Gruaja

Eda Zari: Me koncertin e 4 nëntorit në Cyrih, “do t`i bëjmë hyzmet shpirtit”

Shumëkush e njeh për zërin e saj brilant dhe për performancat emocionuese në skenë, bëhet fjalë për këngëtaren e xhazit nga Shqipëria me qëndrim në Gjermani, Eda Zari, e cila ka vendosur të paraqitet para publikut shqiptar të Zvicrës më 4 nëntor në Cyrih, ku bashkorganizator me “Special Event” është edhe albinfo.ch.

Ekskluzivisht për koncertin e Cyrihut flet në një intervistë për albinfo.ch vetë Eda Zari.
“Do bëjmë një udhëtim nga jazz, polifoni, ballkan beat dhe balada për shpirtin”, zbulon në pika të shkurtra programin e koncertit në Cyrih diva shqiptare.

Ajo do të sjellë tingujt e muzikës që do të shënojnë koncertin në Zvicër me harmoni të pazakonshme që do të ngjallin mallin për vendlindjen.

Zari në këtë intervistë me albinfo.ch tregon edhe për betejën e filluar për të mbrojtur Luginën e Valbonës në Shqipëri, bashkë me këngëtaren tjetër, Elina Duni. Dy këngëtaret e njohura shqiptare do të organizojnë një koncert proteste në fund të muajit në Tiranë, të cilin e kanë titulluar: “Jo importit të plehrave në Shqipëri”.

 

Albinfo.ch: Eda, më 4 nëntor do të performoni në Zvicër. Si ka lindur ideja për të mbajtur këtë koncert?

Eda Zari: Unë mendoj qe pyetja do ishte me e bukur nëse do kishte pak nota fajësimi; pse, moj Eda, ke bërë mungesë kaq të gjatë në Zvicër? Keni të drejtë. Dëshira ka qenë e madhe, por për të lënë mënjanë 1001 justifikimet, ju them se gëzohem fort që do të shihemi më 4 nëntor, dhe meqë rasti jepet në këtë formë, dëshiroj të falënderoj “Special Event”, z.Haziri, për ftesën, i cili tashmë prej kohësh ka krijuar një seri koncertesh, duke ftuar artistë dhe grupe nga trojet shqiptare, por dhe diaspora, të cilët denjësisht prezantojnë kulturën tonë, duke krijuar një urë lidhëse midis kulturave të dy vendeve. Koncerti i fundit ishte ai i mikes sime dhe këngëtares së mirënjohur Elina Duni (mbajtur ne Kulturhaus Helferei, partnere të kamotshëm të Special Event), dhe kjo tregon se muzika është një kartëvizitë e përveçme, janë këta artistë, ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë.
Albinfo: Albinfo: Ju do të këndoni së bashku me bendin tuaj. Prej sa anëtarëve do të përbëhet bendi juaj?

Eda Zari: Ne vijmë këtë radhë me një Quintett fomacion (piano, saksofon, latin perkusion dhe kontrabas, dhe unë natyrisht) dhe do të bëjmë një udhëtim nga jazz, polifoni, Ballkan beat dhe balada për shpirtin. Dashuria është e gjithë pranishme në këtë program.

Albinfo.ch : Në Zvicër jetojnë një numër i madh i shqiptarëve. Cilat janë pritshmëritë tuaja rreth koncertit?

Eda Zari: Ka koncerte masive, ka evente ku masa dëshiron të festojë, por në një mbrëmje si kjo e datës 4 nëntor uroj të kalojmë të gjithë së bashku një natë që ia kushtojmë njeri-tjetrit, the në zhargon i duhet bërë hyzmet shpirtit, intimitetit, halleve, shpresës, paqes, nostalgjisë dhe ëndrrave. Por, natyrisht zjarri celebrues shqiptar nuk do të mungojë. Pra kjo natë do të jetë një marrje dhe dhënie me tone.

Albinfo.ch: Çfarë do ta bëjë këtë koncert të veçantë nga ana juaj?

Eda Zari: Jemi në prag festash. Kemi përpara festën e pavarësisë, festen e çlirimit, festat familjare, por dhe ato religjioze. Të mblidhesh në një natë pa moto të caktuar, thjesht përqafesh me njerëzit e tu, por dhe vendas që duan ta njohin kulturën tënde, kjo është njerëzore, dhe kështu mund të ndërtojmë paqe mes nesh. Është publiku ai që do t’i japë tonin kësaj nate. Ne jemi vetëm erëzat!

Albinfo.ch: Cilat janë projektet tua aktuale, në planin muzikor dhe atë personal?

Eda Zari: Për hatër të së vërtetës, momentalisht ndodhem në një betejë, dhe nuk e ekzagjeroj kur them betejë! Elina dhe unë kemi ndërmarrë një nismë për mbrojtjen e natyrës. Lugina e Valbonës, lumi i tij është në prag të masakrës. Ky është një ndër parqet kombëtare të kategorisë së parë, dhe është një shkelje e papranueshme që i bëhet ligjërisht, por dhe moralisht kësaj perle të natyrës sonë, duke ndërtuar HEC-e mbi të. Ndaj më 29.10., ne bashkë me shumë artistë të tjerë do të mbajmë në qiell të hapur në Valbonë (një a la Woodstock koncert), një protestë concert, ku priten të vijnë 5000 njerëz. Më datën 30.10. do të jemi në mes të Tiranës për koncert protestën “Jo importit të plehrave në Shqipëri. Ndërsa nga unë keni një album të ri titulluar “”Entropy”, ku muzika bizantine në gjuhën shqipe, për herë të parë në botë ( e nënvizoj, në botë) ngjizet me muzikën Jazz dhe polifoninë tonë. Këtë album e gjeni tashmë kudo. Për më shumë informacione ju ftoj të vizitoni faqen tonë zyrtare www.eda-zari.com ose ejani të piqemi në faqen e fansave në Facebook. Ju falënderoj për mbështetjen Albinfo, si dhe uroj të shihemi më 4 nëntor në Zürich, në Kultur Haus Helferei. Përzemërsisht juaja, Eda Zari.