Sulm me armë në Nju-Jork: Pesë të vdekur, mes tyre edhe sulmuesi

Raportohet se katër persona, ndër ta një polic, kanë humbur jetën pasi një sulmues i armatosur hyri në një ndërtesë të Manhattanit në Nju-Jork dhe hapi zjarr ndaj tyre, kanë bërë të ditur zyrtarët.

Krahas kësaj, një tjetër person raportohet se është në gjendje kritike shëndetësore, teksa dorasi ka kryer vetëvrasje.

Dorasi 27-vjeçar, Shane Tamura, nga Las Vegasi, hyri në një ndërtesë në Park Avenue të Manhattanit të hënën në mbrëmje dhe hapi zjarr në hollin kryesor, përpara se të merrte ashensorin për në katin e 33-të me qëllimin për të vazhduar sulmin e tij, ka raportuar BBC.

Autori i sulmit duket se kishte udhëtuar me makinë nga Las Vegasi drejt bregut lindor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Policia ka njoftuar se ai ishte i njohur për probleme të shëndetit mendor gjersa janë ende në kërkim të motivit për sulmin.

Ndërtesa shumëkatëshe është seli e Ligës Kombëtare të Futbollit Amerikan (NFL), si dhe e gjigantëve financiarë si “Blackstone”, “KPMG” dhe kompanive të tjera të mëdha.

Komisionerja e Policisë së New Yorkut, Jessica Tisch, ka deklaruar se autori kishte vepruar i vetëm. 

Në konferencën për shtyp, ajo ka bërë të ditur se një tjetër viktimë ishte qëlluar dhe se ndodhet në “gjendje kritike por të qëndrueshme”.

Oficeri i vrarë, Didarul Islam, emigrant nga Bangladeshi dhe baba i dy fëmijëve, kishte shërbyer në Departamentin e Policisë së New Yorkut për tre vjet e gjysmë.

Zyrtarët lokalë dhe autoritetet e nderuan Islamin, duke thënë se ai vdiq si një “hero”.

“Ai po bënte punën që i kishim kërkuar të bënte. E bëri sakrificën më të madhe”, ka thënë Tisch.

Sekuestrohen gjashtë armë në Pejë

Policia në rajonin e Pejës gjatë javës që shkoi ka sekuestruar një numër të konsiderueshëm të armëve dhe municionit.

Sipas njoftimit nga Policia, nga data 21.07.2025 – 28.07.2025 janë gjetur dhe sekuestruar:Gjashtë (6) armë pistoleta të llojeve të ndryshme. Tetëdhjetë e shtatë (87) fishekë kalibra të ndryshëm. Shtatë (7) karikatorë të armëve përkatëse. Gjashtë (6) gëzhoja. Katër (4) nga këto armë janë gjetur dhe sekuestruar në ahengje.

“Janë arrestuar nga zyrtarët policorë gjashtë (6) persona të dyshuar, të cilët pas intervistimit nga hetuesit, me urdhër të prokurorit të Shtetit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

Xhaka zbarkon në Angli për t’u bashkuar me klubin e ri

Bëhet e ditur se Granit Xhaka është fotografuar duke zbritur në Wearside (Sunderland) për të kryer kontrollin mjekësor, pas nënshkrimit të një marrëveshjeje për një transfertë prej 20 milionë euro nga Bayer Leverkusen, përcjell albinfo.ch.

Xhaka ishte shumë i rëndësishëm për Bayer Leverkusen dhe trajneri i ri, Erik ten Hag, më parë kishte deklaruar se klubi nuk kishte ndërmend ta shiste, për shkak të rolit të tij udhëheqës

Sunderland ka bërë një investim të madh këtë verë, me të paktën 100 milionë euro të shpenzuara për afrim të lojtarëve si Simon Adingra, Habib Diarra, Chemsdine Talbi, Noah Sadiki dhe Enzo Le Fée duke e bërë Xhakën një ndër nënshkrimet më spikature të fushatës për konsolidimin në Premier League.

FSK i bashkohet operacionit për gjetjen e trupit të mërgimtarit në liqenin e Ujmanit

Së fundmi, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se njësitet e specializuar të zhytjes dhe kërkim shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të martën në mëngjes janë angazhuar në mbështetje të autoriteteve civile për kërkimin e trupit të mërgimtarit i cili është hedhur në liqenin e Ujmanit në Komunën e Zubin-Potokut, përcjell albinfo.ch. 

“Forca e Sigurisë së Kosovës në kuadër të detyrave të saj thelbësore ka edhe mbështetjen e autoriteteve civile. Në këtë aspekt në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Policinë e Kosovës dhe bashkërendim me KFOR, ekipet e specializuara të FSK kanë filluar operacionin e kërkimit në liqenin e Ujmanit me synimin që sa më shpejtë të nxirret trupi i mërgimtarit dhe ti lehtësohet dhimbja familjes”, ka shkruar Maqedonci në Facebook.

Të dielën një mërgimtar dyshohet se është mbytur pasi është hedhur nga ura në Liqenin e Ujmanit.

