Kosova

Donjeta Sadiku nuk mundi të fitojë medalje në Kupën Botërore

Ajo sot pësoi humbje me rezultat të ngushtë 3:2 nga boksierja polake Aneta Elżbieta Rygielska, në një meç të fortë

Boksierja e njohur kosovare, Donjeta Sadiku ka mbetur pa medalje në Kupën Botërore që është duke u mbajtur në Foz do Iguaçu të Brazilit.

Ajo sot pësoi humbje me rezultat të ngushtë 3:2 nga boksierja polake Aneta Elżbieta Rygielska, në një meç të fortë dhe të baraspeshuar në tri raunde, duke mos arritur të sigurojë kalimin tutje, që njëherësh do t’ia siguronte së paku medaljen e bronztë, nhofton rtk.live.

Raundi i parë i takoi boksieres polake, ndërsa në raundin e dytë Donjeta Sadiku reagoi fuqishëm, duke treguar ritëm më të lartë dhe duke e fituar këtë pjesë 3:2. Në këtë raund, kundërshtarja e saj mori edhe një vërejtje publike nga gjyqtari i ringut. Në raundin e tretë, gjyqtarët e vlerësuan 3:2 në favor të Rygielskës, në një periudhë ku Sadiku u paraqit aktive dhe kërkoi vazhdimisht iniciativën me goditje të pastra.

Në fund, me vendim të ndarë të gjyqtarëve 3:2, fitorja iu dha boksieres polake.

Kupa Botërore e Boksit ka rëndësi të veçantë në kalendarin ndërkombëtar, pasi pikët e fituara ndikojnë drejtpërdrejt në renditjen dhe procesin e kualifikimit për Lojërat Olimpike “Los Anxhelos 2028”.