Lajme

Kosova optimiste për ndeshjen ndaj Maqedonisë Veriore

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi e pret me optimizëm ndeshjen kundër Maqedonisë së Veriut, e cila më të drejtë e ka marrë epitetin historike, pasi ekipi që triumfon të enjten e 8 tetorit në Shkup, do ta marrë biletën për finalen e madhe të “play-off”-it për kualifikim në Evropian.

Numri një i futbollit kosovar në një intervistë për Radio Kosovën ka folur për rëndësinë që ka përkrahja e të gjithëve për Dardanët para kësaj ndeshje, e cila për shkak të pandemisë Covid-19 do të luhet pa tifozë, transmeton Albinfo.ch

“Është e rëndësishme t’i përkrahim këta djem para kësaj ndeshje historike, duke pasur parasysh edhe gjendjen me pandeminë dhe shumë peripeci që ka krijuar kjo rrethanë e re në gjithë botën. Besoj që përkrahja dhe pozitiviteti nga të gjithë ne do të jetë krahë i fortë për futbollistët tanë. Mua më gëzon fakti që interesimi për futbollin dhe ekipin Kombëtar është gjithandej në nivelin më të lartë, ashtu si dëshira e secilit për sukses. Këtë gjë e vlerësoj jashtëzakonisht shumë dhe sigurisht se ky sukses do të përpjesëtohet me shpirtin e çdo shqiptari që i rrah zemra për Kombëtaren e Kosovës”, theksoi Ademi.

Tutje kreu i FFK-së shprehu keqardhje që në këtë ndeshje do të ketë numër shumë të vogël të njerëzve që do ta kenë privilegjin për ta përcjellë atë nga afër. Në fakt, për mediat nga Kosova janë rezervuar vetëm 10 vende, derisa po aq vende janë të rezervuara edhe për stafin e FFK-së.

“Ndeshja në Shkup është ende në protokollin e pandemisë dhe ne si federatë kemi të drejtë për vetëm 10 anëtarë tjerë jashtë stafit të Kombëtares që do të jenë në tribuna. Andaj, më vjen keq që njerëzit nuk do të mund të jenë të pranishëm në stadium, por gjithsesi ata do të na përkrahin nëpërmjet shtëpive të tyre dhe rrjeteve sociale, pasi këtyre djemve u duhet përkrahja”, shtoi Ademi.

Ai ka thënë se rëndësia e kësaj ndeshje është e jashtëzakonshme dhe mendja e të gjithëve ka qenë pikërisht në këtë përballje edhe gjatë kualifikimeve të rregullta për Euro2020.

“Të gjithë e kemi pas mendjen te kjo ndeshje dhe që ta presim atë sa më të përgatitur sepse jo gjithherë fiton më i miri. Në këso lloj ndeshje me eliminim direkt mund të ndodhë gjithçka dhe në futboll s’ka asgjë të sigurt, e për këtë ne jemi shumë real, por duke pasur parasysh kualitetin si ekip dhe rëndësinë e kësaj ndeshje, që nuk do të thotë se nuk është e rëndësishme edhe për Maqedoninë e Veriut, sipas të gjitha analizave, ekspertët e futbollit na shohin favoritë, edhe pse kjo nuk do të thotë asgjë sepse gjithçka vendoset në fushën e gjelbër. Unë besoj se djemtë do ta japin maksimumin, edhe pse fatkeqësisht në këtë ndeshje shkojmë me disa mungesa”, nënvizoi kreu i FFK-së.

Ai shprehu keqardhje që disa futbollistë nuk janë përfshirë këtë herë n listën e Challandes, por theksoi se kjo është përzgjedhja e trajnerit dhe si drejtues të federatës konsultohen por nuk i përzihen asnjëherë atij për mënyrën se si e zgjedh formacionin.

“Të gjithë ata që vetëm një herë e kanë veshur fanellën e Kosovës janë pjesë e jona dhe e kanë meritën e suksesit kudo që janë. Normalisht, edhe ata që kanë qenë më herët pjesë e Kombëtares kanë meritat e tyre sepse e kanë bërë një bazë të tillë e cila në vazhdimësi po rritet dhe po rezulton në storie të suksesit. Në jemi me këmbë në tokë, por besojmë dhe shpresojmë shumë se do ta kalojmë këtë pengesë, por edhe nëse ndodh e papritura dhe nuk kalohet kjo pengesë sigurisht se ne jemi krenarë me këta djem dhe me të gjitha ato fitore dhe rezultate që i kanë arritur për një kohë kaq të shkurtër”, vlerësoi Ademi.

Ai në fund ka thënë se jo rastësisht janë të vlerësuar në Top20 për organizim të ndeshjeve, teksa ka lavdëruar edhe tifozët Dardanët që në vazhdimësi kanë treguar kulturë të lartë dhe anim korrekt në çdo ndeshje, duke mos bërë asnjë gabim që do të konvertohej në dënim nga UEFA për federatën.

“Duke i pasur parasysh të gjitha këto ne tashmë e kemi krijuar një imazh dhe një emër që vlerësohet jashtëzakonisht shumë edhe nga UEFA e FIFA, por edhe nga federatat e shteteve tjera. Sot nuk e ka të lehtë asnjë ekip të luajë me Kosovën dhe të marrë rezultat pozitiv, madje as ekipet që kanë renome botërore”, përfundoi presidenti i FFK-së.