Lajme

Dr. Tunë Lazri, veterinari i parë shqiptar me ordinancë të kafshëve në Vjenë

Tunë Lazri ka vite që ushtron profesionin e veterinarit në Vjenë. Vitin e kaluar ai ka hapur edhe ordinancën e tij të veterinarisë në Vjenë, duke u bërë kështu i pari veterinar shqiptar me ordinancë private në Vjenë

Albinfo.at: Çfarë përfaqëson roli i shërbimit veteriner në tërësi?

Dr. Lazri:  “Mjekësia veterinare” është fusha e shkencës dhe praktikës, që merret me kujdesin dhe mbrojtjen e kafshëve, parandalimin e sëmundjeve të tyre dhe përhapjen e zoonozave, diagnostikimin dhe mjekimin e kafshëve të sëmura, kontrollin e prodhimit dhe përpunimit të produkteve me origjinë shtazore. Pra, krahas shëndetit të kafshëve, ka një rol shumë të rëndësishëm edhe në kontrollin e zinxhirit ushqimor tek kafshët.

Albinfo.at: Prej cilit vit e ushtroni profesionin e veterinarit në Austri?

Dr. Lazri: Profesionin e veterinarit e e ushtroj prej vitit 2016. Po atë vit, kam filluar të punoj si inspektor veterinar i kontaktuar prej landit të Austrisë së Ulët (Niderrösterreich). Krahas kësaj, kam punuar edhe si veterinar i praktikës së përgjithshme, ku krahas kafshëve të shoqërimit si: mace, qenë, zvarranikë, jam marrë edhe me shëndetin e kafshëve të riprodhimit si lopë, dele e derra.

Albinfo.at: Si lindi dashuria për kafshët dhe zgjedhja e profesionit të veterinarit?

Dr. Lazri: Dashuria për kafshët lidhet me fëmijërinë time. Unë vij nga një familje fshatare dhe kontakti me kafshët ka qenë i natyrshëm. Dëshira për tu bërë veterinar ka ardhur më vonë dhe lidhet me figurën e veterinarit, i cili vinte për të mjekuar kafshët, që ne mbanim si një pjesë shumë e rëndësishme e ekonomisë familjare. Veterinari ishte shumë i respektuar mes fermerëve dhe fshatarëve. Me fillimin e shkollës së mesme, ëndrra për t’u bërë mjek veterinar kishte marrë formë.

Albinfo.at: Keni studiuar për  mjekësi veterinare në Kosovë e Shqipëri, më vonë keni ardhur në Austri dhe ushtroni të njëjtin profesion. Sa ka qenë e vështirë rruga e integrimit profesional në shtetin e ri?

Dr. Lazri: Rruga e integrimit profesional në shtetin e ri nuk ka qenë aspak e thjeshtë. Ajo ka qenë e mbushur plot me vështirësi dhe sakrifica të mëdha. Studimet në veterinari i kam filluar në vitin 1997 në Prishtinë dhe i kam përfunduar në korrik të vitit 2003 në Tiranë. Në fund të vitit 2003 kam ardhur në Austri dhe pengesa e parë me të cilën u përballa ishte, mosnjohja e gjuhës gjermane. Pengesa tjetër e radhës ishte ana financiare, që besoj se çdo student si brenda dhe jashtë vendit e njeh. Me dëshirën e mirë për të mos rënduar ekonomikisht familjen, jam detyruar të punoj punë të rëndomta deri në vitin 2007, vit në të cilin krahas doktoratës dhe nostrifikimit fillova punë si udhëheqës i kërkimeve eksperimentale “In Vivo” në kompaninë farmaceutike “Baxter”. Në vitin 2009 përfundova doktoratën dhe nostrifikimin. Pas një “kalvari” të gjatë burokratik, në vitin 2016 arrita të regjistrohesha në Odën Veterinare të Austrisë (Tierärztekammer), gjë e cila më jepte tashmë të drejtë të merrja licencën për të ushtruar profesionin e veterinarit. Po atë vit, u largova nga “Baxter” dhe fillova të punoj si veterinar në ordinanca të ndryshme. Në vitin 2020 hapa ordinancën time private.

