Vigan Berisha viziton artistin e njohur, Arsim Berisha në Zvicër

Shefi i Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në Zvicër, z. Vigan Berisha, zhvilloi një vizitë në atelienë e z. Arsim Berisha, artist, piktor dhe koreograf shqiptar që jeton dhe vepron në Zvicër.

Z. Berisha është një emër i njohur i mërgatës sonë në fushën e artit dhe të koreografisë, i cili përmes krijimtarisë së tij ndër vite ka kontribuar në ruajtjen dhe promovimin e identitetit kombëtar në hapësirën zvicerane dhe më gjerë, shkruan albinfo.ch.

Që nga viti 1991, ai është pjesë aktive e jetës artistike në Zvicër, ku me pasion e profesionalizëm ka ndërtuar një karrierë të spikatur në pikturë, art mural, skenografi dhe vallëzim artistik. Aktualisht drejtues i Studios Artistike “FENIX”, z. Berisha ka udhëhequr me përkushtim programe të shumta kulturore e skenike, duke përfaqësuar me dinjitet mërgatën shqiptare në festivale dhe aktivitete kulturore ndërkombëtare.

Veprimtaria e tij në artin figurativ përfshin një numër të konsiderueshëm ekspozitash personale dhe kolektive në qendra të ndryshme të artit në Zvicër dhe në vende të tjera të Evropës, të cilat kanë tërhequr interes të gjerë nga publiku dhe adhuruesit e artit.

Krijimtaria e tij shquhet për stilin origjinal dhe për pasqyrimin e thellë të shpirtit dhe emocioneve njerëzore përmes ngjyrës, formës dhe lëvizjes.

Në takim u shkëmbyen mendime mbi rolin e artit dhe të krijuesve mërgatë, si dhe mbi rëndësinë që ka kultura si urë lidhëse ndërmjet mërgatës dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.

U vlerësua puna e z. Berisha si një shembull i angazhimit të mërgatës në ruajtjen e identitetit tonë kombëtar dhe në afirmimin e kulturës shqiptare në skenën ndërkombëtare.

 

 

A keni nevojë të merrni një vaksinë të re kundër Covid-it?

Në një intervistë me gazetën Blick, imunologët Martin Bachmann të Inselspital në Bernë dhe Onur Boyman i Spitalit Universitar të Cyrihut kërkojnë kujdes dhe gjykim të shëndoshë për vaksinimet.

Ata thonë se personat e cenueshëm, ose ata me sëmundje kronike ose në kontakt me grupet e cenueshme, duhet të vaksinohen, transmeton albinfo.ch.

Por ata që janë të shëndetshëm, tashmë të vaksinuar ose janë shëruar nga Covid-i në të kaluarën, në përgjithësi nuk kanë nevojë për një dozë tjetër.

Megjithatë, si gjithmonë, duhet të flisni me mjekun tuaj nëse keni ndonjë pyetje.

Zvicra është plot me qendra të dhënash

Zvicra po përjeton një bum në qendrat e të dhënave – më shumë se 15 të reja janë në ndërtim e sipër, pjesërisht për të furnizuar me energji inteligjencën artificiale.

Me mbi 120 që tashmë funksionojnë, ato përdorin rreth 7% të energjisë elektrike të vendit, një shifër që mund të dyfishohet deri në vitin 2030.

Ky vend ka një nga numrin më të lartë të qendrave për frymë në Evropë, transmeton albinfo.ch.

Një studim i ri për OJQ-në Algorithmwatch Switzerland tregon shqetësimin publik në rritje mbi përdorimin e energjisë dhe ujit, si dhe mungesën e transparencës nga operatorët.

Pothuajse tre të katërtat e të anketuarve thonë se qendrat e reja duhet të mbështeten vetëm në energjinë e rinovueshme, dhe shumë prej tyre duan mbikëqyrje më të rreptë qeveritare.

Emigrantët, shtylla e fshehur e ekonomisë zvicerane

Ndërsa Partia Popullore Zvicerane (SVP) vazhdon thirrjet për të kufizuar emigracionin, studimet tregojnë se ekonomia e Zvicrës nuk do të ishte kaq e fortë pa fuqinë punëtore të huaj, përcjell albinfo.ch.

SVP po promovon iniciativën “Jo për një Zvicër me 10 milionë banorë”, që pritet të hidhet në votim në vitin 2026, me synimin për të ulur ndjeshëm numrin e emigrantëve nga BE dhe vendet e EFTA-s.

Megjithatë, kërkimet nga EPFL dhe Universiteti i Gjenevës tregojnë se të huajt janë thelbësorë për tregun e punës dhe stabilitetin ekonomik të vendit. Rreth 60% e emigrantëve me leje qëndrimi B ose C kanë diplomë universitare, ndërsa pjesa tjetër punon në sektorë që vuajnë nga mungesa e stafit – si shëndetësia, ndërtimi dhe shërbimet.

Sipas ekonomistit Andreas Beerli, në kantone si Cyrihu dhe Zugu, 75% e emigrantëve të rinj kanë arsim të lartë, dhe ata shpesh plotësojnë boshllëqet që punëtorët vendas nuk i mbulojnë.

