Shqiptaro-zviceranët dhe Zgjedhjet Federale 2015

Diellza Shatri, kandidatja e vetme shqiptare në pjesën frankofone të Zvicrës

Shatri aktualisht jeton e studion drejtësinë në Gjenevë, ndërsa është e bindur se para vetes ka një garë të fortë elektorale.

E veçantë e këtyre zgjedhjeve nacionale 2015 në pjesën frankofone është se vetëm një kandidate shqiptare me rrënjë nga Kosova ka marrë guximin të konkurrojë për deputete në zgjedhjet e tetorit, për dallim prej zgjedhjeve të tjera, ku në këtë pjesë të Zvicrës në listat e kandidatëve me origjinë të huaj kanë dominuar kandidatë të natyralizuar me rrënjë nga Kosova.

Këtë herë është Diellza Shatri ajo që figuron e vetmja në listën e partive politike, përkatësisht në Partinë Kristiane Popullore – CVP, në pjesën e frankofone të Zvicrës.

Kontaktet me këtë subjekt politik shqiptarja nga Kosova i kishte realizuar duke filluar nga niveli qendror në Bernë, e deri në nivele kantonale, si dhe ato lokale në qytetin e Gjenevës.

Shatri aktualisht jeton e studion drejtësinë në Gjenevë, ndërsa është e bindur se para vetes ka një garë të fortë elektorale.

Megjithatë, ajo e ka në plan t’u drejtohet të gjithë qytetarëve të Kantonit për t’ia besuar votën në zgjedhjet e vjeshtës.

“Do të ndihem shumë e kënaqur, në veçanti ta kem edhe votën e mërgimtarëve që kanë të drejtë vote. Me profesionalizëm e përkushtim të plotë nuk do t’i zhgënjej. Do të insistoj të jem një pikë referuese dhe njëra nga ata që i dëshirojnë integrimet e mirëfillta në Zvicër dhe në Evropë”, tha Shatri në një bisedë për albinfo.ch, duke mos përjashtuar as votat e elektoratit zviceran dhe kombësive të tjera që jetojnë në Gjenevë.

“Do t’u drejtohem të gjithë qytetarëve zviceranë me profesionalizëm dhe përkushtim të plotë, se unë synoj paraprakisht zgjidhjen definitive të çështjeve, të cilat na shqetësojnë të gjithëve pa dallim, si qytetarë të Gjenevës, në përditshmërinë tonë. Në perfeksionizmin e realitetit zviceran ka edhe shumë punë e çështje që duhen përmirësuar”, thotë më tutje studentja nga Gjeneva.
“Me bindje të plotë them se të gjithë mund të llogaritin në mua si në zërin e tyre në qytetin ndërkombëtar të Gjenevës”, premton politikania e re.

Ajo thotë të ketë arritje te gjenerata e tretë në Zvicër. Për Shatrin ka të tillë që dëshirojnë të marrin edhe përgjegjësi të tjera në jetën politike.

“Në Zvicër është një numër i madh i qytetarëve me origjinë shqiptare që janë të shkolluar, me përgatitje të avancuar dhe të integruar plotësisht në rrethet ku jetojnë. Kjo është një vlerë dhe energji e shtuar për vetveten, për familjen dhe për vendin ku jetojnë dhe më gjerë”, ka deklaruar politikania shqiptare, duke iu bërë thirrje bashkëmoshatorëve të saj që të jenë pjesë e politikës në Zvicër.

“Kam vërejtur hezitime në këtë drejtim nga të rinjtë, pa marrë parasysh se nga janë dhe çfarë origjine kanë. Te të rinjtë shqiptarë kam vërejtur se për shumë gjera të përbashkëta janë shumë kreativë dhe parimorë. Kjo më bën të lumtur që edhe unë të mbetem njëra nga ata”, thekson Shatri, duke premtuar se do të kontribuojë më së shumti në çështjet familjare, ekonomike, të sigurisë, integrimeve të të rinjve dhe atyre ndërkombëtare etj.

deillza shatri

Diellza Shefki Shatri vjen nga Istogu i Kosovës. Ajo si e vogël kishte emigruar bashkë me familjen në Zvicër për shkak të luftës në vitin 1999 në Kosovë.  Diellza iu bashkua prindërve të saj, të cilët në atë kohë gjendeshin në Zvicër, ku qëndron deri pas përfundimit të luftës. Sërish kthehet në Kosovë për të vijuar 4 vjetët e para të shkollimit fillor.

Në fillim të vitit 2004, Diellza udhëton përsëri drejt Zvicrës, në Gjenevë, ku dhe sot e kësaj dite jeton bashkë me prindërit e saj. Në Gjenevë ajo përfundon shkollën fillore dhe të mesme, në kolegjit «Voltaire». Aktualisht ndjek studimet e drejtësisë në Universitetin e Gjenevës. Paralelisht, Diellza po merret edhe me politikë. Ajo është anëtare e PDC-së (CVP) dhe po ashtu kandidate në listën e të rinjve të kësaj partie për deputete në Parlamentin e Zvicrës, e propozuar nga PSHDK-ja.

 


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI