Futboll

Futbollisti Liridon Krasniqi merr pasaportën e Malajzisë

Pritet të përfaqësojë Kombëtaren e saj

Liridon Krasniqi, futbollisti nga Kosova i lindur në Gërmovë të Vitisë, është pajisur me pasaportën e Malajzisë, duke i hapur rrugë vetes për përfaqësimin e ekipit kombëtar të këtij vendi.

Mesfushori sulmues, 28-vjeçari, i Jehor DT në Superligën e Malajzisë, ende nuk ka luajtur për asnjë ekip kombëtar në ndeshje zyrtare, prandaj ka të drejtë të zgjedhë ta përfaqësojë cilëndo kombëtare që dëshiron.

Në të kaluarën, ai kishte shprehur gatishmërinë dhe dëshirën për të përfaqësuar shtetin e Azisë juglindore, vendin ku luan prej 5 vjetësh.

Ai u transferua në Kedah FA në fillim të vitit 2015 dhe luajti edhe për Melaka Utd, para se t’i bashkohej Jehor DT në fund të vitit të kaluar. Krasniqi ka vetëm dy paraqitje për ekipin kombëtar U-21 të Shqipërisë në të kaluarën.

Në dhjetor të vitit të 2018, i riu tregoi mirënjohjen e tij për Malajzinë, duke thënë se do ta pranonte menjëherë mundësinë e përfaqësimit të këtij vendi.

“U gëzova kur mësova për interesimin e Federatës së Malajzisë. Nëse bëhet realitet, do ta japë më të mirën time për ekipin e Malajzisë. E konsideroj këtë vend si shtëpinë time të dytë, pasi që më ka dhënë shumë gjëra”, deklaroi Krasniqi më 2018-n.

“Nëse marr ofertë nga Malajzia, nuk do ta refuzoj sepse dua të luaj për ekipin e tyre kombëtar. Kam nevojë për edhe dy vjet më shumë me një klub këtu për t’u kualifikuar për nënshtetësi, sipas rregullave të FIFA-s”.

Krasniqi ka pesë vjet që luan futboll në Malajzi dhe rregullat e FIFA-s thonë se një futbollist duhet t’i kalojë pikërisht pesë vjet në një vend, për të qenë i përshtatshëm për ta marrë nënshtetësinë e atij vendi.