 

Livia Sadikaj shpallet studentja më e mirë e vitit në ACT College Thessaloniki

Bëhet fjalë për Livia Sadikaj, e cila ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm akademik duke u shpallur studentja më e mirë e vititACT College Thessaloniki në Greqi, transmeton albinfo.ch.

E diplomuar në fushën e Administrimit të Biznesit, ajo është nderuar me çmimin prestigjioz “Elizabeth Yphantis Demeter Memorial Prize for Excellence in Business Administration”, një vlerësim që i jepet studentëve me arritje të larta akademike dhe cilësi të rralla personale.

Livia është dalluar jo vetëm për rezultatet në studime, por edhe për aftësitë e saj kërkimore, shkathtësitë në lidership dhe qasjen gjithëpërfshirëse që ka treguar gjatë gjithë rrugëtimit të saj universitar. Ajo ka lënë gjurmë në institucionin ku ka studiuar, duke u bërë shembull frymëzimi për të gjithë bashkëmoshatarët e saj.

Ky sukses i Livias është një dëshmi e përkushtimit, punës së palodhshme dhe ambicies për të qenë më e mira në çdo fushë që synon. Ajo përfaqëson me dinjitet dhe krenari të gjithë komunitetin shqiptar në arenën ndërkombëtare të arsimit.

Një emër për të cilin do të dëgjojmë edhe shumë në të ardhmen, Livia Sadikaj, një model për gjeneratat e reja./Albinfo.ch

Gjendja në pikat kufitare mëngjesin e sotëm

Qendra Kombëtare për Menaxhimin Kufitar ka përditësuar të dhënat në lidhje me gjendjen në pikat kufitare, shkruan albinfo.ch. 

Sipas përditësimit të fundit, situata paraqitet e qetë në të gjitha pikat.

Me rritjen e ardhjeve të mërgimtarëve, autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të informohen paraprakisht për gjendjen në kufi, për të shmangur pritjet e gjata gjatë ditëve në vijim.

 

Në kryeqytetin e Kosovës jehoi zëri i dy operistëve shqiptarë me famë botërore

Prishtina përjetoi një mbrëmje magjike nën tingujt e operës, ku zërat e dy emrave të mëdhenj të skenës operistike shqiptare, Ramë Lahaj dhe Marigona Qerkezi, u bashkuan për herë të parë në një performancë të përbashkët, shkruan albinfo.ch.

Në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Operës “Ramë Lahaj”, i cili tashmë është shndërruar në një ngjarje të rëndësishme kulturore në Kosovë dhe më gjerë, publiku pati mundësinë të dëgjojë një interpretim të veçantë dhe emocional të aries nga opera “Tosca” e kompozitorit italian Giacomo Puccini.

Kjo paraqitje, e cila u realizua në formë të një “bis”-i për publikun, u mbajt në hapësirën para Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe përbën herën e parë që sopranoja Marigona Qerkezi dhe tenori Ramë Lahaj ndajnë të njëjtën skenë.

Interpretimi i tyre i jashtëzakonshëm i dha një dimension të ri atmosferës së Prishtinës, duke sjellë për publikun një përjetim artistik të nivelit më të lartë. Kjo dalje në skenë vjen në një moment të rëndësishëm për Qerkezin, e cila së shpejti do të ngjitet në skenën prestigjioze të Operës Mbretërore të Kopenhagës me të njëjtën arie.

Ky bashkëpunim simbolik mes dy artistëve të shquar është një dëshmi e fuqisë së artit për të bashkuar dhe frymëzuar, si dhe e ngritjes së kulturës shqiptare në skenat më të rëndësishme ndërkombëtare.

FIFA akuzon sindikatën e lojtarëve për mashtrim dhe shantazh

FIFA ka ngritur akuza të rënda ndaj FIFPro-s, sindikatës ndërkombëtare të futbollistëve, duke e akuzuar për “shantazh”, “mashtrim” dhe mungesë transparence në lidhje me financat e saj. Në një reagim të fortë publik, FIFA theksoi se FIFPro ka përdorur sulme personale dhe mungesë respekti, duke pohuar se kjo sindikatë nuk përfaqëson më realisht interesat e lojtarëve.

Tensionet mes dy organizatave janë shtuar ndjeshëm për shkak të kalendarit gjithnjë e më të ngjeshur të ndeshjeve dhe shqetësimeve për shëndetin e futbollistëve. Para finales së Kupës së Botës për Klube, FIFA vendosi të sigurojë të paktën tre javë pushim gjatë jashtë sezonit dhe 72 orë ndërmjet ndeshjeve – vendime të marra pa praninë ose kontributin e përfaqësuesve të FIFPro-s.

“FIFPro ka preferuar të zgjedhë konfliktin publik në vend të një bashkëpunimi të sinqertë,” deklaroi një zëdhënës i FIFA-s. Ai theksoi se reformat e reja janë në funksion të mbrojtjes së lojtarëve, duke përmendur si shembull futjen e pesë zëvendësimeve dhe protokollet e tronditjeve si hapa konkretë.

Nga ana tjetër, kreu i FIFPro-s, Sergio Marchi, e kritikoi FIFA-n se po vë përfitimin financiar mbi shëndetin e lojtarëve, duke përmendur shembullin e Kupës së Botës për Klube që u zhvillua në kushte ekstreme. Ai vuri në dukje se Chelsea, fituesi i këtij turneu më 13 korrik, kishte vetëm 35 ditë pushim para fillimit të sezonit të Premier League – një periudhë që konsiderohet e pamjaftueshme për rikuperim.

