bazelit, sqaron se varësia nga blerjet nuk është thjesht një sjellje e shpeshtë konsumimi, por një çrregullim që përmbush disa kritere specifike. “Kriteri më i rëndësishëm është se sjellja është gjithmonë e dëmshme  për buxhetin, për marrëdhëniet, për shëndetin mendor,” thekson ai. Njerëzit e prekur përjetojnë shpesh vetmi, stres apo trishtim, dhe e përdorin blerjen si mënyrë për t’i maskuar ndjenjat negative, transmeton albinfo.ch.

Përkundër përhapjes, varësia nga blerjet nuk njihet zyrtarisht si sëmundje në Zvicër. Ky është një problem, sipas ekspertëve, pasi blerjet shihen si një aktivitet normal dhe madje pozitiv në shoqëritë industriale. Për këtë arsye, shumë të prekur nuk kërkojnë ndihmë, dhe fenomeni shpesh mbetet i padukshëm.

Në Qendrën e Varësisë në Bazel, regjistrohen vetëm rreth 15 raste në vit, një numër i vogël krahasuar me përmasat e problemit në mbarë vendin.

“Ne duhet t’u tregojmë të prekurve se ndihma është e disponueshme,” thekson Poespodihardjo. “Dhe se kjo ndihmë mund të bëjë një ndryshim të madh.”

Në krahasim, alkoolizmi prek deri në 300,000 persona në Zvicër, por varësia nga blerjet mbetet një tabu e heshtur që kërkon më shumë vetëdijësim dhe mbështetje institucionale, transmeton albinfo.ch.

Tarifat e larta amerikane vënë në vështirësi prodhuesin zviceran të orëve

Prodhuesi i njohur i orëve luksoze, Chronoswiss, me seli në qendër të Lucernës, po përballet me sfida serioze për shkak të tarifave të larta të vendosura nga Shtetet e Bashkuara mbi eksportet zvicerane. Me një tarifë prej 39 për qind, tregu amerikan, që përbën rreth 20 për qind të shitjeve të kompanisë, është kthyer në një terren të pasigurt për prodhuesin e vogël, shkruan SRF, transmeton albinfo.ch.

Në një intervistë për mediat zvicerane, Oliver Ebstein, pronar dhe CEO i Chronoswiss, tha se vendimi i SHBA-ve është një goditje e rëndë për kompaninë që prodhon rreth 1,500 orë në vit, të gjitha të punuara me dorë nga 20 punonjës në punishten pranë Monumentit të Luanit në Lucernë. “Kur morëm lajmin për tarifat, ndjeva frikë dhe pasiguri te ekipi. Por i premtova të gjithëve se, për momentin, asgjë nuk do të ndryshojë,” deklaroi ai.

Për të përfituar nga dritarja kohore para hyrjes në fuqi të tarifave, Chronoswiss ndërmori një fushatë intensive eksporti, duke dërguar sa më shumë produkte në SHBA. “Na ndihmoi të fitojmë pak kohë dhe siguri,” shtoi Ebstein, transmeton albinfo.ch.

Sfidat nuk ndalen me tarifat. Dobësimi i dollarit amerikan po e rrit çmimin final të orëve për blerësit në SHBA, me një rritje potenciale deri në 50 për qind, çka i bën produktet e Chronoswiss më pak konkurruese krahasuar me markat e tjera.

Në këtë situatë, kompania është duke negociuar me partnerët amerikanë për të ndarë barrën financiare. “Po bisedojmë për të përcaktuar se kush do të mbulojë cilën pjesë të tarifave. Nuk mund t’ua kalojmë të gjitha klientëve,” tha Ebstein, duke pranuar se kjo do të thotë ulje të ndjeshme të marzhit të fitimit.

Sipas tij, hapja e tregjeve të reja nuk është një opsion realist në afat të shkurtër. “Kemi investuar shumë në tregun amerikan dhe tani shpresojmë që këto investime të japin rezultat,” shtoi ai. Megjithatë, e ardhmja mbetet e pasigurt. “Situata është tragjike. Po përpiqemi të gjejmë zgjidhje, por më pyesni përsëri pas tre ose katër muajsh,” tha CEO i Chronoswiss, transmeton albinfo.ch.

E ardhmja e Edon Zhegrovës mbetet e paqartë, Lille nuk e përjashton qëndrimin e tij

Presidenti i klubit francez Lille OSC, Olivier Létang, ka dhënë të premten detaje të reja rreth situatës së sulmuesit kosovar Edon Zhegrova, duke lënë të hapur mundësinë që ai të qëndrojë në klub edhe për sezonin e ardhshëm, transmeton albinfo.ch.

