Jeta në Zvicër

Detaje nga aksidenti në Zvicër, dy shqiptarë të lënduar

Në total kanë qenë 50 pasagjerë, dy prej tyre shqiptarë

Një autobus i nisur nga Gjenova e Italisë që kishte si destinacion Dyseldorfin në Gjermani është përplasur në një mur afër Cyrihut në Zvicër.

Në këtë aksident ka vdekur një grua dhe 44 të tjerë udhëtarët janë lënduar. Tre prej tyre raportohet se janë në gjendje të rëndë, shkruan albinfo.ch.

Aksidenti kishte ndodhur rreth orës 4:15 në autostradën A3 dhe kur arritën ekipet e shpëtimit, shumë pasagjerë ishin akoma të bllokuar brenda mjetit.

Aksidenti bëri që një nga autostradat kryesore të Zvicrës të bllokohet nga të dyja anët e qarkullimit ndërmjet Brunaut dhe Wiedikon. Autobusi i përkiste kompanisë së transportit “Flixbus”.

Mediat zvicerane kanë dhënë detaje tjera nga ky aksident. Sipas ‘Blick’, personi i vdekur është gruaja 37-vjeçare nga Italia.

Në total kanë qenë 50 pasagjerë, dy prej tyre shqiptarë. Të lënduarit janë: 16 nga Italia, 10 nga Rusia, 5 nga Gjermania, 5 nga Nigeria, 4 nga Kolumbia, 2 nga Shqipëria dhe nga 1 prej Rumanisë, Jordanisë, Gana, Benini, Bosnja, Zvicra dhe 1 person, nacionaliteti i të cilit nuk është bërë i ditur.