FIFPro ka akuzuar gjithashtu FIFA-n për sjellje autoritare dhe për neglizhimin e kërkesave të lojtarëve. Deri tani, 58 sindikata lojtari kanë shprehur shqetësime të ngjashme.

Në fund, FIFA i ka bërë thirrje FIFPro-s që të rikthehet në dialog, por vetëm pasi të ndalojë presionin publik dhe të publikojë të dhënat financiare, statutet dhe listën e plotë të anëtarëve që ajo pretendon se përfaqëson.

Çmimet e ulëta të Uber ndezin zemërimin e taksistëve në Ticino

Ka kaluar një vit që nga ardhja e shërbimit të transportit privat Uber në kantonin jugor të Ticinos. Ndërsa kompania amerikane e konsideron zgjerimin e saj si një sukses, reagimet nga taksistët lokalë dhe autoritetet janë të përziera.

Sipas Uber, aplikacioni ka pësuar rritje të ndjeshme në Lugano dhe në të gjithë kantonin. Dhjetëra shoferë taksish apo automjetesh me qira kanë mundur të rrisin të ardhurat përmes kësaj platforme. Kompania thekson se synon të bashkëpunojë me autoritetet dhe shoferët për të maksimizuar ndikimin pozitiv në rajon.

Megjithatë, sindikata Unia ka kërkuar qartësi ligjore, veçanërisht pasi Gjykata Federale në Zvicrën frëngjishtfolëse ka vendosur që Uber duhet të trajtohet si punëdhënës dhe të paguajë kontributet sociale. Në Ticino, ky status mbetet i paqartë.

Në nivel politik, gjithashtu mungon vendosmëria. Ndërkohë që një mocion për standardizimin e sektorit të taksive në nivel kantonal është ende në pritje, autoritetet lokale dhe kantonale hezitojnë të marrin përgjegjësi, transmeton albinfo.ch.

Reagime të ndryshme nga taksistët Gazetarët e RSI kanë intervistuar taksistë në Locarno, Bellinzona dhe Lugano. Disa prej tyre thonë se Uber ua ka vështirësuar ndjeshëm punën, ndërsa të tjerë e përdorin vetë platformën për të parë nëse u leverdis. Ka edhe nga ata që nuk vërejnë ndryshime të mëdha, për shkak të klientelës së qëndrueshme.

Kritika për strategjitë e çmimeve Marco Ruocci, nënkryetari i Shoqatës së Taksistëve në Lugano, kritikon çmimet agresive të Uber-it, duke theksuar se është pothuajse e pamundur të konkurosh. Ai përmend se tarifa lokale është rreth 4.60 franga për kilometër, ndërsa Uber ofron udhëtime për vetëm 1 frang.

Ruocci thotë se shërbimi luksoz UberX e ka përkeqësuar situatën, duke ofruar makina luksoze me çmime më të ulëta se shërbimet standarde. Ai kërkon dialog me autoritetet, por thekson se ende nuk është e qartë se kush është përgjegjës për këtë çështje – komuna apo kantoni.

Rritet puna në bizneset kosovare falë diasporës

Mërgata vazhdon të jetë një faktor kyç për zhvillimin ekonomik të Kosovës, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e punës dhe aktivitetit në sektorin e bizneseve. Vetëm gjatë pesë muajve të parë të këtij viti, nga diaspora u dërguan mbi 530 milionë euro, një rritje e ndjeshme krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Nga Oda e Hotelerisë dhe Turizmit theksuan për televizionin publik të Kosovës se kjo rritje në dërgesa është një infuzion jetik për bizneset vendore, duke sjellë më shumë punë dhe fluks aktiviteti, veçanërisht gjatë sezonit veror kur mërgimtarët vijnë për pushime në Kosovë. Nga kjo odë theksuan se nga 26 korriku ka nisur të rritet fluksi i punës për shkak të ardhjes së mërgimtarëve, përcjell albinfo.ch.

Të dhënat e Bankës Qendrore tregojnë se dërgesat nga emigrantët janë në rritje të vazhdueshme, duke shënuar më shumë në muajt pasues, ndërsa më së shumti kontribuojnë vendet si Gjermania, Zvicra, Italia dhe Austria.

Njohës të ekonomisë vlerësojnë se ky rol i diasporës është thelbësor për stabilitetin dhe zhvillimin e ekonomisë së vendit, duke nxitur rritjen e punës dhe zhvillimin e bizneseve.

Albulenë Kastrati, ligjëruese universitare në Amerikë, tha se është e rëndësishme që Kosova të organizojë aktivitete për mërgatën e po ashtu të zhvillojë politika për tërheqjen e investimeve nga ta.

Sa u përket investimeve të huaja nga Ministria e Industrisë i kanë thënë RTK-së se ka një trend të qëndrueshëm të tyre, për çka sipas MINT po reflektohet besimi i investitorëve në ekonominë e vendit.

