Zvicër: Rrëshqitje shkëmbinjsh në autostradë, dy makina të shkatërruara

Të premten, një rrëshqitje shkëmbinjsh ndodhi në autostradën A3 pranë Filzbach në kantonin e Glarus. Katër makina u goditën nga fragmente shkëmbinjsh, transmeton albinfo.ch.

Nuk pati të lënduar, por infrastruktura rrugore u dëmtua.

Rreth orës 8 të mëngjesit, një shkëmb i madh u shkëput nga shpati jugor në zonën midis tuneleve Weisswand dhe Ofenegg.

Copëzat e gurëve goditën katër makina që po udhëtonin në autostradën A3 drejt Cyrihut.

Zvicra e tronditur pas rritjes së tarifave të SHBA-së në 39%

Zvicra mori një goditje të fortë të premten, ditë pushimi kombëtare, pasi Presidenti Trump vendosi një tarifë prej 39 përqind për mallrat e importuara nga kjo vend alpin, një nga normat më të larta për ndonjë shtet tjetër, përcjell albinfo.ch.

Karin Keller-Sutter, presidentja zvicerane, tha se kishte biseduar me zotin Trump të enjten, por “nuk u arrit asnjë marrëveshje.”

Zviceranët ishin tashmë të indinjuar nga kërcënimi fillestar i zotit Trump, në prill, për të vendosur një tarifë prej 31 përqind mbi mallrat e tyre. Kur Shtëpia e Bardhë njoftoi normat e rishikuara të enjten vonë, zviceranët mbetën të habitur kur panë që tarifa tashmë e lartë u rrit më tej. Shumë tarifa të tjera mbetën të pandryshuara ose u ulën disi në rishikimet e zotit Trump.

Tani, produktet zvicerane të importuara në Shtetet e Bashkuara, përfshirë produktet farmaceutike, instrumentet precize dhe edhe kapsulat e kafesë, do të përballen me një tarifë prej 39 përqind nëse palët nuk arrijnë një marrëveshje tregtare deri më 7 gusht.

Stefan Legge, kreu i politikave tatimore dhe tregtare në Institutin Zviceran për Ligjin dhe Ekonominë, tha se një marrëveshje mund të ndodhë në çdo moment, duke pasur parasysh historikun e njoftimeve surprizë të zotit Trump. “Por gjëja më shqetësuese është kjo situatë e pasigurisë që vazhdon,” shtoi ai.

Shoqatat e biznesit në Zvicër kërkuan negociata urgjente dhe paralajmëruan se pa një marrëveshje tregtare, mallrat zvicerane në Amerikë do të bëheshin ndjeshëm më të shtrenjta se ato të importuara nga Bashkimi Europian, i cili ka negociuar një tarifë prej 15 përqind, ose Britania e Madhe me një tarifë prej 10 përqind.

Aksionet e “Watches of Switzerland”, një shitës i orëve luksoze i listuar në Londër dhe një eksportues kryesor zviceran, ranë me mbi 6 përqind, duke arritur nivelin më të ulët në vite.

Zonja Keller-Sutter tha se për zotin Trump, deficiti tregtar i SHBA-së me Zvicrën ishte “një çështje kyçe” pas vendosjes së tarifës. Por më shumë se gjysma e deficitit tregtar të Zvicrës me SHBA-në vjen nga bullion dhe shufra ari të rafinuara në minierat zvicerane dhe të eksportuara në sasi të mëdha në Amerikë. Banka Qendrore Zvicerane ka sugjeruar që ari të mos llogaritet në bilancin tregtar. Importet e arit janë të përjashtuara nga tarifat e zotit Trump.

Duke përjashtuar arin, produktet farmaceutike janë eksporti më i madh i Zvicrës drejt SHBA-së. Industria farmaceutike, përfshirë gjigandët zviceranë Roche dhe Novartis, është në ankth pasi administrata Trump dërgoi të enjten letra të gjitha firmave kryesore farmaceutike duke kërkuar që të ofrojnë çmime më të ulëta për konsumatorët amerikanë.

Oda Amerikane mirëpret vendimin e Qeverisë për heqjen e tarifave doganore për produktet amerikane

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka mirëpritur endimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të hequr tarifat doganore për të gjitha mallrat e importuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përcjell albinfo.ch.

Në reagimin e OEAK-së thuhet se ky hap i rëndësishëm pasqyron një demonstrim të fortë dhe strategjik për të avancuar bashkëpunimin ekonomik me SHBA-në, partnerin më të ngushtë politik dhe ekonomik që ka Republika e Kosovës.

Vendimi është edhe përgjigje në thirrjen e Odës Ekonomike Amerikane të para disa muajve, e cila rekomandonte një vendim të njëanshëm preferencial tregtar, për të nxitur tregtinë dypalëshe si dhe për ta pozicionuar Kosovën në mënyrë të favorshme për një Marrëveshje të ardhshme të Tregtisë së Lirë me Shtetet e Bashkuara.

