Kosova
Departamenti Amerikan i Shtetit dënon ndalimin e kosovarëve nga Serbia
Autoritetet thanë se nëntë zyrtarë policorë janë liruar, ndërkaq ndaj Dejan Jankoviq, Serbia ka caktuar masën e paraburgimit prej 48 orësh nën akuzën për prishje të rendit kushtetues të Serbisë
Departamenti Amerikan i Shtetit i ka bërë thirrje Serbisë të vetëpërmbahet nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara, dhe ka thënë se pret lirimin e menjëhershëm të zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, DASH u bëri thirrje autoriteteve serbe të veprojnë me transparencë dhe në përputhje të plotë me ligjin në lidhje me qytetarët kosovarë të ndaluar në Serbi dje, transmeton albinfo.ch.
“Ndalimet arbitrare apo padrejtësisht të gjata, posaçërisht nëse cak i tyre janë oficerët e Policisë së Kosovës, do të shihen si veprime përshkallëzuese që dëmtojnë paqen dhe stabilitetin”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për Radion Evropa e Lirë më 18 prill.
Sipas autoriteteve kosovare, Serbia ndaloi mbi 1.400 kosovarë, teksa po kalonin transit nëpër Serbi. Në mesin e të ndaluarve ishin edhe dhjetë zyrtarë policorë.
Autoritetet thanë se nëntë zyrtarë policorë janë liruar, ndërkaq ndaj Dejan Jankoviq Serbia ka caktuar masën e paraburgimit prej 48 orësh nën akuzën për prishje të rendit kushtetues të Serbisë.
Sipas DASH, marrëveshja për lëvizjen e lirë mes Kosovës dhe Serbisë, e arritur më 2011 në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, “ofron parametra të qarta për hyrjen dhe daljen e qytetarëve kosovarë në dhe jashtë Serbisë”. “Siç ka theksuar Bashkimi Evropian, vonesat si këto të fundit, përbëjnë shkelje të kësaj marrëveshjeje”, tha DASH.
Sipas marrëveshjes për lirinë e lëvizjes “qytetarët (me vendbanime të përhershme) të të dyja palëve duhet të kenë mundësi të udhëtojnë lirshëm brenda ose përmes territorit të njëra-tjetrës dhe në pikat kufitare të qarkullojnë vetëm me letërnjoftim”.
Departamenti i Shtetit tha se të gjitha palët duhet t’u shmangen veprimeve që mund ta rrezikojnë sigurinë dhe stabilitetin rajonal.
Më herët gjatë ditës thirrje për lirimin e Dejan Jankoviqit bënë edhe Jeffery Hovenier, ambasadori amerikan në Prishtinë, dhe Jorn Rohde, ambasadori gjerman në Prishtinë.
Kosova ka akuzuar Serbinë se me veprimet e fundit ka kryer shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe ka shkelur marrëveshjet e arritura në dialog, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Edhe blloku evropian një ditë më parë tha se Serbia, me ndalimin e udhëtarëve dhe autobusëve nga Kosova, në kufijtë e saj me Hungarinë dhe Kroacinë, ka shkelur Marrëveshjen për lëvizjen e lirë.
Kosova ka thënë se ndalimi dhe “maltretimi” i shtetasve të Kosovës që po kalonin nëpër Serbi, u bë “në shenjë hakmarrjeje” pasi më 16 prill, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës mbështeti anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
Serbia ka thënë se do të punojë që Kosova të mos pranohet në këtë organizatë gjatë mbledhjes së Këshillit të ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës më 16 maj.
E-Diaspora
-
Mbi 50 mijë aplikime nga diaspora për votim, prijnë votuesit nga Gjermania dhe Zvicra Mbi 50 mijë qytetarë nga diaspora kanë aplikuar për të votuar në zgjedhjet e 7 qershorit... -
Cyrihu duartroket filmin e Ibër Dearit “Krejt e thirrin Rexhën” -
Cyrih: Akademik Agani u kujtua si “truri i rezistencës civile” të viteve `90 -
5 vite sukses në Zvicër: Dorina Karafili dhe rrugëtimi i “Dotax Treuhand” -
Pse Dua Lipa e padit Samsung-un prej 15 milionë dollarë
Jeta në Zvicër
-
Ja sa zviceranë e marrin bonusin prej 15,000 frangash për ndërprerjen e kontratës Dega e Lufthansa-s i joshi asistentët e fluturimit me një bonus për largimin. Tani ka edhe... -
Numri i viktimave të trafikimit në Zvicër u rrit në vitin 2025 -
5 vite sukses në Zvicër: Dorina Karafili dhe rrugëtimi i “Dotax Treuhand” -
Gjoba prej 700 frangash për mospjesëmarrjen në ditën e informacionit të mbrojtjes civile -
Tërmete të “kontrolluara” po shkaktohen nën Alpet Zvicerane











