Sot Zvicra voton: Këto janë nismat në nivel nacional, kantonal dhe komunal

Sot, e dielë, 30 nëntor, votuesit në Zvicër do të vendosin për dy nisma kombëtare: nismën e taksës së trashëgimisë dhe nismën e shërbimit qytetar.

Kjo e fundit kërkon një shërbim qytetar të detyrueshëm për të gjithë qytetarët zviceranë, transmeton albinfo.ch. Ky shërbim do të marrë formën e shërbimit ushtarak ose një lloj tjetër shërbimi milicie në dobi të publikut, duke synuar ta bëjë Zvicrën më elastike në kohë krize, shkruan srf.ch.

Nisma e taksës së trashëgimisë, e propozuar nga Socialistët e Rinj (Juso), kërkon rritje të fondeve për politikat e mbrojtjes së klimës. Paratë do të vijnë nga një taksë federale mbi trashëgiminë dhe dhuratat, me ç`rast një taksë prej 50% do t`i vihet çdo pasurie prej 50 milionë frangash.

Rreth 2,500 taksapagues në Zvicër kanë asete me vlerë më shumë se 50 milionë franga, sipas autoriteteve tatimore, me një pasuri totale prej rreth 500 miliardë frangash. Me deri në dy të tretat e të anketuarve kundër taksës së propozuar në sondazhet e fundit, masa pritet gjerësisht të dështojë, duke e kthyer vëmendjen te niveli i mbështetjes.

Referendume në 15 Kantone

Të dielën, votuesit në disa kantone do të vendosin për propozimet në nivele kantonale. Për shembull, në kantonin e Appenzell Ausserrhoden, kushtetuta e re kantonale do të vihet në votim në dy versione: një me dhe një pa të drejtë vote për banorët e huaj. Vendimi në lidhje me të ardhmen e lotarisë profesionale do të merret në kantonin e Solothurnit.

Në kantonin Graubünden, fokusi është te pensionet e pjesëtarëve të qeverisë, ndërsa në Lucernë, çështja për të cilën do të votohet është financimi i kujdesit për fëmijët. Kantonet Obwalden dhe Schaffhausen pritet të  vendosin për të ardhmen e spitaleve të tyre.

Në kantonin e Zugut, votuesit do të vendosin për uljen e taksave. Në kantonin e Cyrihut, çështjet për të cilat do të votohet sot përfshijnë rritjen e subvencioneve të primeve të sigurimit shëndetësor dhe strehimin e përballueshëm.

Vendimet në komuna

Votuesit në komuna të shumta thirren gjithashtu të marrin vendimet e tyre të dielën, shkruan albinfo.ch. Një numër referendumesh po mbahen në qytetin e Bernës, përfshirë njërin që kërkon të votohet nëse numri i referendumeve duhet të zvogëlohet.

Një iniciativë në qytetin e St. Gallenit bën thirrje për testime falas për infeksionet seksualisht të transmetueshme, dhe në qytetin e Gjenevës, e ardhmja e vilës së artistit komik të “Titeuf” është në rrezik.

Në Davos, votimi ka të bëjë me vendndodhjen e planifikuar të stacionit të ri të trenit, dhe në St. Moritz, me zonën pranë kërcimit olimpik të skive. Disa propozime janë në fletëvotim në qytetin e Cyrihut, përfshirë një për primet e sigurimit shëndetësor.

Zvicra do të votojë për vendosjen e një takse mbi pasurinë

Zvicra do të votojë të dielën (nesër) për vendosjen e një takse mbi pasurinë. Propozimi nga krahu rinor i Social Demokratëve të majtë, ose JUSO, është që një taksë prej 50% të vendoset mbi pasuritë e trashëguara prej 50 milionë frangash zvicerane (62 milionë dollarë), ose më shumë për të financuar projekte për të zvogëluar ndikimin e ndryshimeve klimatike, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Rreth 2,500 taksapagues në Zvicër kanë asete me vlerë më shumë se 50 milionë franga, sipas autoriteteve tatimore, me një pasuri totale prej rreth 500 miliardë frangash. Me deri në dy të tretat e të anketuarve kundër taksës së propozuar në sondazhet e fundit, masa pritet gjerësisht të dështojë, duke e kthyer vëmendjen te niveli i mbështetjes.

Zvicra është qendra më e madhe në botë për menaxhimin e pasurisë, por mund ta humbasë “kurorën” këtë vit, sipas një parashikimi nga Boston Consulting Group. Vendi është selia e disa prej qyteteve më të shtrenjta në planet dhe ankthi për koston e jetesës ka fituar vlerë në politikën lokale.

Në vitin 2024, Zvicra votoi për të futur një muaj shtesë pagesash pensioni për të moshuarit, pasi shqetësimet për koston e jetesës tejkaluan paralajmërimet në lidhje me përballueshmërinë e saj. Nëse miratohet, iniciativa e taksës së pasurisë teorikisht do të rriste mbledhjen e taksave me 4 miliardë franga.

Kritikët e iniciativës thonë se kjo mund të shkaktojë një eksod të njerëzve të pasur nga Zvicra, duke ulur të ardhurat e përgjithshme tatimore. Qeveria zvicerane u ka kërkuar votuesve ta refuzojnë atë.

Demonstratë Pro-Palestine në Gjenevë

Të shtunën u zhvilluan demonstrata në disa qytete zvicerane për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Solidaritetit me Popullin Palestinez.