Duke hequr tarifat doganore për mallrat amerikane, Kosova jo vetëm që forcon atraktivitetin e saj si një partner i besueshëm dhe i hapur për bizneset amerikane, por gjithashtu krijon mundësi të reja për konsumatorët dhe kompanitë vendase për plasim më të madh të produkteve cilësore amerikane, e me çmime më konkurruese. Në të njëjtën kohë, kjo masë hap rrugën për rritjen e flukseve tregtare, shkëmbimin teknologjik dhe investimet në sektorët kryesorë, të cilat do të përfitojnë ekonomitë e të dy vendeve”, thuhet në reagim.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përgëzon Qeverinë e Kosovës për marrjen e këtij vendimi duke shprehur gatishmërinë për promovimin e mundësive të shkëmbimit më të madh tregtar në të ardhmen.

“Ne mbetemi të përkushtuar për të promovuar politika që rrisin qasjen në treg, forcojnë lidhjet ekonomike dhe ofrojnë përfitime afatgjata për bizneset dhe konsumatorët si në Kosovë ashtu edhe ata në Shtetet e Bashkuara”, thuhet tutje.

Presidentja Osmani: Kosova është partner i besueshëm i SHBA-ve

Qeveria e Kosovës ka marr sot vendim për heqjen e tarifave për të gjitha mallrat amerikane.

Pas këtij vendimi, ka reaguar sot presidentja e vendit, Vjosa Osmani e cila heqjen e tarifave ndaj produkteve amerikane e kishte propozuar muaj më parë, përcjell albinfo.ch.

Osmani theksoi se Kosova është partner i besueshëm i SHBA-së.

“Jemi krenarë që kemi qenë vendi i parë që propozoi heqjen e të gjitha barrierave ndaj aleatit tonë më strategjik. Për presidentin amerikan dhe dhe popullin amerikan: Kosova është partneri juaj i besueshëm në përpjekjet tuaja për ta bërë Amerikën dhe aleatët e saj më të fortë, më të sigurt dhe më të begatë”, shkruan ajo.

Ndryshe, presidentja e vendit, Vjosa Osmani para disa muajve kishte propozuar heqjen e tarifave doganore për produktet e SHBA-së.

Kapet me katër orë luksoze në Aeroportin e Prishtinës

Një udhëtar që kishte udhëtuar nga Londra drejt Prishtinës është kapur në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” me katër orë dore luksoze, të cilat nuk ishin deklaruar në kufi, siç kërkohet nga ligji. Vlera totale e orëve të sekuestruara kap shifrën prej mbi 45 mijë eurosh.

Sipas njoftimit zyrtar të Doganës së Kosovës, ngjarja ndodhi të enjten rreth orës 10:30, në pikëkalimin kufitar të aeroportit, gjatë kontrollit të pasagjerëve që kishin mbërritur me fluturim nga Londra. Udhëtari në fjalë kishte zgjedhur të kalonte nëpërmjet kanalit të gjelbër, i cili është i destinuar për personat që nuk kanë mallra për të deklaruar.

Megjithatë, pas analizës së rrezikut dhe kontrollit përmes skanerëve, doganierët zbuluan në bagazhin e tij katër orë dore me vlerë të konsiderueshme. Mallrat janë konfiskuar menjëherë, ndërsa ndaj udhëtarit është nisur procedura kundërvajtëse.

Dogana ka rikujtuar se të gjithë udhëtarët janë të obliguar të deklarojnë mallrat e vlefshme gjatë kalimit kufitar. Mosdeklarimi i tyre konsiderohet shkelje ligjore dhe mund të çojë në gjobitje, konfiskim të mallrave dhe masa të tjera ndëshkuese.

“Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit, mbrojtjen e ekonomisë dhe rritjen e transparencës në të gjitha proceset kufitare”, thuhet ndër të tjera në njoftimin zyrtar.

Ledia Xhoga në garë për “Booker Prize”, e dyta shqiptare pas Ismail Kadaresë

Shkrimtarja shqiptare Ledia Xhoga ka hyrë në mesin e emrave më premtues të letërsisë botërore, duke u përfshirë në listën e gjatë të pretendentëve për çmimin prestigjioz Booker Prize 2025 me romanin e saj debutues “Misinterpretation”, transmeton albinfo.ch.

Ky sukses shënon një moment historik për letërsinë shqipe, pasi Xhoga bëhet vetëm autorja e dytë shqiptare që arrin një nominim të tillë, pas kolosit Ismail Kadare, fitues i këtij çmimi në vitin 2005.