Kontributi i emigrantëve shtrihet edhe në financat publike. Ata paguajnë më shumë taksa dhe kontribute për sigurimet shoqërore sesa përfitojnë. Një studim i universiteteve të Cyrihut dhe St. Gallen zbuloi se në vitin 2023, personat e lindur jashtë Zvicrës paguan më shumë se 40% të kontributeve totale, por morën më pak se 30% të përfitimeve.

Pra, pavarësisht debatit politik, faktet tregojnë qartë: emigrantët janë një shtyllë thelbësore e ekonomisë dhe sistemit social zviceran.

https://actu.epfl.ch/news/immigration-from-cliches-to-economic-competitivene/

Pse çokollatën Lindt nuk mund ta gjeni më në Migros

Nëse jeni fans i çokollatave të famshme zvicerane Lindt, mos u çuditni nëse nuk i gjeni më në raftet e Migros, zinxhiri më i madh i supermarketeve në Zvicër. Arsyeja? Një përplasje për çmimet mes dy gjigantëve zviceranë, përcjell albinfo.ch.

Prej disa javësh, Migros dhe prodhuesi i çokollatave Lindt & Sprüngli janë përfshirë në negociata të vështira për çmimet e produkteve. Për shkak të mosmarrëveshjeve, shumë artikuj të markës Lindt janë zhdukur nga raftet e Migros.

Një zëdhënës i Migros ka shpjeguar se qëllimi i kompanisë është të mbrojë konsumatorët nga çmimet e larta. “Duam të sigurojmë që klientët tanë të mos paguajnë shumë për një produkt marke,” tha ai, duke nënkuptuar se Migros kërkon që Lindt të ulë çmimet.

Aktualisht, nuk dihet se sa do të zgjasë mungesa e çokollatave të njohura. Deri atëherë, adhuruesit e Lindt duhet të kërkojnë alternativat e tyre të preferuara në supermarkete të tjera.

Rreziku i vjedhjes sipas kantoneve, ku jeni më të rrezikuar?

Zvicra është një vend përgjithësisht i sigurt, por rreziku i vjedhjes së shtëpisë ndryshon sipas kantonit. Ky rrezik rritet sidomos në fund të tetorit dhe deri në dhjetor, periudhë që përkon me fundin e orës verore dhe sezonin e vjedhjeve, përcjell albinfo.ch.

Referuar analizës 10-vjeçare të sigurimeve AXA, hajdutët janë më aktivë nga tetori deri në dhjetor, duke kulmuar gjatë Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Arsyeja kryesore: nata bie më herët, gjë që u shkon për shtat vjedhësve, thotë Stefan Müller, kreu i kërkesave për pronë në AXA Zvicër.

Por jo të gjithë kantonet janë njësoj të rrezikuara. Hulumtimi tregon se rajonet frankofone (p.sh., Gjeneva, Vaud, Jura, Neuchâtel) kanë rrezik më të lartë se kantonet gjermanofone. Për shembull, në Gjenevë regjistrohen rreth 8.5 vjedhje për 1,000 familje, mbi dyfishin e mesatares kombëtare prej 3.2 vjedhjeve.

Një arsye e mundshme është afërsia me kufirin me Francën, pasi shumë vjedhje kryhen nga hajdutë që vijnë nga Franca. Qeveria federale e policisë (Fedpol) konfirmon se Zvicra frankofone është më e prekur nga krimi i organizuar francez.

Madje, disa fshatra të vogla, si Boncourt në kantonin Jura, kanë financuar vetë sisteme sigurie për të gjithë banorët e tyre për t’u mbrojtur nga hajdutët.

Si të mbroheni:

Instaloni sisteme sigurie në shtëpi

Merrni sigurim për pronën e shtëpisë që mbulon vjedhjet dhe akte vandalizmi

Ndiqni udhëzimet për të zvogëluar rrezikun e vjedhjes

Çmimet e larta dhe tregu i dobët i punës ftohin tregun e pronave në Zvicër

Në Zvicër, kërkesa për prona pritet të bjerë në vitin 2026, përcjell albinfo.ch.

Raporti i Wüest Partner tregon se, ndonëse ndërtimet po rriten, interesi për blerje ka rënë për shkak të çmimeve të larta, mungesës së ofertës dhe ngadalësimit të tregut të punës.

Numri i të punësuarve është në nivelin më të ulët që nga pandemia, çka po ul edhe kërkesën për banesa të reja.

Në Gjenevë, tarifat e parkimit mund të bazohen në të ardhura

Në të ardhmen, banorët e Gjenevës mund të paguajnë për vendet e parkimit në bazë të pagës së tyre, përcjell albinfo.ch.

Zyrtarët e zgjedhur po propozojnë që kostoja e lejes së parkimit në “zonën blu” për banorët të lidhet me të Ardhurat e Përcaktuara të Unifikuara (RDU) – një shumë që llogaritet në bazë të të ardhurave dhe pasurisë së një personi.

Nëse projektligji miratohet këtë javë, çmimi i lejes së parkimit do të varet nga të ardhurat e shoferit.