Greta Thunberg viziton Kosovën: Aktivistja e njohur ndalet në Reporting House

Aktivistja e njohur për të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e mjedisit, Greta Thunberg, po qëndron për një vizitë dyditore në Kosovë. Sot, ajo vizitoi muzeun Reporting House, ku pati mundësinë të njihej më nga afër me historinë e aktivizmit qytetar në vend.

Gjatë qëndrimit të saj në muze, Thunberg u takua me përfaqësues të organizatës Termokiss dhe grupe të tjera rinore nga Kosova. Ajo kaloi dy orë në muze, duke u informuar për protestat dhe rezistencën qytetare të viteve ’90, përmes një ekspozite që ndriçon këtë pjesë të rëndësishme të historisë kosovare.

Greta u mirëprit nga producentja Jeta Xharra dhe kuratori i muzeut Gazmend Ejupi. Së bashku me artistin e ri Vullnet Jakupi, ata prezantuan veprat e artit bashkëkohor që trajtojnë temat e aktivizmit dhe drejtësisë shoqërore, përfshirë instalacionin “Shkollat-Shtëpia” nga vetë Jakupi.

Më tej, Thunberg vizitoi edhe Galerinë e Reporting House, ku është e ekspozuar vepra “Fragmente të mbijetesës” nga artisti 18-vjeçar nga Gaza, Hussein al-Jerjaëi. Ekspozita trajton realitetin e dhimbshëm të jetës nën rrethim dhe luftë.

Sipas një komunikate nga Reporting House, Thunberg shprehu interes për reagimin e politikës dhe shoqërisë kosovare ndaj ngjarjeve në Gaza. E shoqëruar nga aktivistë të rinj kosovarë, ajo falënderoi përzemërsisht qytetarët për mikpritjen dhe ngrohtësinë.

 

 

Policia e Kosovës apelon për kujdes: Mos kërceni nga ura në Liqenin e Ujmanit

Një ngjarje tragjike ka ndodhur të dielën në Liqenin e Ujmanit, ku dyshohet se një mërgimtar 33-vjeçar, Rr. Latifi, është hedhur nga ura në një lartësi prej rreth 20 metrash.

Përkundër përpjekjeve të vazhdueshme të njësive të kërkim-shpëtimit, trupi i të riut ende nuk është gjetur, edhe pse kanë kaluar më shumë se 24 orë nga raportimi i rastit.

Lidhur me këtë rast ka reaguar zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani. Ai ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë për qytetarët dhe mërgimtarët që vizitojnë zonën që të mos kërcejnë nga ura.

“Qytetarët dhe mërgimtarët nuk duhet ta shohin këtë urë si të papërfillshme për nga lartësia. Vetëm pse kanë parë profesionistë që kërcejnë nëpër media, nuk do të thotë që është e sigurt për ta. Ne tani mund të shpresojmë vetëm të gjejmë trupin,” – tha Elshani, duke theksuar rrezikun dhe dhimbjen e madhe që po përjeton familja e të ndjerit.

Ai gjithashtu ngriti shqetësimin për mungesën e sinjalistikës në atë pjesë të liqenit dhe theksoi nevojën për masa parandaluese.

“Do të bisedojmë me kompaninë ‘Ibër Lepenci’ për të sqaruar nëse vendosja e shenjave paralajmëruese bie në kompetencën e tyre apo të Komunës. Besoj se kjo do të zgjidhet. Edhe nëse ka tabela, nëse mungon vetëdija, rreziku mbetet i pranishëm,” shtoi ai.

Autoritetet njoftojnë se operacioni i kërkimit do të vazhdojë me intensitet, ndërsa i bëjnë apel të gjithë qytetarëve të shmangin veprimet e rrezikshme dhe të tregojnë kujdes maksimal në zonat e liqenit.

Driton Kuka ngre alarmin për të ardhmen e sportit në Kosovë, thirrje publike edhe për deputetët

Trajneri i njohur i xhudos, Driton Kuka, ka reaguar fuqishëm në rrjete sociale, duke shprehur shqetësimin e tij për gjendjen aktuale të sportit në Kosovë. Në një mesazh të drejtpërdrejtë ndaj politikës dhe institucioneve shtetërore, ai ka kërkuar veprim të menjëhershëm.

Në statusin e publikuar këtë të hënë, Kuka u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të reflektojnë dhe të formojnë institucionet përgjegjëse, duke theksuar rëndësinë e tyre për funksionimin normal të shtetit, përfshirë edhe sportin.

“Performanca e grupmoshave të reja ka ngecje serioze, dhe investimi në klube – veçanërisht në trajnerët e grupmoshave – është e vetmja dritë në fund të tunelit”, shkruan Kuka, duke paralajmëruar se mungesa e një strategjie të qartë dhe e mbështetjes sistematike do të ketë pasoja të rënda për të ardhmen e sportit në vend, transmeton albinfo.ch.

Ai ka propozuar ndërtimin e një Kodi të veçantë buxhetor për sportin, i cili do të mundësonte shpërndarjen e drejtpërdrejtë të fondeve nga niveli qendror në komuna dhe klube sportive, sipas praktikave të vendeve të zhvilluara.

