Zhvillim

Dialogu me diasporën, i pazëvendësueshëm

Ambasadori shqiptar në Gjermani, Artur Kuko: "Ajo që ne duhet dhe mund të bëjmë në të ardhmen, është një angazhim më intensiv qoftë për të vendosur kontakte qoftë për të ofruar atë për çka individët dhe format e tyre organizative kanë nevojë për të promovuar gjuhën dhe kulturën shqiptare"

Gjatë vizitës së tij në Republikën gjermane të Nordrhein-Westfalenit, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Gjermani, Shkëlqesia e Tij z. Artur Kuko, pati takime të ndryshme pune. Gjatë  kësaj vizite, ai u kushtoi një kohë edhe bashkatdhetarëve shqiptarë të cilët janë të shumtë në Republikën me popullsinë më të madhe në Gjermani.

Tema bisede ishin aplikacioni „E-Konsullata“ i lansuar para ca kohësh nga Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë në bashkëpunim me Telekom Albania, Samiti i Diasporës që do të mbahet në muajin nëntor në Tiranë por edhe tema tjera nga më të ndryshmet që preokupojnë komunitetin shqiptar në Gjermani. Ambasadori Kuko takoi edhe përfaqësues të shoqatave të ndryshme shqiptare, politikanë shqiptarë të partive gjermane por edhe përfaqësues të shkollave shqipe dhe bizneseve. Këta bashkatdhetarë ishin disa nga anëtarët e grupit iniciues për themelimin e një forumi shqiptar i cili do të bashkonte të gjitha shoqatat aktive shqiptare në Republikën e Nordrhein-Westfalenit.

Pas këtyre takimeve, albinfo.ch zhvilloi një bisedë me Ambasadorin e Shqipërisë zotin Artur Kuko.

Albinfo.ch: Z. Kuko. Dialogu me diasporën, i filluar para tri vitesh vazhdon edhe sot. Si e vlerësoni rrjedhën e këtij dialogu në përgjithësi në Gjermani por edhe në këtë pjesë të Gjermanisë në të cilën jeton një numër i madh i bashkëkombësve?

Artur Kuko: Vizita ime këtu synon intensifikimin e kontaktit dhe dialogut politik me autoritetet e Republikës Nordrhein-Westfalen. Vizitën time në Düsseldorf dhe Essen e shfrytëzova edhe për takime me bashkëkombësit tanë të organizuar në shoqata të ndryshme në këtë pjesë të Gjermanisë. Gjykoj që dialogu me diasporën është i një rëndësie të pazëvendësueshme.

Ka rreth 25 vjet që flitet shumë për kontaktet me diasporën, kontakte këto që nuk kanë munguar asnjëherë. Përpjekjet për organizime të cilat synojnë ta bëjnë sa më produktiv bashkëpunimin midis Shqipërisë e Kosovës në njërën anë dhe diasporës në anën tjetër, nuk kanë munguar por gjykojmë që hapësira për ta rritur cilësisht bashkëpunimin është shumë e madhe por ende e pashfrytëzuar plotësisht. Diaspora është një element vital që mban të gjallë dashurinë për vendin, për gjuhën dhe është në gjendje të kontribuojë për rritjen e ritmit të zhvillimit të vendit nga vijnë në shumë dimensione. Dimensionin e kulturës, dimensionin e shkencave e veçanërisht në dimensionin ekonomik. Në të tri këto fusha potencialet e diasporës janë të jashtëzakonshme.

Si e filluat dialogun me diasporën dhe a keni arritur për të përfshirë në dialog të gjitha grupet e bashkatdhetarëve që jetojnë këtu?

Kushdo që ju thotë që ka qenë në gjendje të vendosë një dialog një qind për qind me shoqatat e diasporës jo vetëm në Gjermani ku prania e shqiptarëve është eksponenciale por edhe në vende ku prania është më e vogël, nuk e thotë të vërtetën. Ne jemi përpjekur në mënyrë modeste brenda resurseve qe kemi, sepse Gjermania është një vend i madh, të ruajmë dhe të mbajmë kontaktet me shoqata por edhe me individë të shquar.

Fakti qe ka individë të cilët kanë zgjedhur të jenë jashtë organizimeve të diasporës nuk do të thotë se ata e duan atdheun më pak se të tjerët. Ata thjeshtë kanë mënyrën se si e shprehin dashurinë për atdheun. Ajo që është e rëndësishme në fund të ditës është që kjo ndjenjë të vijojë të ruhet, që gjuha shqipe të vijojë të kultivohet edhe te fëmijët e brezit të dytë, tretë ndoshta edhe të katërt. Ajo që ne duhet dhe mund të bëjmë në të ardhmen, është një angazhim më intensiv qoftë për të vendosur kontakte qoftë për të ofruar atë për çka individët dhe format e tyre organizative kanë nevojë për të promovuar gjuhën dhe kulturën shqiptare.

Në dy vitet e fundit në Gjermani kanë ardhur shumë refugjatë shqiptarë. A keni ndonjë ide që si të përfshihet ne këtë dialog edhe kjo pjesë e popullit tonë të ketë qasje në strukturat e organizuara të diasporës?

Të jemi realistë. Ambasada e ka të pamundur të trokasë në derën e çdo shqiptari dhe të dëgjojë hallet e tij. Ajo që ne jemi përpjekur të bëjmë dhe kurrë nuk ka munguar, është që cilido shqiptar që ka nevojë për mbështetje, ndihmë apo këshillë nga Ambasada, të mos i mungojë kjo ndihmë. Ambasada ka në dispozicion të publikut numrat e telefonit, adresa të postës elektronike, faqen e internetit, mediat sociale të cilat janë 24 orë dhe shtatë ditë në javë në dispozicion.

Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë para ca kohësh lansoi aplikacionin „E-Konsullata“. Si u prit kjo risi nga bashkatdhetarët tanë?

Jetojmë në epokën e internetit dhe platforma „E-Konsullata“ është një përpjekje për ta ngritur shërbimin që ne u ofrojmë shtetasve shqiptarë dhe për ta zhveshur atë nga burokracitë të cilat konsumojnë kohë, mjete financiare e nganjëherë edhe durim sepse burimet tona njerëzore nganjëherë janë ta kufizuara. Në momentin aktual platforma ofron informata lidhur me gjendjen në një vend, kërkesat që duhet plotësuar qytetarët për regjistrim fëmije, lëshimin apo legalizimin e dokumenteve të ndryshëm. Në një fazë të dytë që presim të fillojë së afërmi, kjo platformë do të jetë në gjendje të ofrojë edhe prodhimin e dokumenteve për të cilat qytetarët tanë kanë nevojë.

Në nëntor të këtij viti Qeveria e Shqipërisë do të organizojë Samitin e parë të diasporës. Çka do të ketë ky samit, çka ju ka munguar organizimeve të së kaluarës për tu bërë një institucion afatgjatë?

Qeveria ka menduar se bashkëpunimi me diasporën meriton një vëmendje më të madhe dhe shpreson se samiti do të ketë influencë për ta rritur cilësisht bashkëpunimin me diasporën. Potencialet e diasporës janë të jashtëzakonshme dhe siç thashë në fillim të bisedës, hapësira që ofrojnë ato nuk është shfrytëzuar plotësisht. Unë jam i bindur se samiti do të prodhojë një rezultat dhe do të shtrojë rrugën për një bashkëpunim afatgjatë dhe më të frytshëm midis Shqipërisë dhe Kosovës me diasporën që është e shumtë në numër.

Çka mendoni për iniciativën e themelimit të një forumi të shoqatave shqiptare  në këtë pjesë të Gjermanisë dhe si mundeni si Ambasadë të ndihmoni?

Ambasada është e gatshme të mbështesë çdo iniciativë të bashkëkombësve tanë për tu koordinuar më mirë mes vete në mënyrë që përpjekjet e tyre të jenë sa më të frytshme, qoftë për të promovuar kulturën dhe artin shqiptar, qoftë për të ofruar elementë të ndryshëm të cilët nuk mungojnë edhe në fushën e shkencave. Ajo që është më e rëndësishmja, një angazhim më intensiv dhe më produktiv në fushën e ekonomisë në fushën e shkëmbimeve tregtare dhe në nxitjen e investimeve nga diaspora.

Si mund të ndihmojë diaspora Shqipërinë në rrugën për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe Kosovën në forcimin e shtetit?

Të fillojmë me diçka që duket naive dhe jo shumë e rëndësishme por që për mua është e pazëvendësueshme. Unë jam i mendimit se çdo shqiptar aty ku jeton është një ambasador i krejt kombit. Influenca që kanë njerëzit tanë atje ku jetojnë dhe punojnë është e pazëvendësueshme. Ambasada bën punën e saj por ajo nuk mund ta arrijë një audiencë aq sa mund të arrijnë qytetarët në rrethin ku ata jetojnë. Ne duhet të fitojmë simpatitë e publikut dhe qytetarit gjerman, përballë të cilit kur të shtrohet çështja se a duhet apo nuk duhet të bëhet Shqipëria pjesë e BE-së përgjigjja të jetë po. Qytetarët tanë që jetojnë këtu kanë lidhjet e tyre dhe shumë prej tyre janë të natyralizuar dhe votojnë për partitë politike gjermane. Atyre pra ju krijohet mundësia të bisedojnë me autoritetet publike, të bisedojnë me ligjvënësit që ata i kanë zgjedhur, qoftë në Parlamentin lokal qoftë në atë qendror për perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe Kosovës.

Si e vlerësoni bashkëpunimin me Ambasadën e Republikës së Kosovës?

Me Ambasadën e Kosovës kemi bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë dhe produktiv në të gjitha nivelet. Të gjithë diplomatët e të dy ambasadave janë në kontakt intensiv që ngjasojnë më tepër si kontakte brenda familjes sesa kontakte të dy përfaqësive diplomatike. Homologu dhe miku im, Ambasadori Xhakaliu dhe kolegët e tij janë duke bërë një punë të mrekullueshme në promovimin e shtetit të Kosovës pranë autoriteteve gjermane dhe për të sjellë imazhin e Kosovës në një nivel më të lartë ashtu siç edhe e meriton.

Diaspora ka potencial për rritjen ekonomike në vend

Kuko: Në diasporën tonë ka individë, familje, grupe, të cilat përfaqësojnë potenciale të rëndësishme të cilat po të investoheshin në Shqipëri apo Kosovë do të ndikonin në rritjen ekonomike, zbutjen e papunësisë, rritjen e të ardhurave dhe rritjen e buxhetit. Kjo besoj se mund të arrihet më një bashkëpunim më efektiv, më të ngushtë, dhe më të strukturuar. Shpresa jonë është që edhe samiti i diasporës do të sjell lëvizje të rëndësishme në këtë drejtim.

Box

Që shqipja të kultivohet edhe te gjeneratat që vijnë

Fakti qe ka individë të cilët kanë zgjedhur të jenë jashtë organizimeve të diasporës nuk do të thotë se ata e duan atdheun më pak se të tjerët. Ata thjeshtë kanë mënyrën se si e shprehin dashurinë për atdheun. Ajo që është e rëndësishme në fund të ditës është që kjo ndjenjë të vijojë të ruhet, që gjuha shqipe të vijojë të kultivohet edhe te fëmijët e brezit të dytë, tretë ndoshta edhe të katërt.