Mbështetja më e madhe u zhvillua në Gjenevë. Sipas policisë, rreth 2,000 persona morën pjesë në demonstratën pro-Palestine atje. Kolektivi BDS, i cili organizoi demonstratën, pretendoi se morën pjesë mbi 4,000 persona. Marshimi shkaktoi ndërprerje të trafikut në Gjenevë.

Demonstrata u zhvilluan gjithashtu në Cyrih dhe Bazel. Rreth 150 persona morën pjesë në Cyrih, siç raportohet nga agjencia e lajmeve Keystone-SDA.

Debat në Gjenevë: Mërgata shqiptare – sfidat e saj dhe Kosova

Ju njoftojmë se nesër më 30 nëntor, nga ora 19:00, do të mbahet një takim me bashkatdhetarët tanë në:

Restaurant Piscine du Lignon: Rte du Bois-des-Frères 30, 1219 Le Lignon (Genève)

Nga Kosova, në këtë mbrëmje do të marrin pjesë:

 

Mefail Bajqinovci
Enver Dugolli

 

Takimi ka për qëllim hapjen e një diskutimi të ndershëm e konstruktiv mbi rolin e mërgatës, sfidat me t’cilat përballet ajo dhe raportet e saj me Kosovën.

Jeni të mirëseardhur!

Kontakt: Mirishahe Limani Hiler +41 79 607 46 74

Papa viziton xhaminë në Stamboll

Papa Leo ka vizituar sot Xhaminë e Sulltan Ahmedit në Stamboll si pjesë e udhëtimit të tij në Turqi. Duke ndjekur protokollin, Leo hyri në xhaminë në zemër të metropolit, duke u zbathur, siç e kërkojnë rregullat për të gjithë vizitorët e faltoreve myslimane, transmeton albinfo.ch.

Vizita e kreut të Kishës Katolike Romake u zhvillua nën masa të rrepta sigurie.

Kjo ishte vizita e parë e Papa Leos në një xhami. Papës më pas iu bë një turne në Xhaminë Blu. Si shenjë e dialogut ndërfetar, Papa ka vizituar kështu xhaminë më të famshme të Stambollit.

Megjithatë, një shërbim lutjeje i paralajmëruar më parë u anulua, duke shkaktuar disa shqetësime, shkruan tagesanzeiger.ch.

Vizita e Papa Leos ka një rëndësi të veçantë. Kisha Katolike me këtë vizitë dëshiron të demonstrojë: Ne jemi miq të Islamit. Papa Benedikti dhe Papa Françesku kanë vizituar gjithashtu Xhaminë Blu para Papa Leos.

Shaqiri: “Më gëzon suksesi i Kosovës dhe Shqipërisë në garat për Botëror”

Në një intervistë të zgjeruar që ka dhënë për platformën mediale watson.ch. ylli i futbollit, Xherdan Shaqiri ka folur për praninë suksesshme të tij në FC Basel, për një krizë të vogël që aktualisht po kalon ky klub, për pjesën që ka tashmë si bashkëpronar i klubit të futbollit të Rapperswilit etj. Por ai është ndalur edhe në pjesëmarrjen e mundshme të Kosovës dhe të Shqipërisë në Botërorin 2026, duke u shprehur në superlativ për cilësinë që kanë këto dy kombëtare, aktualisht, shkruan albinfo.ch

I pyetur nëse rritja  e numrit të pjesëmarrësve në Botëror zbeh cilësinë e tij, Shaqiri thotë: Duhet ta përjetoj më parë që të jem në gjendje të gjykoj. Ka ekipe që marrin pjesë për herë të parë dhe mendoj se është shumë mirë për kombet më të vogla që kanë një shans më të mirë për t’u kualifikuar. Mund ta shihni këtë me Shqipërinë dhe Kosovën, të cilat ende mund të kalojnë fazën eliminatore.

Pyetja e radhës: Do të ishte një gjë e madhe për Kosovën, apo jo?

“Po, dhe një histori e mrekullueshme. Do të ishte turneu i tyre i parë i madh. Fakti që ata ende kanë një shans tregon rrugën që kanë ndjekur. Mund të shihni se gjithnjë e më shumë lojtarë të mirë duan të luajnë për Kosovën, si po zhvillohen nga spekti sportiv dhe si mund të përballojnë tashmë presionin. Tani është një ekip me lojtarë nga liga të mira, gjë që i ndihmon shumë”, përgjigjet Shaqiri.

Ndërsa lidhur me kualifikimin e drejtpërdrejtë të Zvicrës në Botëror dhe suksesin e arritur pa e pasur Shaqirin në ekip ai thotë: Jam krenar për ekipin. Nuk ishin ndeshje të lehta, edhe nëse jo të gjithë kundërshtarët performuan mirë. Është thjesht fantastike që djemtë janë kthyer. Tani jam kurioz të shoh se kundër kujt do të shortohen dhe si do të përballen kur të vijnë kundërshtarë më të fortë. Zvicra ka një ekip interesant me shumë lojtarë të rinj. Gjithmonë do t’i ndjek dhe mezi pres Kampionatin Botëror nga perspektiva e një “të jashtmi”. “Dhe po, është mirë që ia dolën pa mua”, shton ai.

