Xhaka: Do t’i marrim ndeshjet një nga një në Botërorin 2026

Mesfushori i Zvicrës, Granit Xhaka, ka folur për synimet e ekipit kombëtar për Kupën e Botës 2026, që këtë vit mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada. Ai ka theksuar se skuadra do të përqendrohet në ndeshje të veçanta dhe nuk dëshiron të bëjë parashikime të largëta, transmeton albinfo.ch.

Ndeshja kundër Portugalisë në të tetën e finales të Botërorit 2022 është harruar prej kohësh. Ne po shohim përpara dhe kemi një ekip të shkëlqyer. Patëm një fushatë shumë të mirë kualifikuese dhe duam të luajmë mirë në Kupën e Botës. Nëse arrijmë në çerekfinale apo më tej, do t’i marrim ndeshjet një nga një”, tha Xhaka gjatë konferencës për media para ndeshjes miqësore kundër Gjermanisë, e cila do të zhvillohet të premten në Basel nga ora 20:45.

Pas miqësoreve ndaj Gjermanisë, Zvicra do të luajë kundër Norvegjisë më 31 mars në Oslo dhe më pas ndaj Jordanisë në maj, përpara përfundimit të përgatitjeve për ndeshjet e Grupit B në Botëror. Në këtë grup, Zvicra do të përballet me Katarin dhe Kanadën, ndërsa nga plejofi mund të bashkohen Italia, Uellsi, Bosnjë-Hercegovina ose Irlanda e Veriut.

Përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin, tha: “Ne duam të luajmë Kupën e Botës më të mirë të të gjitha kohërave. Kemi një skuadër të mirë dhe treguam se çfarë mund të bëjmë në kualifikuese”. Zvicra përfundoi në vendin e parë të grupit kualifikues, ndërsa Kosova u rendit e dyta.

Xhaka gjithashtu foli për rikthimin e tij pas një lëndimi të lehtë në tendinin e Akilit. “Jam i lumtur që jam kthyer në fushë. Kur luan për vendin tënd, nuk duhet të shohësh asnjë ndeshje si miqësore, çdo rezultat i mirë na jep besim”, shtoi kapiteni i Sunderlandit.

Ai vlerësoi edhe mesfushorin shqiptar, Ardon Jashari, duke e quajtur një lojtar të veçantë që mund të sjellë shumë përvojë, sidomos pas transferimit të tij te Milani.

Zvicra dhe Gjermania kanë një histori të fortë përballjesh kohët e fundit, me katër ndeshje të fundit pa humbje për helvetikët, një fakt që i jep optimizëm Xhakës për miqësoren e ardhshme në Basel, qytetin e tij të lindjes./Albinfo.ch

Parlamenti Evropian votoi për ndalimin e “sistemeve nudifikuese” të inteligjencës artificiale

Parlamenti Evropian ka votuar me shumicë të madhe në favor të ndalimit të sistemeve të inteligjencës artificiale që krijojnë imazhe ose video artificiale me përmbajtje seksualisht eksplicite, të njohura si “sisteme nudifikuese”. Këto sisteme përdoren për të manipuluar ose krijuar imazhe të qarta të personave realë pa pëlqimin e tyre, duke shkelur të drejtat themelore të dinjitetit dhe privatësisë, përcjell albinfo.ch.

Ky vendim vjen pas incidenteve të ndodhura në fillim të këtij viti, kur përdorues krijuan dhe shpërndanë miliona imazhe seksualizuese të grave dhe fëmijëve duke përdorur chatbot-in Grok, të zhvilluar nga miliarderi amerikan Elon Musk. Disa vende dhe vetë Komisioni Evropian kanë hapur hetime për Grok-un, ndërsa disa shtete e kanë bllokuar chatbot-in, shkruan DW.

Eurodeputetja e Gjelbër Alexandra Geese theksoi se ka mbi njëqind aplikacione që specializohen vetëm në krijimin e imazheve seksualisht eksplicite, duke e konsideruar tregun e këtyre sistemeve të qartë dhe të dëmshëm. Ajo shtoi se industria duhet të kuptojë se “nuk ia vlen të investohet në zhvillimin e këtyre sistemeve”.

Para se ndalimi të hyjë në fuqi në të gjithë Bashkimin Evropian, është e nevojshme të arrihet një marrëveshje me shtetet anëtare. Qeveritë kanë shprehur mbështetje për masa të ngjashme, ndërkohë që në Gjermani po punohet për ndryshime në kodin penal për të ndëshkuar krijimin dhe përhapjen e deepfakes, me dënime deri në dy vjet burg.

Ky hap tregon vendosmërinë e Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare për të mbrojtur qytetarët nga keqpërdorimi i teknologjive të avancuara dhe për të frenuar dhunën digjitale në internet./ Albinfo.ch

Bashkimi i dy kompanive zvicerane të sigurimeve pritet të sjellë deri në 2,300 humbje vendesh pune

Bashkimi i dy kompanive të mëdha zvicerane të sigurimeve, Helvetia dhe Baloise, pritet të ketë ndikim më të madh në tregun e punës në Zvicra sesa ishte parashikuar në fillim, përcjell albinfo.ch.

