CH-Ballkani

Edhe Shqipëria të jetë prezent në dialogun Kosovë-Serbi

Bushati në anën tjetër ka thënë se nuk do të mungojë përkrahja e Shqipërisë për këtë proces

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli ka pritur sot homologun e tij shqiptar, Ditmir Bushati, ku është diskutuar për fazën finale të dialogut Kosovë-Serbi.

“Kam kërkuar që Shqipëria të mos jetë duarkryq në këtë proces, por të jetë pjesë përbërëse e synimit tonë. Synimi ynë është dialogu me Serbinë. Shqipëria të jetë aty. Nëse mundet BE të jenë prezent dhe SHBA pse jo Shqipëri a?!”, është shprehur Pacolli.

“Këtë vit përpjekjet tona janë që Kosova të arrijë synimin e saj për lëvizje të lirë dhe në këtë drejtim kërkojmë përkrahje edhe nga Shqipëria”, ka thënë Pacolli pas takimit me Bushatin, transmeton televizioni publik i Kosovës.

“Ne bashkë me Bushatin do të udhëtojmë në New York ku do të kemi shumë takime të përbashkëta që lidhen më çështjen e liberalizimit të vizave”, përcjell albinfo.ch.

Bushati në anën tjetër ka thënë se nuk do të mungojë përkrahja e Shqipërisë për këtë proces.

“Unë jam i sigurt, që kjo sfidë do të kalohet dhe Kosova do të përfshihet në listën e bardh të Shëngenit. Tani nuk ka më asnjë justifikim për të mos u kryer ky proces”, tha ai.

Dy homologët shqiptarë kanë folur edhe për procesin e dialogut me Serbinë dhe janë pajtuar që sa më shpejtë të arrihet marrëveshja përfundimtare, e cila sipas tyre nuk duhet të cenojë territorin e Kosovës.

“Kam kërkuar nga pala shqiptare që të mos qëndrojnë duarkryq, por të na ndihmojnë. Shqipëria mund të jap kontribut shumë të madh”, ka thënë Pacolli.

Pacolli dhe Bushati kanë diskutuar edhe për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve sidomos në fushën e ekonomisë.

Bushati është takuar edhe me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj. Fillimisht, kryeministri Haradinaj e ka njoftuar ministrin Bushati për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, Agjendën e Reformave Evropiane, zhvillimin ekonomik,  fuqizimin e rendit dhe të ligjit, përmbushjen e obligimeve të MSA-së, dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe çështje tjera me rëndësi për vendin.

Kryeministri Haradinaj me këtë rast ka vlerësuar rolin e Shqipërisë në mbështetjen e Kosovës në procesin shtetformues dhe proceset tjera me rëndësi për vendin, duke thënë se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë duhet të thellohet edhe më tutje, në fushën e zhvillimit ekonomik, të këmbimeve tregtare, arsim, kulturë, shëndetësi dhe fusha tjera të interesit të përbashkët.

Gjatë takimit kryeministri Haradinaj ka kërkuar mbështetjen e Shqipërisë për rrugën e integrimit euroatlantik, anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, dhe në organizata tjera të rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare.

Gjatë takimit është biseduar edhe për marrëveshjet e arritura ndërmjet dy vendeve dhe nivelin e zbatimit të tyre, po ashtu edhe për përgatitjet që janë duke u bërë për mbledhjen e përbashkët të dy qeverive që do të mbahet në nëntor të këtij viti në Pejë.

Ndërkaq, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka vlerësuar progresin e Kosovës duke e përgëzuar kryeministrin Haradinaj për vendimin pro liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës nga Parlamentit Evropian, në të njëjtën kohë ka shprehur gatishmërinë e shtetit shqiptar që edhe më tutje të vazhdojë mbështetjen e Kosovës në rrugën e saj euroatlantike.