Ambasadori izraelit në Zvicër: Njohja e Palestinës do të ishte një akt armiqësor

Norvegjia, Franca, Spanja, Irlanda dhe Mbretëria e Bashkuar e kanë njohur tashmë shtetin e Palestinës. Megjithatë, Këshilli Federal Zviceran nuk ka ndërmend ta njohë Palestinën si shtet për momentin. Ministri i Jashtëm Ignazio Cassis e riafirmoi këtë qëndrim këtë të mërkurë, transmeton albinfo.ch. Megjithatë, një sondazh i kohëve të fundit përfaqësues tregoi se njohja aktualisht gëzon mbështetjen e shumicës në mesin e popullsisë.

Politikanët e krahut të majtë dhe të gjelbër kanë njoftuar gjithashtu një iniciativë përkatëse popullore, raporton srf.ch.

Për ambasadorin izraelit në Zvicër, Tibor Schlosser, kriteret ligjore për njohje nuk janë përmbushur. Ai i referohet Shtetit të Palestinës si një “fantazmë”: “Shpresoj që Zvicra të mos njohë një fantazmë”, shprehet ai.

Norvegjia e njohu Palestinën vitin e kaluar. “Ne e perceptuam atë që bëri Norvegjia si një akt armiqësor”, tha Tibor Schlosser në programin e lajmeve të së shtunës të SRF. Si rezultat, Norvegjia u detyrua të mbyllte përfaqësinë e saj në Bregun Perëndimor Palestinez, përcjell albinfo.ch. Zvicra gjithashtu operon një zyrë atje, e cila, ndër të tjera, merret me ndihmën humanitare. Rrjedhinisht sipas tij, nëse Zvicra do të njihte një shtet palestinez, kjo mund të ketë pasoja për ndihmën humanitare të Zvicrës në regjion.

Tibor Schlosser tha gjithashtu se mirëpriti përpjekjet humanitare të Zvicrës për viktimat e luftës në Lindjen e Mesme.

SHBA: Ndalohet përkohësisht shqyrtimi i të gjitha kërkesave për azil

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump ka pezulluar të gjitha vendimet për kërkesat e azilit, pas sulmit në Washington ku u qëlluan dy pjesëtarë të Gardës Kombëtare, ka bërë të ditur drejtori i Shërbimit të Shtetësisë dhe Imigracionit të SHBA-së (USCIS), Joseph Edlow.

Edlow ka deklaruar se ky pezullim do të qëndrojë në fuqi “derisa të sigurohemi se çdo i huaj është kontrolluar dhe verifikuar në shkallën maksimale të mundshme”.

Ndryshe, njoftimi erdhi pak orë pasi presidenti Trump premtoi se do ta pezullojë përgjithmonë migrimin drejt SHBA-së nga të gjitha vendet e botës së tretë, transmeton albinfo.ch.

Zyrtarët e USCIS-it, që funksionon nën Departamentin e Sigurisë së Brendshme, janë urdhëruar të mos aprovojnë, refuzojnë apo mbyllin asnjë kërkesë për azil të paraqitur nga cilido nacionalitet, shkruan BBC.

Punonjësit mund të vazhdojnë shqyrtimin teknik të aplikimeve, por pa marrë vendim përfundimtar.

“Pasi të arrini në fazën e vendimmarrjes, ndaloni dhe mbani dosjen”, thuhej në udhëzimin e brendshëm.

Stadler Rail apelon kontratën zvicerane prej 2.6 miliardë dollarësh me Siemens Mobility

Grupi zviceran Stadler Rail njoftoi të premten se ka apeluar një kontratë të madhe publike të dhënë konkurrentit të tij gjerman Siemens Mobility, zhvillimi më i fundit në një mosmarrëveshje të diskutueshme për infrastrukturën publike.

Marrëveshja e kontestuar, me vlerë rreth 2.1 miliardë franga zvicerane (2.6 miliardë dollarë), është për ndërtimin e 116 trenave të rinj rajonalë që do të hyjnë në shërbim në vitet 2030, kryesisht në hekurudhat rajonale të Cyrihut dhe duke zëvendësuar trenat me dy kate që kanë qenë në shërbim rreth qytetit më të madh të Zvicrës që nga viti 1990, shkruan thelocal, transmeton albinfo.ch.

Në një deklaratë të publikuar të premten, Stadler tha se “nuk mund ta kuptojë” vendimin për t’ia dhënë kontratën Siemens dhe ka paraqitur një apel në Gjykatën Federale Administrative.

“Diferenca e çmimit krahasuar me ofertën fituese është vetëm 0.6 përqind”, shtoi ajo.

Stadler punëson 6,000 njerëz në Zvicër dhe vendimi për t’ia dhënë kontratën konkurrentit të saj ka zemëruar aktorët e tjerë në vend.

Unia, një sindikatë, tha se vendimi ishte “i pakuptueshëm” dhe pohoi se më shumë se “170 nënkontraktorë zviceranë” mund të kishin kontribuar në projekt nëse Stadler do të kishte fituar.

Hekurudhat Federale Zvicerane (SBB), të cilat ia dhanë kontratën Siemens në fillim të nëntorit, thanë në një deklaratë se do ta “morrën shënim” përgjigjen e Stadler.

Por shtoi se homologu i tyre gjerman “kishte paraqitur qartë ofertën më të favorshme”.