Albinfo.at: Çka do të thotë të jesh veterinar në Austri? A ka veterinar apo veterinare shqiptare në Austri që ushtrojnë të njëjtin profesion si ju?

Dr. Lazri: Profesioni i veterinarit në Austri është shumë i vlerësuar, duke pasur parasysh traditën e Universitetit të Mjekësisë Veterinare, që daton nga vitit 1700. Krahas traditës, ka një legjislacion veterinar shumë të zhvilluar dhe mjaft mirë të definuar. Me këtë dua të them, se fusha e veterinarisë është shumë më e gjerë, sesa kujdesi shëndetësor ndaj kafshëve. Gjatë studimeve kam takuar djem dhe vajza shqiptare që kanë studiuar veterinarinë, mirëpo, ata që kam njohur, nuk jetojnë tutje në Austri.

Albinfo.at: A ka ndryshuar kultura shqiptare në përkujdesjen e kafshëve?

Dr. Lazri: Unë mendoj se qasja e familjeve shqiptare që jetojnë dhe punojnë në Austri karshi mbajtjes së kafshëve të shoqërimit ka ndryshuar rrënjësisht. Referuar numrit të pacientëve me pronarë shqiptarë që unë kam, është rritur në mënyrë të konsiderueshme. Familjet shqiptare kujdesen dhe i duan shumë kafshët.

Albinfo.at: Na tregoni pak më shumë për zhvillimin e klinikës suaj dhe çfarë shërbimesh ofroni?

Dr. Lazri: Unë e fillova gjithçka nga e para. Pra, nuk ishte një ordinancë që kishte ekzistuar më parë. Prej investimit në aparatura diagnostifikimi, laborator, kirurgji dhe deri në numërimin e pacientëve, ishte një sfidë në vete, por që brenda më pak se një viti rezultoi me sukses profesional për mua. Vlen të theksohet, që konkurrenca në qytetin e Vjenës është shumë e madhe, për këtë arsye krahas anës profesionale, kërkohet edhe një nivel i mirë komunikimi midis mjekut dhe pronarit të kafshëve dhe sigurisht çmimi i arsyeshëm për shërbim.

Albinfo.at: Sa i duhet një personi të shpenzojë përafërsisht në muaj për mbajtjen e një kafshe shtëpiake?

Dr. Lazri: Në Evropën Perëndimore mbajtja dhe kujdesi i kafshëve është relativisht i kushtueshëm, duke filluar nga ushqimi, vaksinimi, kontrollet mjekësore, trajnimi i sjelljeve të tyre. Duhet theksuar, se nuk ekziston një sistem sigurimi shëndetësor si te njerëzit, për këtë arsye, një pjesë e pronarëve të kafshëve detyrohen të bëjnë sigurime shëndetësore private dhe një pjesë e tyre nuk i sigurojnë fare. Në të dyja rastet ka një barrë financiare, pasi në rastin e parë, sigurimi nuk i mbulon të gjitha shërbimet, kurse në rastin e dytë pronari është i detyruar të marrë të gjithë barrën financiare mbi vete.

Box 2

Çdo gjë nga e para…

“Unë e fillova gjithçka nga e para. Pra, nuk ishte një ordinancë që kishte ekzistuar më parë. Prej investimit në aparatura diagnostikimi, laborator, kirurgji dhe deri në numërimin e pacientëve, ishte një sfidë në vete, por që brenda më pak se një viti rezultoi me sukses profesional për mua”.

Box 2

Nuk ka sigurim shëndetësor për kafshët

“Duhet theksuar se nuk ekziston një sistem sigurimi shëndetësor si te njerëzit, për këtë arsye, një pjesë e pronarëve të kafshëve detyrohen të bëjnë sigurime shëndetësore private dhe një pjesë e tyre nuk i sigurojnë fare. Në të dyja rastet ka një barrë financiare, pasi në rastin e parë, sigurimi nuk i mbulon të gjitha shërbimet, kurse në rastin e dytë pronari është i detyruar të marrë të gjithë barrën financiare mbi vete”.