Fillimisht ishte njoftuar se nga bashkimi i dy kompanive mund të humbnin punën mes 1,400 dhe 1,800 punonjës. Megjithatë, sipas vlerësimeve të fundit, numri i vendeve të punës që mund të shkurtohen mund të arrijë deri në 2,300.

Kompania e re e krijuar nga bashkimi i dy grupeve të sigurimeve pritet të publikojë numrin e saktë të vendeve të punës që do të preken në mes të muajit prill./Albinfo.ch

Qiratë e përballueshme në Zvicër, një luks i rrallë

Tregu i banesave me qira në Zvicër vazhdon të mbetet i tensionuar dhe nuk pritet të përmirësohet ndjeshëm as gjatë vitit 2026, pavarësisht një rritjeje të lehtë të ndërtimit të banesave të reja, përcjell albinfo.ch.

Kjo është një nga përfundimet kryesore të një studimi të publikuar nga banka zvicerane UBS. Sipas ekspertëve të bankës, gjatë këtij viti pritet të ndërtohen rreth 2,000 banesa me qira më shumë krahasuar me vitin 2025.

Megjithatë, autorët e studimit theksojnë se kjo rritje është “vetëm një pikë në oqean” dhe nuk mjafton për të zbutur ndjeshëm krizën e strehimit.

Vetëm disa rajone mund të shohin përmirësime më të dukshme, si kantonet Aargau, Geneva dhe St. Gallen.

Ndërkohë, në kantonet që preken më shumë nga mungesa e banesave – Zurich, Zug dhe Graubünden, aktiviteti i ndërtimit pritet të stagnon ose edhe të bjerë./Albinfo.ch

Top 5 shtetet investuese në Kosovë: Kush solli më shumë kapital në vitin 2025?

Bëhet e ditur se pesë shtetet kryesore, si: Gjermania, Zvicra, Shqipëria, SHBA dhe Austria dominuan investimet në Kosovë gjatë vitit 2025, me një rritje të ndjeshme krahasuar me vitin paraprak, transmeton albinfo.ch.

Investimet e huaja direkte (IHD) në Kosovë kanë shënuar një rritje të konsiderueshme gjatë vitit 2025, duke arritur në rreth 1.03 miliard euro. Krahasuar me vitin 2024, kjo përfaqëson një rritje prej 238.2 milionë euro, ose rreth 30 për qind më shumë, duke konfirmuar trendin pozitiv të interesit të investitorëve të huaj për ekonominë kosovare.

Referuar të dhënave të publikuara nga Instituti GAP, pjesa më e madhe e këtyre investimeve vjen nga disa shtete kryesore evropiane dhe nga diaspora shqiptare. Në krye të listës renditet Gjermania, e cila gjatë vitit 2025 ka investuar rreth 268.7 milionë euro në Kosovë.

Pas Gjermanisë vjen Zvicra, me investime që arrijnë në 223.9 milionë euro, duke konfirmuar lidhjet e forta ekonomike mes dy vendeve dhe rolin e rëndësishëm të diasporës kosovare në këtë shtet.

Ndër investitorët më të mëdhenj renditet edhe Shqipëria, me rreth 103.6 milionë euro investime, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kontribuar me 92.5 milionë euro. Në vendin e pestë gjendet Austria, me 59.8 milionë euro investime në ekonomi.

Në total, vetëm Gjermania dhe Zvicra përbëjnë rreth 48 për qind të të gjitha investimeve të huaja direkte në Kosovë gjatë vitit 2025, duke dëshmuar ndikimin e madh që kanë këto dy vende në zhvillimin ekonomik të vendit.

Ndërkohë, sa i përket shpërndarjes së investimeve sipas sektorëve ekonomikë, dominimi i sektorit të patundshmërisë është i qartë. Ky sektor ka tërhequr rreth 770 milionë euro, që përbën afërsisht 75 për qind të totalit të investimeve të huaja, transmeton tutje albinfo.ch.

Sektorët e tjerë kanë një pjesëmarrje dukshëm më të vogël. Aktivitetet financiare dhe të sigurimit kanë përfituar rreth 124.8 milionë euro (12%), ndërsa tregtia me shumicë dhe pakicë ka tërhequr 32.1 milionë euro (3%). Po ashtu, sektori i informimit dhe komunikimit ka marrë 26.2 milionë euro (3%), ndërsa furnizimi me energji elektrike, gaz dhe avull ka përfituar rreth 22.1 milionë euro (2%).

Këto të dhëna tregojnë se Kosova vazhdon të mbetet një destinacion tërheqës për investitorët e huaj. Megjithatë, ekspertët theksojnë se struktura aktuale e investimeve tregon një përqendrim të madh në sektorin e patundshmërisë, çka nënvizon nevojën për një diversifikim më të madh të investimeve në sektorë produktivë të ekonomisë. /Albinfo.ch

Kosova dhe Panamaja heqin vizat për diplomatët dhe zyrtarët

Republika e Kosovës dhe Republika e Panamës kanë nënshkruar një marrëveshje që heq vizat për mbajtësit e pasaportave diplomatike dhe zyrtare, përcjell albinfo.ch.

