Bota

Është dyfishuar gjatë verës numri i azilkërkuesve në BE

Nga qershori deri në shtator në shtetet e BE-së kanë kërkuar azil 413.800 persona

Numri i azilkërkuesve gjatë verës së këtij viti ka shënuar një rritje prej pothuaj dyfish në krahasim me tremujorin e njëjtë të një viti më parë. Kështu, nga qershori deri në shtator në shtetet e BE-së kanë kërkuar azil 413.800 persona, që është afërsisht dy herë më shumë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2014. Këtë njoftim e ka dhënë sot Zyra Evropiane e Statistikës, Eurostat, me seli në Luksemburg.

Ndërkohë vetëm numri i refugjatëve sirianë është trefishuar. Praktikisht çdo i treti azilkërkues gjatë kësaj kohe ka qenë nga Siria, gjegjësisht numri i tyre i arritur vetëm gjatë tre muajve, është 137.900. Në vendin e dytë të kësaj liste janë refugjatët nga Afganstani, 56.700 sish.

Nga ana tjetër, në shifra absolute, Gjermania dhe Hungaria kanë regjistruar më së shumti azilkërkues, gjegjësisht të dy këto shtete nga 108 mijë kërkesa azili, që është 26% e numrit të gjithëmbarshëm, shkruan nzz.ch. Pas këtyre dy shteteve vijnë Suedia me 42.500, Italia 28.400 dhe Austria me 27.600. Ndërsa llogaritur në numrin e banorëve të vet, Hungaria është më e ngarkuara, gjegjësisht 10.974 azilkërkues në 1 milion banorë. Pas saj vjen Suedia.