Zhvillim

“Frankfurter Allgemeine Zeitung”: Kosovës po i ikin dritat

"Një bombë me sahat është kurdisur në mes të Evropës". Ndërmarrja gjermane ka marrë përsipër shkurdisjen por deri më tash pa sukses

Mjerimi ekonomik është ai që shtyn njerëzit të ikin. Ndërprerjet e rrymës dhe termocentralet e rrënuara bllokojnë zhvillimin. A munden ndërmarrjet gjermane të shkurdisin bombën me sahat? Ky është konstatimi dhe pyetja që bën gazeta prestigjioze “Fankfurter Allgemeine Zeitung” në artikullin e gjatë lidhur me gjendjen aktuale në sferë e energjisë elektrike në Kosovë.

albinfo.ch, si platformë, veç tjerash ka për synim edhe promovimin e zhvillimit të vendeve të prejardhjes, në këtë rast Kosovës. Për këtë arsye përkthimi dhe publikimi i këtij artikulli bën pjesë ne misionin e saj.

“Kryebashkiaku nga Kosova flet me zemërim dhe flet – gjermanisht. Udhëheqja e qytetit ka provuar të gjitha për të ndaluar ikjen e qytetarëve, thotë Muharrem Svarqa duke gjestikuluar me duar. Madje ai ka urdhëruar administratën të vendosë edhe pllakate me mesazhe patriotike, si: “Qëndroni këtu, atdheu ka nevojë për Ju!” ose “Mos ua ktheni shpinën atyre që kanë luftuar për pavarësinë tonë!”…

Svarqa, i cili vetë ka jetuar për 15 vjet në Gjermani, tund kokën në mënyrë energjike: “Unë nuk mund t`ua marr për të keq këtyre njerëzve që ikin. Ne nuk kemi çfarë t`u ofrojmë atyre tash”. Nga janari kanë ikur jashtë vendit rreth 3500 persona nga Ferizaj, një komunë e madhe me 110.000 banorë në jug të kryeqytetit, Prishtinës. Ndërsa pas disa dekadash emigrimi, në Evropën Perëndimore tash jetojnë, legalisht dhe ilegalisht 50.000 banorë (nga Ferizaj).

“Ka ikur çdo i treti, edhe vajza ime është martuar në Gjermani dhe as ajo nuk do të kthehet”, thotë Svarqa. Kur nuk mund t`i bindim njerëzit tanë të shohin ardhmërinë këtu, si do ta shohin atë investitorët e huaj?”.

Kushdo që kërkon shkaqet e fluksit të emigrimit nuk mund të anashkalojë mjerimin ekonomik të vendit – dhe termocentralin gjigant i cili simbolizon gjendjen dëshpëruese të ekonomisë dhe të furnizimit me energji. Ekspertët flasin për një bombë të kurdisur, kur bëhet fjalë për këtë temë. Dhe kryebashkiaku Svarqa shanë: “Më e keqja është se gjatë dimrit rryma ndalet rregullisht “. Kjo pasiguri i ndjek investitorët dhe e shton edhe më shumë valën e eksodit. Në Ferizaj shkalla e papunësisë është ngritur në 35 për qind.

Madje edhe ai që ka një punë, me pagën mesatare prej 300 eurosh në muaj nuk mund të jetojë, i nevojitet ndihma e familjarëve jashtë vendit. Punëdhënësi më i madh është administrata, janë edhe disa ndërmarrje të vogla për përpunimin e metalit dhe të drurit por nuk ka industri. Ujësjellësi dhe kanalizimi janë të vjetruar, ngrohja qendrore mungon, shtëpitë ngrohen individualisht me dru, qymyr, dizel ose elektricitet.

Ferizaj, me ndihmat nga Gjermania ka pajisur një pjesë të rrugëve me llamba solare. Krahas kësaj, ndërmarrja e Berlinit “Unitas Energy” do të investojë këtu 20 milionë euro në dy impiante për prodhimin e energjisë dhe ngrohjes nga biomasa. Një mënyrë e re e përfitimit të energjisë mundëson që në Kosovë në të njëjtë kohë “të bëhet një e mirë dhe të fitohen para”; thotë menaxheri i Unitas-it, Gerhard Brazel.

Termocentralet me bazë thëngjillin, si bomba të kurdisura

Në periferi të Prishtinës qëndrojnë termocentralet e lashta “Kosova A” dhe “Kosova B”, të cilat në fakt duhet ta furnizojnë gjithë vendin. Në radhë të parë “Kosova A” është jo vetëm e ndotur dhe e pasigurt por edhe e rrezikshme. Me rastin e një eksplozioni në verën e kaluar, patën humbur jetën dy punëtorë ndërsa qenë lënduar 30 të tjerë.