Marrëveshja u firmos nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Kreshnik Ahmeti, dhe ministri në detyrë i Panamasë, Carlos A. Hoyos, duke synuar jo vetëm lehtësimin e udhëtimeve zyrtare, por edhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të tjera, përfshirë sigurinë, arsimin dhe turizmin.

Ky hap konsolidon marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve dhe krijon mundësi për bashkëpunim më të gjerë në nivele qeveritare dhe ndërkombëtare./Albinfo.ch

Kurti udhëton drejt Francës për takim me Presidentin Macron

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar sot për një vizitë zyrtare në Francë, në kuadër të përpjekjeve për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, përcjell albinfo.ch.

Gjatë vizitës, Kryeministri Kurti pritet të zhvillojë një takim dhe një drekë pune me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, njoftoi Zyra e Kryeministrisë.

Ky takim do të shfrytëzohet për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit politike dhe ekonomike në Kosovë dhe rajon, si dhe për të shqyrtuar mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme, përfshirë ekonominë, investimet dhe sigurinë.

Vizita e Kryeministrit Kurti në Francë është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për të promovuar imazhin dhe interesat e Kosovës në arenën ndërkombëtare, si dhe për të thelluar dialogun politik dhe ekonomik me partnerët evropianë./Albinfo.ch

Katër yjet e diasporës dhurojnë fitore historike Kosovës në Bratislavë

Kombëtarja e Kosovës shënoi një fitore të madhe dhe historike mbrëmë në Bratislavë, duke mposhtur Sllovakinë me rezultat 4-3 në një ndeshje emocionuese të vlefshme për kualifikimet e Kupës, shkruan albinfo.ch.

Përballë një kundërshtari të fortë, futbollistët e diasporës shqiptare që përbëjnë pjesën më të madhe të ekipit, treguan profesionalizëm dhe klas, duke dhuruar spektakël dhe katër gola vendimtarë.

Katër golashënuesit nga Diaspora

Futbollistët e Diasporës i dhuruan Kosovës fitore historike, duke treguar klas dhe profesionalizëm në fushë.

 

 

Veldin Hoxha, ishte golashënuesi i parë në minutën e 21-të. Ai barazoi rezultatin për Kosovën në minutën e 21-të. Mesfushori defensiv luan profesionist për klubin Rubin Kazan në Rusinë, ku aktivizohet në Ligën Premier ruse. Hoxha, i lindur në Rijeka të Kroacisë, iu bashkua Kombëtares së Kosovës në nivelin senior në vitin 2025, pas përfaqësimit të grupmoshave të reja të Kroacisë. Aktualisht jeton dhe stërvitet në Rusi, vendin ku ndodhet klubi i tij profesionist, shkruan tutje Albinfo.ch.

 

 

Ndërkohë, Fisnik Asllani  shënoi golin e dytë në minutën e 47-të. ai barazoi rezultatin për Kosovën në minutën e 47-të. Ai është sulmues profesional për skuadrën gjermane TSG Hoffenheim në Bundesligë dhe mban fanellën me numër 11. I lindur në Berlin, Gjermani, Asllani ka kaluar në huazime të tjera gjatë karrierës së tij, por aktualisht është i Hoffenheim. Në Kombëtaren e Kosovës, ai ka treguar talentin e tij dhe është bërë një nga sulmuesit kryesorë të ekipit.

 

 

Golin e epërsisë e shënoi Florent Muslija në minutën e 60-të. Ai kaloi Kosovën në epërsi me golin e minutës së 60-të. Ai luan për klubin gjerman Fortuna Düsseldorf në 2. Bundesliga, ku është i huazuar nga SC Freiburg. Muslija kryesisht aktivizohet si mesfushor ofensiv ose në krahun e majtë dhe është një nga lojtarët kyç të Kosovës në ofensivë. I lindur në Achern, Gjermani, Muslija ka zgjedhur të përfaqësojë Kosovën në nivel senior.

 

 

Thellimin e epërsisë  së Kosovës e bëri Kreshnik Hajrizi, në minutën e 72-të. Ai shënoi golin e katërt dhe vendimtar në minutën e 72-të. Hajrizi luan si qendërmbrojtës për FC Sion në Superligën zvicerane dhe ka lindur më 28 maj 1999 në Sierre, Zvicër. Hajrizi, pjesë e diasporës shqiptare, ka ndihmuar ekipin me përvojën dhe stabilitetin e tij në mbrojtje dhe aktualisht jeton dhe punon në Zvicër.

Kjo fitore historike është një dëshmi e rëndësisë së futbollistëve të diasporës që i japin Kombëtares së Kosovës peshë dhe nivel profesional. Ekipi përbëhet kryesisht nga të rinj shqiptarë që luajnë në ligat më të forta evropiane dhe po e lartësojnë Kosovën në skenën ndërkombëtare, shkruan albinfo.ch

Notat e lojtarëve, Florent Muslija ylli i ndeshjes

Në bazë të vlerësimeve nga “SofaScore”, lojtari më i dalluar ishte Florent Muslija me notën 7.7 për veprimet teknike, vizion dhe golin vendimtar që vendosi epërsinë 3-2.

