Integrimi

Dr. Cuculi, doktori i zemrës që shëron me zemër

Klinika “Cardio Center Luzern” ofron trajtimin e sëmundjeve kardiovaskulare nga një grup mjekës specialistë të zemrës të Spitalit Kantonal të Lucernit. Ajo drejtohet nga kardiologu i njohur shqiptar, Dr. Florim Cuculi

Ka vetëm disa muaj që në Luzern ka filluar punën njëra nga qendrat më moderne të trajtimit të sëmundjeve të zemrës me kardiologun e njohur shqiptar, Florim Cuculi në krye. Klinika „Cardio Center Luzern“ është më e kompletuara e këtij lloji në Zvicër që ofron trajtimin e sëmundjeve kardiovaskulare me një grup mjekësh specialistë të zemrës që operojnë në kuadër të spitalit kantonal të zemrës në Luzern. Këtij grupi së fundmi i është bashkuar edhe angiologu shqiptar nga spitali i Winterthurit, doktor Naim Mehmeti.

Dr Florim Cuculi dhe Dr. Naim Mehmeti

Klinika „Cardio Center Luzern“  është e pajisur më të gjitha dhomat e diagnostifikimit. Aty ka 3 dhoma te pajisura me ehokardiografi, mund të bëhet stres-testi me biçikletë dhe diagnostifikimi i smundjes koronare me stres ehokardiografi. Kur pacienti ka një aritmi, mund t`i bëhet elektroshok në dhomën per defibrillim. Klinika posedon aparaturën e plotë moderne që është në gjendje të bëjë edhe analiza të gjakut pa pasur nevojë t`i dërgojë ato dikund tjetër. Diagnostifikimi komplet i pacientit mund të bëhet në ordinancë. Pacienti shkon në spital vetëm kur ka nevojë për intervenim me kateter apo operacion.

E mbajmë pacientin brenda rrjetit spitalor

“Kjo është në fakt edhe filozofia e spitalit të Luzernit, i cili kërkon ta ndajë sistemin ambulant nga sistemi stacionues. Në sistemin stacionues shkojnë pacientët që janë me pneumoni, me infarkt të madh e që kanë nevojë për trajtime më të komplikuara”, shpjegon Cuculi.

“Kështu ne mbajmë pacientin brenda rrjetit spitalor, por me shërbime më të shpejta e më efikase që ofrohen në Cardio Center Luzern”, konstaton Cuculi. Spitali i ka lënë menaxhimin e “Cardio Center” Cuculit, i cili njëkohësisht punon në spital si shef i kardiolgjisë intervente dhe co-shef i kardiologjisë. Në këtë klinikë pacientët mund të bëjnë diagnostifikimin e plot jo-invaziv.

Kjo qendër është pronë e spitalit dhe kardiologu shqiptar është duke i blerë gradualisht aksionet nga spitali, i cili e ka hapë këtë qendër me qëllimin e shkarkimit të spitalit, për ta shmangur fluksin e pacientëve. Në këtë mënyrë drejtuesit e spitalit dëshirojnë ta shkarkojnë spitalin nga pacientët që nuk kanë nevojë për trajtim në spital, por që kanë nevojë për një kontroll të kardiologu.

Klinika e dytë Cardio Center do të hapet në një qytet tjetër të Zvicrës

“Ka 9 muaj që është hapur qendra Kardiovaskulare dhe nga suksesi që kemi deri më tani, edhe unë vetë jam i befasuar”, tregon Cuculi. Ai nuk kam pritur të ketë një fluks kaq të lartë të pacientëve nga mbarë Zvicra që kërkojnë trajtim në Cardio Center. Kjo, e ka shtyrë atë të projektojë një shtrirje më të gjerë të qendrave kardiovaskulare në qytete të mëdha të  Zvicrës.  “Në të ardhmen mobiliteti do të jetë edhe më i rëndësishëm se tani dhe për mua është  mjaft e  qartë  se  hapi  i  ardhshëm  do të jetë klinika e dytë ë nje qytet tjetër, ndoshta në Cyrih apo në kantonin e Aargaut ose edhe në Bazel”, zbulon doktor Cuculi. “Unë këtu ofroj të gjitha shërbimet ambulante, kurse intervenimet i bëj në spital.

