Kosova

Diaspora, si investitorë të huaj në Kosovë

Derisa dikur njiheshin më shumë për dërgim të remitencave, sot shqiptarēt e diasporës po kthehen në Kosovë si investitorë të huaj duke investuar në fusha të ndryshme

Flamur Mavraj dhe Burim Hazrolli vijnë nga qytete të ndryshme të Kosovës, por ndajnë fatin e njëjtë: të dy janë dëbuar nga shtëpitë gjatë luftës së viteve 1998/99; sot të dy njihen si afaristë të suksesshëm në vendet që ua kanë hapur dyert si refugjatë.

Mbi dy dekada më parë, familja e Mavrajt nga Istogu është zhvendosur në Norvegji, ndërsa familja e Hazrollit nga Malisheva ka gjetur strehim në Gjermani.

Flamuri është shkolluar në fushën e teknologjisë së informacionit, ndërsa Burimi ka zgjedhur sektorin e ndërtimit dhe prodhimit.

Të dy, prej vitesh, i kanë shtrirë investimet e tyre edhe në Kosovë, por thonë se sfidat për të arritur deri këtu nuk kanë qenë të pakta – nisur nga barrierat në gjuhën e vendit mikpritës deri te një mentalitet ndryshe i tij.

“Si një person në një vend të huaj, sfidë kryesore ka qenë mësimi i gjuhës norvegjeze, pastaj integrimi”, thotë Flamuri, i cili në kohën kur është zhvendosur në Norvegji ka qenë 12 vjeç.

“Jam ndier i huaj edhe aty ku banoja, edhe kur vija në Kosovë”, rrëfen ai.

Flamuri, sot 35 vjeç, thotë se me kalimin e kohës, e ka kuptuar se dëshiron të orientohet në fushën e teknologjisë së informacionit.

Pas mbarimit të studimeve në Oslo, ai thotë se ka hapur kompani të veten në këtë qytet, në vitin 2006. Nga ajo kohë, thotë se e ka vizituar Kosovën edhe më shpesh, ku ka krijuar kontakte dhe ka marrë pjesë në organizime të ndryshme në fushën e teknologjisë së informacionit.

Nga viti 2015, kompaninë e tij e ka zgjeruar me një zyrë edhe në Kosovë, ku tani ka të punësuar dhjetë veta.

Sipas tij, tregu i punës në Kosovë, është duke ecur në drejtim të duhur, por mendon se ende ka punë.

“Gjërat nuk ndryshojnë brenda ditës. Ne që jetojmë e veprojmë jashtë vendit presim që (gjërat) të funksionojë në Kosovë njëjtë si funksionon p.sh në Norvegji, por duhet kuptuar se Kosova është shtet i ri krahasuar me vendet e tjera”, thotë ai.

Si investitor i huaj në Kosovë, por me prejardhje shqiptare, Flamuri thotë se ka përparësi, pasi flet gjuhën e njëjtë me punëtorët dhe njeh kulturën dhe mentalitetin e popullit të tij.

“Të gjitha projektet i marrim në Norvegji, e pastaj puna bëhet në Kosovë”, thotë ai.

“Investime deri në 100 milionë euro”

Burimi, në anën tjetër, nga Kosova është zhvendosur në Gjermani si 16-vjeçar. Gjashtë vjet më vonë, ka hapur kompaninë e cila, siç thotë, merret me ndërtimin dhe shitjen e objekteve.

Sot, ajo ka më shumë se 150 të punësuar dhe mbi 100 kompani nënkontraktuese.

Nga viti 2019, biznesin e tij e ka shtrirë edhe në vendlindje.

Kompania e tij në Suharekë prodhon dyer, dritare, fasada strukturale e të tjera, dhe ka të punësuar 35 punëtorë.

Ai thotë se deri në 95 për qind e këtyre produkteve eksportohen në vende të ndryshme, ndërsa 5 për qind mbeten për tregun e brendshëm.

Rritja e eksportit ringjall bizneset

Që një produkt i prodhuar në Kosovë të arrijë tregun ndërkombëtar, kompania duhet pajisur me disa certifikata të ndryshme ndërkombëtare të cilësisë dhe sigurisë, varësisht nga produktet që prodhojnë.

Burimi thotë se synon të zgjerohet.

“Unë jam duke e hulumtuar tregun dhe këtë vit kam mundësi të hap edhe një fabrikë tjetër. Qëllimi im është që në pesë deri në dhjetë vjetët e ardhshëm t’i hap edhe pesë fabrika”, thotë Burimi.

Për të zgjeruar investimet në Kosovë, ai thotë se institucionet duhet të ofrojnë kushte më të mira për investitorët. Ai pretendon se në mesin e diasporës ka të interesuar për të investuar në Kosovë, por, sipas tij, ambienti afarist duhet të jetë më i përshtatshëm.

“Kam sjellë investitorë në Kosovë vite më parë, por kam dështuar. Kam dështuar, sepse në atë kohë kanë kërkuar përqindje në kompani [mito]. Kam pasur rast kur edhe mua më kanë kërkuar përqindje – para 15 vjetësh”, thotë Burimi./rel