“Diferenca e çmimit e përmendur nga Stadler Rail ka të bëjë vetëm me kostot e investimit”, ndërsa hendeku i vërtetë arrin në “qindra miliona franga” kur merren në konsideratë kostot operative gjatë 25 viteve, tha ajo.

Drejtori i përgjithshëm i SBB ka marrë kërcënime me vdekje pas njoftimit të kontratës, raportoi gazeta SonntagsBlick.

Aktive në Zvicër që nga viti 1894, Siemens Mobility punëson gjithashtu 6,000 njerëz atje.

Grupi gjerman tha në një deklaratë se e ka vënë re ankesën, por është “i bindur” se ka paraqitur një ofertë “tërheqëse”.

Kurthi i fajdeve: Pasojat shkatërrimtare të huave ilegale

I gjendur përballë një krize të thellë financiare në biznesin e tij dikur të madh, dhe pasi një bankë komerciale ia refuzoi kërkesën për kredi, një qytetar nga Rrafshi i Kosovës kërkoi shpëtimin te fajdexhinjtë.

Fillimisht mori vetëm 2.000 euro – një shumë që dukej e vogël për ta mbajtur gjallë biznesin – por, më pas, edhe 150 mijë euro të tjera. Çdo hua të re e merrte për ta paguar të vjetrën, dhe borxhi vetëm sa rritej.

“Për gati pesë vjet kam paguar mbi 500 mijë euro me fajde, për 20 persona të ndryshëm”, thotë Izeti [emër i vendosur nga redaksia], 60-vjeçar. Përveç shumës së paguar, ai humbi biznesin, objektin ku vepronte, dhe pasuri të tjera, që kapin vlerën e 1 milion eurove.

Shtëpinë – pasurinë e vetme të patundshme që i ka mbetur – e ka lënë hipotekë në një bankë, për të marrë kredi me të cilën pagoi fajdetë.

Në qytetin e tij të vogël, thotë ai, është shumë e thjeshtë të marrësh para me fajde, sepse fajdexhinjtë janë të shumtë dhe të njohur nga të gjithë. Por, sipas tij, fajdetë janë “vdekje për së gjalli”. Forcën për ta kapërcyer situatën e ka gjetur vetëm te fëmijët.

“Bukë e kripë hani, e mos merrni para me fajde”, thotë Izeti, i cili u përball për gati një dekadë me borxhet ilegale.

Huamarrja ilegale, problem serioz në Kosovë

Rasti i Izetit nuk është i izoluar. Në Kosovë shpesh raportohen aktakuza kundër personave të dyshuar për fajde, ndërsa përmenden miliona euro dëme.

Vetëm në tetor të këtij viti, autoritetet ngritën aktakuza në dy raste të ndara, ku tetë persona dyshohet të kenë shkaktuar dëme deri në 8 milionë euro. Prokuroria kërkoi konfiskimin dhe kthimin e 21 banesave dhe lokaleve afariste, që të dëmtuarit ua kishin dhënë fajdexhinjve, pasi nuk mund t’i kthenin borxhet.

Avokatja Xhevahire Miftari Kloppner thotë se shumë qytetarë bien pre e fajdeve, për shkak të mungesës së qasjes së shpejtë në kredi formale – sidomos ata me të ardhura të ulëta ose pa pasuri për hipotekë. Sipas saj, në disa raste qytetarët mendojnë se po marrin një borxh të zakonshëm, por më pas përballen me norma interesi që shkojnë deri në 20 për qind në muaj.

Shpesh, viktimat janë afaristë që kërkojnë të zgjerojnë biznesin, por në pamundësi të shlyerjes së borxhit, detyrohen ta mbyllin dhe t’i humbin pronat. Me rritjen e borxhit, fajdexhinjtë shpesh ushtrojnë presion, kërcënime dhe marrje të pasurisë me forcë. Disa persona, madje, janë detyruar ta braktisin Kosovën.

Sfidat e hetimit

Të dhënat e Policisë se Kosovës tregojnë se gjatë periudhën janar-shtator 2025 janë hapur 13 raste për fajde. Vitin e kaluar, ky numër ishte 23, kurse më 2023 autoritetet kishin hapur 24 raste.

Gjatë viteve 2021-2023, Policia ka shkatërruar 106 grupe kriminale, prej të cilave nëntë merreshin me fajde. Nga 740 të dyshuar për krim të organizuar, 78 ishin të përfshirë në këtë veprimtari – shumica në rajonin e Prishtinës dhe të Pejës.

Sipas Miftari Kloppnerit, numri i rasteve reale është shumë më i lartë, sepse shumë të dëmtuar kanë frikë t’i raportojnë. Por, monitorimi i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) tregon se gjatë 2025-tës ka pasur rritje të rasteve të paraqitura nga qytetarët, falë bashkëpunimit më të ngushtë mes prokurorive dhe përdorimit të masave të fshehta të hetimit.

Flamur Kabashi, hulumtues në IKD, thotë se një sfidë e madhe mbetet fakti që shumë të dëmtuar nuk u qëndrojnë deklaratave të dhëna në prokurori, pasi përballen me presion. Sipas tij, gjykatat shpesh nuk bëjnë ballafaqimin e deklaratave, gjë që e dobëson procesin.

IKD vlerëson se Prokuroria Themelore në Prizren ka shënuar progresin më të madh në hetimin e rasteve të fajdeve, dhe se ky model duhet të ndiqet nga të gjitha prokuroritë e vendit.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, fajdexhinjtë dënohen me gjobë dhe me burgim nga 6 muaj deri në 12 vjet, varësisht nga shkalla e dëmit. Megjithatë, sipas të dhënave të ofruara më herët nga ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në gusht të këtij viti, nga 1.752 persona të burgosur, vetëm katër ishin të dënuar për fajde dhe tetë mbaheshin në paraburgim.

“Këto nuk janë thjesht vepra të izoluara, janë pjesë e një zinxhiri kriminal, që godet më të pambrojturit dhe kontribuon në një ndjenjë të thellë padrejtësie në shoqëri”, kishte deklaruar Haxhiu.

Shërbimi Korrektues i Kosovës nuk iu përgjigj interesimit të REL-it se sa është numri i të burgosurve aktualisht për veprën penale “fajde”.

Plagë që dëmton ekonominë

Ekspertët thonë se dënimet për fajde duhet të ashpërsohen, për të krijuar pengesë reale ndaj huadhënësve ilegalë.

Shkumbin Misini, profesor i Ekonomisë në kolegjin AAB, thekson se bizneset që përballen me mungesë kapitali ose vështirësi për marrjen e kredive formale shpesh bien pre e fajdeve. Normat e larta të interesit – 20 për qind mujore dhe deri në 200 për qind vjetore – janë, sipas tij, shkatërrimtare.

“Asnjë biznes nuk mund t’i përballojë këto norma. Dhe, për të kthyer borxhin e fajdeve, bizneset punojnë, por me humbje, dhe falimentojnë, ndërsa fajdexhinjtë marrin pronat, makineritë, aksionet e kompanisë”, thotë ai.

Sipas tij, pasojat janë afatgjate për ekonominë: ulin investimet formale, rrisin qarkullimin e parave jashtë sistemit bankar, pakësojnë tatimet dhe dëmtojnë stabilitetin financiar të vendit.

Miftari Kloppner thekson se për të adresuar në mënyrë efektive fenomenin e fajdeve nevojiten ndryshime në legjislacion. Ajo sugjeron që ligji të përcaktojë qartë përgjegjësitë e të dy palëve të përfshira, me qëllim forcimin e zbatueshmërisë dhe uljen e praktikave të huadhënies jashtë kornizës ligjore./REL

Universitetet më të vlerësuara të Zvicrës në vitin 2026

Dy studime të mëdha ndërkombëtare kanë publikuar renditjet e tyre të fundit të universiteteve më të mira në botë, dhe dy nga institucionet e Zvicrës kanë siguruar vende midis më të mirave në botë në këto lista prestigjioze.

Çdo vjeshtë, Renditja Botërore e Universiteteve e Times Higher Education (THE) vlerëson mbi 2,000 universitete në të gjithë botën, duke përdorur një sërë treguesish që përfshijnë mësimdhënien, kërkimin, perspektivën ndërkombëtare dhe lidhjet me industrinë.

Për studimin e Times Higher Education, universitetet u vlerësuan secili nga njëqind në kategori që përfshijnë perspektivën ndërkombëtare dhe aftësinë për të ndihmuar industrinë me inovacione dhe shpikje.

Në botimin e fundit (si në ato të mëparshmet), dy universitete zvicerane renditen relativisht lart, shkruan thelocal, transmeton albinfo.ch.

Instituti Federal Politeknik në Cyrih (ETH) renditet në vendin e 11-të, ndërsa institucioni i tij simotër, EPFL në Lozanë, u rendit në vendin e 35-të.

Çfarë rezultatesh morën këto dy universitete?

ETH mori rezultatin më të lartë (97.2) në kategorinë ‘Mjedisi Kërkimor’, i ndjekur nga (95.1) në ‘Perspektivën Ndërkombëtare’, për një rezultat të përgjithshëm prej 93.1.

Sa i përket EPFL-së, ajo mori një rezultat pothuajse perfekt (99.9) për ‘lidhjet e saj me industrinë’, 95.4 për perspektivën e saj ndërkombëtare.

Megjithatë, nota e saj e ulët në mjedisin e kërkimit (70.8) e uli rezultatin e saj të përgjithshëm në 79.6.

Po universitetet e tjera zvicerane?

Ato u renditën shumë më poshtë se dy politeknikët: Universiteti i Bernës në vendin e 108-të dhe Universiteti i Bazelit në të 120-tin.

Po renditja tjetër ndërkombëtare?

Renditjet Botërore të Universiteteve QS i kushtojnë më shumë rëndësi sesa THE anketave të reputacionit dhe nxitjes së një komuniteti ndërkombëtar.

U anketuan më shumë se 1,500 institucione dhe rezultatet u dhanë gjithashtu bazuar në një sistem 100 pikësh.

Në edicionin e saj të vitit 2026, ETH renditet në vendin e 7-të, duke marrë 99.7 për kategorinë ‘Reputacioni Akademik’ dhe një rezultat të përgjithshëm të fortë prej 96.7.

EPFL është në vendin e 22-të, me 92.7 pikë për sa i përket reputacionit akademik dhe 90.2 pikë në përgjithësi.

