Kosova

Diari, rrugës për t’u bërë një kitarist me renome botërore

Diari është një nga emrat shumë premtues i skenës së muzikës për të qenë një nga kitaristët me renome botërore. Ai është performues në 12 shtete të Evropës dhe tani është në mesin e shumë profesionistëve duke studiuar në Akademinë e Arteve në Graz.

Diari, fitues i shumë “Çmimeve Ndërkombëtare”

Të qenit kitarist profesional, nuk është fare e lehtë, para se gjithash, kur tregu ka një konkurrencë të fortë. Duhet vërtet energji, optimizëm dhe shumë vetëbesim për të arritur aty ku do. Dhe, në fakt, këto janë vetëm disa prej cilësive kryesore të Diar Aliut, kitaristi kosovar që po tregohet shumë i suksesshëm edhe në arenën ndërkombëtare.

Ani pse është 20-vjeçar, ai ka një krijimtari të pasur artistike. Si kitarist i shquar, ka shkelur shumë skena anembanë botës dhe vazhdon të marrë pjesë në koncerte të mëdha në shumë evente artistike.

Diar Aliu me elegancë e zotëron kitarën dhe me paraqitjet e tij dinjitoze, është duke mahnitur publikun dhe është fitues i shumë çmimeve të rëndësishme.

Vlen të theksohet se këtë vit ai ka filluar studimet në Akademinë e Arteve në Graz dhe do të jetë në mesin e profesionistëve kitaristë, më të mirë të botës.

Kosova, pikënisja e parë e depërtimit

Diari është me prejardhje nga Kosova dhe që nga fëmijëria e hershme lunate me kitarë.

“Une kam lindur në Mitrovicë. Në moshën 8-vjeçare kam filluar edhe rrugëtimin tim muzikor në shkollën e muzikës “Tefta Tashko”, në instrumentin e kitarës. Pas ca vitesh, jam transferuar në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë, në klasën e profesorit Drilon Çoçaj”, tregon ai

Si i vogël, Diari kshte tipare interesante të luajtës së telave të kitarës dhe me kalimin e kohës, ai po ngjitej drejt skenave.

“Si fëmijë, gjithmonë më ka pëlqyer muzika, por kur prindërit për ditëlindjen e 7-të më dhuraun një kitarë të vogël, dëshira për muzikë u shtua dhe vendosën që unë të regjistrohem në shkollë të muzikës”.

Studimet në Austri, premtuese për t’u bërë një artist me renome

Rrugëtimi i Diarit drejt muzikës nuk ishte aksidental, përkundrazi ai nga fëmijëria e kishte kultivuar dëshirën e kthyer në punë dhe punën në sukses.

“Në kuadër të shkollës së rregullt të muzikës (fillore dhe të mesme), në formësimin tim si muzikant ka kontribuar shumë pjesëmarrja në festivale të ndryshme ndërkombëtare në vende të ndryshme të Evropës. Në kuadër të këtyre festivaleve, pa dyshim mundësia e zhvillimit ka qenë shumë e madhe me eksperienca dhe njohuri nga masterklasët me profesorë eminent që organizohen nga festivalet përkatëse”.

Vlen të theksohet se Diari kishte fatin që ndjeku “Akademinë e Kitarës” që u organizua dhe vazhdon ende të organizohet nga profesori Lukasz Kuropaczewski, në Poznan të Polonisë.

Këtu ishte momenti kur profesor Lukasz vërejti talentin tim dhe më propozoi të aplikoja për studime në Akademinë e Arteve në Graz”, shprehet Diari.

Koncerti “Forum Gitarre Wien” u hap me performancë mahnitëse nga Diari

Duke qenë se jemi tek Austria, vlen të theksohet se në koncertin “Forum Gitarre Wien” në Vjenë, Diar Aliu bëri hapjen solemne të këtij festivali me një performancë të shkëlqyeshme, në sallën historike të “Wiener Konzerthaus”.

“Ne edicionin e vitit 2022, isha pjesë në festivalin “Forum Gitarre Wien” në kompeticionin e të rinjve, ku u shpërbleva me çmimin e parë. Si fitues i këtij kompeticioni, një nga shpërblimet ishte edhe koncerti recital në festivalin “Forum Gitarre Wien” si dhe në Festivalin e Kitarës Postonja të Sllovenisë”.

Kjo e fundit, ishte një eksperincë në vete për Diarin, ku koncerti u mbajt në një nga kishat më të vjetra të Sllovenisë, me një akustikë të veçantë dhe me audiencë të madhe.

“Emocionet ishin të papërshkrueshme, pasiqë isha para një salle të madhe e të stërmbushur. Performanca ime u mirëprit shumë nga të pranishmit dhe më kthyen 3 herë në skenë. U ndjeva mirë që të pranishëm në këto dy koncerte (Austri e Slloveni) ishin, ambasadorët e Kosovës në Slloveni e Austri”.

Diari, kitaristi fitues i 18 çmimeve ndërkombëtare

Ai në fakt është performues në shumë skena dhe shtete të rëndësishme të botës, si dhe fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare.

Diari ka performuar në 12 shtete të Evropës dhe është nderuar me 18 çmime ndërkombëtare në vende të ndryshme, si: Austri, Gjermani, Spanjë, Turqi, Greqi, Bullgari, Kroaci, Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi, Maqedoni, dhe Bosnjë e Hercegovinë.

“Mund të them, se çmimi në Vjenë, i vitit 2022 është shumë i veçantë, po ashtu në Bremen të Gjermanisë fitova çmimin si “Interpretuesi më i mirë i garës”, por edhe çmimi i parë ne vitit 2018 që fitova në Athinë të Greqisë, ishte po ashtu eksperiencë e bukur”.

Mes të tjerash Diari shprehet se ndihet me fat që prezentohet me krenari si kosovar në çdo pjesëmarrje dhe gjithmonë me tendencë, që emri i shtetit të Kosovës të përfaqësohet sa me denjësisht”.

I pyetur nga revista Albinfo.at se cili është kitaristi që e pëlqen më shumë dhe pse, Diari tregon se ai fillimisht ka qenë i inspiruar nga Petrit Çeku, kitaristi nga Kosova me renome botërore.

“Profesor Petrit Çeku ka qenë shembull për mua që nga fëmijëria, tash e kam fatin që ta kem edhe profesor, ku, “Muzika Kamerale”në Graz do të ligjërohet nga ai. Pëlqej edhe Arthur Rubinstein, Carlos Kleiber, Swjatoslaw Richter, Andras Schiff, Natham Milstein, Jacqueline du Pré, këta janë vetëm disa nga emrat që gjithmonë më frymëzojnë dhe më motivojnë”.

Për fund, kitaristi shqiptar ua uron festat e fundvitit të gjithë shqiptarëve në mbarë botën.

“Audiencës së Albinfo.at, si dhe gjithë shqiptarëve ju uroj festat e fundivitit, ju dëshirojë të gjithëve shumë shëndet, fat dhe lumturi për vitin 2024. Mesazhi im është që të punojmë dhe të përkushtohemi shumë për atë që duam, pa marrë parasysh pengesave dhe vështirësive”, përfundon Diari.

“Falënderim: Gjithmonë mirënjohës prindërve që më kanë përkrahur në çdo hap, dhe në një formë kanë menaxhuar edhe pjesëmarrjen time në festivale. E falënderoj shumë profesorin Drilon Çoçaj për punën dhe përkushtimin ndaj meje, për mua ka qenë një pikë shumë e rëndësishme që nga momenti që kam filluar mësimin më të e deri te pranimin në “Akademinë e Arteve në Graz e në vazhdimësi”.