Romani “Misinterpretation”, i botuar në vitin 2024, ka bërë jehonë të madhe që nga publikimi, duke marrë vlerësime të shumta nga kritika letrare në SHBA dhe më gjerë. Veprës iu dha Çmimi i Librit të Qytetit të Nju Jorkut për autorë debutues dhe ishte gjithashtu finaliste për Çmimin për Novelën e Parë të Qendrës për Fiksion, një ndër institucionet më prestigjioze amerikane të letërsisë bashkëkohore.

Për më tepër, platforma letrare Debutiful, e njohur për promovimin e autorëve të rinj, e shpalli “ Misinterpretation” si librin më të mirë të vitit 2024.

Ledia Xhoga ka lindur dhe është rritur në Tiranë, ndërsa prej vitesh jeton dhe krijon në Brooklyn, New York. Zëri i saj i veçantë letrar, që gërsheton realitetin shqiptar me tematika universale, duket se ka gjetur jehonë në arenën ndërkombëtare  dhe rruga drejt finales së Booker Prize sapo ka nisur.

Kurti: Popoviqi ka incizuar ilegalisht biseda gjatë dialogut në Bruksel

Në një deklaratë, kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka thënë se organet e drejtësisë kanë dëshmi që ndihmësdrejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë Igor Popoviq, ka lidhje me Agjencinë për Siguri dhe Informim të Serbisë, BIA. 

Sipas Kurtit ai ka ushtruar aktivitete në dobi të BIA-s përfshirë incizimin e ilegal të bisedave të datës 17 shtator 2020 të cilat janë zhvilluar në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. 

“Kanë siguruar dëshmi për lidhjet e tij me Agjencinë për Siguri dhe Informim BIA dhe ushtrimin e aktiviteteve në dobi të saj e ndër to përfshihen edhe incizimi ilegal i bisedave të datës 17 shtator 2020 të cilat ajanë zhvilluar në Bruksel në objektin e BE-së në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, pastaj përpjekje për pengim dhe sabotim të drejtësisë dhe aktivitete të tjera të cilat cenojnë sigurinë kombëtare të vendit tonë”, ka deklaruar Kurti në mbledhjen e Qeverisë. 

Incizimi i bisedave në Bruksel sipas Kurti është “rast jashtëzakonisht serioz që shpërfaq një formë që nuk e kemi hasur më herët, qasjen sistematike destruktive, minuese e sabotuese të Serbisë në raport me palët, ndërmjetësuesin dhe vet procesin e ndërmjetësuar nga Brukseli”.

“Fqinji ynë agresiv Serbia po i vazhdon përpjekjet për destabilizim të vendit tonë. Mirëpo institucionet e inteligjencës dhe sigurisë së Republikës së Kosovës janë duke u kundërvënë suksesshëm ndaj këtyre përpjekjeve. Këtu përfshihen edhe arrestimet e personave përgjegjës sikurse rastet e Bojan Jevtiq toger në Policinë e Kosovës dhe Igor Popoviq”, ka theksuar Kurti. 

Popoviqi dyshohet për veprën penale “Nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”.

Ai dyshohet se më 18 korrik në fshatin Hoçë të Madhe të Rahovecit, gjatë një fjalimi me serbët lokalë, e ka quajtur UÇK-në organizatë terroriste, ndërkohë e ka akuzuar edhe bashkësinë ndërkombëtare për siç ka thënë, heshtje ndaj autorëve të krimeve ndaj serbëve. nën dyshimin se mbajti fjalim kundër UÇK-së.

Popoviqi ishte arrestuar më 19 korrik në pikën kufitare me Serbinë, Bërnjak. 

Trumpi u vendos tarifa të reja disa shteteve, përfshirë Ballkanit

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv për vendosjen e tarifave që variojnë nga 10% deri në 41% për importet nga dhjetëra partnerë tregtarë, në përpjekjen e tij të fundit për të riformësuar ekonominë globale.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se këto masa do të hyjnë në fuqi brenda një jave, jo të premten, afati i caktuar më parë nga Trumpi.

Tarifat e reja, të cilat Trumpi i sheh si në dobi të eksportuesve amerikanë, lëshojnë një raund të ri pasigurie për dhjetëra shtete, përfshirë aleatët e hershëm të SHBA-së. Kjo ka rritur gjithashtu frikën e inflacionit në SHBA, raportoi Guardian. 

Tarifa u vendosën në 25% për eksportet e Indisë me destinacion SHBA-në, 20% për Tajvanin dhe 30% për Afrikën e Jugut. Zvicra përballet me një tarifë prej 39%. Afati i fundit për një marrëveshje tarifore me Meksikën u zgjat me 90 ditë të tjera.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se importet e Kanadasë do të përballen me tarifa 35%, jo me 25% sa janë aktualisht. Disa nga shtetet e varfra dhe të shkatërruara nga lufta u goditën po ashtu, përfshirë Sirinë me 41%, Irakun 35%, Shri Lankën 20%.