Të tjerët që u vlerësuan lart:

• Vedat Muriqi dhe Fisnik Asllani – 7.2

• Mërgim Vojvoda – 7.1

• Veldin Hoxha dhe Lumbardh Dellova – 7.0

Ndërsa notat e tjera:

• Kreshnik Hajrizi – 6.9

• Albian Hajdari – 6.7

• Elvis Rexhbeçaj – 6.6

• Aro Muriqi – 6.4

• Dion Gallapeni – 6.2

Edhe “FlashScore” e vlerësoi Muslijën me 7.7, Vojvodën me 7.6, ndërsa Aro Muriqi mori notën më të ulët, 5.2./Albinfo.ch

Qeveria e Kosovës: Të hënën miratohen 500 mijë euro për “Dardanët”

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka konfirmuar se Qeveria e Kosovës të hënën pritet të miratojë ndarjen e 500 mijë eurove për Kombëtaren e Kosovës, transmeton albinfo.ch.

Sipas Muratit, vendimi do të procedohet në mbledhjen e radhës të Qeverisë, pas kërkesës së Kryeministrit Albin Kurti, si shpërblim për fitoren e rëndësishme të “Dardanëve” ndaj Sllovakisë me rezultat 4:3.

Murati e bëri të ditur këtë lajm përmes një postimi në rrjetet sociale, duke theksuar se kjo është përmbushje e premtimit të dhënë ndaj Kombëtares pas suksesit të arritur në ndeshjen e fundit.

Kosova me këtë fitore siguroi kualifikimin në finalen e play-offit për Kampionatin Botëror 2026, ku të martën do të përballet me Turqinë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë./Albinfo.ch

Ylli sllovak: Nuk arritëm ta përballojmë ritmin e Kosovës

Pas humbjes dramatike me rezultat 4:3 ndaj Kosovës, portieri i Sllovakisë, Martin Dubravka, ka pranuar se ekipi i tij nuk arriti të përballojë intensitetin dhe ritmin e lartë të “Dardanëve”, sidomos në pjesën e dytë të ndeshjes, përcjell albinfo.ch.

Sllovakia e mbylli pjesën e parë me epërsi 2:1, duke lënë përshtypjen se kishte kontroll mbi rrjedhën e lojës. Megjithatë, gjithçka ndryshoi pas pushimit, kur Kosova u rikthye fuqishëm, përmbysi rezultatin dhe siguroi një fitore historike në Bratislavë, duke kaluar në finalen e “play-offit” për Botërorin 2026.

Intensiteti i lartë, presioni i vazhdueshëm dhe efikasiteti i Kosovës në fazën sulmuese bënë diferencën në momentet vendimtare të sfidës.

Në deklaratën e tij pas ndeshjes, Dubravka nuk e fshehu zhgënjimin, duke e cilësuar pjesën e dytë si shumë larg nivelit që kërkohet në një ndeshje të tillë.

“Ne patëm një pjesë të parë shumë të mirë, por pjesa e dytë ishte vërtet e keqe. Pasi Kosova barazoi sërish, ne nuk arritëm ta mbanim ritmin me të”, ka deklaruar Dubravka.

Ai shtoi se kjo humbje do t’i mbetet gjatë në mendje, veçanërisht për faktin se për lojtarët më të vjetër kjo ishte një nga mundësitë e fundit për të ëndërruar Botërorin.

“Jam i trishtuar, do të më mbetet peng për një kohë të gjatë. Për ne lojtarët më të vjetër, ishte një nga rastet tona të fundit për të luajtur në Kupën e Botës. Por ky është realiteti”, u shpreh ai.

Kosova, ndërkohë, do të luajë të martën në Prishtinë finalen vendimtare të “play-offit” ndaj Turqisë, për një vend në Kampionatin Botëror 2026./Albinfo.ch.

Gazeta spanjolle vë në fokus fitoren e Kosovës dhe përpjekjen për Botëror

Kombëtarja e Kosovës po vazhdon të shkruajë histori në futbollin ndërkombëtar, pas fitores së madhe ndaj Sllovakisë në gjysmëfinalen e “play-offit” për kualifikim në Kupën e Botës 2026, përcjell albinfo.ch.

“Dardanët” triumfuan në udhëtim në Bratisllavë me rezultat 4:3, duke siguruar kalimin në finalen vendimtare të play-offit dhe duke u afruar vetëm një hap larg kualifikimit historik në Kampionatin Botëror.

Ky sukses i Kosovës ka marrë vëmendje edhe në mediat ndërkombëtare. Gazeta e njohur spanjolle “Marca” i ka kushtuar një artikull të veçantë fitores së Kosovës, duke e cilësuar rrugëtimin e saj si të jashtëzakonshëm.

