Kosova

Diplomati britanik: Koalicioni VV-LDK, shumë shpejt

Koalicioni mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës po duket vështirë i arritshëm edhe pas shumë takimeve në mes të linderëve të këtyre dy partive. Edhe mbrëmë takimi mes Albin Kurtit dhe Isa Mustafës përfundoi pa ndonjë sukses konkret, por me premtimin se bisedimet do të vazhdojnë.

Historikisht arritjet e marrëveshjeve për koalicion mes partive politike shqiptare kanë qenë vështirë të arritshme, pa ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar.

 

Sot në zyrat e LDK-së është parë ambasadori britanik, Nicholas Abbott, i cili ka pasur një takim me kreun e saj, Isa Mustafa. Në një prononcim për Indeksonline në dalje pas këtij takimi, ambasadori Nicholas Abbott ka theksuar se ka ardhur të dëgjojë drejpërdrejt kreun e LDK-së lidhur me ecurinë e negociatave rreth koalicionit VV-LDK.

“Kisha një takim shumë të mirë me kryetarin e LDK-së, z.Mustafa më dha një mundësi shumë të mirë të dëgjoja nga ai se si po shkojnë negociatat rreth koalicionit dhe po shohim të ecim përpara dhe të kemi sukses sa më shpejt dhe marrëveshja është çdo ditë e më afër”, ka thënë për Indeksonline Nicholas Abbott.

Pjesë e këtij takimi ka qenë edhe nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, por ajo që vlen të theksohet është fakti se ambasadori britanik ka pasur një takim kokë më kokë me znj. Osmani. Ata janë parë duke biseduar për më shumë se 10 minuta në dalje të zyrave të LDK-së.

Vjosa Osmani konfirmoi se edhe ajo ka qenë pjesë e takimit me ambasadorin britanik dhe tha se kanë diskutuar zhvillimet e fundit politike në vend, raporton indeksonline, përcjell albinfo.ch.