Trumpi ka thënë se tarifat e reja po shkojnë “shumë mirë”. Ai theksoi se është “shumë vonë” për shtetet që t’i shmangin tarifat, por se ai është i hapur për oferta.

Ndërkohë, Meksikës i ka dhënë afat 90 ditë për shkak të kompleksitetit në marrëdhëniet tregtare.

E, sa i përket atyre në rajon, Bosnja e Hercegovina nga 35% sa e ka pasur tarifën tani i është vendosur 30%; Maqedonisë së Veriut nga 33% në 15%; Serbisë nga 37% në 35%. Kosova dhe Shqipëria nuk figurojnë në listën e shteteve me tarifa të reja. Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi ishin goditur me taksë bazë prej 10 për qind me urdhrin e parë që lëshoi Trumpi për tarifat në prill.

Tragjedi në Zvicër, 16-vjeçari nga Kosova humb jetën në një aksident të rëndë trafiku në Wohlen

Një aksident tragjik ka ndodhur të premten herët në mëngjes në një zonë banimi të Wohlenit, kantoni Aargau, Zvicër, ku jetën e humbën dy të rinj, mes tyre një 16-vjeçar me prejardhje nga Kosova, ndërsa një tjetër mbeti i plagosur rëndë, transmeton albinfo.ch.

Referuar Policisë Kantonale të Aargaut, automjeti i tipit Mercedes ka dalë nga rruga në një zonë të kufizuar me 30 km/h, duke u përplasur fillimisht me një pemë në një kopsht dhe më pas me murin e një shtëpie. Ngjarja ndodhi rreth orës 05:00 të mëngjesit.

Në momentin e mbërritjes së ekipeve të emergjencës, dy të rinjtë  16-vjeçari shqiptar nga Kosova që drejtonte mjetin, dhe një 19-vjeçar zviceran që ndodhej në sediljen e parë,  ishin tashmë pa shenja jete. Një i ri tjetër, 19-vjeç, banor i Cyrihut, që gjendej në sediljen e pasme, është dërguar me urgjencë në spital dhe ndodhet në gjendje kritike.

Zëdhënësi i policisë, Bernhard Graser, ka konfirmuar se vetura i përkiste vëllait të shoferit 16-vjeçar, dhe se ende nuk dihet se si ai kishte siguruar qasjen në automjet. Mjeti u dogj tërësisht pas përplasjes, ndërsa hetimet për shkaqet e sakta të aksidentit janë duke vazhduar.

Të dhënat fillestare sugjerojnë se automjeti ka qenë duke lëvizur me shpejtësi tej normave të lejuara për zonën. Policia po punon për të rindërtuar kronologjinë e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë eventuale.

Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal dhe më gjerë, veçanërisht për shkak të moshës së re të viktimave dhe rrethanave dramatike të aksidentit. /Albinfo.ch

Policia: Telat në Liqenin e Ujmanit nuk janë të lidhur me energji elektrike

Policia e Kosovës, nën autorizimin e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, ka nisur hetim më 30 korrik nëse në Liqenin e Ujmanit ka tela elektrikë të zhytur nën ujë ose jo, përcjell albinfo.ch.

Hetimi ka nisur pas, siç ka thënë Policia, deklarimeve të kryetarit të Shoqatës së Peshkatarëve të Kosovës për telat elektrikë. I njëjti gjatë intervistimit nga Policia e Kosovëse ka njoftuar se gjatë një aksioni për largimin e varkave pa leje, ka vërejtur tela në ujë dhe se, nëse aktivizohen, mund të paraqesin rrezik për qytetarët.

“Policia ka pranuar edhe një video në lidhje me këtë rast. Menjëherë pas pranimit të informacioneve, njësia e kontrollit kufitar ujor ka kryer kontrolle në terren, ku është konstatuar se këta tela nuk janë të lidhur me energji elektrike dhe nuk paraqesin rrezik. Gjithashtu, Policia e Kosovës nuk ka pranuar as më parë ndonjë rast të raportuar në lidhje me këtë çështje”, thuhet në njoftim.

Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka vlerësuar se nuk ekzistojnë elemente të ndonjë vepre penale.

Kosova heq tarifën 10% ndaj produkteve amerikane

Bëhet e ditur se Qeveria në detyrë ka marrë vendim për heqjen e tarifës doganore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, transmeton albinfo.ch.

Deri tash, tarifa për produktete amerikane ka qenë 10 përqind, e prej sot Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se kjo tarifë do të jetë zero.

“Tjetër vendim shumë të rëndësishëm që po marrim sot është largimi i tarifës doganore me Shba. Nga tani e tutje të gjitha produktet me origjinë nga ShBA’të do të kenë tarifë zero përqind kur hyjnë në vendin tonë. Kosova i mirëpret produktet amerikane në tregun e saj dhe besojmë shumë që kjo do të ndikojë nmë rritjen e këmbimit tregtar dhe shtimin e investimeve”, deklaroi Kurti, në mbledhjen e Qeverisë.

