Bota

Detajet nga sulmet në Sri Lankë, edhe turistët në mesin e viktimave

Një seri e sulmeve kanë goditur hotelet dhe kishat në Sri Lanka, duke vrarë të paktën 139 persona dhe rreth 402 të plagosur në festimet e Pashkëve gjatë shërbimeve.

Tri nga shpërthimet goditën kishat katolike, ndërsa tri shpërthime të tjera raportohet se goditën hotelet luksoze – Cinnamon Grand, Kingsbury dhe Shangri-La , të cilat janë në zemër të Colombos, kryeqytetit të Sri Lankës, përcjell albinfo.ch.

Shpërthimet ndodhën rreth orës 8:45 në kohën lokale në kishën e Shën Atonit në Kolombo dhe kishën e Shën Sebastianit në Negombo, një qytet me shumicë katolike. Kisha e Sionit në Batticaloa në bregun lindor ishte gjithashtu në shënjestër.

Reporterët e Al Jazeera thonë se spitalet janë duke pranuar vazhdimisht të lënduar. Presidenti Maithripala Sirisena ka lëshuar një deklaratë duke bërë thirrje që njerëzit të qëndrojnë të qetë dhe të mbështesin autoritetet në hetimet e tyre.

 

Kryeministri i vendit Ranil Wickremesinghe, ka kërkuar mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë.

“I dënoj ashpër sulmet ndaj popullit tonë sot. Bëj thirrje që të gjithë të qëndrojmë të fortë dhe të bashkuar”, tha kryeministri.

 

Vitin e kaluar ishin shënuar 86 incidente për shkak të diskriminimit, kërcënimeve dhe dhunës kundër të krishterëve në Sri Lankë.

Dita e Pashkës është një nga festa të mëdha në kalendarin e krishterë.

Mediat e Sri Lankës raportojnë se edhe turistet mund të jenë në mesin e viktimave.