Lajme

Gjermani: Vaksina jep rezultat pozitiv në provat e para kundër COVID-19

“CureVac” eshte shprehur se vaksina e saj e mundshme kundër koronavirusit ka nxitur reagimin imunitar gjatë testimit paraklinik tek kafshët.

Kompania gjermane e bioteknologjisë,  me seli në Tuebingen tha se vaksina që po zhvillon, e njohur si “CVnCoV”, ka prodhuar antitrupa neutralizues dhe i ka aktivizuar qelizat T, që janë lloj limfocitesh, në minj.

Firma gjermane gjithashtu tha se vaksina e saj e ka ulur nivelin e virusit të riprodhueshëm në traktin e sipër të frymëmarrjes dhe i ka mbrojtur mushkëritë e minjve, kur ata iu ekspozuan një virusi të gjallë.

“Të dhënat paraklinike, të publikuara sot, tregojnë se vaksina jonë e mundshme kundër Covid-19 e ka potencialin për të nxitur një reagim imunitar efikas dhe të baraspeshuar, që e imiton mbrojtjen natyrale imunitare dhe që ofron mbrojtje të mushkërive në një model përkatës sfidues”, tha zyrtarja e kësaj kompanie, Mariola Fotin-Mleczek.

Pas këtij njoftimi, vlera e aksioneve të kësaj kompanie u rrit menjëherë për 7.8 për qind.