Ai tha se ky hap dëshmon për marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe përkushtimin për të pasur një marrëveshje për tregti të lirë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ambasada e Kosovës në Bernë uron Zvicrën me rastin e Festës Kombëtare

Me rastin e 1 gushtit, Ditës Kombëtare të Zvicrës, Ambasada e Republikës së Kosovës në Bernë ka përcjellë një mesazh urimi për popullin dhe institucionet e Zvicrës, duke vlerësuar lart marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, transmeton albinfo.ch.

Në urimin e saj zyrtar, Ambasada ka theksuar rëndësinë që ka Zvicra si një vend mik dhe partner i rëndësishëm i Kosovës në rrugëtimin e saj demokratik dhe zhvillimor.

“Me rastin e Festës Kombëtare të Zvicrës, shprehim urimet tona më të përzemërta për paqe dhe mirëqenie të vazhdueshme për popullin zviceran. Urojmë që Zvicra të qëndrojë edhe më tutje një shembull i stabilitetit, inovacionit dhe demokracisë”, thuhet në mesazhin e Ambasadës.

Zvicra, përveçse është një nga mbështetëset kryesore të shtetit të Kosovës në nivel bilateral dhe ndërkombëtar, është edhe vendi ku jeton një komunitet i madh i mërgatës shqiptare, të cilët kontribuojnë në jetën shoqërore dhe ekonomike të dy vendeve.

Pritje deri në 2 orë në pikën kufitare Dheu i Bardhë

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka përditësuar të dhënat, duke bërë të ditur se pritjet më të gjata të mërgimtarëve për të hyrë në Kosovë vijojnë deri në 90 minuta, ndërkohë në dalje të saj 120 minuta në pikën kufitare Dheu i Bardhë, shkruan albinfo.ch.

Ndërkohë në pikën kufitare, Muçibabë pritjet për hyrje jane 45 minuta.

Bazuar në këto të dhëna, 30 minuta po pritet në dalje të pikës Merdarë, derisa pikat tjera kufitare kanë fluks edhe më të ulët të pritjeve.

Ambasada e Zvicrës në Kosovë feston 734-vjetorin e Pavarësisë

Raporti i veçantë mes Kosovës dhe Zvicrës u theksua në një ngjarje të veçantë në Prishtinë

Ambasada e Zvicrës në Kosovë organizoi mbrëmjen e kaluar një event solemn me rastin e 734-vjetorit të Pavarësisë së Zvicrës, një ndër festat më të rëndësishme kombëtare për shtetin helvetik, shkruan albinfo.ch.

Ngjarja u mbajt në ambientet e restaurantit “Edhe” në Prishtinë, duke filluar nga ora 18:00, dhe mblodhi një numër të madh të të ftuarve nga sfera të ndryshme.

Në mesin e pjesëmarrësve ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve të Kosovës, diplomatë ndërkombëtarë, bashkëpunëtorë të afërt të ambasadës, përfaqësues të shoqërisë civile si dhe miq të shumtë të Zvicrës.

Përmes kësaj ngjarjeje festive, jo vetëm që u kremtua Dita Kombëtare e Zvicrës, por edhe miqësia e fuqishme dhe bashkëpunimi afatgjatë ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës.

Të pranishmit patën rastin të dëgjojnë fjalime përshëndetëse nga përfaqësues të lartë diplomatikë, ku u theksua mbështetja e vazhdueshme që Zvicra ka ofruar për Kosovën në fusha si zhvillimi ekonomik, sundimi i ligjit, arsimi dhe qeverisja e mirë.

Një histori e gjatë miqësie dhe bashkëpunimi

Zvicra është një ndër vendet më të rëndësishme për diasporën kosovare  me mbi 200 mijë qytetarë me prejardhje nga Kosova që jetojnë dhe kontribuojnë atje. Kjo lidhje njerëzore e ka forcuar edhe më shumë raportin mes dy vendeve, duke e kthyer Zvicrën në një partner të besueshëm dhe të qëndrueshëm për zhvillimin e Kosovës.

Festa e 1 gushtit, e njohur si Dita Kombëtare e Zvicrës, i referohet paktit të vitit 1291 mes tre kantoneve themeluese (Uri, Schwyz dhe Unterwalden), që konsiderohet si lindja e Konfederatës Zvicerane. Sot, Zvicra feston 734 vjet shtetësi, neutralitet dhe stabilitet.

Karin Keller-Sutter i uron Zvicrës shumë fat në përvjetorin e saj

Presidentja zvicerane Karin Keller-Sutter do të mirëpres të gjithë në qytetin e saj të lindjes, Wil, në Kantonin e St. Gallen.

Në një vend të dashur për të, Stadtweier (liqeni i qytetit), ajo flet për sfidat aktuale dhe të ardhshme të vajzës së ditëlindjes: Zvicrës.

