Lajme

Dy 24 vjeçarë të dënuar për tregti me heroinë dëbohen në Shqipëri

Dy të pandehurit theksuan se ishin punësuar nga organizata e trafikut të drogës për të ndihmuar familjet e tyre. Njëri tha se nëna e tij duhej t'i nënshtrohej një operacioni në zemër, për të cilin nuk kishte para

Sipas aktakuzës, dy 24-vjeçarët që duhej të përgjigjeshin para Gjykatës së Qarkut St.Gallen, punonin si “korrierë” për një organizatë shqiptare të trafikut të heroinës, transmeton albinfo.ch. Ata kishin udhëtuar për në Zvicër në fund të marsit dhe ishin vendosur në një dhomë së bashku në qytetin e St.Gallenit.

Të dy janë akuzuar për delikte që shkelin Ligjin për Narkotikët, në procedurë të shkurtuar.
Prokuroria publike ka akuzuar të dyshuarin e parë se ai, që nga 10 prilli e deri në arrestimin e tij në fund të prillit kishte drejtuar bandën e trafikut të heroinës dhe priste dëmshpërblim në formë të lehtësimit të borxhit që kishte, shkruan tagblatt.ch.

Detyrat e tij, ndër të tjer përfshinin shtrirjen, ndarjen, paketimin, dërgimin e mallit tek blerësit dhe mbledhjen e “pazarit”, trasnmeton albinfo.ch. Këtu bëhej fjalë për tregtimin e 72 gramëve përzierje heroine dhe ruajtjen e rreth 700 gramëve të tjerë.

Prokurori ka thënë në seancë se i akuzuari nuk ishte i dënuar më parë dhe kishte pranuar plotësisht veprën që e ngarkonte. Prandaj ai e konsideron si të përshtatshëm dënimin me burg me kusht prej dy vjetësh dhe 100 franga gjobë për konsumim të hashashit, përcjell albinfo.ch. Përveç kësaj, atij i është shqiptuar masa e dëbimit nga vendi për tetë vjet.

Sipas aktakuzës, i akuzuari i dytë merrte kompensim mujor prej 500 CHF për punën e tij si tregtar i drogës. Ai është akuzuar për tregtimin dhe mbajtjen e një sasie më të vogël heroine se kolegu i tij. Ai kishte tregtuar 30 gramë përzierje heroine dhe kishte në posedim 100 gramë.

Ai gjithashtu nuk kishte precedentë penalë dhe luante një rol vartës brenda bandës së drogës. Për të, prokurori publik e pa të arsyetuar dënimin me burg prej 20 muajsh me kusht. Përveç kësaj, ai u është dënuar edhe me dëbim nga vendi për shtatë vjet.

Dy të pandehurit theksuan se ishin punësuar nga organizata e trafikut të drogës për të ndihmuar familjet e tyre. Njëri tha se nëna e tij duhej t’i nënshtrohej një operacioni në zemër, për të cilin nuk kishte para, transmeton albinfo.ch. Tjetri tha se donte të fitonte para për të paguar ilaçet për gjyshin e sëmurë.

Dy avokatët e tyre mbrojtës kanë theksuar se klientët e tyre ishin sjellë shumë bashkëpunues në procesin e hetimit dhe kanë treguar pendim. Ata kishin vendosur të hynin në këtë biznes vetëm sepse nuk mund të bënin ndryshe për shkak të problemeve familjare në vendin e tyre.

Ata i përkisnin nivelit më të ulët të hierarkisë brenda organizatës së trafikut të heroinës dhe nuk mund të merrnin vendime në lidhje me përzgjedhjen e klientëve ose sasinë e drogës së tregtuar.

Gjykata e Qarkut në St.Gallen ka pranuar pretendimin e prokurorit për të dy të akuzuarit. Ajo ka urdhëruar gjithashtu që të dënuarit të qëndronin në paraburgim derisa të dëboheshin në Shqipëri, por jo më gjatë se deri më 9 shkurt, transmeton albinfo.ch. Dy të akuzuarit duhet të paguajnë shpenzimet e procedurës prej rreth 20,500 CHF secili.

Menjëherë pas hapjes së aktgjykimit, të akuzuarit kanë nënshkruar se heqin dorë nga ankesa duke thënë se e pranojnë aktgjykimin. Kjo u mundëson autoriteteve të migracionit të fillonin menjëherë përgatitjet për riatdhesim.