Akutalisht unë këtu jam drejtor kurse në spital jam co-shef ne kardiologji. Jam me dy mandate. Kjo është një fazë kalimtare dhe pas fazës kalimtare, unë planifikoj të hapë edhe klinikën e dytë.

“Jam duke planifikuar pjesën e dytë të karrierës sime. Pjesa e parë nuk ka ku shkon më lartë. Tani do të mund të ngjitesha në drejtor spitali, por kjo mua nuk më intereson” zbulon Cuculi, i cili nuk e fsheh se qëllimi i tij afatgjatë është të krijojë një rrjet të klinikave që punojnë me të njëjtin sistem si në Cardio Center, sepse qysh tani rreth 40% të pacientëve që kërkojnë trajtim në këtë klinikë, nuk janë nga kantoni i  Luzernit.

Kush është Florim Cuculi?

Ka ardhur në Zvicër si djalë 14 vjeç në vitin 1991 te babai në Zvicër. Shkollimin e ka nisur me vetëm një ditë në (Realschule) shkollë normale, pastaj ka vazhduar në atë të avancuar (Sekundarschule). Bezirkschule dhe gjimnazin e ka mbaruar në vitin 1998 në Zofingen. Prej vitit 1998 deri më 2004 ka ndjek studimet universitare në Basel. Specializimin e ka vazhduar në një spital të vogël në Wohlhusen për një vjet dhe një tjetër në Luzern. Prej vitit 2009 e deri më 2012 ka qëndruar për specializim në universitetin e Oxfordit.  Atje është marrë edhe me shkencë. Doktori shqiptar ka 106 publikime shkencore me impakt shumë të lartë, është ligjerues në universitete të Zvicrës dhe ka plot ka 8 vjet që operon si kardiolog në spitalin kantonal të Luzernit.

„Kur jam kthyer në Luzern nga Oxfordi, kam punuar si kryemjek dhe pastaj jam avancuar si kryemjek me funksione të veçanta. Kurse në vitin 2015-2018 kam qenë mjek drejtues dhe prej 2018 shef i kardiologjisë intervenuese dhe co-shef i kardiologjise. Spitali më ka ofruar mundësinë për të zhvilluar unë karrierë time këtu”.

Deri në 600 operacione brenda një viti

Me numra nuk ka ndonjë kardiolog invaziv që ka më shumë intervenime se sa Cuculi. Ai gjatë një viti bën 500 deri në 600 implantime apo intervenime me stenta,. “Rastet më të rënda janë kur ka një arterie të mbyllur kronikisht. Unë kam pacientë për të cilët në mënyrë të dokumentuar tregohet se kanë pasur arterie 40 vjet të mbyllura. Për t`i hapur ato arterie, unë kam sukses në rreth 95 % të rasteve. Këtë statistikë nuk e ke as në Hirslanden Cyrih, as në St. Gallen e as në Bernë.”

Doktor, faleminderit që më keni shpëtuar jetën

Si mjek jam total pro live, nuk dorëzohem kurrë. Jam gjithnjë i fundit që largohem nga pacienti. Rastet më prekëse për mua janë kur pacienti më thotë: faleminderit që më keni shpëtuar jetën, dhe këtë e dëgjoj shumë shpesh, sepse trajtoj shumë infarkte.

“Tek  unë nuk vdes askush”

„Kam fatin që kam një profesion që është i lidhur shumë më jetën dhe kur shpëtoj jetë, kjo më bën të ndihem mirë. Ka raste kur pacientët vijnë e janë në gjendje shumë të keqe me infarkt. Ata më pyesin para fillimit të trajtimit të infarktit: `doktor a do të vdes unë tani?`. Unë u them: jo, ju nuk do të vdisni. Tek unë nuk vdes askush. Unë ju jap pak shpresë, se natyrisht nuk është e vërtetë se tel unë nuk vdes askush. Mirëpo në atë mënyrë i jap shpresë edhe vetes edhe pacientit”

Stenta si në Kosovë, por me cilësi pune zvicerane

“Cilësia e materialit faktikisht është e njejtë, puna është ajo që bën ndryshimin. Vendosja e një stente nuk është e vështirë, mirëpo vendosja mirë, po”, thotë Cuculi. “Ndryshimi tek ne është se spitali nuk më kërkon asnjëherë të fitoj para, ata kërkojnë cilësi në punë dhe kur e bën punën mirë, atëherë rritet besimi dhe pacientët të kërkojnë dhe vijnë nga larg për trajtim”.