Lajme

Cyrih: Tenori Saimir Pirgu me shfaqje mbresëlënëse

Në Cyrih të Zvicrës, sapo ka lënë shenjën e vet, tenori i shquar Saimir Pirgu.

Ato që e shoqëruan shfaqjen e tij mbresëlënse ishin duartrokitje, kritika pozitive dhe shumë falënderime për të, në operën “Carmen” me regji të Andreas Homoki, përcjell albinfo.ch.

Vënia në skenë e operës  “Carmen” në Cyrih është një bashkëprodhim me Opera Comique në Paris. Regjisori Andreas Homoki bëri përshtatjen e duhur me atë franceze, duke sjellë një surprizë për publikun. Rolet kryesore regjisori Homokia ia besoi tenorit shqiptar Saimir Pirgu dhe mezosopranes Marina Viotti.

Mediat dhe kritikat zvicerane e shoqëruan me fjalët më të shkëlqyera interpretimin fantastik të Saimir Pirgut.

“Mezosoprane Viotti është tejkaluar edhe për nga volumi nga partneri i saj i skenës Saimir Pirgu. Me rolin e Don José, këngëtari shqiptar dëshmon se është një tenor heroik, i cili formon harqet e tij melodike me forcë të përqendruar dhe elegancë sublime. Pirgu është bindës edhe në lojë kur bie viktimë e çmendurisë shkatërruese të dashurisë.”, shkruan gazetari Peter Wäch.

Gazetari i prestigjiozes zvicerane, NZZ, Christian Wildhagen thotë se Saimir Pirgu e luan shkëlqyeshëm rolin e Don José:

“Një nga “njerëzit e çuditshëm” humbet në skenë, i veshur me një look casual dhe këpucë firmato. Në skenën ende boshe, ai gjen si rastësisht një reduktim të pianos, e lexon me zor dhe e marrin menjëherë të rinjtë e pacipë vendas, të cilët së pari i grabisin këpucët dhe pastaj fletën e muzikës. Sigurisht që është Don José, tenori, i cili nuk e di se çfarë po ndodh me të. Saimir Pirgu e luan shkëlqyeshëm këtë rol.”, shkruan e përditshmja NZZ.