Trajneri shton gjithashtu se rezultatet në EYOF Shkup 2025 janë një “sinjal alarmi” për të gjitha institucionet e sportit në vend. “Rezultatet atje do duhej të shkundin mirë çdo pore të institucioneve tona sportive”, u shpreh ai.

Driton Kuka, një prej figurave më të suksesshme në sportin kosovar, i cili prej vitesh ka ngritur flamurin e Kosovës në arenat më prestigjioze botërore, i drejtohet publikut dhe vendimmarrësve me një thirrje të fortë për ndërgjegjësim dhe veprim konkret në këtë moment kritik për sportin dhe zhvillimin institucional në Kosovë.

 

Turqia shënon temperaturën më të lartë ndonjëherë prej 55°C 

Turqia po përballet me një valë ekstreme të të nxehtit që ka përfshirë juglindjen e vendit, duke çuar temperaturat në nivele rekord. Në qytetin Sanliurfa, termometri ka arritur në 55 gradë Celsius, temperatura më e lartë e regjistruar ndonjëherë në historinë moderne të vendit, sipas të përditshmes gjermane Bild.

Edhe qytete të tjera si Kiziltepe, Cizre dhe Nusaybin kanë shënuar temperatura përvëluese përkatësisht me 49.6°C, 49.4°C dhe 49.3°C.

Sipas Ministrisë së Mjedisit në Turqi, 132 stacione meteorologjike në të gjithë territorin kanë raportuar rekorde të reja për muajin korrik. Vala e të nxehtit, që e ka goditur rajonin lindor të Mesdheut që nga fillimi i javës, pritet të zgjasë edhe për disa ditë të tjera.

 

Kapet me 113 km/h në zonë 60, mërgimtari nga Zvicra gjobitet, rasti i përcillet autoriteteve zvicerane

Një mërgimtar shqiptar me leje drejtimi të lëshuar nga autoritetet zvicerane është ndaluar nga Policia e Kosovës në aksin rrugor Gjilan–Kamenicë, pasi u kap duke vozitur me 113 km/h në një zonë ku kufizimi është vetëm 60 km/h.

Bëhet e ditur se ndaj tij është shqiptuar një gjobë prej 300 eurosh për tejkalim të shpejtësisë si dhe një ndalim tre mujor për drejtimin e automjeteve në territorin e Republikës së Kosovës.

Zyrtarët e policisë kanë bërë të ditur se, bazuar në marrëveshjen dypalëshe për bashkëpunim ligjor në fushën e trafikut rrugor mes Kosovës dhe Zvicrës, rasti do t’i përcillet autoriteteve kompetente në Zvicër për veprime të mëtejshme administrative, transmeton albinfo.ch.

“Në pajtim me marrëveshjen ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Konfederatës Zvicerane, gjoba dhe masa ndëshkuese do të raportohen te institucionet përgjegjëse në Zvicër”, thuhet në njoftim.

 

Autostradat, në qendër të strategjisë diellore të Konfederatës

Në Yverdon-les-Bains po instalohen rreth 2,400 panele diellore fotovoltaike mbi urën më të gjatë të autostradës në Zvicër. Ky është projekti i parë i këtij shkalle në Zvicrën frankofone.

Zyra Federale e Rrugëve (FEDRO) prezantoi të hënën strategjinë e saj për ndërtimin e këtij projekti ikonik. Konfederata po llogarit në këtë lloj instalimesh për të përshpejtuar zhvillimin e energjisë diellore.

Sot, energjia diellore prodhon 7.5% të elektricitetit në Zvicër, me panele të vendosura kryesisht mbi ndërtesa. Infrastrukturat e reja përgjatë rrugëve dhe hekurudhave pritet që në të ardhmen të përmbushin nevojat vjetore të rreth 22,000 familjeve.

Shumëfishimi i instalimeve të vogla

Punimet në urën e Yverdon-les-Bains, një vijë e drejtë 3.5 km e ngritur 10 metra mbi tokë, nisën në maj. Të treta e parë e strukturës është tashmë e pajisur me panele fotovoltaike. Në fund të vitit numri i tyre do të arrijë në 2,400. Synimi është të prodhohet një gigavat-orë, ekuivalent me konsum vjetor të 400 familjeve.

Kjo urë është vetëm hapi i parë: brenda pesë viteve, OFROU planifikon të arrijë prodhimin vjetor prej 35 GWh me 120 instalime të reja dhe 47 GWh në vitin 2035 me 160 instalime. Për të arritur këto objektiva, zgjidhja është shuma e shumë njësive të vogla prodhuese, theksoi Laurent Brugger, drejtues projekti në OFROU, në edicionin e lajmeve në RTS, përcjell albinfo.ch.

Disa instalime do të vendosen në barrierat kundër zhurmës përgjatë autostradave dhe mbi çatitë e shumë pikave të pushimit. Një projekt ekziston, për shembull, në Valais, ku planifikohet të mbulohet 1,600 metra nga autostrada A9 me panele diellore.

“Operacion mjaft kompleks”

Në Yverdon, operacioni është “mjaft kompleks, sepse jemi shumë pranë trafikut rrugor,” shpjegoi René Silva, bashkëdrejtor i kompanisë Helion Energy AG me seli në Solothurn, përgjegjëse për instalimin e sistemeve.