Ideja nuk është e re – ajo u propozua fillimisht në vitin 2022 si kundërpërgjigje ndaj një projektligji të Partisë së Gjelbër, e cila kërkonte rritjen e çmimit të lejes së parkimit në 800 franga për individë dhe 1,200 franga për biznese.

Alan Shearer e quan “kryevepër” paraqitjen e Granit Xhakës

Legjenda angleze e futbollit, Alan Shearer, e ka vlerësuar si “kryevepër” dhe “sensacionale” paraqitjen e Granit Xhakës në fitoren e Sunderlandit ndaj Chelseat, përcjell albinfo.ch.

Shearer, golashënuesi më i mirë në historinë e Premier Leagues, e ka përfshirë mesfushorin shqiptar në ekipin më të mirë të xhiros së nëntë.

Sipas Premier League, Xhaka ishte “në zemër të rikthimit të pabesueshëm” të Sunderlandit në “Stamford Bridge”, duke dominuar mesfushën dhe ndihmuar skuadrën të fitojë 2:1.

“Ka ofruar kryevepër në mesfushë. Ishte në një nivel tjetër, duke e mbajtur topin në lëvizje dhe duke penguar disa sulme të Chelseat,” shkroi Shearer.

Xhaka, që mban shiritin e kapitenit te Sunderland, po udhëheq skuadrën e rikthyer në elitë drejt një sezoni mbresëlënës – aktualisht në vendin e katërt në Premier League.

Partitë në balotazh lejohen të shpenzojnë deri në 2.6 milionë euro

Së fundmi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka caktuar kufirin e sipërm të shpenzimeve për fushatën për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të 9 nëntorit, përcjell albinfo.ch.

Sipas vendimit të KQZ-së, kufiri maksimal i shpenzimeve është 2 milionë e 633 mijë e 344 euro, apo dy euro për çdo votues të regjistruar (1316672).

Fushata zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët e raundit të dytë do të fillojë më 3 nëntor dhe do të përfundojë më 9 nëntor 2025, në orën 06:59.

Subjektet politike nuk mund ta tejkalojnë vlerën e kufizuar të shpenzimeve në komunat në të cilat garojnë në rrethin e dytë të zgjedhjeve.

14-vjeçari nga Kosova, hero në Gjermani

Një adoleshent 14-vjeçar nga Kosova është bërë hero në Gjermani pas veprimit të tij guximtar për të shpëtuar një shok të shkollës. Len Fejzullahu rrezikoi jetën e tij kur një bashkëmoshatar e sulmoi shokun e tij me një çekiç, përcjell albinfo.ch.

“Friedberger Allgemeine” raportoi të hënën rrëfimin e Lenit, i cili tregoi guxim të jashtëzakonshëm. Ngjarja ndodhi në oborrin e shkollës, ku Len qëndronte me dy shokë kur një adoleshent iu afrua me një çekiç, i veshur me uniformë ushtarake.

“Fillimisht mendova se ishte një shaka,” tha Leni. Por situata ishte serioze: një 15-vjeçar sulmoi dy 14-vjeçarët, duke plagosur rëndë njërin. Nëse Leni nuk do të ndërhynte, pasojat mund të kishin qenë edhe më të rënda.

Sipas raportimeve, sulmuesi goditi një nga shokët e Lenit në kokë. Leni u godit vetëm në krah, ndërsa një tjetër shok arriti të largohej. “E pash shokun tim të shtrirë në tokë,” rrëfeu Leni. Ai ndërhyri, fillimisht duke e goditur sulmuesin në këmbë dhe më pas duke ia marrë çekiçin dhe duke e rrëzuar.

Pas ndërhyrjes, Leni dhe shoku i tij shkuan drejt shkollës, ku u ndihmuan nga dy mësues dhe u lajmërua policia dhe ambulanca. Sulmuesi, 15-vjeçar, u arrestua dhe është në mbajtje nën akuzën për tentim vrasje dhe lëndim të rëndë. Hetuesit po shqyrtojnë nëse sulmuesi ka lidhje me ideologji ekstremiste.

Leni gjithashtu ka mohuar spekulimet në TikTok se sulmuesi ishte i bullizuar, duke theksuar se e njihte vetëm si një figurë dhe se komentet do të ishin ndryshe po të ishte i huaj.

Sot, Len do të takohet me kryebashkiakun Roland Eichman për të nderuar veprimin e tij të guximshëm.

https://www.augsburger-allgemeine.de/friedberg/hammerattacke-an-der-mittelschule-friedberg-wie-len-seinen-mitschueler-rettete-112655402?fbclid=IwRlRTSANtgwZleHRuA2FlbQIxMQABHheuokMMm6XvLMG-t_Kdh5HqyY4qtenVP3RAJ1rLBHonzBtCLYGz_-AgW31m_aem_yimnySS38O54ewjbkLuzXw

Gratë shqiptare që ndriçojnë botën në “Tetorin Rozë”

Tetori është simbol i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, një kohë për reflektim, solidaritet dhe mbështetje për gratë që përballen me këtë sfidë.

Në fakt “Tetori Rozë” nuk është vetëm një ngjarje shëndetësore, është edhe një mundësi për të theksuar fuqinë, talentin dhe ndikimin e grave shqiptare në arenën ndërkombëtare.