Edhe në një moment kaq të ndërlikuar ndërkombëtarisht  na thotë ai: Zvicra nuk mund dhe nuk duhet të harrojë pikat e saj të forta. Është një vend i vogël, por ekonomikisht i rëndësishëm. Sigurisht, ajo nuk priste të ishte Presidente në një vit kaq të trazuar: midis luftërave dhe tarifave amerikane.

Viti presidencial i Karin Keller-Sutter

Duke bërë atë që mundemi, në një botë gjithnjë e më pak të sigurt. Dhe e drejta ndërkombëtare po shkelet gjithnjë e më shumë. Politika e ka kuptuar këtë. Po qytetarët? Sipas Karin Keller-Sutter, popullsia është në dijeni të situatës, por shpesh ndihet ende e pamposhtur.

Zvicra në një botë gjithnjë e më të pasigurt

Neutraliteti mbetet një aspekt i rëndësishëm i vendit tonë, thotë Karin Keller-Sutter. Edhe nëse neutraliteti është gjithmonë edhe “oportunist”. I shërben interesave tona. Dhe, për ta ruajtur atë, duhet t’u shërbejë edhe interesave të të tjerëve. Dhe këta të tjerët, sipas Presidentes së Konfederatës, duket se ende e vlerësojnë këtë veçanti tonën.

Zvicra dhe neutraliteti

Duke u kthyer te Zvicra dhe politika e saj e brendshme, një shqetësim i rëndësishëm për Karin Keller-Sutter është shëndeti i financave tona.

Zvicra dhe financat e saj

Mbi të gjitha, Karin Keller-Sutter i uron Zvicrës shumë fat në përvjetorin e saj. Sepse gjithmonë nevojitet pak fat.

Zvicra sot feston 734 vjetorin e Pavarësisë

Shteti i Zvicrës më 1 gusht mbushi 734 vjet.

Shtet ky, i cili sheh prapa një histori të bujshme përpjekjesh dhe suksesesh, shkruan albinfo.ch.

Vlen të theksohet se Zvicra është një ndër shtetet më të fuqishme ekonomikisht dhe më neutrale në gjithë botën.

Ky shtet zakonisht pothuajse në të gjitha fushat shquhet për renditjet e para, si shteti me performancat më të mira në të gjitha dimensionet, shkruan tutje albinfo.ch.

Zvicra është performuese e mirë jo vetëm e pagave të larta, ekonomisë së lartë, çokollatave dhe djathit, por edhe e demokracisë dhe tolerancës, që e shquan si shtet helvetik. /Albinfo.ch

“Independent”: Shqipëria, një nga destinacionet më të mira për pushime në vitin 2025

Nëse jeni duke kërkuar një vend për pushime me buxhet të ulët, revista britanike “Independent” ju rekomandon pesë destinacionet më të mira për vitin 2025, ku përfshihet edhe Shqipëria.

Shumë turistë britanikë preferojnë të eksplorojnë vende të reja dhe në zhvillim, duke shmangur destinacionet e njohura, të mbipopulluara dhe të kushtueshme.

Fatmirësisht, ekzistojnë shumë opsione për të kursyer pa sakrifikuar diellin apo cilësinë e eksperiencës, përcjell albinfo.ch.

Qoftë duke shëtitur në rrugët me kalldrëm, duke eksploruar majat malore apo duke notuar në ujërat kristal të bregdetit, Shqipëria ofron shumë ngjashmëri me fqinjën elegante në anën tjetër të Adriatikut.

Megjithatë, në krahasim me Italinë, plazhet janë më të qeta, vendet më të fshehura dhe çmimet dukshëm më të përballueshme.

Operatori turistik “Contiki”, i specializuar në udhëtime për të rinjtë 18-35 vjeç, është i pari që ofron ture në të gjithë Shqipërinë.

Eksploroni historinë përmes arkitekturës osmane, fashiste dhe sovjetike në Tiranë, ecni në shtigjet që çojnë në Parkun Kombëtar të Valbonës dhe shijoni plazhet e bukura të Rivierës Shqiptare.

Udhëtimi tetëditor kushton rreth 1,025 euro për person, pa përfshirë fluturimet.

Lista e destinacioneve më të mira për vitin 2025 sipas “Independent”:

Shqipëria – Vendi më i mirë për aventurë

El Gouna, Egjipt – Plazhet më të mira

Galicia, Spanjë – Destinacioni më i mirë për familje

Voss, Norvegji – Vendi më i mirë për ski

Bosnjë-Hercegovinë – Më e mira për natyrën

 

 

 

Presidentja Osmani mirëpret diasporën: Ju jeni krenaria e Kosovës

Në një ceremoni të veçantë të organizuar në Prishtinë për bashkatdhetarët që jetojnë jashtë vendit, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, theksoi rolin thelbësor të diasporës në përfaqësimin e denjë të vendit në botë.

