Bota

Edhe Rumanisë po i ikin mjekët

Mijëra mjekë dhe infermierë kanë emigruar për një jetë më të mirë në Evropën Perëndimore në dekadën e fundit

Mijëra mjekë dhe infermierë janë larguar nga Rumania dekadën e kaluar, gjë kjo që ka çuar në mungesa të theksuara të stafit brenda vendit.

Gabriela Dumitru 65 vjeç, duhej të dilte në pension vite më parë, por në vend të kësaj ajo po punon me orë të zgjatura në repartin e neonatologjisë në Slobozia, një qytet që ndodhet rreth dy orë larg me makinë nga Bukureshti, shkruan “The Guardian”.

Znj. Dumitru punon pa ndalim turn pas turni, duke i lejuar vetes të flejë vetëm një orë në një prej kolltukëve që ndodhen në një dhomë të vogël të këtij spitali të zbukuruar me foto kotele macesh. Një prej kolegeve është një tjetër mjeke 75-vjeçare, e cila ka dalë zyrtarisht në pension rreth 15 vite më parë, transmeton ‘monitor’.

Midis tyre, ato bëjnë punën e katër ose pesë mjekëve, duke mundësuar lindjen e rreth 1,200 bebeve në vit dhe duke u kujdesur për të gjitha ato gra që kanë pasur vështirësi në lindje. Reparti i neonatologjisë në Slobozia është një dritare e vogël që pasqyron një krizë më të madhe në Rumani, vendi ku mijëra mjekë dhe infermierë kanë emigruar për një jetë më të mirë në Evropën Perëndimore në dekadën e fundit, përcjell albinfo.ch.

Nga ana tjetër, kriza e mjekëve në Rumani është një pjesë e vogël e flukseve të mëdha të njerëzve nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore drejt atyre Perëndimore që nga momenti kur ata fituan anëtarësimin në BE. Në të gjithë rajonin, qeveritë po përpiqen të përballen me pasojat e rrjedhjes së trurit, sidomos të largimit të shumë prej të rinjve më të talentuar të tyre.

Në një sondazh të kohëve të fundit, më shumë se 50% e rumunëve u shprehën se ishin të shqetësuar për pasojat e emigracionit, që ka njëkohësisht edhe të dhënat më të larta në mesin e të gjitha vendeve të studiuara. Rreth 3.4 milionë rumunë u larguan nga vendi në dekadën e parë pas pranimit të Rumanisë në BE, sipas një studimi të liderëve rumunë të biznesit. Ndërsa sipas Ministrisë së Shëndetësisë, rreth 43,000 mjekë u larguan nga Rumania po gjatë së njëjtës periudhë.

Sipas një studimi tjetër të kryer nga një agjenci me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, parashikohet që popullsia e Rumanisë të tkurret me 22% deri në vitin 2050, rënia më e madhe e planifikuar në nivel global. Faktorët kryesorë që kanë çuar në këtë parashikim ka qenë niveli i lartë i emigrimit dhe vdekshmërisë dhe niveli i ulët i lindjeve. Fatkeqësisht edhe Bullgaria fqinje ka po të njëjtin parashikim shqetësues. Sipas statistikave më të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë, në qarkun e Ialomiţat, ku Slobozia është kryeqyteti, rreth 44% e të gjitha pozicioneve për mjekët janë të lira. Në të gjithë vendin, shifra shkon në 26%, që do të thotë se vendi po paguan për të trajnuar mjekët e rinj të cilët pastaj largohen.

Në Slobozia, pritej ardhja e një mjekeje të re, e cila do t’i bashkohej repartit të neonatologjisë nëntorin e kaluar, pasi spitali kishte financuar një trajnim përgatitor të saj në një spital të Bukureshtit, por ajo menjëherë pas përfundimit të trajnimit thjesht u zhduk, tha z. Dumitru. Dhe kjo nuk është hera e parë që kjo gjë ndodh në raportin e neonatologjisë në Slobozia. Raed Arafat, sekretari i Shtetit i Rumanisë për Situata Emergjente dhe vetë mjek me profesion në Departamentin e Emergjencës në qytetin e Târgu Mureș, tha se vala e parë e emigrimit erdhi shumë më përpara se Rumania të bashkohej me BE-në, në vitin 2007, ku shumë infermierë filluan të emigronin në Itali.

“Në atë kohë, ne humbëm të gjithë kontingjentin tonë të infermierëve në Târgu-Mureș në vetëm dy vjet dhe pastaj, pasi ne trajnuam një numër infermieresh të reja, humbëm edhe gjysmën e tyre”, tha më tej z. Arafat. Kur kriza financiare e 2008-s e goditi edhe atë si shumë vende të tjera, situata u përkeqësua.

“Ne kemi humbur mjekët që menduam se nuk do të largoheshin kurrë, pasi ata ishin mjekët tanë më të kualifikuar. Ndikimi i tij ishte i madh dhe i parikuperueshëm”, tha z. Arafat. Ai shtoi se vendi po vuante nga mungesa e madhe e mjekëve të emergjencës dhe anestezistëve.

Hyrja në BE, u ofroi mundësi të shumta rumunëve të rinj dhe të talentuar për të udhëtuar, për të studiuar dhe për të punuar në Europën Perëndimore, pasi aty puna e tyre vlerësohej më shumë nga ana monetare.

Janë mbi dhjetëra fluturime në ditë nga aeroportet e Rumanisë drejt Londrës, Parisit dhe Romës. Në një përpjekje për të frenuar rrjedhën e profesionistëve të fushës së mjekësisë, qeveria dyfishoi vitin e kaluar pagat në këtë sektor. Lufta për të mbajtur në vend njerëzit më të aftë është e vështirë, veçanërisht në provinca të Rumanisë, ku potenciali ekonomik është më i kufizuar.