Nga letërsia, filozofia dhe arti, te aktivizmi dhe përvoja personale, gratë shqiptare po tregojnë se aftësitë dhe zëri i tyre mund të ndriçojnë jo vetëm brezat e tyre, por edhe komunitetet ndërkombëtare.

Revista Albinfo.ch sjell përpara lexuesve disa nga mendjet dhe zërat më ndritës të grave shqiptare, të cilat jo vetëm krijojnë vepra me ndikim global, por edhe frymëzojnë për ndërgjegjësim, fuqizim dhe ndryshim.

“Tetori Rozë” bart në vetvete brishtësi, delikatesë, fuqi dhe qëndresë. Ky muaj përçon një ndjesi lufte të qetë, një betejë të ndërthurur me forcë dhe bukuri, ku çdo veprim, çdo zë dhe çdo sukses i grave shqiptare duket si një hijeshmëri që sfidon sfidat.

Në të vertetë ky muaj na kujton se fuqia nuk ka nevojë të jetë e zhurmshme për të qenë e jashtëzakonshme, shpesh ajo shfaqet me elegancë dhe vendosmëri.

Një zë i fortë i grave shqiptare është Shqipe Sylejmani, shkrimtare që rikthehet sërish para lexuesve me librin e saj më të ri, “Stolz und Widerstand”. Ky roman është një homazh për gratë shqiptare, që përmes rrëfimeve të gjysheve, nënave, motrave dhe bijave, tregon se fuqia dhe qëndresa mund të ruhen dhe transmetohen brez pas brezi. Në pak fjalë, Sylejmani vendos gruan shqiptare në qendër, duke shprehur me delikatesë dhe vendosmëri hijeshinë e brishtë të asaj që shpesh mbetet e padukshme, por ka ndikim të jashtëzakonshëm në jetët tona.

 

Shembull tjetër i fuqisë dhe ndikimit të grave shqiptare në arenën ndërkombëtare është Jehona Kicaj, autore e romanit “ë”, i cili ka bërë jehonë të madhe duke u futur në “short list” të Çmimit Gjerman të Librit 2025. Romani i saj eksploron tema të identitetit, traumës dhe përvojave të heshtura, duke reflektuar mbi sfidat dhe fuqinë e grave në mënyrë delikate dhe të ndjeshme. Ky sukses ndërkombëtar tregon se zëri i grave shqiptare nuk është vetëm i dëgjuar, por edhe i respektuar në skenën globale letrare, duke i dhënë artikullit tonë dimensionin e fuqisë që sfidon dhe frymëzon njëkohësisht.

 

Një tjetër mendje e ndritshme shqiptare që ka bërë jehonë ndërkombëtarisht është Lea Ypi, filozofe dhe autore e librave “Të lirë dhe Të poshtëruar”, “Të mbijetosh në epokën e ekstremeve”. Vepra e saj ndërthur reflektimin filozofik me histori personale dhe familjare, duke shqyrtuar lirinë, identitetin dhe mbijetesën në shoqëri. Përmes shkrimeve të saj, Ypi frymëzon lexuesit dhe veçanërisht gratë shqiptare që të reflektojnë mbi rolin dhe fuqinë e tyre, duke i dhënë “Tetorit Rozë” edhe një dimension intelektual dhe kulturor që ndriçon mendjet dhe zemrat.

 

Në arenën ndërkombëtare të letërsisë, një zë i ri dhe premtues shqiptar është Ledia Xhoga, e cila debutoi me romanin “Misinterpretation” në vitin 2024. Ky libër e ka futur atë në mesin e pretendentëve për Çmimin prestigjioz “Booker Prize 2025”, duke u bërë vetëm autorja e dytë shqiptare që arrin një nominim të tillë, pas Ismail Kadaresë. Përmes veprës së saj, Xhoga gërsheh realitetin shqiptar me tematika universale, duke i dhënë fuqinë dhe zërin e grave shqiptare një hapësirë ndërkombëtare, që frymëzon dhe sfidon lexuesit të reflektojnë mbi përvojat njerëzore dhe barazinë gjinore.

 

Hiq më pak, Irma Kurti është një tjetër zë i fuqishëm ndërkombëtar i grave shqiptare. Ajo është poete e njohur dhe e vlerësuar me shumë çmime letrare. Deri tani, ajo ka botuar 29 libra në shqip, 25 në italisht, 15 në anglisht dhe 2 në frëngjisht, dhe veprat e saj janë përkthyer në 16 vende të botës. Përmes poezisë së saj, Kurti frymëzon gratë shqiptare dhe lexuesit globalë, duke treguar se zëri i grave mund të ndriçojë dhe preku zemrat pavarësisht gjuhës apo kufijve.

 

Në përputhje me temën “Tetorit Rozë”, një zë i veçantë që sjell përvojën personale dhe ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit është Mira Kazhani, gazetare dhe autore e librit “Një ditë tjetër…”. Ky rrëfim emocional ka thyer rekordet e lexueshmërisë në Shqipëri, Kosovë dhe diasporë brenda pak ditësh. Përmes historisë së saj, Kazhani tregon me sinqeritet frikën, shpresën dhe forcën që gratë nxjerrin gjatë përballjes me sëmundjen, duke e bërë librin një instrument sensibilizues dhe inspirues për të gjithë lexuesit, dhe një shembull konkret të fuqisë dhe qëndresës së grave.