Gjatë fjalimit të saj, Osmani shprehu mirënjohje të veçantë për kontributin e vazhdueshëm të mërgatës në zhvillimin dhe promovimin e Kosovës.

“Që nga Zvicra e Gjermania, deri në Shtetet e Bashkuara e Kanada, nga universitarë e deri tek sipërmarrësit në Austri, në sektorin e teknologjisë në vendet nordike ju keni luajtur një rol kyç në përparimin e shoqërive ku jetoni. Shqiptarët janë sot të pranishëm jo vetëm fizikisht, por edhe në skenat më të rëndësishme politike, akademike dhe kulturore anembanë botës si deputetë, profesorë, sportistë, artistë e këngëtarë me emër ndërkombëtar.” u shprej ajo.

Ajo shtoi se prania e tyre kudo në botë është një faqe lavdie për gjithë kombin shqiptar.

“Kudo që ndodheni, e përfaqësoni Kosovën me dinjitet. Ju e përçoni imazhin më të mirë të vendit tonë dhe për këtë arsye them me bindje të plotë: ju jeni ambasadorët më të fuqishëm të Kosovës. Natyrisht, pa harruar diplomatët tanë zyrtarë që kryejnë punë të shkëlqyer, por roli juaj shkon përtej çdo përfaqësimi formal.”

Në këtë ditë të mirëseardhjes për mërgatën, Presidentja Osmani shprehu edhe dhimbjen për humbjen tragjike të jetës së 33-vjeçarit Rrahim Latifi, një mërgimtar që u mbyt në Liqenin e Ujmanit.

 

Pse po shtohen dhe intensifikohen turbulencat gjatë fluturimeve?

Andrew Davies po udhëtonte për në Zelandën e Re për një ekspozitë ku ai ishte menaxher projekti. Fluturimi nga Londra drejt Singaporit filloi pa probleme, por papritur aeroplani u përfshi nga turbulenca të forta.

“Të jesh në një rollercoaster është mënyra më e mirë për ta përshkruar,” tregon ai. “Pasi u shtyra në sedilje, u rrëzuam papritmas. iPad-i më goditi kokën, dhe kafeja më përshkoi gjithë trupin.” Disa pasagjerë u lënduan rëndë, ndërsa Geoff Kitchen, 73 vjeç, humbi jetën nga një atak në zemër.

Megjithëse vdekjet nga turbulencat janë shumë të rralla  me vetëm disa raste që nga viti 1981,  lëndimet janë më të shpeshta. Vetëm në SHBA, nga viti 2009 janë regjistruar mbi 200 incidente serioze me lëndime, ku shumë prej tyre kanë prekur anëtarë të ekuipazhit.

Ndryshimet klimatike po ndikojnë në kushtet e atmosferës, duke bërë që fluturimet të përjetojnë më shumë turbulenca të ashpra. Profesori Paul Williams nga Universiteti i Reading thotë se në dekadat e ardhshme mund të presim që këto turbulenca të dyfishohen apo trefishohen.

Aktualisht, nga mbi 35 milionë fluturime në vit në botë, rreth 5,000 kanë incidente me turbulenca të forta. Rreth 40% e lëndimeve të rënda të pasagjerëve gjatë vitit 2023 u shkaktuan nga këto lëvizje të ajrit, sipas Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil.

Rajoni i Atlantikut të Veriut, ku kalojnë shumë fluturime midis Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së, Kanada dhe Karaibe, ka parë një rritje prej 55% të rasteve me turbulenca të forta gjatë 40 viteve të fundit.

Turbulencat vijnë nga tre burime kryesore: ato që lidhen me reshjet dhe stuhitë, rrjedhën e ajrit mbi malet, dhe “ajrin e pastër”  lëvizjet e papritura të ajrit që nuk shihen dot.

Ndryshimet klimatike luajnë rol në rritjen e këtyre fenomeneve, duke krijuar kushte për stuhi më të forta dhe ndryshime më të mëdha në ajër. Retë e stuhive, si kumulonimbus, janë burimi kryesor i turbulencave vertikale të forta që përjetojnë pasagjerët.

Në vitet e fundit, parashikimet për turbulencat kanë përmirësuar ndjeshëm dhe sot mund të identifikohen rreth 75% e rasteve me turbulenca të ajrit të pastër.

 

Kritikët e Kremlinit akuzojnë Zvicrën për pritjen e “kriminelëve të luftës” nga Rusia

Mbi 200 kundërshtarë të Kremlinit, përfshirë ish të burgosur politikë, shprehën pakënaqësi për vizitën e një delegacioni të lartë rus në Zvicër, duke e kritikuar Evropën për mikpritjen e atyre që i quajnë “kriminelë të luftës” pavarësisht konfliktit të vazhdueshëm në Ukrainë.