“Kosova, një nga shtetet më të reja në botë dhe që nuk njihet nga Spanja, e mposhti Sllovakinë dhe do të luajë finalen për një vend në Kupën e Botës kundër Turqisë. FIFA e njohu si përfaqësuese zyrtare… më pak se 10 vite më parë!”, ka shkruar “Marca”.

Tani, Kosovës i mbetet vetëm ndeshja finale, e cila do të zhvillohet të martën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku “Dardanët” do të përballen me Turqinë.

Turqia në gjysmëfinale eliminoi Rumaninë me rezultat minimal 1:0, ndërsa përballja në Prishtinë pritet të jetë vendimtare për një vend në Botërorin 2026. /Albinfo.ch

FIFA për Kosovën: Vetëm edhe një hap drejt Botërorit 2026

Kombëtarja e Kosovës ka shënuar një fitore historike ndaj Sllovakisë, duke siguruar kualifikimin në finalen e “play-offit” për Kampionatin Botëror 2026, përcjell albinfo.ch.

“Dardanët” triumfuan të enjten mbrëma në Bratisllavë me rezultat 4:3, në një ndeshje dramatike që i afroi edhe më shumë drejt ëndrrës për pjesëmarrje në Botëror.

Pas këtij suksesi të madh, reagimi nuk ka munguar as nga FIFA. Faqja zyrtare e Kupës së Botës ka publikuar një postim në platformën “X”, duke vlerësuar rrugëtimin e Kosovës dhe duke e cilësuar atë vetëm një hap larg kualifikimit.

“Vetëm edhe një hap për Kosovën, për t’u kualifikuar në Botëror”, thuhet në postimin e FIFA World Cup në “X”.

Kosova tani do ta zhvillojë ndeshjen finale të play-offit të martën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku do të përballet me Turqinë për një vend në Kampionatin Botëror 2026./Albinfo.ch

Foda pas fitores ndaj Sllovakisë: E merituam, festojmë – Turqinë e presim në Kosovë

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka vlerësuar lart paraqitjen e “Dardanëve” pas fitores dramatike ndaj Sllovakisë me rezultat 4:3, në gjysmëfinalen e play-offit për kualifikim në Kupën e Botës, përcjell albinfo.ch.

Në konferencën për media pas ndeshjes, Foda përgëzoi futbollistët për besimin dhe luftën deri në fund, duke theksuar se fitorja ishte e merituar.

“Dua ta falënderoj skuadrën për përfaqësimin. Lojtarët kanë besuar për 90 minuta dhe nuk janë dorëzuar. E merituam fitoren. Sonte do të festojmë dhe që nga nesër do të përgatitemi për finale ndaj Turqisë. Kosova e meriton këtë”, deklaroi ai.

Foda komentoi edhe faktin se ndeshja prodhoi shtatë gola, duke pranuar se mbrojtja duhet analizuar me kujdes para përballjes vendimtare.

“Kemi pranuar tre gola sonte. Sonte festojmë, por nesër do të analizojmë sepse kemi marrë gola të lehtë. Duhet ta dimë se nuk mund të shënojmë çdo ndeshje katër gola”, u shpreh ai.

Ai foli edhe për atmosferën që pritet të martën në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku Kosova do ta luajë finalen ndaj Turqisë, duke thënë se interesi i tifozëve është jashtëzakonisht i madh.

“Të martën luajmë ndeshje finale. Do të jenë 13 mijë persona, por po të kishim një stadium me 100 mijë ulëse do të mbushej i tëri. Jemi afër të shkruajmë historinë, por duhet ta ruajmë qetësinë në këtë ndeshje kaq të madhe kundër Turqisë”, tha Foda, duke shtuar se populli kosovar është shumë emocional dhe kjo vërehet edhe tek lojtarët në fushë.

Trajneri gjerman tregoi gjithashtu se në pushimin mes pjesëve ka kërkuar më shumë qetësi dhe ka bërë disa ndryshime taktike që, sipas tij, ndikuan pozitivisht në rikthimin e Kosovës.

“Fillimisht kam kërkuar nga ta të ruajnë qetësinë dhe kam kërkuar dy ndryshime taktike. Mendoj se në pjesën e dytë bëmë më mirë dhe rikthyem rezultatin. Nuk kemi qenë keq në aspektin e lojës dhe e dëshmuam edhe një herë se jemi skuadër që mund të rikthejmë rezultate”, theksoi Foda.

Kosova tani është vetëm një hap larg kualifikimit historik, ndërsa finalja ndaj Turqisë pritet të zhvillohet të martën në Prishtinë./Albinfo.ch

Prishtina mbrëmë festoi me fishekzjarre për fitoren historike të Kosovës

Prishtina u ndriçua mbrëmë nga fishekzjarret dhe gëzimi i qytetarëve që festuan fitore historike të Kombëtares së Kosovës ndaj Sllovakisë. Rezultati 4:3 i dhuroi Kosovës kualifikimin në finalen e “play-offit” për Kupën e Botës 2026, duke ndezur emocion tek tifozët në kryeqytet, përcjell albinfo.ch.