Përmes rrëfimeve, veprave filozofike, poezisë dhe përvojave personale, grave shqiptare si Shqipe Sylejmani, Jehona Kicaj, Lea Ypi, Ledia Xhoga, Irma Kurti, Mira Kazhani, po tregojnë se zëri dhe talenti i tyre mund të prekin botën.

Që nga romanet ndërkombëtare që trajtojnë traumën dhe identitetin, te eseistikat kritike mbi barazinë gjinore, deri te rrëfimet personale mbi sfidat shëndetësore, këto gra janë drita që frymëzon dhe udhëheq. Ato na kujtojnë se fuqia e një gruaje nuk matet vetëm me suksesin profesional, por edhe me aftësinë për të sfiduar kufizimet, për të frymëzuar të tjerët dhe për të ndryshuar shoqërinë.

Në këtë “Tetor Rozë”, ndërgjegjësimi mbi kancerin e gjirit bashkohet me nderimin dhe festimin e mendjeve të ndritura shqiptare, duke treguar se forca dhe hijeshia mund të ecin dorë për dorë, dhe se çdo histori, çdo libër dhe çdo zë ka vlerë për të ndërtuar një botë më të barabartë dhe më të ndritur. /Albinfo.ch

Banimi dhe kujdesi për të moshuarit në Cyrih – sesione informuese në shqip

Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih, në bashkëpunim me Qytetin e Cyrihut – Zyrën për të Moshuarit (Fachstelle Zürich im Alter), ju fton në dy sesione informuese në gjuhën shqipe rreth shërbimeve dhe mundësive për mbështetje për të moshuarit në qytetin e Cyrihut.

Sesionet informuese kan për qëllim të informohen bashkatdhetarët tanë për të drejtat, subvencionet dhe mundësitë e banimit me mbështetje, duke siguruar qasje të barabartë në shërbimet komunale.

Tema dhe Data:

E premte, 31 tetor 2025 – Financimi i kujdesit në shtëpi

Informim mbi subvencionet dhe mbështetjet financiare për pensionistët me të drejtë për përfitime shtesë (AHV me Zuschüsse).

E premte, 21 nëntor 2025 – Regjistrimi për banesat komunale për të moshuarit (SAW)

Prezantim i sistemit të ri të aplikimit dhe shpalljes publike të banesave komunale të dedikuara për të moshuarit.

Vendi:

Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih

Adresa:

Eugen Huber-Strasse 19a, 8048, Zürich

Ora:

Hapja e dyerve: 15:00

Fillimi i sesionit: 15:10

Përfundimi: 16:15

Informacione shtesë:

Pjesëmarrja është falas dhe pa regjistrim paraprak

Gjuha e prezantimit: Shqip

Pas prezantimit ofrohet mundësi për pyetje dhe konsultime individuale

Ky aktivitet zhvillohet në bashkëpunim mes Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih dhe autoriteteve të Qytetit të Cyrihut.

albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch

 

 

Kur shteti mbetet pa buxhet: Rreziqet që i kanosen Kosovës

Dështimi për formimin e një qeverie të re ka rritur rrezikun që Kosova të hyjë në vitin 2026 pa buxhet.

Për ekspertin e financave, Haki Shatri, shteti rrezikon të falimentojë, teksa mund të mos ketë para as për paga, e as për pensione e shtesa për fëmijët në fillimvitin e ardhshëm.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Shatri thotë se vetëm një qeveri me kompetenca të plota mund të ndërmarrë nisma për ndryshimin e ligjit për buxhetin, apo për vazhdimin e ndarjeve buxhetore edhe për muajt e parë të 2026-tës.

“Nëse nuk gjendet ndonjë zgjidhje që të funksionalizohet një e dymbëdhjeta e buxhetit në janar, edhe tërmet të ketë, nuk guxon askush të ndërmarrë asgjë”, shprehet ai.

Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave thotë se pa një qeveri të re, në janari s’do të ketë para as për ushtrinë e Policinë.

https://www.evropaelire.org/a/kosova-buxheti-falimentim-/33572276.html

Top 10 aeroportet me numrin më të madh të fluturimeve në Evropë

Referuar të dhënave të “EUROCONTROL” për periudhën 13–19 tetor 2025, Aeroporti i Stambollit arriti mesataren prej 1 556 fluturimesh në ditë, duke e renditur si aeroportin me trafikun më të lartë në Evropë, transmeton albinfo.ch.

