Lajme

E djathta paralajmëron referendum kundër pushimit atëror “të lindjes”

Sipas këtij komiteti, vetë prindërit duhet të jenë përgjegjëse për kujdesin ndaj fëmijëve dhe ato nuk është në rregull që këtë përgjegjësi t`ua ngarkojnë ndërmarrjeve ku punojnë

Në shtator të këtij viti të dy dhomat e Parlamentit të Zvicrës miratuan me shumicë votash qëndrimin e Këshillit Federal (qeverisë) që meshkujt të kenë dy javë pushim të paguar në momentin kur bëhen prindër.

Sigurisht, ky vendim kishte lënë të pakënaqur nga të dyja anët: në njërën anë ishte komiteti i majtë (jashtë Parlamentit) që kërkonte një pushim prej 4 javësh, shkruan albinfo.ch. Ndërsa, në anën tjetër, pjesë të partive të djathta në Parlament, kryesisht SVP, e kundërshtuan vendimin, por mbetën në pakicë.

Ndërkohë, sot është paraqitur një komitet i ri jashtëparlamentar i djathtë që do të iniciojë një referendum kundër pushimit dyjavësh për etërit, shkruan srf.ch.  Sipas këtij komiteti, vetë familjet duhet të jenë përgjegjëse për kujdesin ndaj fëmijëve dhe ato nuk është në rregull që këtë përgjegjësi t`ua ngarkojnë ndërmarrjeve ku punojnë.

Veç kësaj, komiteti thotë se vendosja e një pushimi të tillë do të rrezikonte kompetivitetin e Zvicrës në raport ndërkombëtar.

Komiteti është i përbërë nga deputetë, ndërmarrës dhe përfaqësues të tregtisë.

“Ne jemi kundër pushimeve falas, të cilat do të financohen me paratë e përfituara nga zbritja e pagave për të gjithë”, ka thënë para mediave deputetja nacionale nga SVP, Diana Gutjahr.