Kritikët e presidentit rus Vladimir Putin kanë shqetësim se, pas më shumë se tre vitesh nga fillimi i pushtimit në Ukrainë, disa vende dhe organizata perëndimore po e lehtësojnë normalizimin e marrëdhënieve me Moskën.

Nëpërmjet një letre të hapur, e nënshkruar nga figura të njohura si Vladimir Kara-Murza, Oleg Orlov dhe Ilya Yashin, Zvicra u akuzua për pranimin e disa aleatëve kryesorë të Putinit, përfshirë edhe kryetaren e Dhomës së Lartë të Parlamentit rus, ndërkohë që lufta në Ukrainë vazhdon pa ndërprerje.

 

Kancelari i Austrisë kundër rritjes së moshës ligjore të pensionit

Kancelari Federal Christian Stocker (ÖVP) është aktualisht kundër rritjes së moshës ligjore të pensionit, të cilën e kërkojnë disa qarqe ekonomike. Prioritet sipas tij është rritja e prodhimit ekonomik, dhe një pension në moshën 70-vjeçare në vitin 2035 nuk duhet të jetë kriter për këtë, tha ai në intervistën verore për APA.

Në lidhje me punën me orar të reduktuar, Stocker u shpreh: “Nëse duam të arrijmë shërbimet tona së bashku, duhet të përpiqemi së bashku.” Megjithatë, kjo kritikë nuk i drejtohet personave me detyra kujdestarie, qoftë për fëmijët, qoftë për të afërmit, ku puna me kohë të pjesshme është ndoshta zgjidhja më e mirë.

Besim te “Partneriteti për Reformën”

Stocker nuk dëshiron që të cenojë neutralitetin e Austrisë. ” Në të kaluarën nuk kemi dalë keq me këtë neutralitet dhe them se, nëse do të mungonte, nuk do të kishte përfituar asgjë siguria,”  tha ai.

Ai shpreh besim te “partneriteti për reformë” mes qeverisë federale, shteteve, qyteteve dhe komunave.

 

 

Kaos me valixhet në trena: Tani do të ndihmojë inteligjenca artificiale

Trendet e udhëtimit kanë ndryshuar, gjithnjë e më shumë pasagjerë, gjithnjë e më shumë bagazhe. Kjo po sjell sfida për kompanitë hekurudhore. Ndërmarrja Südostbahn (SOB) në Zvicër ka nisur një projekt pilot ku përdor kamera dhe inteligjencë artificiale (IA) për të monitoruar dhe menaxhuar më mirë ngarkesën me valixhe dhe biçikleta nëpër trena, transmeton albinfo.ch.

Problemi: Bagazhet po bllokojnë gjithçka

Valixhe, biçikleta, karroca për fëmijë dhe çanta, të gjitha këto po grumbullohen në hapësirat hyrëse të trenave, duke bllokuar rrugët e emergjencës dhe duke vonuar zbritjen e pasagjerëve. Përveç rrezikut të sigurisë, kjo po e bën përvojën e udhëtimit më të vështirë.

SOB dhe operatorët e tjerë në rajonet turistike janë duke marrë masa: ndryshime në strukturën e vagonëve, trajnime për stafin, video informuese, bileta me ulje dhe tani edhe teknologji moderne.

Si funksionon sistemi me IA?

Që nga fundi i vitit 2023, në trenat e SOB janë instaluar kamera që skanojnë hapësirat hyrëse. Me ndihmën e IA-së, sistemi identifikon në kohë reale sa valixhe, biçikleta, çanta, karroca, ski apo snowboard ka në çdo ndalesë. Njerëzit nuk identifikohen apo regjistrohen vetëm objektet.

Nga këto të dhëna krijohen statistika fillestare. Markus Erne, kreu i digjitalizimit në SOB, thotë:

“Këto statistika na ndihmojnë të kuptojmë se kur dhe ku kemi mbingarkesë me bagazhe, dhe ku shfaqen pikat kritike.”

IA nuk është mjaftueshëm e saktë ende

Sipas Erne, të dhënat janë ende të pamjaftueshme për të krijuar parashikime të sakta. Do të duhen disa vite të dhëna të besueshme për të zbuluar modelet e vërteta, si ndikimi i stinëve, pushimeve, motit apo fundjavave në trafikun e bagazheve.

Zgjidhjet nuk janë vetëm teknologjike

Vetëm IA nuk e zgjidh problemin. Të dhënat janë thelbësore, por duhet edhe ndryshim fizik i trenave. SOB po teston përdorimin e vagonëve me hapësira fleksibël, që mund të rregullohen për bagazhe ose ulëse, sipas nevojës.

Këto hapësira do të integrohen në 12 trena të tipit Traverso, duke filluar nga viti i ardhshëm. Synimi është të krijohet hapësira e duhur në kohën dhe vendin e duhur.