Qindra qytetarë dolën në rrugët e Prishtinës për të përjetuar këtë moment historik, duke brohoritur, valëvitur flamujt kombëtarë dhe duke ndarë gëzimin me familjarët dhe miqtë. Fishekzjarret, muzikë dhe atmosferë festive mbushën qendrat e qytetit deri vonë në mbrëmje.

Triumfi i Kosovës në Bratislavë jo vetëm që ka shkaktuar festë në rrugë, por gjithashtu ka ngjallur shpresë dhe entuziazëm para finales vendimtare të play-offit, që do të zhvillohet të martën në stadiumin “Fadil Vokrri” ndaj Turqisë.

“Është një moment i paharrueshëm për të gjithë ne. Kosova po tregon se mund të shkruajë histori në futboll”, tha një nga tifozët që mori pjesë në festë.

Kosova tani ndodhet vetëm një hap larg realizimit të ëndrrës për kualifikim në Botëror, ndërsa qytetarët e kryeqytetit kanë treguar se janë gati të përjetojnë çdo emocion të këtij rrugëtimi historik./Albinfo.ch

Osmani pas fitores ndaj Sllovakisë: Dardanë, faleminderit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka cilësuar historike fitoren e Kombëtares së Kosovës ndaj Sllovakisë, në kuadër të gjysmëfinales së plejofit për kualifikim në Kampionatin Botëror 2026, përcjell albinfo.ch.

Kosova triumfoi të enjten mbrëma në Bratislavë me rezultat 4:3, duke siguruar kalimin në finalen vendimtare të plejofit, e cila do të zhvillohet të martën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Përmes një reagimi publik, Osmani ka shprehur mirënjohje për futbollistët e Kombëtares dhe për përkushtimin e tyre në këtë sukses të madh.

“Dardanë, faleminderit!”, ka shkruar ajo, duke e cilësuar këtë fitore si një moment krenarie për vendin./Albinfo.ch

Kurti uron Kosovën pas fitores historike: Botërori kurrë s’ka qenë më afër

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar Kombëtaren e Kosovës pas fitores dramatike dhe historike ndaj Sllovakisë, në kuadër të gjysmëfinales së plejofit për kualifikim në Kampionatin Botëror 2026, përcjell albinfo.ch.

Kosova triumfoi të enjten mbrëma në Bratislavë me rezultat 4:3, duke siguruar kualifikimin në finalen vendimtare të plejofit, e cila do të zhvillohet të martën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku “Dardanët” do të përballen me Turqinë.

Në një postim në Facebook, Kurti e cilësoi këtë fitore si një moment të rëndësishëm për futbollin kosovar, duke theksuar se ekipi dhe tifozët kanë hapur një kapitull të ri.

“Urime Kosovës! Urime Dardanëve dhe gjithë shqiptarëve kudo që janë! Ky ekip me këta tifozë sonte ka hapur një kapitull të ri të futbollit te ne. Loja e shkëlqyer dhe realizimet precize do të mbeten të paharrueshme përgjithmonë. Ashtu siç ëndërruam, edhe triumfuam… Kampionati Botëror kurrë s’ka qenë më afër”, ka shkruar Kurti.

Kosova tani është vetëm një hap larg realizimit të ëndrrës për një kualifikim historik në Botëror./Albinfo.ch

Gjykata Federale: Protesta në autostradë në Lausanne nuk duhej ndaluar

Gjykata Federale ka vendosur se ndalimi i demonstratës në autostradë në Lausanne në prill 2024 shkelte lirinë e tubimit, shprehjes dhe informacionit. Demonstrata ishte planifikuar midis La Bourdonnette dhe La Maladière dhe kishte për qëllim të shprehë kundërshtimin ndaj zgjerimit të disa seksioneve të autostradës.

Shoqata për Transportin dhe Mjedisin (ATE) kishte apeluar vendimin e Zyrës Federale të Rrugëve (FEDRO), i cili ishte konfirmuar më parë nga Gjykata Administrative Federale. Pesë gjyqtarë të Gjykatës Federale arritën në përfundimin se ndalimi kishte shkelur parimin e proporcionalitetit dhe se demonstrata kishte një ndikim të rëndësishëm publik dhe politik.

Gjykata vuri në dukje se vendndodhja e demonstratës nuk është e parëndësishme dhe se trafiku i lartë nuk mund të justifikojë ndalimin. Për më tepër, prania e një klinike pranë vendit të ngjarjes nuk e bën të pamundur organizimin e saj.

Megjithatë, Gjykata konfirmoi ligjshmërinë e sistemit të autorizimit paraprak për demonstrata, duke mos cenuar lirinë e tubimit. Demonstrata ishte planifikuar të përkonte me përvjetorin e 60-të të seksionit të autostradës Lausanne–Gjenevë.

Qumështi pluhur i kontaminuar: a ka pasivitet tek autoritetet zvicerane?

Raste të fëmijëve të sëmurë janë raportuar pas tërheqjes nga tregu të formulave për foshnja në disa vende evropiane. Megjithatë, në Zvicër, autoritetet janë kritikuar për mungesë veprimi në këtë çështje.

