Gruaja

Fatlume Sadiku, shkencëtarja shqiptare që i ka shpallur “luftë” kancerit

    Albinfo.ch portretizon Fatlume Sadikun (Sutaj), një grua vizionare e angazhuar në shkencën e Informatikës, e fokusuar me hulumtime në Informatikën e Mjekësisë, e në veçanti në zhvillimin e metodave inovative për zbulimin e hershëm të kancerit

Shkencëtarët janë njerëz të shenjtë për faktin se ata bëjnë ndryshime historike duke e ndryshuar të menduarit e botës, duke lënë gjurmë për të mirë. Ne kemi gra të shquara në fusha të ndryshme si art, kulturë, politikë e biznes por Fatlume Sadiku ka zgjedhur të sfidojë një shkencë më të vështirë. Dhe me përpjekjet, talentin e me karakterin e fuqishëm që ka, ajo gjithmonë ia del, shkruan albinfo.ch. Ajo sot është një shembull, një grua vizionare e angazhuar në shkencën e Informatikës, e fokusuar me hulumtime në Informatikën e Mjekësisë, e në veçanti në zhvillimin e metodave inovative për zbulimin e hershëm të kancerit.

Nuk është e vështirë ta përshkruash figurën e Fatlumes: e zgjuar, e bukur, e suksesshme, e dashur. Por është për tu habitur me guximin e saj; është ndër ato gratë e rralla që u hynë studimeve më revolucionare: një shkence, e cila është shumë premtuese edhe në luftën kundër sëmundjeve më të rënda.

Biografia

Fatlumja u lind në Pejë, ku e përfundoi edhe gjimnazin si laborante teknike e Biologjise. Edhe pse ajo kishte shumë prirje për Matematikë, u përcaktua për drejtimin e biologjisë meqë kishte dëshirë të madhe për të studiuar mjekësinë. E impresionuar nga fiziologjia e bimëve dhe e fascinuar nga bukuritë e natyrës, ajo më vonë vendosi dhe e studionte bujqësinë në Prishtinë. Por, edhe gjatë studimeve të këtij drejtimi, interesi i saj për temat që ndërlidheshin me mjekësinë mbeti i madh. Ai madje u shtua edhe më shumë, që nga dita kur ajo u njoh me Dr. Xhafer Sadikun, në atë kohë student mjekësie në Prishtinë. Ky interes u reflektua edhe në zgjedhjen e punimit për diplomimin e saj në bujqësi, me titull „Capsaicina dhe ndikimi i saj në shëndetin e njeriut“.

Në fund të vitit 1995 Fatlumja dhe Xhaferi, tani më të diplomuar dhe të martuar, migruan në Gjermani dhe banonin afër qytetit Frankfurt am Main. Me njohuri solide të  anglishtes, Fatlumja këtu nuk ballafaqohët me probleme të mëdha komunikimi me gjermanët. Por, me qëllim që t`i hapte dyert vetes për punësim, ajo angazhohët dhe shumë shpejt e mëson edhe gjermanishten. Në ndërkohë ajo ishte informuar se këtu mundësitë per punësim në lëmin e bujqësisë ishin pothuajse të barabarta me zero. Kjo e shtyri Fatlumen që të regjistrohej për një kualifikim të ri profesional si specialiste për marketing. Ky shkollim e përfshinte edhe trajnimin intensiv të pjesëmarrësve për një punë të avancuar me kompjuter.

Puna e parë, në një ambulancë radiologjike me teknologji të sofistikuar

Pas këtij kualifikimi, Fatlumes i hapen mundësi të reja për punësim si nëpunëse në firma të ndryshme në Frankfurt. Mirëpo, e shtyrë nga interesi i saj permanent për temat mjeksore, ajo vendos të punojë në një ordinancë të madhe radiologjike.  “Ishte një ndër ordinancat e rralla, të cilat në atë kohë posedonin sisteme për arkivim dixhital të raporteve dhe fotografive radiologjike si dhe sisteme për administrim elektronik të pacientëve”, thotë Fatlumja dhe vazhdon: “Krahas njohjes së gjuhëve te huaja dhe terminologjisë mjekësore, vendimtare për pranimin tim këtu ishte njohja shumë  e mirë e punës me kompjuter”.

Në këtë ordinancë Fatlumen të gjithë e quanin „specialistja e kompjuterit“. Dhe pikërisht këtu lindi dhe prej viti në vit u shtua dëshira e saj për t`i studiuar shkencat kompjuterike, pra informatikën. Tri vite më vonë kjo dëshirë e saj bëhët realitet: Xhaferi punësohet në një spital afër Passaut në Bayern si mjek në specializim të Mjekësisë Interne. Domosdoshmërinë për ta lëshuar punën në Frankfurt dhe për tu shpërngulur në Bayern Fatlumja e shfrytëzon si shans të jetës dhe i fillon studimet e saj në Universitetin e Passaut. Ajo këtu përcaktohet për studimin 5 vjeçar të Informatikës me studim minor (sekondar) në psikologji.