Vendi i zgjedhur duket i favorshëm për instalimin e paneleve diellore. Ato nuk zënë hapësirë të re në tokë: janë pozicionuar në lartësinë e barrierave, si një lloj “spoileri”. Prandaj nuk shkaktojnë reflektime që të shqetësojnë shoferët. Gjithashtu, nuk ka banorë të afërt që të preken nga projekti.

Megjithëse në Zvicër ekzistojnë tashmë 44 instalime të ngjashme, disa projekte të reja janë në proces apelimi në nivele kantonale dhe komunale.

Pasagjerët e avionit shpëtohen gjallë pas uljes emergjente në Liqenin e Lucernit

Dy personat që ishin në avionin që u zhduk në Liqenin e Lucernit të hënën janë gjallë, njoftoi policia e Lucernës pasdite. Mendohet se piloti kishte ndërmend të bënte një ulje emergjente në liqen.

Piloti, një austriak 78-vjeçar, nuk u lëndua, ndërsa një pasagjere tjetër, një grua zvicerane 55-vjeçare, u dërgua në spital me plagë, sipas një njoftimi për shtyp. Kërkimi për avionin e vogël vazhdonte ende në orët e pasdites.

“Travel Radar”: Në kohën kur çmimet e udhëtimeve po rriten, Shqipëria mbetet destinacioni më premtues

Në një kohë kur çmimet e udhëtimeve po rriten dhe destinacionet më të njohura po mbingarkohen, shumë turistë po kërkojnë alternativa të përballueshme dhe më pak të njohura. Kështu raporton Harmia Amadi në një artikull të botuar nga revista “Travel Radar”.

Sipas “Travel Radar”, Shqipëria është një nga tre destinacionet që po rriten më shpejt në vitin 2025, duke u vendosur përkrah vendeve bregdetare në Evropë dhe destinacioneve eksotike në Afrikën ekuatoriale.

Me peizazhet e saj të paprekura dhe trashëgiminë kulturore të pasur, këto vende po ndryshojnë në heshtje hartën e turizmit botëror.

Shqipëria – Adriatiku i përballueshëm në Evropë

Nga majat e Alpeve të Veriut e deri tek plazhet e Ksamilit, Shqipëria po kalon nga një destinacion relativisht i panjohur në një konkurrent serioz në tregun evropian të turizmit alternativ.

Organizata Botërore e Turizmit ka raportuar se Shqipëria ka shënuar një rritje prej 80% të turistëve krahasuar me vitin 2019, duke u renditur e treta në botë për këtë tregues.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, në vitin 2024 Shqipëria priti 11.7 milionë turistë ndërkombëtarë, dhe pritet që deri në fund të vitit 2025 kjo shifër të rritet me mbi 3 milionë.

Atraksionet kryesore

Shqipëria po bëhet një zgjedhje tërheqëse për turistët që kërkojnë pushime të përballueshme. Plazhet e saj të virgjëra ofrojnë mundësi të shkëlqyera për relaksim, ndërsa natyra e egër, liqenet e akullnajave dhe shtigjet malore tërheqin adhuruesit e aventurës.

Vendi ka ruajtur mikpritjen tradicionale dhe trashëgiminë kulturore, me ndikime osmane dhe greke që e bëjnë atë një destinacion unik. Muzika popullore dhe zakonet lokale ofrojnë një përvojë autentike që tërheq gjithnjë e më shumë turistë.

Kostoja e jetesës në Shqipëri është dukshëm më e ulët krahasuar me vende të tjera të Mesdheut. Për shembull, sipas të dhënave nga “Numbeo”, jetesa – pa përfshirë qiranë – është 14% më e lirë se në Greqi, me ushqimin dhe restorantet që kushtojnë edhe më pak.

Përmirësimi i infrastrukturës

Në vitet e fundit, infrastruktura turistike është përmirësuar ndjeshëm. Transporti publik është bërë më i besueshëm, dhe zhvillimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës dhe Tunelin e Llogorasë kanë lehtësuar qasjen në Rivierën Shqiptare.

Aktualisht po zhvillohen 33 projekte turistike me një vlerë totale prej 5.3 miliardë eurosh, sipas Strategjisë Kombëtare të Turizmit 2024-2030.

Po ashtu, linjat ajrore kanë zgjeruar ndjeshëm fluturimet drejt Shqipërisë, me “Wizz Air”, “Ryanair”, “British Airways” dhe “airBaltic” që ofrojnë lidhje direkte me qytete kryesore në Evropë dhe Baltik.

Një perspektivë diplomatike

Shqipëria nuk është vetëm një destinacion turistik në rritje me çmime të përballueshme, por edhe një vend me rëndësi strategjike në arenën ndërkombëtare. Anëtarësimi në NATO, statusi si kandidatë për Bashkimin Evropian dhe mbështetja nga Banka Botërore dhe BE-ja e bëjnë Shqipërinë një vend tërheqës për investime turistike.

Për më tepër, qytetarët e BE-së dhe Britanisë mund të hyjnë në Shqipëri pa vizë për deri në 90 ditë, ndërsa amerikanët për një vit të plotë, duke e bërë atë një destinacion të përshtatshëm për pushime në Mesdhe.