Sipas RTS, në Zvicër nuk është raportuar asnjë rast i konfirmuar i foshnjave të sëmura si pasojë e konsumimit të qumështit të kontaminuar, ndërsa asnjë analizë e mostrave fekale të fëmijëve me simptoma nuk është kryer. Kjo situatë e bën të vështirë përcaktimin e përgjegjësisë së prodhuesve.

Alarm në mbarë Evropën

Në të gjithë Evropën, prindërit janë të shqetësuar. Midis muajve dhjetor dhe shkurt, disa marka të njohura – përfshirë Nestlé, Hochdorf Swiss Nutrition dhe Danone – tërhoqën nga tregu produkte të qumështit pluhur për foshnja.

Shkaku ishte kontaminimi me një toksinë të quajtur cereulide, e cila mund të shkaktojë diarre, të vjella dhe në raste të rënda edhe komplikime fatale.

Nestlé ishte kompania e parë që ngriti alarmin. Ajo zbuloi toksinën në produktet e saj dhe gjurmoi burimin: një vaj i prodhuar nga një nënkontraktor kinez, i cili furnizonte edhe kompani të tjera të mëdha.

Megjithëse deri më 10 dhjetor produktet ishin tërhequr në 16 vende evropiane, në Zvicër autoritetet nuk kryen kontrolle të pavarura dhe u mbështetën vetëm në informacionin e dhënë nga kompania.

Vetëm më 5 janar nisën tërheqjet e para edhe në Zvicër, duke prekur marka si BEBA, Alfamino, Aptamil, Babybio dhe Bimbosan.

Mungesë e të dhënave të besueshme

Më 15 shkurt, zëvendësdrejtori i Zyrës Federale për Sigurinë Ushqimore dhe Veterinarinë (FSVO), Michael Beer, premtoi një hetim dhe paralajmëroi sanksione për kompanitë që nuk kishin vepruar me kohë.

Megjithatë, problemi kryesor është se në Zvicër nuk ekziston detyrim për raportimin e rasteve të dyshuara të helmimit nga kjo toksinë. Si pasojë, mjekët pediatër apo spitalet nuk janë të detyruar të njoftojnë autoritetet kur përballen me raste të tilla.

RTS ka mësuar se një spital në kantonin Jura kishte trajtuar foshnja me diarre që kishin konsumuar qumësht potencialisht të kontaminuar, por këto raste nuk u raportuan.

Në total, autoritetet kanë dijeni vetëm për 34 raste në të gjithë vendin, prej të cilave 29 janë raportuar nga vetë prindërit. Vetëm tre raste janë raportuar nga profesionistë shëndetësorë dhe dy nga autoritetet kantonale.

Hetime të pamjaftueshme

Pas këtyre raportimeve, autoritetet mblodhën vetëm 23 kuti qumështi pluhur nga familjet, pasi shumica e prindërve kishin ndjekur udhëzimet për t’i kthyer produktet në dyqane.

Nga 12 mostra të analizuara, tetë rezultuan të kontaminuara me cereulide (të gjitha nga marka Aptamil e Danone), ndërsa dy prej tyre tejkalonin kufijtë e lejuar nga Autoriteti Evropian i Sigurisë Ushqimore (EFSA).

Megjithatë, ndryshe nga vende si Franca dhe Belgjika, Zvicra nuk ka kryer analiza të mostrave fekale të foshnjave të sëmura. Kjo e bën shumë të vështirë vërtetimin e lidhjes mes simptomave dhe produkteve të kontaminuara.

Reagim i vonuar dhe i kufizuar

Në Zvicër, siguria ushqimore mbikëqyret nga FSVO, ndërsa shëndeti publik është përgjegjësi e Zyrës Federale të Shëndetit Publik (OFSP).

OFSP nuk e konsideroi situatën si mjaft serioze për të kërkuar analiza të gjera, duke e cilësuar atë si një helmim ushqimor me simptoma zakonisht të lehta dhe afatshkurtra.

Vetëm më 11 shkurt, autoritetet u dërguan një njoftim mjekëve kantonalë, duke sugjeruar mundësinë e analizave – dhe atë vetëm për rastet më të rënda.

Një tjetër pengesë ishte mungesa e kapaciteteve laboratorike në Zvicër. Për këtë arsye, analizat duhej të kryheshin në një laborator në Belgjikë, me kosto rreth 730 euro për analizë.

Mungesë koordinimi

Ekspertët theksojnë se mungoi bashkëpunimi ndërmjet institucioneve përgjegjëse. Nuk pati një strategji të përbashkët për analizimin e qumështit dhe mostrave biologjike, çka ka kufizuar seriozisht hetimin.

Zvicra mbetet një “kuti e zezë” në këtë skandal. Nuk dihet sa fëmijë kanë konsumuar qumësht të kontaminuar dhe sa prej tyre janë sëmurë.

Si pasojë, ekziston një probabilitet i lartë që përgjegjësia e prodhuesve të mos përcaktohet kurrë.