Rënditja kryesore në Evropë

Më poshtë janë disa nga aero­portet me fluturimet më të shumta në këtë periudhë:

1. Stamboll – ~1 556 fluturime/ditë

2. Aeroporti Schiphol i Amster­damit – 1,438 fluturime

3. Aeroporti i Frankfurtit – 1,414

4. Aeroporti Paris Charles de Gaulle – 1,347

5. Aeroporti Heathrow i Londrës – 1,342

6. Aeroporti Adolfo Suárez Madrid‑Barajas- 1,226

7. Aeroporti i Barcelonës – 1,070

8. Aeroporti i Mynihut – 1,029

9. Aeroporti i Antaljas –957

10.  Aeroporti i Romës Fiumicino –941

Vlen të theksohet se renditja saktësisht për vendet 2-10 mund të ndryshojë lehtë sipas periudhës dhe metodologjisë së matjes. / Albinfo.ch

Tre persona humbin jetën në Gjermani gjatë ndjekjes nga policia

Raportohet se një ngjarje tragjike ka ndodhur në Gjermani, ku tre persona kanë humbur jetën pas një ndjekjeje policore që përfundoi me aksident fatal, përcjell albinfo.ch.

Sipas mediave gjermane, incidenti ndodhi në autostradën A2, kur shoferi i një BMW-je me targa të Mynihut nuk iu bind urdhrit të ndalimit nga policia. Ai u largua me shpejtësi të madhe, por ndjekja përfundoi tragjikisht kur makina ra në Kanalin Mittelland.

Nga aksidenti humbën jetën tre persona, dy shtetas kroatë dhe një serb, që sipas raportimeve të para, ishte edhe shoferi i automjetit.

Autoritetet gjermane po hetojnë shkaqet e ikjes nga policia, ndërsa ende nuk dihen rrethanat e plota të ngjarjes që ndodhi gjatë fundjavës.

Hetimet pritet të sqarojnë nëse pas incidentit qëndron ndonjë veprim i paligjshëm apo ndonjë arsye tjetër që i shtyu personat të mos ndalonin.

Magjia e violinës së Tedi Papavramit në hapje të Festivalit Ndërkombëtar “ReMusica”

Qyteti i Prishtinës u mbush me tingujt e muzikës bashkëkohore në hapjen e edicionit të 24-të të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “ReMusica”, një nga ngjarjet më të rëndësishme të skenës kulturore në Kosovë dhe rajon, shkruan albinfo.ch.

Këtë vit, festivali po zhvillohet nën temën “Contrasts”, duke sjellë një udhëtim të pasur përmes kontrasteve mes traditës dhe modernitetit, ku muzika bëhet urë lidhëse mes kulturave dhe kohëve të ndryshme.

Mbrëmja e hapjes u karakterizua nga një performancë brilante e violinistit shqiptar me famë botërore, Tedi Papavrami, i cili solli magji në skenë me paraqitjen dhe profesionalizmin e tij.

Ai u shoqërua nga pianistja japoneze Maki Okada, si dhe nga ReVocal Ensemble dhe kompozitori e dirigjenti i njohur Rafet Rudi, themelues i vetë festivalit “ReMusica”.

Publiku u përfshi në një përvojë muzikore të veçantë, ku virtuoziteti i Papavramit dhe ndjeshmëria interpretative krijuan një atmosferë që kapërcente kufijtë e zhanreve. Ishte një mbrëmje e mbushur me emocione, elegancë dhe art të pastër.

Festivali “ReMusica” do të vazhdojë deri më 31 tetor 2025, me koncerte, recitale dhe prezantime të veprave të autorëve bashkëkohorë nga Kosova, rajoni dhe bota.

Gjatë kësaj periudhe, Prishtina dhe Prizreni do të shndërrohen në qendra të muzikës bashkëkohore, duke ofruar një kalendar të pasur artistik për publikun vendas dhe ndërkombëtar.

https://www.instagram.com/reel/DQV_vbDiNqF/?igsh=MTVxaGxoZHZmYjJzcg==

https://www.instagram.com/reel/DQV_YwMiF1w/?igsh=b3F5M3lhZDdmeDZh

Skandal në futbollin turk, qindra gjyqtarë nën hetim për vendosje të paligjshme bastesh

Federata Turke e Futbollit (TFF) ka zbuluar një skandal të gjerë që përfshin qindra gjyqtarë, të cilët dyshohen se kanë marrë pjesë në veprimtari të paligjshme bastesh sportive. Lajmin e bëri publik presidenti i TFF-së, Ibrahim Haciosmanoglu, i cili premtoi masa të menjëhershme disiplinore.

Sipas një hetimi të brendshëm, nga 571 gjyqtarë të kontrolluar, 371 rezultuan me llogari bastesh, ndërsa 152 prej tyre kanë vënë baste në mënyrë aktive.

“Ne jemi të vendosur ta pastrojmë futbollin turk nga çdo formë korrupsioni. Nuk do të ketë asnjë përjashtim,” deklaroi Haciosmanoglu, duke shtuar se sanksionet do të nisin që nga sot.

Të dhënat tregojnë se 10 prej gjyqtarëve kanë vendosur më shumë se 10 mijë baste secili, ndërsa një prej tyre ka arritur shifrën e 18 227 basteve. Gjithashtu, 42 gjyqtarë kanë vendosur bast në mbi 1 000 ndeshje futbolli.

Në mesin e personave të përfshirë ndodhen edhe 22 gjyqtarë që arbitrojnë në nivel kombëtar – përfshirë 7 kryesorë dhe 15 ndihmës – megjithatë, TFF nuk ka bërë publikë emrat e tyre dhe as nuk ka sqaruar nëse ndonjëri ka vënë bast për ndeshjet që ka arbitruar vetë.