Edhe këtu, ekziston një hendek i konsiderueshëm midis dy instituteve teknike dhe universiteteve të tjera zvicerane: universiteti i Cyrihut është në vendin e 100-të, Gjeneva (155), Bazeli (158), Berna (184) Lozana (212).

Duke folur për shkollat ​​më të mira, cili është ndryshimi midis ETH dhe EPFL?

I pari është një universitet kërkimor që përqendrohet ekskluzivisht në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë.

Nga ana tjetër, EPFL specializohet në shkencat natyrore dhe inxhinieri.

Këto janë fakte interesante rreth ETH:

  • U themelua në vitin 1855 nga qeveria zvicerane për të trajnuar inxhinierë dhe shkencëtarë.
  • Sot 18,000 studentë nga mbi 100 vende të ndryshme studiojnë në ETZ, 3,800 prej të cilëve janë studentë doktorature.
  • Deri më tani, 21 Çmime Nobel u janë dhënë studiuesve që kanë ose kanë pasur lidhje me ETH Zurich.

Ndërmjetësuesit të dialogut Kosovë-Serbi i zgjatet mandati edhe për dy vjet

Ndërmjetësuesi i dialogut Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, do të jetë në këtë pozitë edhe për dy vjet.

Sorensen do të vazhdojë edhe për së paku dy vjet si i dërguar i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialog mes Kosovës dhe Serbisë, teksa për këtë janë pajtuar tashmë vendet anëtare dhe pritet që në javët në vijim kjo gjë vetëm të formalizohet. Mësohet kjo nga burimet diplomatike në Bruksel, të cilat thonë se paralelisht Këshilli i BE-së duhet edhe të miratojë buxhetin për punën e ekipit të Sorensenit. Për vazhdimin e mandatit të Sorensenit propozimin e kishte dhënë sipas procedurave Përfaqësuesja e Lartë për politikë të jashtme dhe siguri Kaja Kallas dhe me këtë, pas disa diskutimeve në strukturat e Këshillit, janë pajtuar vendet anëtare.

Mandati i tij skadon në muajin shkurt, pasi ai fillimisht ishte emëruar në këtë post për vetëm 13 muaj.

Gjatë vitit të parë të mandatit të Sorensen në postin e të dërguarit të posaçëm për dialog nuk ka pasur fare takime në nivel të lartë, ndërsa takimet në nivel të kryenegociatorëve nuk kanë prodhuar asnjë progres. Ato takime janë shfrytëzuar vetëm për të shkëmbyer akuzat e palëve ndaj njëra-tjetrës, ndërsa BE-ja vetëm ka shprehur pakënaqësi për mungesën e vullnetit të palëve për të kryer obligimet e tyre.

Për mungesë të progresit në dialog, BE-ja kësaj radhe shkakun e gjen te situata e brendshme politike si në Kosovë ashtu edhe në Serbi. Por edhe në këto kushte thonë se Përfaqësuesja e Lartë, Kaja Kallas, mbetet e gatshme të organizojë një takim të nivelit të lartë sapo palët të jenë të gatshme për këtë. Por kjo nuk pritet të ndodhë para se të përmbyllet procesi i zgjedhjeve të reja në Kosovë dhe të themelohet qeveria pas tyre.

Trumpi me paralajmërim për kompanitë ajrore: Qëndroni larg Venezuelës

Presidenti amerikan Donald Trump përmes një postimi në rrjetet sociale u ka kërkuar të gjitha linjave ajrore, pilotëve dhe grupeve kriminale që të konsiderojnë hapësirën ajrore mbi dhe rreth Venezuelës si të mbyllur plotësisht, teksa tensionet me Caracasin po rriten.

Duke pasur parasysh se SHBA-ja nuk ka autoritet të mbyllë hapësirën ajrore të një shteti tjetër, deklarata e Trumpit pritet të ndikojë në vendimet e kompanive ajrore dhe të krijojë pasiguri në fluturimet drejt e nga Venezuela, transmeton albinfo.ch.

“Për të gjitha linjat ajrore, pilotët, trafikantët e drogës dhe trafikantët e qenieve njerëzore, ju lutem konsideroni SE HAPËSIRA AJRORE MBI DHE PËRRETH VENEZUELËS ËSHTË PLOTËSISHT E MBYLLUR. Faleminderit për vëmendjen ndaj kësaj çështjeje!”, ka shkruar ai në “Truth Social”.

Mediat në SHBA kanë konsideruar se ky postim mund të jetë ose një presion psikologjik ndaj regjimit të Nicolas Maduros, ose një paralajmërim i vërtetë për ndërhyrje ushtarake.

Autoritetet zvicerane duan të përmirësojnë procedurat e azilit

Sistemi i azilit në vend, i ristrukturuar gjashtë vjet më parë, ka vërtetuar vlerën e tij, thanë autoritetet të premten. Megjithatë, përmirësimet janë të nevojshme, veçanërisht në aspektin e përshpejtimit të procedurave, shtuan ata.

Në një konferencë, përfaqësues nga tre nivelet e qeverisjes në Zvicër (federal, kantonal dhe komunal), përfshirë Ministrin e Drejtësisë Beat Jans, vunë në dukje se nevojiteshin rregullime të ndryshme. Sipas një njoftimi për shtyp nga ministria e Jans, sistemi po arrin kufijtë e tij dhe po bëhet më pak efikas, veçanërisht në kohë presioni, shkruan swissinfo, transmeton albinfo.ch.

