Zhvillim

Fotografi zviceran: “Shumë njerëz në Zvicër, të habitur se sa `normalë` janë njerëzit në Kosovë”

Mario Heller, fotograf nga Muri (Aargau) ka realizuar një seri portretesh të kosovarëve të rinj. Atë e ka publikuar në watson.ch dhe e ka titulluar "Kosovarët e rinj që NUK kanë ikur...". albinfo.ch prezanton një intervistë të tij dhe pjesë nga njëri prej portreteve

  • Foto: elena kougionis

“Seria e portretimit të të rinjve në Kosovë” e Mario Heller-it, e bërë si një kundërvënie valës aktuale të migrimit, ka hasur në interesim të madh të lexuesve tanë dhe ka nxitur diskutim të angazhuar në shtyllën e komenteve. Në këtë intervistë, fotografi i Aargaut nga Muri flet mbi entuziazmin e tij mbi Ballkanin, për atë se si jetojnë të lënit anash të Prishtinës dhe se si erdhi deri te kjo seri fotografish.

Cili ishte motivi yt për këtë projekt?

Mario Heller : Unë isha në Bosnjë para tetë vitesh e gjysmë. Ishte udhëtimi im i parë në një vend ballkanik. Shkak i shkuarjes sime ishin vërshimet që e kishin goditur regjionin atëherë. Aty më ra në sy mentaliteti i ngrohtë i njerëzve. Kur në janar të këtij viti lexova për valën e refugjatëve nga Kosova vendosa të shkoj atje dhe të mund të krijoja një pasqyrë mbi gjendjen. Ndonjë plan konkret se ç’do të mund të bëja atje në fillim nuk e kisha ende.

Si erdhi te ideja me portretet?

Unë kisha paraprakisht kontakte përmes facebook-ut me persona të ndryshëm nga vendi. Në ditën e dytë ndonjëri prej tyre do të duhej të ma prezantonte Prishtinën. Unë e takova atë në shtëpinë e tij dhe ne hymë në bisedë. Me atë rast u realizua një intervistë interesante dhe një fotografi portretuese. Aty m’u bë e qartë se e kisha gjetur një ngjarje, të cilën do të duhej ta shpieja më tutje dhe me të cilën do t’i mbushja tri javët e mia në Kosovë.

Çka të ka befasuar më së shumti?

Unë kisha të bëja në Zvicër me kosovarë të ndryshëm, me disa prej të cilëve kisha edhe përvoja të këqija. Gjatë tri javëve të qëndrimit tim në Kosovë unë përkundrazi nuk u provokova asnjëherë apo diç të ngjashme. Të gjithë gëzoheshin të flisnin me dikë nga Evropa Perëndimore. As zilia nuk mund të vërehej fare.

Kjo do të duhej të ketë qenë edhe për faktin se, siç vërente një lexues i watson-it, kishe të bëje kryesisht me kosovarë që jetojnë në mirëqenie?

Unë do të kisha biseduar me dëshirë edhe me njerëz të tjerë. Të tillë ka për shembull në Plemetin, një vend afër Prishtinës, në afërsi të termocentralit të thëngjillit. Aty jetojnë para së gjithash romë dhe serbë në kushte relativisht të varfra. Aty kam bërë disa portrete, por barrierat gjuhësore ishin shumë të mëdha, pasi askush nuk fliste anglisht apo gjermanisht. Dhe me përkthyes intervistat nuk dëshiroja t’i bëja, sepse kështu do të humbte shumëçka.

Kështu u realizuan portretet me artistë dhe studentë. A e konsideron këtë si një kontrast të madh me diasporën kosovare në Zvicër?

Po, dhe për këtë ka edhe arsye të mira, të cilat edhe u paraqitën thuktë nga Rina (njëra nga të portretizuarat). Kosovarët, të cilët e braktisën atdheun e tyre në vitet 1990-ta janë zhvilluar ndryshe nga ata që kanë mbetur në vendin e tyre. Gjuha e tyre ka stagnuar dhe në Prishtinë ajo tingëllon demode. Me situatën në Zvicër nuk mund të krahasohet, jo vetëm për shkak të paragjykimeve që kanë shumëkush këtu ndaj njerëzve nga Ballkani.

Në bazë të saj që ke përjetuar në Kosovë a do të ishe edhe ti njëri nga ata që fatin do ta provoje diku tjetër apo do të qëndroje?