Federata turke është përballur shpesh me akuza për paragjykime dhe korrupsion në arbitrazh. Për të shmangur dyshimet, gjatë pranverës së vitit 2024, TFF nisi praktikën e përdorimit të gjyqtarëve të huaj në sistemin VAR të disa ndeshjeve të Superligës.

Në shkurt të po atij viti, një gjyqtar i huaj u caktua edhe për të drejtuar derbin e zjarrtë Galatasaray–Fenerbahçe, si përpjekje për të rritur besueshmërinë dhe transparencën në fushë.

 

Kosova me njoftim për qytetarët pas tërmetit në Turqi

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.1 goditi pjesën perëndimore të Turqisë të hënën, duke shkaktuar rrëzimin e të paktën tre ndërtesave, sipas autoriteteve lokale.

Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara ka publikuar udhëzime për kosovarët që ndodhen në zonat e prekura. Ata këshillohen të qëndrojnë të qetë, të shmangin ndërtesat e pasigurta dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve turke.

Sipas raporteve të fundit, nuk janë konfirmuar viktima, por disa ndërtesa kanë pësuar dëmtime. Ekipet e emergjencës dhe shpëtimit janë aktivisht në terren për të ndihmuar qytetarët dhe për të vlerësuar situatën.

Për çdo nevojë, qytetarët mund të kontaktojnë:

Ambasada e Kosovës – Ankara

📞 +90 542 711 80 99

📧 [email protected]

Konsullata e Përgjithshme e Kosovës – Stamboll

📞 +90 531 105 63 91

📧 [email protected]

 

Ndryshimet që ndodhin në Zvicër në nëntor

Nga nëntori, në Zvicër do të hyjnë në fuqi disa rregullore dhe ligje të reja. Ka kërkesa të reja për faturat QR dhe ndryshime në statusin e mbrojtjes “S” për ukrainasit. Ja detajet:

1. Sistemi i ri i hyrjes dhe daljes në Aeroportin e Cyrihut

Aeroporti i Cyrihut do të implementojë sistemin e ri të hyrjes dhe daljes (EES) nga 17 nëntori. Ky sistem është tashmë aktiv në Aeroportin Euroairport Basel që nga 12 tetori 2025 dhe do të zbatohet nga 29 shtete të zonës Schengen, përfshirë Zvicrën.

Sistemi i ri EES synon të përmirësojë kontrollin e kufijve duke u bërë gjithnjë e më i automatizuar dhe vlen vetëm për shtetasit e vendeve të treta. Ai regjistron kërkesat për hyrje dhe dalje, refuzimet e hyrjes dhe mbledh të dhëna biometrike. Qëllimi është të luftohet më mirë mashtrimi i identitetit, terrorizmi dhe krimi i organizuar.

“EES do të zëvendësojë në të ardhmen vulosjen manuale të dokumenteve të udhëtimit,” njofton Aeroporti i Cyrihut.

2. Statusi i mbrojtjes “S” për ukrainasit

Nga 1 nëntori 2025, statusi i mbrojtjes “S” për ukrainasit do të ndryshojë. Ata që vijnë nga rajone ku kthimi konsiderohet i arsyeshëm nuk do të marrin më këtë status. Rajonet do të përcaktohen nga Sekretariati Shtetëror për Migracionin (SEM) dhe lista do të rishikohet rregullisht.

Kjo rregullore vlen vetëm për aplikimet që do të shqyrtohen pas 1 nëntorit 2025. Ukrainasit që tashmë jetojnë në Zvicër dhe kanë marrë vendimin për mbrojtje nuk preken, as anëtarët e familjes së tyre të afërt që dëshirojnë t’u bashkohen. SEM ka theksuar se statusi “S” nuk do të hiqet para 4 marsit 2027, përveç nëse situata në Ukrainë stabilizohet qëndrueshëm deri atëherë.

3. Zgjatja e kohës maksimale për kompensimin e punës me kohë të shkurtër

Nga 1 nëntori 2025, periudha maksimale për kompensimin e punës me kohë të shkurtër do të rritet në 24 muaj. Qëllimi është mbështetja e sektorëve të orientuar drejt eksportit si makina, elektro, industria e metalit dhe ora. Kjo rritje jep siguri më të madhe për planifikimin e kompanive dhe u mundëson atyre të përballojnë situatën e vështirë ekonomike.

4. Faturat QR me adresë të strukturuar

Nga 22 nëntori 2025, informacioni i adresës për faturat QR duhet të jetë në formë të strukturuar (Adresë tipi S). Kjo vlen për adresën e personit që lëshon faturën dhe për atë që e paguan.

Six Group thekson se ndryshimi përfshin mbështetje ekskluzive për adresën e strukturuar dhe përdorimin e më shumë shenjave speciale dhe germave të veçanta. Ky ndryshim prek si bizneset ashtu edhe individët që ofrojnë pagesa përmes faturave QR.

5. Ulja e tarifave të vizave

Nga 1 nëntori 2025, tarifat e shkëmbimit (Interchange fees) do të ulen në maksimum 0,15% për pagesat me kartë në dyqanet fizike në Zvicër. Për pagesat online me kartë debiti tarifa do të jetë vetëm 0,25%.

