Bota

Gjermanët, të lumtur që i paguajnë taksa shtetit

Gjermanët janë ndër të parët që me kënaqësi dhe përgjegjësi paguajnë taksa për shtetin, tregon hulumtimi nga Instituti i Ekonomisë së Bazelit (Institute of Commons and Economics).

“Në një shkallë nga 1 deri në 10, Gjermania regjistroi vlerën më të lartë të matur prej 7.0”, raporton agjencia gjermane e lajmeve DPA, përcjell albinfo.ch.

Sipas të njëjtit informacion, qytetarët e vendeve të Ballkanit nuk duan t’i paguajnë taksat. Vlera më e ulët u regjistrua në Maqedoni (3.2), pastaj në Mal të Zi (3.9) dhe Serbi (4.1).

Sondazhi i Institutit të Bazelit është realizuar në tre vjetët e fundit në 141 vende, me pyetjen se në çfarë mase qytetarët e një vendi janë të gatshëm të paguajnë një taksë për të financuar shpenzimet publike për sistemin social, kujdesin shëndetësor, shërbimet publike, mediat dhe organizatat kulturore. Të dhënat e plota nga anketa do të publikohen në mars të këtij viti.

Qeveria gjermane po punon aktualisht në përgatitjen e një sondazhi, në të cilin qytetarët gjermanë do të duhet të deklarohen nëse janë të kënaqur me normat aktuale tatimore. Bazuar në rezultatet e hulumtimit, autoritetet e financave duhet të përgatisin një reformë të sistemit tatimor gjerman.