Pyetjes se si e kishte pritur rrethi familjar e shoqëror vendimin e saj dhe sa ishte i vështirë fillimi, Fatlumja i përgjigjet: “Meqë informatika konsiderohet si njëra ndër studimet më të vështira dhe unë tashmë i kisha mbushur 35 vjet, as unë vetë nuk kam qenë shumë e sigurt se do të kem sukses. I vetmi person që, krahas burrit tim, ka besuar shumë në suksesin tim, ishte vëllau i im, Bajrami. Ai jeton dhe punon në Gjermani, ku me vetëshkollim është aftësuar për zhvillimin e softwereve në gjuhë të ndryshme programuese.

Vështirësitë e mëdha, të cilat unë i pata në vitin e parë të studimeve, kërkuan me të vertetë një angazhim shumë të madh; shpesh më ka ndodhur të mësoj edhe deri në 16 orë në ditë, pa ndërprerje. Ky angazhim rezultoi me fitimin e shpejtë të njohurive (në radhë të parë atyre matematikore) të cilat mua më mungonin, por që ishin të domosdoshme për vazhdimin dhe përfundimin e suksesshëm të studimeve”, tregon për albinfo.ch shkencëtarja shqiptare.

Diplomoi si njëra ndër studentet më të mira të informatikës

Suksesi i treguar në provime i solli Fatlumes oferta të punës si asistente dhe doktorante nga tre profesorë të ndryshëm, ende pa e përfunduar punimin e saj të diplomës. Në këtë punim ajo u thellua në studimet e sistemeve inteligjente multimediale, të karakterizuara me aftësinë e tyre për ekstrahimin e informacioneve semantike (pra kuptimit) nga fotografitë, tekstet, videot apo audio-incizimet e ndryshme. Interesin e Fatlumes për këto sisteme e zgjoi posaçërisht përshtatja e tyre për analizimin dhe menaxhimin e dokumenteve mjekësore. Studimet i përfundoi me një notë mesatare ndër më të lartat dhe arriti të radhitet ndër studentët më të sukseshëm të informatikës në Universitetin e Passaut. Por, pranimi i ndonjërës nga ofertat e lartpërmendura për të punuar si asistente ishte i pamundur për Fatlumen ; ajo tani po jetonte në Zvicër, mëqë burri i saj (Xhaferi) kishte filluar të punonte si kryemjek në Bürgerspital të Solothurnit.

Jeton në Zvicër, por punon e studion edhe në Gjermani

Në një pauzë disamuajshe Fatlumja e ndihmon Xhaferin rreth hapjes së ordinancës së tij në Thalwil të Cyrihut, në të cilën ajo edhe sot është shumë e angazhuar. Por, e shtyrë nga ëndrra e saj e kahmotshme për të ndihmuar disi në luftën kundër kancerit, ajo u punësua në Qendrën Gjermane për Hulumtime të Kancerit (DKFZ) në Heidelberg të Gjermanisë. Në këtë qendër hulumtuese me renome botërore, më shumë se 1000 shkencëtarë, specialistë të disiplinave  të ndryshme (mjekë, biologë, inxhinierë të Informatikës etj.) punojnë me moton „Për një Jetë pa Kancer“. Fatlumja këtu punon në repartin „Medical Informatics in The Translational Oncology“ si hulumtuese dhe inxhiniere e informatikës. Por, në kuadër të një bashkëpunimi të këtij reparti me Kliniken Universitare në Frankfurt am Main ajo punon edhe si hulumtuese eksterne në një projekt për hulumtime të sëmundjeve (edhe kancerit) të rralla.

Tregimi për punën hulumtuese të Fatlumes nuk përfundon këtu; ajo paralelisht me punën e saj në Cyrih, Heidelberg dhe Frankfurt është duke i vazhduar studimet si doktorante eksterne në Universitetin e Passaut. “Në punimin e doktoraturës unë jam duke u marrë me zhvillimin e një sistemi inteligjent për analizimin e fotografive radiologjike (CT ose MRT), i cili do ta mundësojë zbulimin e kancerit të melqisë në një fazë shumë të hershme, në të cilën ky kancer dhe pothuajse të gjitha llojet e kancerit janë të shërueshme.

Billie Jean King ka thënë: “Kampionët luajnë deri sa të jenë fitues”, por a do të ndalet shkencëtarja jonë?

“Nga tetori i këtij viti unë do të punoj në një projekt të ri hulumtues në Zvicër. Ky projekt i quajtur „Medicina e Personalizuar“ ka zgjuar interesim të madh në të gjitha qendrat e mëdha hulumtuese të Botës. Në Zvicër ky është duke u udhëhequr nga katër spitalet universitare ku hyn edhe ETH në Cyrih. Unë do të punoj në spitalin universitar të Baselit”, thotë për albinfo.ch Fatlume Sadiku.

Nuk ka fund synimi i saj drejt zbulimeve në lëmin e Informatikës së Mjekësisë.

Mendjet e ndritura i japin Botës buzëqeshjen dhe gëzimin.

Si shqipëtarë krenohemi me Fatlume Sadikun.

“Për një jetë pa kancer”

E shtyrë nga ëndrra e saj e kahmotshme për të ndihmuar disi në luftën kundër kancerit, ajo u punësua në Qendrën Gjermane për Hulumtime të Kancerit (DKFZ) në Heidelberg të Gjermanisë. Në këtë qendër hulumtuese me renome botërore, më shumë se 1000 shkencëtarë, specialistë të disiplinave  të ndryshme (mjekë, biologë, inxhinierë të Informatikës etj.) punojnë me moton „Për një Jetë pa Kancer“.