Zhvillim

Demokracia e vonuar për shqiptarët e Maqedonisë

Kur në vitin 2006 Nikolla Gruevski riktheu në pushtet partinë e tij nacionaliste VMRO-DPMNE, ai lidhi koalicion me PDSH-në, parti politike minoritare shqiptare, me të cilin bashkudhëhiqte deri në vitin 2011.

Ky akt mes VMRO-s dhe PDSH-së u përjetua si hap i hidhur nga simpatizantët e BDI-së, parti kjo në koalicion qeveritar me SDSM-në, që nga zgjedhjet e para dhe të dyta parlamentare të pasluftës së vitit 2001. Karshi këtij koalicioni VMRO-PDSH zhgënjimi ishte i madh, sepse BDI-ja i kishte fituar shumicën e deputetëve shqiptarë që përkufizonte sistemin e vërë në vend (me bashkëpërgjegjësinë e tyre), Gruevski kështu e kishte varur lëkurën e ujkut për BDI-në duke u lidhur me PDSH-në. Kjo e fundit sillej me një ndjenjë primitive revanshizmi ndaj simotrës shqiptare që e kishte nxjerrë nga pushteti në vitin 2001.

Duke e observuar mirë psikologjinë e lidershipit të BDI-së që sapo kishte filluar ta kuptojë sistemin dhe të përvetësojë, në mënyrë substanciale, të mira materiale falë pushtetit, strategjia e Gruevskit ishte shumë e qartë: t’i ofronte partisë kryesore shqiptare që të futej në koalicion, pa formuluar kushte që ndërlidheshin me vazhdimin e implementimit të obligimeve që rridhnin nga Marrëveshja e Ohrit. BDI u fut në koalicion, ngase motivimet e saj nuk kishin më aq shumë të bëjnë me jetësimin e frymës së Ohrit, por me marrjen e ca troshave të kulaçit (resoreve ministrore) me VMRO-në. Mirëpo, edhe po ta dëshironin, ata nuk ishin në pozicion force për ta avancuar procesin e ndryshimeve në favor të të drejtave kolektive të shqiptarëve, ngase PDSH-ja ishte e gatshme në çdo moment për ta zëvendësuar BDI-në. Më kujtohet se gjatë atyre ditëve, në një ndejë në Shkup, aktorët lokalë të BDI-së i studionin të gjitha opcionet për t’u rikthyer në pushtet. Dëgjoja me kureshtje. Në një moment m’u drejtuan dhe me pyetën: E ju, profesor, si mendoni? Iu përgjigja: Po rrini në opozitë. Mekanizmi i “shumicës së Badinterit” ju mundëson ta paralizoni çdo vendimmarrje legale të kësaj qeverie, gjë që ju mundëson pastaj të jeni në pozicion ta negocioni futjen në pushtet. Askush nuk foli, por shikimi i tyre përbuzës më la të kuptoj se preokupimet e tyre ishin të rikthehen në pushtet me çdo kusht dhe t’i sigurojnë tenderët që ishin përgatitur më herët…

Kjo situatë e mjerë, të cilës partitë politike shqiptare i kontribuan me plot vetëdije, ndikoi që Gruevski me klanin e tij ta zhbëjnë procesin e Ohrit dhe t’i defaktorizojë shqiptarët në vendimmarrje të vendit. Shembujt që argumentojnë këtë zmbrapsje nuk mungojnë, duke filluar nga kufizimi qesharak i përdorimit të gjuhës shqipe apo i flamurit shqiptar, decentralizimit qëllimisht të sabotuar deri në instrumentalizimin e institucioneve fetare (ortodokse dhe islame), për të legjitimuar rendin ekzistues të kalbur, gjë që madje ndikoi në polarizimin e mëtutjeshëm të kësaj shoqërie veçse me një hendek të thellë ndëretnik. Falë këtyre zhvillimeve si dhe korrupsionit dhe nepotizmit të gjithanshëm shqiptar, hapësirat urbane dhe rurale shqiptare në Maqedoni, veçanërisht Shkupi dhe Kumanova, u metamorfozuan në qendra që sot i ngjajnë, për nga forma dhe përmbajtja, Lindjes së Mesme dhe jo Evropës.

Demokracia është vonuar për shqiptarët e Maqedonisë. Tani, pas ngjarjeve të Kumanovës dhe daljes në skenë të mashtrimeve të VMRO-s dhe partnerëve të saj qeveritarë, pra edhe atyre shqiptarë, është momenti që demokracia të triumfojë edhe te shqiptarët dhe jo vetëm te maqedonasit. Me fjalë të tjera, nuk munden shqiptarët e Maqedonisë të shkojnë përpara me një formacion politik që synon t’i përfqësojë ato ad eternum, pa legjitimitet të vërtetë demokratik.

Prandaj, edhe opozitari Zaev duhet të ndryshojë kursin ndaj shqiptarëve dhe veçanërisht ndaj përfaqësuesve të tyre, e kështu të kontribuojë në zgjerimin e proceseve demokratike dhe zhvillimit në tërë vendin, pra edhe të hapësirave shqiptare, dhe jo vetëm në ato maqedonase. Vetëm kështu ky vend mund të dalë nga rruga e pashpresë, në të cilën ndodhet aktualisht. Pra, shqiptarët duhet të zbresin në rrugë dhe ta mbështesin largimin e qeverisë aktuale, por vetëm nëse përkushtimi nga opozitari Zaev ndaj interesave të tyre është serioz, dhe jo vetëm instrumentalizues për të ardhur në pushtet.