“Aksidentet dhe ndërprerja e rrymës tregojnë se sa e ndjeshme është gjendja. Kjo mund të ndodhë sërish në çdo kohë”, tërheq vërejtjen Volker Harzbecker. Ai drejton prej vitesh biznesin ballkanik të punëdhënësit të tij, ndërtuesit të termocentraleve “Bilfinger Power Solutions” nga Oberhauseni.

“Një bombë me sahat është kurdisur në mes të Evropës”, thotë ai. Ndërmarrja e tij ka marrë përsipër shkurdisjen por deri më tash pa sukses. Plani i gjermanëve parasheh që blloqet e vjetra te zëvendësohen gradualisht me njësi të reja, me efikasitet të lartë dhe që mbrojnë ambientin, me fjalë tjera një rinovim komplet. Ndërsa qeveria është përqendruar në qëllimin për të ngritur aty pranë termocentraleve te vjetra edhe një të tretë, Kosovën C.

Të dy termocentralet problematike furnizohen me linjit nga minierat gjigante në afërsi. Së paku po të shikohet nga kjo anë, Kosova e varfër është shumë e pasur: Në Fushën e Kosovës ruhen rezervat që në botë zënë vendin e katërt për nga sasia. Ato llogariten në 12 miliardë tonelata dhe premtojnë siguri furnizimi për shekuj me radhë. Linjiti kosovar konsiderohet me cilësi të lartë dhe është aq lehtë i eksploatueshëm sa që edhe personat privatë e nxjerrin atë me lopatë.

Por ana tjetër e medaljes është ndotja e ambientit. “Kosova A” është njeri ndër termocentralet më të ndotur në botë”, thotë Harzbecker. Me gjithë masat e ndërmarra, ndotja e ajrit është në shkallën e dyfishit të lejuar evropian, thotë Ilir Morina, udhëheqës i autoriteteve kosovare të mbrojtjes së mjedisit.

Studimet kanë treguar se rreziku i sëmurjes nga kanceri në rrezen prej 6 kilometrash është për afër një të tretën më i lartë se në pjesën tjetër të vendit. Në këtë zonë shtrihet edhe Prishtina, ku jeton çdo i dhjeti nga 1.8 milionë kosovarët.

“Dinosauri” i quajtur “Kosova A”
Morina thotë se situata është më e mirë se më parë por problemi nuk është zgjidhur përgjithmonë. “Kosova A është një dinozaur i cili e ka kaluar qëmoti moshën maksimale të shërbimit”. Dy blloqet e para të termocentralit janë nga vitet `60 ndërsa të tjerat nga vitet `70. Aktualisht vetëm njëri prej tyre është në rrjet.

Ndonjë përmirësim i shpejtë nuk shihet në horizont. Planet për ndërtimin e centralit të ri shtyhen dhe tkurren vazhdimisht. Më i riu prej tyre parasheh ngritjen e dy blloqeve me një kapacitet prej 300 megavatë secili. Për herë të parë planifikohet të ngrihet në baza private. Në garë është vetëm një ofertues, ndërmarrja energjetike nga Nju Jorku, “Contour Global” ndërsa kostoja llogaritet 1.4 miliard euro. Dy të tretat do të vijnë nga kreditë për të cilat Banka Botërore është e gatshme të japë garancitë e veta të pjesshme. Por, edhe me kushtin që vendimi të merret gjatë vitit 2015, centrali nuk mund të jetë i gatshëm para vitit 2021.

Është krejtësisht e pasigurt nëse deri atëherë do të sigurohet furnizimi me energji. Kjo për faktin se BE-ja ia ka vënë Kosovës si kusht për t`u kualifikuar si shtet anëtar i saj, mbylljen e ndotësit “Kosova A” në vitin 2017.

Edhe “Kosova B” e cila është ngritur në vitet `80 së shpejti do të përmbyllë ciklin e saj të jetës.

Importi që kushton shtrenjtë

“Pavarësisht se çfarë thotë BE, centralet e vjetra do të vazhdojnë me të vjetrën derisa të mos gjendet një alternativë e besueshme dhe që mund të paguhet”, thotë Krenar Bujupi, nga autoriteti rregullator i energjisë në Prishtinë. “Kosova nuk i ka paratë për të blerë energjinë e munguar”: Importi, sipas tij, kushton sa dyfishi i energjisë së prodhuar në vend dhe ky është tash sa kohë një realitet i shtrenjtë për vendin. Edhe pse Kosova fle mbi një pasuri të pamatshme, asaj i duhet edhe tash, varësisht nga moti, të blejë 15 deri 40% të elektricitetit të nevojshëm.

