Lajme

Flutura Dedinja, kreatorja që po duartrokitet në Austri

Flutura Dedinja tashmë është emër suksesi në fushën e modës jo vetëm në trojet shqiptare, por edhe në Austri

Flutura Dedinja, një emër që i ka dhënë jetë një marke veshjesh e cila po njihet gjithnjë e më shumë nëpër botë për veçantinë, guximin dhe vlerat artistike që transmeton dhe përfaqëson te çdo grua. Nga viti 2021 ajo po bën një jetë mes Prishtinës dhe Vjenës, ndërkohë në shtator mori pjesë në “MQ Vienna Fashion Week 2022”.

Ajo është një prej stilisteve më të njohura shqiptare, e cila prej shumë vjetësh është kthyer në stilisten e preferuar të shumë personazheve të njohura të ekranit, të cilat ua besojnë imazhin e tyre krijimeve të saj.

Flutura Dedinja tashmë është emër suksesi në fushën e modës në trojet shqiptare, por edhe në Austri.

Përveçse se është një disenjatore e njohur, ajo është edhe mësuese mode. Rrjedh nga një familje shqiptare, prindërit e së cilës janë me prejardhje nga Mitrovica.

Pikërisht ky qytet, sipas saj, ka ndikuar shumë në ndërtimin e personalitetit të saj.

“Edhe pse isha vetëm 13 vjeçe, kur ika nga lufta, mbaj mend shumë nga ai qytet i bukur me plot jetë e art. Në fillore çdo lëndë mësimore e kam parë si lëndë të artit figurativ. Gjithsesi e gjeja një mënyrë që ta përktheja figurativisht, sepse ajo ka qenë forma që truri im i konceptonte gjërat, andaj ka ndikuar shumë”, shprehet ajo.

MQ Vienna Fashion Week 2022; Designer: Flutura Dedinja

Fillimisht Flutura Dedinja ka studiuar Arkitekturën, më pas, me tu hapur Shkolla e Modës për herë të parë në Prishtinë, pa hezituar vendosi të studiojë në fushën ku zemra i flinte më shumë.

“Paralelisht të dy drejtimet: Arkitekturën dhe shkollimin për dizajn të modës. Të dyja i përfundova në të njëjtën kohë. Edhe pse ka qenë një ngarkesë jashtëzakonisht e madhe për mua, me vullnetin që kisha, i përballova të gjitha mundimet. Menjëherë pas përfundimit të studimeve u angazhova në shkollë si asistente e prof. David Priol në një lëndë profesionale, e më pas fillova me krijimin e koleksionit të parë profesional, me të cilin pata një sukses të madh dhe ky ishte fillimi i mbarë i brendit “Flutura Dedinja”, tregon ajo.

Sot, marka e veshjes “Flutura Dedinja” përfshin modë të lartë dhe veshje të gatshme, të dizajnuara në një stil unik që kombinon klasiken me avangardën, në të cilën çdo femër mund të ndihet e veçantë dhe ekspresive.

Koleksionet “Flutura Dedinja” janë gjithmonë inovative, me veshje që mund të transformojnë pamjen, me kombinime të papritura butësie dhe prerjesh strukturore, që i rezistojnë kohës dhe shprehin guximin dhe veçantinë e çdo femre.

Designer: Flutura Dedinja, unknown model

Dëshira e madhe për stiliste në industrinë e modës

Flutura rrëfen historinë e saj për revistën Albinfo.at rreth zgjedhjes së profesionit si stiliste dhe dëshirën e saj që nga fillimi për këtë profesion.

“Kam lindur në një familje esnafësh, zanatli nga më të ndryshmit, gjyshi saraç, e gjyshja rrobaqepëse, e deri te babai çantaxhi. Pra, nuk është e rastësishme kjo puna ime. Dua ta cek një gjë që kultura e të veshurit ka qenë tejet e theksuar në familjen time. Pastaj fiziku dhe anatomia e trupit për mua kanë qenë shumë inspiruese dhe, duke e marrë parasysh që jam gjendur në një ambient ku kishte shumë materiale të ndryshme, atëherë kjo më ka bërë që unë të krijoj gjësende të ndryshme e deri te veshjet për kukulla, e më pas edhe për vete”.