Për këtë qëllim, konferenca miratoi Strategjinë e Azilit 2027. Sa i përket procedurave të azilit, numri i rasteve në pritje duhet të zvogëlohet me shpejtësi, ranë dakord ata. Disa po zgjasin më shumë se sa pritej, gjë që po ka ndikim në kantone dhe komuna. Duhet të shqyrtohet një procedurë paraprake.

Sistemi gjithashtu duhet të jetë më elastik në mënyrë që të përthithë më mirë luhatjet në aspektin e numrave. Rregullime duhet të bëhen edhe në aspektin e sigurisë.

Temperaturat e vjeshtës në Zvicër brenda kufijve normalë

Mesatarisht, temperaturat në shtator, tetor dhe nëntor ishin brenda intervalit normal, sipas Zyrës Federale për Meteorologji, MeteoSwiss.

Temperaturat e vjeshtës së këtij viti devijuan me 0.1°C nga vlera referuese, shkroi MeteoSwiss të premten; sezoni i vitit 2025 ishte i 30-ti më i ngrohtë në vend që nga fillimi i regjistrimeve.

Midis viteve 1991 dhe 2020, temperatura mesatare e një vjeshte zvicerane ishte 6.4°C.

Sipas MeteoSwiss, fillimi i vjeshtës këtë vit ishte shumë i lagësht. Në stacionin matës të Leukerbad, reshjet në tetor arritën nivelin e pestë më të lartë në 140 vjet, transmeton albinfo.ch.

Nëntori e kompensoi këtë me diell mbi mesataren në të gjithë Zvicrën.

Valbona Gashi prezanton “Gjurmët në Medalion” në Gjenevë dhe Bernë

Artistja e njohur Valbona Gashi shënoi hapjen e dy ekspozitave personale të saj me titullin “Gjurmët në Medalion”, të cilat u organizuan respektivisht në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Gjenevë dhe në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bernë, shkruan albinfo.ch.

Në Gjenevë, ekspozita paraqiti një përzgjedhje veprash të realizuara me mjeshtëri, duke përfshirë medalione dhe piktura ku motivet tradicionale ndërthuren me qasje bashkëkohore, duke rikthyer simbolikën e pasur kulturore shqiptare në një interpretim modern. Atmosferën e mbrëmjes e pasuroi violonçelistja Laura Goga, e cila me interpretimin e saj krijoi një ambient solemn dhe i dha hapjes së ekspozitës një dimension të veçantë artistik.

Në fjalën e saj, udhëheqësja e Konsullatës së Përgjithshme, Floreta Kabashi, falënderoi të pranishmit dhe theksoi angazhimin e vazhdueshëm të institucionit për promovimin e vlerave kulturore të Kosovës në Gjenevë. Konsullata shprehu mirënjohje për artisten Gashi, violonçelisten Goga dhe të gjithë pjesëmarrësit që e bënë këtë mbrëmje një sukses të vërtetë kulturor.

Ndërkohë, në Bernë, ekspozita u organizua me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit Kombëtar, përkujtimit të daljes së parë publike të UÇK-së dhe ditëlindjes së Adem Jasharit. Mbrëmja u hap me interpretimin e Gentiana Tafilajt, e cila intonoi Himnin e Kosovës, ndërsa Kori Lulekuqet solli një atmosferë të ngrohtë dhe festive me këngë heroike dhe Himnin Kombëtar. Ndërkohë, Oliver Dushi me lahutën e tij solli interpretime kushtuar Skënderbeut, duke i dhënë ngjarjes ndjesinë e krenarisë dhe lidhjes me rrënjët tona.

albinfo.ch
albinfo.ch

Atmosfera e mbrëmjes u përjetua si një moment i veçantë bashkimi, arti dhe vlerësimi për kulturën shqiptare. Punimet e artistes do të jenë të ekspozuara edhe në ditët në vijim, duke ofruar mundësi të mëtejshme për publikun që të njohë veprat e saj.

Lexoni po ashtu:

Ekspozita personale “Gjurmët në Medalion” e Valbona Gashit hapet në Konsullatën e Kosovës në Gjenevë

Tre të rinj të lënduar në një aksident në autostradën A51

Tre të rinj u lënduan rëndë në një aksident në autostradën A51 pranë Bülach në kantonin e Cyrihut, pasi drejtuesi i një automjeti humbi kontrollin mbi makinën e tij, përcjell albinfo.ch.

Policia kantonale e Cyrihut njoftoi se incidenti ndodhi para daljeve Bülach-West dhe se tre të rinj të tjerë, 19 vjeç, u arrestuan pasi dyshohet se po udhëtonin në një makinë tjetër të përfshirë në ngjarje, përcjell tutje albinfo.ch.

Zjarrfikësit nxorrën të lënduarit nga automjeti, ndërsa shërbimet e emergjencës i transportuan djemtë, të moshës 18-19 vjeç, në spitalet përreth.

Për më shumë detaje – https://www.blick.ch/schweiz/zuerich/polizei-verhaftet-beteiligte-drei-junge-maenner-bei-unfall-auf-der-a51-verletzt-id21469061.html

Laura një fitore larg medaljes

Laura Fazliu e ka fituar luftën e parë të repesazhit në Grand Slamin e xhudos në Abu Dabi.