Në një konferencë për media, Létang u shpreh se 26-vjeçari, i cili ka kontratë me klubin deri në verën e vitit 2026, mund të nisë stërvitjet me ekipin të hënën dhe të jetë pjesë e skuadrës për sezonin 2025/26.

“Është e mundur që ai të qëndrojë me ne. Është e mundur që ai t’i nisë stërvitjet të hënën dhe të mund të llogarisim në të në sezonin e ri,” tha presidenti i Lille.

Zhegrova, i cili ka qenë pjesë e planeve për largim nga klubi gjatë afatit kalimtar, mbetet ende në pritje të një oferte konkrete që do të kënaqte kërkesat e klubit francez. Lille thuhet se ka kërkuar deri në 20 milionë euro për ta lënë të lirë, por deri më tani asnjë klub nuk ka përmbushur këtë kërkesë.

“E kemi konsideruar largimin e tij në një pikë, por mendoj se kushtet nuk janë të duhura që ai të mund të largohet,” shtoi Létang.

Ai gjithashtu bëri të ditur se Zhegrova vazhdon të jetë pjesë e projektit të skuadrës.

“Pse të kërkojmë një lojtar të ri? Ai është këtu, është në shtëpi, po bën mirë dhe është i etur për suksese. Marrëveshja me të është që nëse kthehet në ekipin e parë, ai do të luajë për ne në sezonin tjetër.”

Zhegrova ka qenë përfolur si objektiv i disa klubeve evropiane gjatë kësaj vere, përfshirë Olympique de Marseille, por Létang mohoi çdo kontakt konkret, transmeton albinfo.ch.

Tifozat Kuq e Zi kundër FSHF-së, bojkotojnë ndeshjen ndaj Letonisë

Grupi i njohur i tifozëve shqiptarë, Tifozat Kuq e Zi (TKZ), ka rritur tonet e përplasjes me Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF), duke e akuzuar atë për përjashtim të qëllimshëm dhe margjinalizim politik, pas kundërshtimit që ky grup ka shprehur ndaj bashkëorganizimit të Kampionatit Evropian U21 me Serbinë në vitin 2027, raporton albinfo.ch.

Protesta e fundit e TKZ-së u zhvillua më 29 korrik në Luginë të Preshevës, gjatë një turneu për të rinjtë shqiptarë të mbështetur nga FSHF. Ata shpalosën një baner me mesazhin e qartë: “Jo bashkë me shtetin që na mohon. Jo Euro 2027 me Serbinë.”

Në një komunikatë të publikuar së fundmi, TKZ akuzon FSHF-në se ka ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj tyre për shkak të qëndrimit të hapur ndaj këtij bashkëorganizimi.

“Ky përjashtim nuk ka të bëjë me sjellje. Ka të bëjë me qëndrimin tonë. Ne patëm guximin të themi JO bashkëorganizimit të Kampionatit Evropian U21 me Serbinë, në një kohë kur ky bashkëpunim fyes e turpërues u prezantua si sukses. Për këtë, TKZ është ndëshkuar dhe etiketuar. Kjo është e vërteta që duan ta fshehin,” thuhet në deklaratë.

Sipas tyre, ky është rasti i katërt radhazi kur nuk u është lejuar pjesëmarrja në stadiume, përfshirë edhe ndeshjen e 11 qershorit në Riga të Letonisë, ku ata thonë se janë penguar me urdhër të FSHF-së, raporton albinfo.ch.

TKZ ka paralajmëruar se nuk do të jenë të pranishëm në ndeshjen e radhës ndaj Letonisë më 9 shtator në stadiumin “Air Albania”, e vlefshme për Grupin K kualifikues për Kupën e Botës 2026. Në renditjen aktuale, Shqipëria mban vendin e dytë me pesë pikë pas katër ndeshjeve, ndërsa Anglia udhëheq me nëntë pikë nga tri ndeshje.

“Federata Shqiptare e Futbollit ka nxjerrë në shitje biletat me çmime të ulëta, nga frika se do t’u mbesin karriget bosh. I njohim mirë këto lëvizje,” shkruan grupi, duke shtuar se kombëtarja është e popullit dhe jo e “VIP-ave dhe klientelës që merr bileta me një SMS”.

Në fund, TKZ u ka bërë thirrje edhe futbollistëve të Kombëtares që të mos heshtin ndaj situatës:
“Ju kemi përkrahur në çdo cep të Europës. Është koha që të flisni.”

Federata Shqiptare e Futbollit nuk ka dhënë ende një reagim publik ndaj akuzave të TKZ-së, raporton albinfo.ch.