Unë mendoj se do të rrija. E qartë që njerëzit me të cilit unë kisha të bëja, ishin pak më të privilegjuar, sepse prindërit e tyre punonin. Në anën tjetër, në Kosovë të hapen shumë perspektiva, po qe se angazhohesh dhe dëshiron të arrish diç. Më kujtohet me këtë rast Aresi 23-vjeçar – drejtor i kinemasë. Gjithsesi se edhe të suksesshmit gjenden në një lloj dyzimi: ata do të studionin me dëshirë jashtë vendit, por të ardhmen e tyre e shohin në Kosovë.

A ke biseduar edhe mbi temat politike si për shembull për marrëdhëniet me Serbinë?

Po, reagimet ishin të ndryshme. Shumë theksonin se s’kanë asgjë kundër serbëve dhe akuzonin politikanët e të dy palëve për nxitje të konfliktit. Se Mitrovica edhe më tej mbetet një qytet i ndarë flet për atë se shumëçka ka ngecur si më parë. Urën famëkeqe do ta kisha vizituar me dëshirë, por për këtë më mungoi koha në fund.

Çfarë jehone ka puna jote?

Deri tash përgjithësisht pozitive. Kolegët e mi fotografë i konsiderojnë fotografitë e mia shumë të mira. Edhe të portretizuarit janë të entuziazmuar. Shumë prej tyre po i përdorin fotografitë si portrete të profilit të tyre. Edhe komentet në faqen e watson-it kanë qenë kryesisht pozitive. Para se të shkoja në Kosovë, prindërit dhe disa miq të mi brengoseshin për mua. Atje ka vetëm banditë, mendonin ata. Nga puna ime, ata janë befasuar se sa “normalë” janë njerëzit atje.

A ke plane për vazhdimin e projektit në Kosovë?

Po, në Plemetinin e përmendur, atje ku jetojnë të lënit anash të Prishtinës, do ta bëja me dëshirë një reportazh. Apo në fshatrat ku jetojnë kryesisht kosovarë boshnjakë, në viset e shkëputura nga pjesa tjetër e vendit. Përgjithësisht herën tjetër fokusin do ta vendosja larg qendrave urbane tek popullsia fshatare.

A e ke vërejtur se një lexues yni të vihet në dispozicion si përkthyes?

Këtë e kam parë me shumë gëzim. Ne do të kontaktojmë. Ndoshta do të arrijmë të kemi një bashkëpunim.

Përkthimi nga watson për albinfo.ch: Nexhmedin Gerguri

(Foto: Mario Heller)

Rina Kika (25)
(…)
Rina, gjermanishten e saj për herë të parë pati mundësi ta zbatonte në Zvicër: Edhe pse shanset ishin pothuajse zero, ajo bëri kërkesë për një vend studimi në të Drejtën Ekonomike Ndërkombëtare të Universitetit të Cyrihut . Për befasinë e saj, shpenzimet e studimit iu hoqën. Rina punoi si kameriere për të siguruar ekzistencën e saj. Ajo u dashurua shpejt në qytetin, përkundër vështirësive të fillimit me mentalitetin zviceran. Kontakteve me shqiptarët u shmangej vetëdijshëm. Megjithatë, brenda dy vitesh të qëndrimit të saj ajo njohu disa shqiptarë.
Pyetjes se a i pranon si të saktë zërat kritikë ndaj njerëzve nga Ballkani, Rina i përgjigjet: „Asnjëherë nuk duhet përgjithësuar dhe nuk duhet gjykuar një vend apo një grup të tërë etnik. Ishte interesante për mua ta njihja mentalitetin e shqiptarëve të Kosovës të lindur në Zvicër. Ata kishin trashëguar tërë mendësinë e prindërve të tyre, të migruar me gjasë në vitet e hershme të nëntëdhjeta. Kjo domethënë se ata janë diç më primitivë sesa sot njerëzit në Kosovë, sepse ata ato pikëpamje nuk i zhvilluan më tej. Më së shumti më ka habitur dialekti i tyre. Kur flisja me një shqiptar të Kosovës të lindur në Zvicër, në aspektin linguistik më dukej sikur të flisja me një burrë të vjetër me trup të ri. Këtu bashkë me normat është zhvilluar edhe gjuha.“
Edhe pse juriste, Rina punon vazhdimisht në projekte arti. Me një grup të rejash dhe të rinjsh nga Kosova, Serbia dhe Zvicra ajo organizon më këto tri vende diskutime podiumi, koncerte apo shfaqje teatrore. Nga 13 deri më 19 shtator do të jetë për herë të dytë në Zvicër. Si përmbyllje e këtij qëndrimi do të jetë një performancë në „Zürcher Frauenmünster“.