Lajme

Gjashtë gjëra që nuk i shihni në Zvicër, por janë të zakonshme në vende të tjera

Zviceranët krenohen me veçantinë e vendit të tyre dhe duan të tregojnë se sa më e mirë – dhe sigurisht më e organizuar – është jeta këtu sesa në vende të tjera.

Edhe nëse nuk mund të vendosni nëse jeta në Zvicër është më e mirë apo më e keqe se në vendin tuaj, të paktën mund të pajtoheni se shumë gjëra janë më ndryshe dhe ajo që mund të jetë një praktikë e zakonshme diku tjetër, mund të mos ekzistojë në Zvicër (ose të ekzistojë në një masë të kufizuar) – dhe anasjelltas, transmeton albinfo.ch.

Grevat

Lajmet për greva janë të zakonshme në Evropë, por nuk është kështu në Zvicër. Nuk është se punonjësit KURRË nuk bëjnë grevë këtu, sepse bëjnë. Megjithatë, në krahasim me vendet e tjera, veprime të tilla industriale janë relativisht të rralla në Zvicër.

Konsideroni natyrën jokonfrontuese të popullsisë së Zvicrës, ose rolin që luajnë marrëveshjet kolektive të punës në garantimin e të drejtave të punonjësve – ose të dyjave – por, ndryshe nga fqinjët e saj, zviceranët nuk kanë një “kulturë greviste”.

Të dielet e gjalla

Jo shumë të huaj (për të mos thënë fare) thonë se të dielat janë “ditë të qeta” në vendet e tyre ku nuk lejohet asnjë zhurmë, përveç ndoshta asaj të foshnjave që qajnë, shkruan thelocal.ch.

Por nëse jetoni për një kohë në Zvicër, e dini që të dielat janë caktuar si ditë pushimi dhe zhurmat si ato që lëshohen nga kositësit e barit, çekiçët apo edhe shishet që hidhen në një kosh riciklimi, janë rreptësisht të ndaluara.

Praktika më të relaksuara të plehrave

Sigurisht, Zvicra nuk ka një monopol kur bëhet fjalë për menaxhimin e duhur të mbetjeve – shumë vende të tjera praktikojnë gjithashtu metoda miqësore me mjedisin e hedhjes së plehrave.

Por lëreni zviceranëve që ta mikromenaxhojnë këtë proces deri në ekstrem.

Rasti në fjalë është se ju mund të kapeni dhe të gjobiteni, nëse hidhni objekte “të gabuara” me mbeturinat “të rregullta”, në vend që t’i hidhni ato në një kosh të përshtatshëm.

Ju mund të tronditeni edhe më shumë kur mësoni (shpresojmë, jo nga përvoja) se ‘inspektorët e plehrave’ në të vërtetë kalojnë nëpër mbeturinat tuaja dhe do t’ju gjobisin nëse zbulojnë diçka që nuk është hedhur aty ku duhet.

Mbyllje me vonesë të dyqaneve

Kjo, siç e keni vënë re deri tani, është një gjë e rrallë në këtë vend.

Nëse ju pëlqen të bëni pazarin tuaj pas punës, ose më vonë në mbrëmje, siç bënit në vendin tuaj atëherë Zvicra do t’u zhgënjejë në këtë pikë.

Në fakt, mbyllja e dyqaneve deri në orën 18:30 në shumicën e qyteteve është një nga ankesat kryesore që banorët ndërkombëtarë kanë për jetesën në Zvicër.

Pritjet e gjata për takime me mjekun dhe procedura mjekësore

Kjo është një nga fushat ku Zvicra kalon mbi të tjerat.

Për shkak se sistemi i kujdesit shëndetësor i Zvicrës është privat dhe jo i drejtuar nga qeveria, banorët marrin përfitime të caktuara.

Një nga avantazhet e këtij sistemi është se, për sa i përket kohës së pritjes për takime dhe procedura mjekësore jourgjente, Zvicra mund shumë vende të tjera.

Sipas një sondazhi të OECD-së mbi sa kohë pacientët në vende të ndryshme presin zakonisht për një takim me një specialist, përqindja e njerëzve në Zvicër që presin një muaj ose më shumë është 23 për qind, krahasuar me 36 për qind në Francë, 52 për qind në Suedi dhe 61 për qind në Norvegji.

Por ka edhe një anë tjetër: Shëndetësia që nuk e thyen bankën

Ndërsa vendet e tjera në Evropë kanë një lloj sistemi shëndetësor të bazuar në taksapaguesit, që do të thotë se banorët do të paguajnë aspak ose pak para për shërbimet mjekësore, në Zvicër, ku sigurimi shëndetësor është i detyrueshëm, nuk është kështu.

Primet rriten çdo vit dhe hanë pjesë të mëdha të buxheteve familjare – megjithëse ata që nuk janë në gjendje të përballojnë pagesat, zakonisht do të marrin ndihmë financiare nga qeveria.