Për Fluturën, ky profesion është edhe i trashëguar, pasi babai i saj ka qenë dizajner i çantave dhe një prodhues mjaft i madh në gjithë Ballkanin.

“Babi para luftës ka qenë një prodhues i madh i çantave të ndryshme shkollore dhe atyre për femra. Kishte një punëtori, gjë që për mua ka qenë model. Kishte pajisje prej më të ndryshmeve dhe kjo më bënte shumë kureshtare për t’i ditur të gjitha proceset. Isha vetëm pesë vjeçe, kur kam krijuar rripin e parë, pastaj aksesorët ishin përditshmëria ime. Po ashtu si vajzë e re vizatoja kreacione të ndryshme dhe e imagjinoja veten në pasarela me krijimet e mia dhe ja që ato u bën dhe realitet”, shprehet ajo.

Dedinja tregon se fillimet e krijimtarisë së saj si dizajnere në industrinë e modës në Kosovë ishin më të vështira, sepse kishte pak kohë që filloi një ere e re e modës si industri, në një shteti të ri, mirëpo, sipas saj, tani po zhvillohet me hapa shumë të mëdhenj dhe është një prej vendeve me më shumë potencial, një brez i ri i cili po “gufon” me talente në këtë fushë.

Eventet e saj dhe veshjet e figurave të njohura

Disenjatorja Flutura Dedinja, e njohur për motivet e saj elegante dhe të thjeshta, ka mbajtur shumë evente dhe ka veshur shumë artistë të njohur.

“Gjatë karrierës sime deri tani kam pasur diku më shumë se dhjetë paraqitje, që nuk janë shumë, por secila i ka pasur veçoritë e veta. Çdo koleksion zakonisht ka një tematikë apo një inspirim, prandaj janë të veçanta, sepse secila ngërthen në vete diçka speciale. Njërën që do ta kisha veçuar është prezantimi im i parë si dizajnere profesioniste “Butterfly effect”. Ka qenë një paraqitje teatrale, ku modelet jo vetëm se kanë sfiluar, por ato kanë bërë një performancë të jashtëzakonshme”, thotë ajo

Dedinja tregon se ka veshur shumë artistë të njohur, si Rona Nishliun, Flaka Gorancin, me të cilat ende bashkëpunon. Vlen të theksohet se veshjen të cilën Rona ka performuar në Eurosong 2012 ishte dizajnuar nga Flutura.

Austria, një pikënisje e re me dimension tjetër

Nga viti 2021 Flutura Dedinja është shpërngulur nga Prishtina për të jetuar në Vjenë, por ajo nuk ka hequr dorë nga angazhimet profesionale dhe biznesi i saj në Prishtinë. “Kohëve të fundit po bëj jetë në mes Prishtinës dhe Vjenës. Kjo mënyrë e jetesës nuk është edhe aq e lehtë, por në të njëjtën kohë është motivuese për të punuar edhe më shumë“, shprehet ajo.

Ardhja e Fluturës në Austri ishte jo e rastësishme, në fakt, ishte një shtytje e madhe në krijimtarinë e saj. Ajo tregon se Vjena e bukur e frymëzon në çdo hap dhe pa dyshim kjo ka ndikuar në punën e saj dhe në krijimin e ideve të reja si stiliste.

“Në shtatorin e këtij viti unë isha pjesëmarrëse në javën e modës “MQ Vienna Fashion Week”. Aty prezantova një koleksion, të cilin e emërova si “Portret”, pasi ai koleksion ngërthente në vete detaje nga e gjithë karriera ime dhe detaje të veçanta që unë kisha krijuar për emra të veçantë. Prandaj secila veshje portretizonte dikë”.

Koleksioni i saj në Austri u duartrokit dhe u përfol nga shumë pjesëmarrës shqiptarë, austriakë dhe të huaj nga vende të ndryshme të botës. Organizatorët e cilësuan si “Risi në javën e modës vjeneze” dhe kjo për Fluturën ishte një satisfaksion.