Edhe kartat Visa nga Zona Ekonomike Evropiane do të kenë tarifa më të ulëta: kartat debiti në 0,2% dhe kartat krediti në 0,44%.

6. Ndryshime në kantone të caktuara

Kantoni Basel-Stadt do të ndryshojë ligjin për mbrojtjen e banesave nga 1 nëntori 2025. Do të kërkohet leje shtesë për ndërtimet, rinovimet ose shembjet e ndërtesave, dhe pas këtyre masave, qiratë do të vendosen nga komisioni i mbrojtjes së banesave dhe do të jenë të kontrolluara për pesë vjet.

Përjashtohen ndërtesat me tre apartamente ose më pak, ndërtesat luksoze, apartamentet kooperativë dhe ato për qira të shkurtër (maksimumi tre muaj).

Në Prishtinë shënohet Dita e Austrisë, Kurti: Austria i ka qëndruar pranë Kosovës në çdo fazë kritike

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në pritjen e organizuar me rastin e Ditës Kombëtare të Austrisë. Në këtë aktivitet, ai uroi shtetin dhe popullin austriak për shënimin e kësaj feste.

“Dje, Austria shënoi këtë moment historik për të 60-tën herë që kur u bë festë zyrtare kombëtare gjashtë dekada kujtimi, reflektimi dhe krenarie në një rrugë të përcaktuar nga demokracia, përgjegjësia dhe liria,” tha kryeministri Kurti.

Ai theksoi se kjo ditë ka një rezonim të veçantë për Kosovën. “Rrugëtimi i Austrisë nga okupimi në pavarësi, nga ndarja në demokraci pasqyron në shumë mënyra rrugën tonë drejt lirisë dhe vetëvendosjes. Na kujton se sovraniteti nuk ka të bëjë vetëm me kufijtë, por edhe me vlerat: drejtësinë, solidaritetin dhe dinjitetin njerëzor,” shtoi ai.

Kryeministri Kurti gjithashtu theksoi rëndësinë e miqësisë dhe partneritetit mes dy shteteve. “Austria i ka qëndruar pranë Kosovës në çdo fazë kritike të shtetësisë sonë. Ishte ndër vendet e para që njohu pavarësinë tonë; ka qenë një mbështetëse e palëkundur e rrugës sonë evropiane; dhe vazhdon të jetë një nga partnerët tanë më të rëndësishëm në zhvillim, arsim dhe investime. Për këtë, shpreh mirënjohjen tonë të thellë,” tha kryeministri.

Në fjalën e tij Kurti theksoi tre dimensione të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Austrisë: bashkëpunimin ekonomik dhe teknologjik, arsimimin dhe mbështetjen për të rinjtë, si dhe angazhimin e përbashkët për një të ardhme evropiane.

Ceremonia përkujtimore për Ditën Kombëtare të Austrisë theksoi vlerat e përbashkëta të dy vendeve: paqen, pavarësinë, bashkëpunimin dhe miqësinë.

 

 

ADN-ja çoi në arrestimin e autorëve të grabitjes në Muzeun e Luvrit

Një gjurmë ADN-je ka qenë çelësi që ndihmoi autoritetet franceze të zbardhin grabitjen e bujshme në Muzeun e Luvrit, duke çuar në arrestimin e dy personave të shtunën në mbrëmje.

Sipas BFMTV, një nga të dyshuarit u identifikua falë një gjurme vendimtare ADN-je të gjetur në vendngjarje. Hetimi, i cili kishte përfshirë analizimin e mbi 150 mostrave të ndryshme, përfshinte gjurmë gishtash, ADN-je dhe elementë të tjerë provues.

Prokurorja e Parisit, Laure Beccuau, konfirmoi se hetuesit kishin mbledhur një sërë provash biologjike, ndërsa shefja e policisë mjeko-ligjore, Perrine Rogiez-Thubert, sqaroi se janë përdorur si gjurmë “të pasura” (gjak, pështymë, spermë), ashtu edhe “të dobëta” – të mbetura në objekte të prekura nga autorët.

Në vendngjarje janë gjetur disa sende me potencial provues, përfshirë një helmetë, një radio dore, një jelek të verdhë dhe dy rrota prerëse metalesh, të cilat ndihmuan në ndërtimin e profilit gjenetik të të dyshuarve.

Hetimi mori kthesë vendimtare kur një prej të dyshuarve tentoi të largohej nga Franca. Ai u identifikua përmes testimit të ADN-së dhe u arrestua në aeroportin Roissy–Charles de Gaulle, teksa përgatitej të udhëtonte drejt Algjerisë.

Të arrestuarit janë dy burra rreth të tridhjetave, banues në Aubervilliers, një periferi veriore e Parisit. Njëri ka shtetësi franceze dhe algjeriane, ndërsa tjetri është shtetas francez. Ende nuk dihet roli i tyre i saktë në grabitje, por ata konsiderohen të dyshuarit kryesorë.

Autoritetet franceze po vazhdojnë hetimet për të zbuluar bashkëpunëtorët e mundshëm dhe për të gjetur plaçkën e grabitur, e cila mbetet ende e humbur.