Qyteti turistik francez ndëshkon vizitorët “gjysmë të zhveshur” me gjoba deri në 150 euro

Një qytet në Francë ka vendosur masa të rrepta kundër personave që ecin topless ose me rroba banje jashtë plazhit. Sipas CNN, autoritetet në Les Sables d’Olonne, një destinacion turistik në bregun atlantik, kanë vendosur gjoba deri në 150 euro për këdo që shfaqet “gjysmë i zhveshur” në rrugët e qytetit.

Kryetari i bashkisë, Yannick Moreau, e përshkroi këtë sjellje si “të pahijshme” dhe theksoi se kjo është çështje respekti për banorët dhe higjienë publike. Ai shtoi se ata që dëshirojnë të tregojnë trupin e tyre mund ta bëjnë këtë pa problem në 11 kilometra plazh që ofron qyteti.

Kjo masë pritet të ndihmojë në ruajtjen e një ambienti më të respektueshëm dhe të qetë për banorët dhe turistët, duke u bashkuar me qytete të tjera franceze që po zbatojnë rregulla të ngjashme.

Donald Trump i jep Vladimir Putinit një ultimatum të ri prej “10 ose 12 ditësh” për të ndalur luftën në Ukrainë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ngriti tonet kundër Vladimir Putinit të hënën gjatë një takimi në Skoci me Kryeministrin britanik Keir Starmer, duke i dhënë homologut rus një afat të ri prej “10 ose 12 ditësh” për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë, përndryshe do të përballet me sanksione të ashpra.

“Po vendos një afat të ri, rreth 10 ose 12 ditë nga sot. Nuk ka arsye për të pritur më. Nuk po shohim asnjë përparim,” deklaroi presidenti amerikan, duke folur nga resorti Turnberry në Skoci.

Në mesin e korrikut, Trump i kishte dhënë Putinit një afat prej 50 ditësh për të përfunduar luftën në Ukrainë, duke paralajmëruar gjithashtu një riarmatim të madh të Kievit përmes NATO-s, transmeton albinfo.ch.

Sanksione të mundshme “sekondare”

Trump tha gjithashtu se po shqyrton vendosjen e sanksioneve “sekondare”, të cilat do të synonin shtetet që vazhdojnë të blejnë produkte ruse, siç janë hidrokarburet, për të tharë burimet financiare të Moskës.

Duke folur në shkallët e një resorti luksoz golfi në pronësi të familjes së tij në Turnberry, Trump shprehu zhgënjimin e tij të thellë ndaj homologut rus: “Jam shumë i zhgënjyer nga Putin,” tha ai.

Ukraina falënderon

Nga ana tjetër, Ukraina përshëndeti vendosmërinë e presidentit amerikan. “Faleminderit Presidentit Donald Trump për forcën e treguar dhe për një mesazh të qartë për paqen përmes forcës,” deklaroi kreu i administratës presidenciale ukrainase, Andrii Yermak, në rrjetin social X.

Sekuestrohet kokainë dhe armë zjarri: Arrestohet një shqiptar dhe një italian

Policia e Kantonit të Ticinos ka sekuestruar kokainë dhe armë zjarri gjatë një hetimi në Lugano dhe me këtë rast ka arrestuar disa persona. Bëhet fjalë për sekuestrimin e disa kilogramëve kokainë, si dhe pistoleta dhe pushkë, si pjesë e një hetimi më të gjerë në zonën e Luganos, transmeton albinfo.ch.

Midis të arrestuarve janë një shtetas shqiptar 51-vjeçar me banim në Gjermani dhe një shtetas italian 35-vjeçar me banim në zonën e Luganos, ka njoftuar të hënën policia e kantonit të Ticinos, shkruan agjencia e lajmeve Keystone&SDA.

Gjatë kontrollit të realizuar në lokalet e përdorura nga dy personat e përmendur, janë sekuestruar afërsisht një kilogram e gjysmë kokainë dhe tableta ekstazie. Pas marrjes në pyetje, dy të dyshuarit janë arrestuar, vazhdon deklarata e poliicsë.

Të dy dyshohet se janë përfshirë në një operacion të rëndësishëm trafikimi droge në zonën Sottoceneri.

Pse shumë zviceranë zgjedhin të emigrojnë në pleqëri?

Duke punuar gjithë jetën e tyre, duke paguar në sistem dhe duke braktisur pushimet, disa zviceranë janë të tronditur kur zbulojnë se nuk mund ta përballojnë jetën në Zvicër pas daljes në pension. Gjithnjë e më shumë pensionistë po zgjedhin të largohen nga atdheu i tyre – jo në kërkim të aventurës, por nga nevoja e pastër.

“Pasi kanë punuar shumë për kaq shumë vite, pensionistët po shtyhen në skajet e shoqërisë. Kur bëhet fjalë për popullin e vet, unë nuk e shoh më Zvicrën si një vend social.”

Pensionet shtetërore shpesh mbulojnë vetëm kostot bazë të jetesës

Pensionet shtetërore ndonjëherë nuk mbulojnë as gjërat thelbësore. Një llogaritje e thjeshtë e qirasë, sigurimit shëndetësor dhe shpenzimeve shtesë tregon se sa shpejt shpenzohen paratë.