“Në fakt termocentrali i tretë është qysh tash prezent: ai është importi”, thotë Gerge Karagutoff me një dozë humori të zi. Ky bullgar është menaxher i ndërmarrjes për shpërndarjen e energjisë, KEDS-it, që i takon një koncerni turk. KEDS ka marrë obligime që në 15 vitet e ardhshme të investojë 300 milionë euro në furnizim, 35 milionë tashmë kanë rrjedhur. Që atëherë besueshmëria është shtuar por vazhdon të ketë ndërprerje të energjisë. Degë të tëra ekonomike, si për shembull industria ushqimore e cila është e varur nga pasja e frigoriferëve, heqin dorë nga investimet ose as që vijnë në Kosovë.

Sipas një studimi të USAID-it, agregatët, ndërprerjet e rrymës dhe për pasojë, prishjet e makinave, u kushtojnë ndërmarrjeve kosovare mbi 400 milionë euro në vit, që është 8 për qind e prodhimit të gjithëmbarshëm ekonomik.

“Nuk ka pengesë më të madhe për zhvillimin ekonomik se sa mjerimi energjetik”, thotë Jan-Peter Olters nga Banka Botërore. “Mungesa e investimeve nënkupton mungesë të vendeve të punës, e kjo, nënkupton mungesë perspektive dhe emigrim – një qark vicioz”.

Banka Botërore bën përjashtim te Kosova, garanton ngritjen e termocentralit të ri
Nisur nga shkaku i mbrojtjes së mjedisit, Banka Botërore nuk mbështet më ndërtim termocentralesh por për shkak të situatës emergjente të energjisë në Kosovë, ajo ka bërë një përjashtim.

Duke qenë se nevoja për energji po rritet, as termocentrali i ri nuk do t`i plotësojë të gjitha nevojat. Ekspertët vlerësojnë se në vitet pas vitit 2021 mungesat do të jenë rreth 700 megavatë, ose sa 80% e prodhimit të tashëm. Blerja e energjisë në një sasi të tillë nënkupton ngritje drastike të çmimit të energjisë (për konsumatorët) dhe kjo është e pazbatueshme. Për këtë arsye mbetet vetëm mundësia e rinovimit komplet të Kosova A.

Sipas planit të Bilfnger, rinovimi i centralit 815 megavatësh do te kushtonte rreth 900 milionë euro, diku 1.1 milion euro për megavat. Ndërsa për një central të ri sikur “Kosova C” nevojiten investime dyfish më të mëdha. Sipas njeriut të Bilfingerit, Harzbecker, gjendja është e qartë: “Nëse Kosova A nuk modernizohet shpejt, vendi rrëshqet në katastrofë”.

KEK- u mbështet planin nga Gjermania

“Shikoni rreth jush, gjeneratorët janë nga koha e Bashkimit Sovjetik”, thotë kryemenaxheri i KEK-ut, Arben Gjukaj. “Rinovimit nga themeli nuk kemi si i ikim, përndryshe, një ditë do të gjendemi para dritës së qiriut dhe do të mërdhijmë”. Kundërshtarët e modernizimit duhet të zgjohen nga gjumi, kërkon Gjukaj. “BE-ja, nga ideja e saj e gabuar e shkyçjes në vitin 2017; Qeveria nga qëndrimi i saj kundër planit Bilfinger dhe të tjerët që besojnë në energjitë e ripërtërishme.

“Ne kemi vetëm një shans: prodhimin modern të energjisë nga linjiti në tre termocentrale. Se si mund të duket një furnizim inteligjent, tregon ndërtimi i rrjetit largpërçues drejt Shqipërisë. Shteti fqinj shumicën e nevojave të veta me energji elektrike e mbulon nga fuqia e ujit. Linja e re, 400 kilovoltëshe e bashkëfinancuar nga banka gjermane KfW mundëson një lidhje energjetike të dy vendeve. Gjatë natës mund të rrjedhë energji më e lirë nga Kosova në pompat akumuluese në Shqipëri, për të mbuluar pastaj nevojat ditore të dy vendeve.

KfW ka ndihmuar po ashtu furnizimin me ngrohje të 12.000 shtëpive në Prishtinë nga Kosova B. Në rrjet është lidhur edhe Katedralja Katolike, e emërtuar sipas Nënë Terezës, shqiptares më të famshme në botë.

Ky shembull tregon po ashtu se sa shumë zvarriten në kohë plane të tilla: Populli e pret një ngrohje të tillë që nga viti 1979! (b.sh.)