Bota

Gjermani 26 vjeçar ka vrarë prindërit e vet dhe 4 familjarë tjerë

Të vdekurit janë tre burra të moshave 36, 65 dhe 69 dhe tri gra të moshave 36, 56 dhe 62. Midis tyre janë babai dhe nëna e dorasit

Krimi i rëndë që ka ndodhur sot rreth orës 12.45 në Rot am See,  Landi Baden Württemberg në të cilin janë vrarë gjashtë persona, ka tronditur Gjermaninë dhe më gjerë.

Siç mësohet ndërkohë, të vdekurit janë tre burra të moshave 36, 65 dhe 69 dhe tri gra të moshave 36, 56 dhe 62. Midis tyre janë babai dhe nëna e dorasit, shkruajnë mediat gjermane.

Afërsia familjare e viktimave të tjera pritet të qartësohet, është thënë në konferencën për shtyp të mbajtur në orët e hershme të mbrëmjes, transmeton albinfo.ch. Dy persona janë plagosur, ndërsa njëri prej tyre ishte në rrezik jete. Po kështu, dy të mitur që janë kërcënuar nga kryesi, tani po marrin kujdes psikologjik.

Skena e krimit është në një ndërtesë me një restorant në Bahnhofstrasse të qytetit Rot am See.

Autori i krimit është gjerman dhe ka licencë për armëmbajtje si gjuajtës sportiv, thonë policët. Ai ka vrarë katër persona në restorant, dy të tjerë përpara ndërtesës, përcjell albinfo.ch. Kur ka mbërritur policia, 26-vjeçari ndodhej para shtëpisë ku dhe u arrestua.

Për kryetjen e krimit, ai ka përdorur një armë gjysmë automatike. Nuk kishte precedencë penale.