“2,200 CHF [2,770 dollarë] nuk janë më të mjaftueshme për të mbijetuar në Zvicër. Qiraja për një apartament me një dhomë gjumi për pensionistët është 700 CHF, ndërsa sigurimi shëndetësor kushton midis 500 dhe 600 CHF,” thotë një person që u përgjigj në lidhje me temën. “Ushqimi, taksat dhe energjia elektrike zakonisht arrijnë në 800 CHF.” Në Spanjë, shton përdoruesi, 2,200 CHF janë më se të mjaftueshme për të jetuar rehat, transmeton albinfo.ch.

Ata që nuk zotërojnë pronë, të cilët përbëjnë shumicën e pensionistëve në Zvicër, mund të hasin shpejt probleme financiare, thotë përdoruesja JoanBoa. Qiraja dhe sigurimi shëndetësor shpesh gëlltisin të gjithë pensionin shtetëror, shkruan swissinfo.

“Si një person me të ardhura të larta, kam kontribuar më shumë se 10% të pagës sime në skemën shtetërore të pensioneve për 47 vjet dhe kam paguar shuma të konsiderueshme në sistemin e fondit të pensioneve profesionale për më shumë se 40 vjet,” shkruan dikush me inicialet PG. “Do të mendonit se në këto rrethana mund të jetoja një jetë dinjitoze si pensionist, apo jo? Aspak!” Dy divorce dhe ndarja e pensionit që pasoi kanë përmbysur planet e tij dhe tani po e detyrojnë të emigrojë.

“Unë jam gjithashtu një nga ata që do të donin të jetonin në Zvicër pas daljes në pension, por nuk mund ta përballojnë atë”, shkruan përdoruesi Klausius. Me tërheqjen e parave nga pensioni i tij, ai arriti të blinte një shtëpi në Mbretërinë e Bashkuar. “Pensioni shtetëror është sa për të mbuluar nevojat e mia mujore këtu në Angli”, shton ai.

Sipas Zyrës Federale të Statistikave, numri i shtetasve zviceranë që marrin pensionin e tyre shtetëror jashtë vendit është dyfishuar gjatë 20 viteve të fundit, duke arritur në 134,000 deri në fund të vitit 2024. Vende të tilla si Tajlanda, Portugalia, Spanja dhe Afrika e Jugut janë shtëpi të komuniteteve të mëdha zvicerane dhe dallohen për një përqindje veçanërisht të lartë të pensionistëve. Midis viteve 2023 dhe 2024, pjesa e pensionistëve zviceranë u rrit veçanërisht ndjeshëm në Portugali (+16%) dhe Tajlandë (+7%).

Këto vende kanë një klimë më të butë, sisteme shëndetësore çuditërisht të mira dhe kosto jetese dukshëm më të ulëta. “Unë dhe gruaja ime u larguam nga Zvicra për arsye financiare dhe mbi të gjitha për shkak të motit dhe mënyrës së butë të jetesës”, shkruan Jean-Claude Chabloz. Në Spanjë, shkruan ai, ata arritën të blinin një shtëpi me pamje nga deti vetëm njëqind metra larg plazhit, gjë që do të kishte qenë e pamundur në Zvicër.

Një pension me dinjitet

Shumë komentues e bëjnë të qartë se largimi nga Zvicra nuk ka të bëjë me luksin, por me dinjitetin. Ka të bëjë me kalimin e pjesës së fundit të jetës suaj pa u shqetësuar vazhdimisht për të siguruar jetesën.

Pensionistët, argumentojnë ata, mund të zgjedhin të jetojnë në një apartament të vogël me një dhomë gjumi dhe të mbështeten në ndihmën sociale në Zvicër ose të largohen nga atdheu i tyre me zemër të rëndë për të jetuar një jetë dinjitoze në një vend të huaj që ofron kosto më të ulëta jetese.

Përdoruesi Peter Segessemann thotë se do të kishte dashur të qëndronte në Zvicër. “Por pensioni im dhe paratë e fondit tim të pensioneve nuk do të ishin të mjaftueshme për një jetë të rehatshme.” Ai do të duhej të kërkonte çdo formë ndihme në dispozicion. “Do të kisha qenë një barrë për taksapaguesit dhe nuk e dua këtë.” Në Portugali, thotë ai, mund të jetojë mirë me pensionin e tij dhe pjesën e fondit të tij të pensioneve profesionale që i mbeti pas divorcit. “Dhe në këtë mënyrë, unë nuk jam barrë për askënd në Zvicër”, shkruan ai.

Një argument që vazhdon të shfaqet është se pensioni shtetëror nuk është një nder, por një shpërblim i merituar mirë për shumë vite punë të palodhur. “Ne i kemi paguar kontributet tona si financiarisht ashtu edhe socialisht, për shembull, përmes roleve të ndryshme vullnetare në bordet e shoqatave dhe klubeve. Tani që fëmijët tanë janë rritur, ne duam të shijojmë jetën së bashku”, shkruan JohnnyBdSR.

Zvicra, thonë shumë, është një vend për të punuar – dhe jo për t’u plakur.