Shqipëria mbyll ëndrrën për Botëror, humbet nga Polonia 2-1

Shqipëria pësoi një humbje të ngushtë 2-1 ndaj Polonisë në sfidën gjysmëfinale të play-off-it për kualifikueset e Botërorit 2026. Ndeshja u zhvillua në Varshavë dhe u karakterizua nga përpjekje të shumta të kuqezinjve për të marrë një rezultat historik, por një mbrojtje polake e fortë dhe dy golat e Levandovskit dhe Zielinskit vendosën fatin e takimit, transmeton albinfo.ch.

Kuqezinjtë arritën të kalonin të parët në avantazh në minutën e 42-të, kur Hoxha shfrytëzoi një gabim të mbrojtjes polake dhe dërgoi topin në rrjetë, duke dhënë shpresë për një rezultat të favorshëm. Pjesa e parë përfundoi me avantazhin minimal të Shqipërisë 1-0.

Në pjesën e dytë, Polonia reagoi fuqishëm. Levandovski barazoi në minutën e 63-të pas një dalje të gabuar të portierit Strakosha. Më pas, Zielinski shënoi golin vendimtar në minutën e 73-të, duke i dhënë fitoren 2-1 skuadrës vendase.

Trajneri i Shqipërisë, Silvinjo, aktivizoi disa nga lojtarët rezervë si Muçi dhe Broja në minutat e fundit, duke tentuar të rihapte ndeshjen. Megjithatë, tentativat e kuqezinjve për të barazuar rezultatin nuk sollën ndryshim në shifrat finale.

Me këtë humbje, Shqipëria nuk arriti të kalojë në finale dhe humbi mundësinë për të qenë pjesë e Botërorit 2026.

Kosova një hap afër Botërorit pas fitores dramatike 4:3 ndaj Sllovakisë

Kombëtarja e Kosovës shkroi një kapitull historik në kualifikimet për Kupën e Botës 2026, duke triumfuar me rezultat 4:3 ndaj Sllovakisë dhe duke mbajtur gjallë ëndrrën e pjesëmarrjes në Botëror. Tifozët dardanë shpërthyen në gëzim për secilin gol, ndërsa ekipi tregoi zemër, vendosmëri dhe talent të jashtëzakonshëm. Tashmë ‘Dardanët’ janë në finale të play off-it që luhet të martën në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë.

Ndeshja nisi me intensitet të madh. Sllovakia kaloi e para në avantazh, por Kosova nuk u dorëzua. Veldin Hoxha barazoi rezultatin në minutën e 21, duke ndezur shpresën dhe emocionin në stadium. Pak para pushimit, Sllovakia shënoi përsëri në minutën e 45, duke e çuar rezultatin në 2:1 dhe shkuar në pushim me avantazh, shkruan albinfo.ch.

Pjesa e dytë filloi me një ritëm të zjarrtë: Besnik Asani riktheu barazimin në minutën e 47, dhe më pas Florent Muslia kaloi Kosovën në avantazh në minutën e 59. Për të kompletuar festën, Kreshnik Hajrizi shënoi golin e katërt në minutën e 72, duke thelluar epërsinë dhe duke ndezur stadiumin. Derisa në minutat shtesë pas përfundimit të ndeshjes Sllovakia ka shënuar gol duke e ngritur rezultatin ne 3 gola.

Loja vazhdoi me dramatikë deri në fund, me Sllovakinë që kërkoi të përgjigjej, por mbrojtja dhe portieri i Kosovës ruajtën avantazhin. Fitorja e sotme e bën Kosovën vetëm një hap larg sfidës vendimtare me Turqinë, ku një fitore do të vuloste historinë e parë të pjesëmarrjes në Botëror/albinfo.ch/

Kosova thellon epërsinë ndaj Sllovakisë, shënon golin e 4-të

Në minutën e 72-të, Kreshnik Hajrizi ka shënuar golin e katërt për Kosovën, duke thelluar avantazhin në 4:2 ndaj Sllovakisë Pas golit të shpejtë të Besnik Asanit dhe të Florent Muslisë, ky moment ka ndezur stadiumin dhe tifozët dardanë, duke dhënë një ndjenjë krenarie dhe triumfi për ekipin e Kosovës.

Loja po vazhdon të jetë dramatike, por tani Kosova kontrollon ndeshjen dhe po i afrohet një fitoreje të rëndësishme në kualifikimet për Kupa e Botës 2026.

Kosova kalon në epërsi 3:2 ndaj Sllovakisë,  ndeshja vazhdon me plot emocione

Pas një gjysme të parë dramatike, ku Sllovakia kishte shkuar në pushim me avantazh 2:1 dhe Kosova kishte rikthyer barazimin qysh në minutën e 47 me golin e Besnik Asanit, Florent Muslia ka shënuar në minutën e 59, duke kaluar Kosovën në avantazh 3:2.

Loja po vazhdon me tension të madh ku çdo pasim dhe çdo përpjekje e të dyja ekipeve mund të ndryshojë rezultatin.