Në kategorinë deri 63 kg, Laura e mposhti xhudisten e Austrisë, Lubjana Piovesana. Ndaj saj fitoi me uazari.

Laurës tani i duhet edhe një fitore për medalje të bronztë.

Krimi i organizuar i makinave, të rinjtë francezë kryejnë vjedhje në garazhet zvicerane

Vjedhja e makinave luksoze po bëhet gjithnjë e më e zakonshme edhe në Zvicër, sipas një hulumtimi të programit “10 vor 10”. Shpesh pas këtyre krimeve qëndrojnë të rinj nga Franca, të cilët veprojnë për llogari të grupeve kriminale dhe kalojnë kufirin për të kryer vjedhjet, përcjell albinfo.ch.

Sipas Zyrës Federale të Policisë (Fedpol), vetëm gjatë këtij viti janë raportuar 180 raste të tilla. Një nga incidentet e fundit ndodhi në Oberentfelden, kantoni Aargau, ku dy të rinj francezë hynë në garazhin e një tregtari makinash, vodhën dy BMW dhe më pas përplasen gjatë tentativës për t’u arratisur nga policia. Autorët, 17 dhe 19 vjeç, u arrestuan menjëherë nga autoritetet.

Fedpol thekson se ky nuk është një rast i izoluar, duke treguar se krimi i organizuar po synon gjithnjë e më shumë automjetet luksoze në territorin zviceran.

https://www.srf.ch/news/schweiz/fedpol-meldet-180-faelle-autodiebe-aus-frankreich-steigen-in-schweizer-garagen-ein

Cyrihu alarmon mungesën e Shën Nikollës dhe ndihmësve të tij

Me afrimin e 6 dhjetorit, Ditës së Shën Nikollës, qyteti më i madh i Zvicrës po përballet me mungesë të figurave kryesore të festës, përcjell albinfo.ch.

Sipas Philipp Rellstab nga Shoqëria e Shën Nikollës në Cyrih, kërkesa për Shën Nikolla dhe “Schmutzli” është më e lartë se vitet e kaluara. “Kërkesa është edhe më e madhe se në vitet e mëparshme,” deklaroi ai.

Arsyeja kryesore për këtë mungesë lidhet me faktin se shumë prej personave që tradicionalisht veshen si Shën Nikolla dhe ndihmësit e tij të errët, Schmutzli, po plaken, ndërsa të rinjtë tregojnë gjithnjë e më pak interes për të marrë rolin, tha Rellstab.

Ky deficit tashmë po ndikon organizimet e festave tradicionale të Shën Nikollës nëpër shkolla, lagje dhe aktivitete komunitare në Cyrih.

120 mijë letra origami për flamurin shqiptar: Arbnora drejt rekordit botëror

rtistja shqiptare Arbnora Fejza Idrizi po përgatitet të shënojë një tjetër arritje të rëndësishme në artin e mozaikut, duke realizuar fotografinë gjigante të flamurit kombëtar shqiptar përmes mozaikut më të madh origami në botë. Vepra përbëhet nga rreth 120.000 letra të palosura në formën e piramidave, një proces që ka kërkuar durim, saktësi dhe mjeshtëri të lartë, përcjell albinfo.ch.

Mozaiku mbulon një sipërfaqe prej 1300 metrash katrorë, duke e bërë atë një nga instalacionet më mbresëlënëse artistike të këtij lloji. Përmes kësaj vepre monumentale, artistja synon të theksojë simbolikën e flamurit shqiptar dhe të shfaqë fuqinë e artit si mjet inovacioni dhe bashkimi kulturor.

Arbnora pritet të regjistrojë këtë punim si rekordin e saj të radhës në “Guinness World Records”, duke e shpallur mozaikun origami të flamurit shqiptar si më të madhin në botë. Ky do të jetë rekordi i dytë për artisten, e cila tashmë figuron në librin e rekordeve me mozaikun më të madh origami kushtuar flamurit të Kosovës.

Baleti Kombëtar i Kosovës hap turneun në Itali me shfaqjen monumentale “Carmina Burana”

Baleti Kombëtar i Kosovës ka nisur prezencën e tij në Itali me një nga produksionet më të fuqishme të repertorit, “Carmina Burana”, duke u bërë pjesë e festivalit ndërkombëtar VeneziaDansa2025. Ky përfaqësim shënon një hap të rëndësishëm për zhvillimin dhe afirmimin ndërkombëtar të trupës kosovare, përcjell albinfo.ch.

Shfaqja e parë do të jepet sot, më 29 nëntor 2025, në Teatrin historik Malibran të Venecias, ku pritet të tërheqë vëmendjen e publikut dhe kritikëve të artit. Performanca e dytë do të mbahet më 1 dhjetor 2025 në Potenza, duke i ofruar publikut italian një tjetër mundësi për të parë interpretimin e BKK-së.

“Carmina Burana”, e njohur për ritmin imponues, koralet madhështore dhe energjinë skenike, përfaqëson një nga pikat kulmore të repertorit të Baletit Kombëtar të Kosovës. Përmes kësaj vepre, trupa demonstron nivelin e lartë artistik dhe rritjen e vazhdueshme institucionale.

Turneu në Itali konsiderohet një sukses i radhës për BKK-në, e cila po rrit bashkëpunimin ndërkombëtar dhe po forcon prezencën e artit baletik nga Kosova në skenat evropiane.